ANTON MARKU: ROLI I SHOQATAVE SHQIPTARE NË AUSTRI NË PROMOVIMIN E MËSIMIT NË GJUHËN SHQIPE

Vjenë, 4 prill 2017: (Hyrje) – Në njëzet vitet e fundit komuniteti shqiptar në Austri ka shënuar progres të dukshëm në procesin e integrimit të tij. Kjo vërehet sidomos në aspektin e pjesëmarrjes në jetën shoqërore dhe ekonomike. Për fat të keq, ende është prezent një stagnim në sferën e përfaqësimit politik. Por edhe këtu, sado që modeste, përpjekjet dhe rezultatet nuk kanë munguar.
Në anën tjetër, duket se komuniteti ynë ende ballafaqohet me sfida nga më të ndryshme, pos atyre që kanë të bëjnë me faktorë të jashtëm, edhe me aspektin e organizimit brenda për brenda vet bashkësisë. Kjo dhe në mbështetjen e strukturave tashmë ekzistuese. Njëra prej tyre, ndër më të rëndësishmet, e themeluar fillimisht në vitin 1994 për t’u riaktivizuar në vitin 2010 (me emrin VALE) është edhe Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Naim Frashëri’’ . Për vite të tëra, në mungesë të një strategjie, qoftë ajo dhe afatshkurtër, mësimdhënëset dhe mësimdhënësit e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Austri janë lënë në mëshirën e vetorganizimit dhe dëshirës, pothuajse individuale, për këtë (mos)organizim. Në këtë mënyrë janë arritur efekte të kundërta nga ato që do të jenë pritur: vetëm disa vite pas funksionalizimit të tij si ofertë shtesë për mësimnxënie në gjuhën amtare, numri i vijuesve (nxënësve) të këtij lloji të edukimit ka pësuar dhe po pëson rënie të vazhdueshme. Me këtë edhe numri i mësimdhënësve po bie.

Që paradoksi të jetë më i madh, dëshmon edhe fakti se shumica e prindërve shqiptarë, sidomos nga Kosova, si grupi më i madh i bashkëkombasve që jetojnë në Austri, i takon gjeneratës së viteve 1980-ta dhe të cilët në vitet e 1990-ta ishin vet nxënës apo studentë, e të cilëve, nga ana e pushtetit represiv serb, ju ishte mohuar e drejta e shkollimit në gjuhën amtare. Tani, fatkeqësisht, janë pothuajse po këta prindër që, në rrethana krejtësisht tjera, u mohojnë këtë të drejtë themelore fëmijëve të tyre. Pas asnjë presion, as nga eksponentët e jashtëm, e as nga ata të brendshëm.
Kjo kumtesë, në pjesën e parë të saj do të trajtojë çështjen e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Austri. Kapitulli i dytë do të ketë në fokus prezantimin e organizimit institucional, gjysmë-institucional dhe shoqëror të komunitetit shqiptar në këtë shtet. Një pjesë e këtij vështrimi do t’i kushtohet profilit, strukturave dhe fushëveprimit të shoqatave shqiptare. Në kapitullin e tretë do të argumentohet rëndësia e mësimit në gjuhën amtare për diasporën dhe do t ë analizohen format e mundshme të bashkëpunimit mes subjekteve shqiptare. Kumtesa përmbyllet me ofrimin e një liste me sugjerime lidhur me aktivitetetet konkrete në sfondin përbajtësor, organizativ dhe teknik. Në fund do të bëhen të njohura dhe konkluzionet nga ky punim modest.
Qëllimi i kësaj kumtese është që të kontriboj në diskursin aktual mbi arsimin shqip në Austri. Objektivi i saj është që të analizoj shkaqet, identifikojë pasojat dhe propozoj zgjidhje të mundshme, të qëndrueshme dhe afatgjata drejt përmirësimit të gjendjes në sferën e edukimit të të rinjve shqiptarë në mërgatë.
I
Të gjithë pajtohen se arsimi është komponenta më e rëndësishme e integrimit. Nga ana tjetër, për fat të keq, nga vetë të huajt, e edhe nga migrantët shqiptarë, shpesh mund të dëgjohet paragjykimi i padrejtë se në këtë vend ‘‘nuk jemi të mirë se ardhur’’, se nuk po i ‘‘na lejojnë ’’ që të integrohemi, se jemi vetëm ‘‘numra që nuk kemi zë zë’’, se ‘‘po dukemi por nuk po dëgjohemi’’, etj.
Në mërgim zakonisht janë elitat ato që asimilohen të parat. Pastaj kjo u ndodh masave. Tek ne po ndodh e kundërta. Duke mos aritur që të gjejnë veten në shkallë të mjaftueshme, gjenerata jonë e re gjithnjë e më shpesh po i drejton vetes pyetjen e të gjitha pyetjeve: Kush jam unë? Në këtë ballafaqim identitetesh, në vend se ato (identitetet, Vër. ime) të plotësojnë njëra-tjetrën (shqiptar, austriak, evropian, besimtar-islam, i krishterë, ateist, nxënës/student/punëtor, etj), duket se ato po i bëjnë pengesë njëra-tjetrës, e herë pas here edhe konkurencë deri në oponencë. Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me krizë identiteti, por më shumë me ‘‘dilemë’’ identitare. Mbase ky fenomen mund të jetë pjesë e trajtimit në një punim tjetër tematik, