DR.QAZIM NAMANI: HISTORIA E QYTETIT TË PRISHTINËS DHE TRASHËGIMIA KULTURORE

Prishtinë, 25 mars 2017: Territori i qytetit të Prishtinës ishte i banuar që para 7000 vjetësh. Gjatë punimeve të rastit në qytet janë hasur gjurmë të qytetërimit që nga kultura e Starqevës: Kompleksi i spitalit të Prishtinës, Glladnica te Graçanica. Kultura e Vinçës – neolit i ri: te tjerrtorja, Bërrnica, Matiqani. Në vitin 2012, në fshatin Dardhishtë u zbulua edhe një vendbanim i ri i neolitit. Kultura materiale e bronzit: Fusha e Badocit, Bërrnica e Poshtme, Kolovica, Grashtica, Keqekolla. Periudha e hekurit: Badoc, Matiçan, Tauk-Bahçe, Shkolla normale. Periudha romake: Ulpiana, Grashtica, Siqeva, Keqekolla, Matiqani – Periudha Bizantine- mesjeta e hershme.
Në afërsi të Prishtinës ndërtohet mbi themele të një kishe të mëhershme, manastiri i Graçanicës, si monument me rëndësi të veçantë kulturore. Prania e këtyre monumenteve të kulturës, për nga vlerat artistike hyjnë në krijimtarinë më të përsosur të Evropës dhe botës.
Në Prishtinë, në shekujt XIV dhe XV, krahas tregtarëve vendor vepronin edhe një numër i madh i tregtarëve dubrovnikas, të cilët bënin tregti me qytetet më të zhvilluara në rajon. Poashtu në shekullin XV, zeja më e përhapur në Prishtinë ishte ajo e argjendarisë.
Pas pushtimit osman, në Prishtinë u ndërtuan disa objekte sakrale dhe profane të stilit oriental si xhami, hamame, teqe, tyrbe, çezme etj. Gjatë Mesjetës së vonë, në Prishtinë, kanë qëndruar dhe kanë shkruar shumë personalitete të njohura të kohës, si; Jovan Kontaguzeni, mbreti hungarez Vlladisllavi II, Pjetër Bogdani, Haxhi Kallfa, Evlija Çelebiu etj.
Pjetër Bogdani, një personalitet kulturor e fetar shqiptar, krye ipeshkëv i Shkupit dhe Sofjes, i raporton Vatikanit që Prishtina kishte 3000 shtëpi. Evlija Çelebiu shkruante në atë kohë për 2600 shtëpi të mëdha dhe të bukura, duke veçuar sarajin e Allaj Begut dhe pallatin e gjyqit, dy hamamet e mëdha, mikpritjen dhe kulturën qytetare. Në Prishtinë ka 11 hane, ndër të cilët më me emër është hani i Haxhi Beut. Qyteti ka dy banja, njëra është banja e Fatihut në treg, e tjetra është banja e vjetër. Në një qoshe të banjës së Fatihut ekziston një shenjë, për këtë arsye kjo banjë quhet si e shenjtë dhe vizitohet shumë. Në Prishtinë ka 3000 dyqane që janë pak për këtë qytet, këtu ka rrush dhe dardha shumë të mira.
Prishtina në gjysmën e dytë të shekullit XVI ishte qendër administrative e Nahisë së Moravës, dhe në atë kohë për nga numri i shtëpive ishte qendra më e madhe në mesin e të gjitha qyteteve të atëhershme të trevës së sotme të Kosovës.
Prishtina u dobësua gjatë luftës Austro-turke, kur Prishtina ishte bërë qendër e shtabit të gjeneralit austriak Pikolominit. Këtë qytet gjatë shekujve XVIII dhe XIX e kanë sunduar Gjinollët. Pas vrasjes së Maliq Pash Gjinollit më 1809, njëra nga odat e tij u bë muze. Prishtinën e përmend edhe Feliks De Bozhur, sipas të cilit më 1812, Prishtina kishte dy panaire, të vjeshtës dhe të pranverës, ku merrnin pjesë shumë tregtarë nga lindja dhe perëndimi.

Shtëpi të vjetra qytetare: Objekti ku është vendosur Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës dhe Kompleksi i Muzeut Etnografik-Emin Gjikut.
Në Prishtinë janë kultivuar lojëra fisnike në fushën e quajtur Poteçishtë. Këto gara janë organizuar çdo vit të ngjashme me hallkën e Sinjit-vetëm me një dallim në vend të hallkës është përdorur dorëza, të cilën kalorësit e kanë pasur për detyrë ta qëllojnë me shpatë, shigjetë ose topuz. Në Prishtinë janë mbajtur edhe bejlegje (dyluftime) të ndryshme. Prishtinën e kapluan dy zjarre të mëdha më 1859 dhe 1863. Sipas banorit Gamer, Prishtina është qyteti më i madh që gjendet mes Selanikut dhe Sarajevës. Sipas Cvijiqit, Prishtina në fillim të shekullit XX kishte 4000 shtëpi.
Në fund të shekullit XIX në Prishtinë kishin filluar të lindin edhe ndërmarrjet e para ishin hapur dy fabrika mielli, njëri nga mullinjtë punonte rregullisht dhe i kishte 25 punëtorë të punësuar. Ky mulli e furnizonte me miell ushtrinë turke prej Prishtine e deri në Kretë.
Zejtarët e degëve të ndryshme ishin të organizuar në tarafe ose në esnafe, por në vitin 1861, Qeveria turke dekretoi një ligj, sipas të cilit esnafet nuk njiheshin më si organizata prodhuese dhe me këtë u anuluan të gjitha privilegjet e vjetra.
Prishtina ka qenë qytet bejlerësh dhe agallarësh, qendër e multezimëve të Kosovës. Ajo kishte tregun e pasur të kafshëve dhe prodhimeve blegtorale që eksportonte në qytete tjera. Prej zejtarisë në këtë qytet kishte rrobaqepës, rojtarë, këpucëtarë, teneqepunues, lëkurëpunues, bukëpjekës, kazanpunues, bojaxhi, enë punues, orëndreqës, opingaxhinj, farkëtar, zdrukthëtarë, hasër punues, bonbonierë etj. Në Prishtinë kishte 500 dyqane që shitnin produkte të konsumit të gjerë, të cilat këtu silleshin nga Selaniku.
Prishtina e kishte edhe çarshinë e vjetër të mbuluar. Nga objektet publike në Prishtinë, veçohet objekti ku është sot Muzeu i Kosovës, objekti ku është vendosur Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, Hamami i Madh, Kulla e Sahatit, Kompleksi i Muzeut Etnografik Emin Gjikut etj. Nga objektet sakrale veçohen: Xhamia e Çarshisë, Xhamia e Madhe, Xhamia e Jashar Pashës, Xhamia e Llapit, teqeja etj.
Prishtina u shkatërrua shumë gjatë luftës ballkanike, kur forcat serbe hynë në qytet. Në mes dy luftërave, nuk kishte ndonjë zhvillim të hovshëm. Në Prishtinë dhe rrethinë u vendosën shumë kolonë, u përvetësuan tërësisht objektet e kultit ortodoks dhe filloi shpërngulja e popullatës shqiptare për Turqi. Mes dy luftërave botërore u ndërtuan objekte për pushtetarë serbë dhe argëtim të tyre. Shumë shtëpi qytetare shqiptare u bënë prona të serbëve kolonë. U ngrit ndërtesa e sotme e “Unionit” në vitin 1927, sipas stilit barok perëndimor, e cila përdorej si hotel për argëtimin e pushtetarëve nga garda ushtarake muzikore e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Sipas shumë qytetarëve të Prishtinës që përjetuan dhunën në atë kohë, në pjesën e prapme të këtij objekti, torturoheshin për vdekje shqiptarët.
Prishtina u bë qendër administrative e Kosovës në vitin 1947, dhe u zhvillua me një dinamikë të shpejtë duke mos i ruajtur objektet tradicionale të periudhës osmane. Sot Prishtina si qytet urban i kësaj periudhe ka ndryshuar plotësisht, me përjashtim të disa rrugëve të ngushta, ku kanë mbetur disa ndërtesa të rralla me vlerë arkitektonike të periudhës osmane.

 

Shtëpia qytetare e Mujecve dhe Çeshme në lagjen Tophane.

Në Prishtinë, pas Luftës së Dytë Botërore, filloi të ndërtohet infrastruktura institucionale dhe urbane, me moton e ndërtimit të një qyteti me pamje bashkëkohore.
Me planin urban të qytetit të vitit 1953, u rrënuan lagje të tëra së bashku me çarshinë e vjetër, duke e shkatërruar arkitekturën popullore shqiptare të periudhës turke. Në këtë periudhë, shumë pak shtëpi qytetare arritën të shpëtojnë nga planet e qëllimshme urbane, të përpunuara në Beograd. Me këtë plan u rrënua kisha katolike e Prishtinës, Xhamia e Llokaqit, Sinagoga e hebrenjve etj. Në vend të xhamisë u ndërtua Teatri i Kosovës sipas arkitekturës dhe modelit sllavo-rus.

Xhamia e Madhe dhe Kisha katolike e Stakajve në Prishtinë e rrënuar në vitet pesëdhjetë të shekullit XX

Objekti i sotëm i Muzeut të Kosovës dhe Xhamia e Gurit në Prishtinë, Hajati i xhamisë i rrënuar gjatë konservimit në vitin 2012
Çarshia e Mbuluar e Prishtinës (Kapali Çarshi) që shtrihej në pjesën qendrore të qytetit, quhej Çarshi e Mbuluar sepse hyrja kryesore e saj, prej rreth 20 m ishte e mbuluar. Çarshia përbënte një kompleks të tërë dyqanesh dhe punëtori zejtare e shërbyese që shoqërohej me një numër të objekteve të karakterit publik. Në çarshi vepronin një numër i madh i zejeve ku shquheshin zejet e saraçëve, këpucëtarëve, lëkurëpunuesve, kafeneve, berberëve etj. Përveç lokaleve zejtare, në çarshi shiteshin dhe mallra lëvizëse, artizanat, prodhime blegtorale, veshje të ndryshme tekstili, kazanxhinj dhe prodhime tjera industriale të kohës.
Pamja e brendshme e çarshisë ishte shumë tërheqëse, kështu që u ngjasonte në shumë pikëpamje çarshive të disa kasabave orientale. Është me rëndësi të ceket se tregtinë më të zhvilluar e bënin hebrenjtë, të cilët ishin më të shkolluar dhe mjeshtër të vërtetë të zejeve. Në pjesën e poshtme të çarshisë gjendej shatërvani pranë xhamisë së Llokaqit. Përreth çarshisë ishin edhe disa objekte kulti, ku shquheshin xhamitë e kësaj zone, kisha katolike dhe sinagoga e hebrenjve. Çarshia e vjetër e Prishtinës i humbi tiparet e saj fill pas Luftës së Dytë Botërore, kur filluan të rrënohen shumë objekte arkitektonike në kompleksin e saj. Rrënimet në çarshi u zyrtarizuan në vitin 1953, kur për herë të parë u hartua plani hapësinor urbanistik i qytetit.
Plani u hartua duke e paraparë jetën urbane për 50.000 banorë në një sipërfaqe prej 505 hektarësh dhe 76 ari. Autor i këtij plani ishte prof. Partonić nga Beogradi. Aksioni i rrënimit të objekteve të vjetra në kompleksin e çarshisë bëhej me një entuziazëm të madh, me punë vullnetare të rinisë dhe Frontit Popullor.
Në këtë kompleks u rrënuan edhe disa objekte të vjetra që sot do të ishin vlera me peshë kulturore dhe historike për trashëgiminë kulturore dhe historike të vendit.
Sipas planit në vitin 1954, u rrënua: Xhamia e Llokaqit, Çarshia e Mbuluar, Mulliri Elektrik, ndërsa Kisha Katolike u rrënua në vitin 1957. Po këtë kohë u rrënua edhe sinagoga e hebrenjve.
Xhamia e Llokaqit që gjatë periudhës osmane quhej “Jonuz Efendi Moflezi”, e mori emrin Lloka nga fjalët turke “Lloka tykry da kaq”, e që në përkthim e ka kuptimin “pështyje dhe ik” pasi që kjo pjesë e qytetit ishte plot me baltë dhe pluhur.
Në kuadër të kësaj xhamie funksiononte mejtepi me mbi 100 nxënës dhe se aty qëndronte imami kryesor i qytetit, i cili pas rrënimit kaloi në xhaminë e Jashar Pashës.
Xhamia u rrënua së bashku edhe me shatërvanin dhe kompleksin e varrezave të vjetra rreth saj për ta ndërtuar Teatrin e qytetit dhe hotel “Bozhurin”, i cili pas luftës 1998/99, u quajt hotel “Iliria”, ndërsa sot pas privatizimit dhe renovimit quhet “Swis Diamond”.
Në vitin 2011 gjatë punëve në sheshin e Prishtinës u zbuluan gjurmët e shatërvanit dhe të bazamentit të minares së xhamisë së Llokaçit para Teatrit Kombëtar.
Gjatë gërmimit u zbulua se “Çeshma e Shadarvanit” ishte murosur me gurët e varrezave të vjetra që kishin qenë në oborrin e xhamisë.
Pas zbulimit, pllaka ballore e çezmës, ishte dëmtuar në rrethana të panjohura gjatë natës dhe më pas pjesa më e madhe e saj nuk është gjetur. Për një kohë shumë të shkurtë gurët e varrezave u zhdukën.
Në vitin 2014 gurët e varrezave u gjeten në dollapët e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës.
Zyrtarët e MKRS-së dhe ekspertë të trashëgimisë kulturore kanë qenë në Komunë për të ekzaminuar dhe parë gurët. Është konstatuar se gurët janë gjetur gjatë gërmimeve për çezmën dhe përreth saj.
Gjithashtu në vitin 2014 çezma e zbuluar është konservuar dhe mbulua me qelq pa lënë gjurmë se ishte murosur me gurë të varrezave të shqiptarëve.
Projekti për restaurimin e kësaj çezme u realizua nga Departamenti i Kulturës në MKRS, Komuna e Prishtinës dhe OJQ-re “TIKA” nga Turqia.

Çarshia e mbyllur e Prishtinës dhe Xhamia e “Jonuz Efendi Moflezi”(Xhamia e Llokaqit) e ndërtuar në vitin 1551 dhe e rrënuar në vitin 1954

Qeshma e zbuluar para Teatrit Kombëtar të Kosovës në vitin 2011
Rrënimi i objekteve të kultit tregon më së miri për civilizimin dhe kulturën e ulët të pushtuesve të huaj në trojet tona.
Këtë dukuri të pushtuesve të huaj e përshkruan Radovan Zogoviqi në përmbledhjen e tij “Këngët e Ali Binakut” (“Pjesme Ali Binaka”), i cili këngën e pestë e përfundon duke thënë:
Hej bari po rritet mbi rrugët tona!
Udhët tona të gjana janë lavrue
Bëj-be
Në varre rritet kompiri (Patatja).
Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, filloi edhe rrënimi i varrezave të vjetra të qytetit. Dy vjet pas luftës, në kompleksin e varrezave, filloi të gërmohet dheu dhe me vagonë të dërgohet në tjegulloren e Shkupit. Në vitin 1947, u hartua plani që në këtë lokalitet të ndërtohet tjegullorja e Prishtinës. Punëtorët që kanë punuar në atë kohë, mbanin mend se gjatë gërmimit kanë hasur në varreza. Gërmimet i filluan edhe nën kompleksin e varrezave te shkolla e sotme fillore “Asim Vokshi” në qytet tej urës së gurit mbi hekurudhë në rrugën Prishtinë-Podujevë. Faza e rrënimit të varrezave shqiptare në Prishtinë ka vazhduar edhe në vitet shtatëdhjetë, në kohën kur ndërtohet tjegullorja e re e qytetit. Në vitet shtatëdhjetë të shekullit XX, buldozerët rrokullisën në oborrin e sotëm të tjegullores disa dhjetëra varreza të vjetra me epitafe të shkruara në gjuhën osmane. Aty ishte edhe një varr i punuar shumë mirë me një kapak të rëndë prej metali. Prej këtyre varrezave, vetëm një familje arriti të zhvarrosë të afërmit e vetë atë kohë. Edhe gjatë viteve të nëntëdhjeta, në greminën e gërmimeve të kësaj tjegulloreje u shembën afër 100 varreza të shqiptarëve nga kompleksi i varrezave të sotme të qytetit.
Qytetarët e vjetër të qytetit rikujtojnë shkatërrimin e objekteve të kultit dhe varrezave të vjetra. Sipas Shaip Berilës, katër lagjet e Prishtinës së vjetër i kishin edhe varrezat e veta. Varrezat ishin përmbi “varosh”, te oxhaku i fabrikës së tjegullave, te Xhamia e Llapit… Këto varreza u rrafshuan, ndërsa toka iu dhanë serbëve. Askush atë kohë nuk guxonte as të pyeste pse po bëhej kjo, thotë Berila. Po ashtu edhe parku i sotëm i qytetit të Prishtinës ishte kompleks i varrezave të shqiptarëve, e sidomos atyre që ishin shpërngulur nga Sanxhaku i Nishit. Varreza të sheshta janë hasur edhe te “Fusha e Pajtimit”, afër Bunarit të Hajratit.
Fatin e varrezave të vjetra të Prishtinës e përjetuan shumë lokalitete dhe qytete të Kosovës. Lokalitetet me kulturë materiale jo sllave, u kolonizuan me kolonë të sjellë nga Serbia, të cilët ndërtuan objekte banimi mbi kulturat e qytetërimit dhe civilizimeve më të hershme në këto troje.
Pas pushtimit të Kosovës, kolonët u vendosën në tërë territorin e saj, në rrethin e Prishtinës, përveç qytetit, kolonë u vendosen edhe në Graçanicë. Bërrnicë, Bardhosh, ku u përvetësuan varrezat, pronat, shtëpitë e banimit dhe objektet e kultit. Në Berrnicë u përvetësuan varrezat e hershme të shqiptarëve, që, sipas popullatës vendore, ishin të shqiptarëve, u morën gurë varresh, pjesërisht u falsifikuan dhe me to serbët krijuan mitin për nëntë jugoviqët. Këta gurë janë të publikuar edhe në librin e Dragan Cukiqit dhe Milan Ivanoviqit të botuar nga Enti për Përmendore të Kulturës së qytetit të Prishtinës në vitin 1996.
Përshkrimi i autorëve është shumë i dyshimtë, prandaj kjo çështje mbetet të studiohet nga ekspertët eminentë të kësaj fushe. Popullata autoktone shqiptare e fshatrave përreth, ka ruajtur të dhënat se raja e Kolovicës dhe e Bërrnicës, të cilët kishin jetuar edhe gjatë sundimit osman në këto fshatra, janë shqiptarë të fisit Krasniqe dhe vëllazëri me shqiptarët e fshatit Makoc e Llukar.
Nga gjithë kjo që u tha më lart, mësojmë se: Serbët mbi varreza të shqiptarëve mbillnin patate (kompira), mbi varreza të shqiptarëve ndërtuan fabrika dhe me gurë të varrezave të shqiptarëve murosnin burime uji, kurse shqiptarët e padijshëm, për tu treguar bashkëkohor dhe tolerant ndaj të huajve i mbulojnë krimet e pushtuesve!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura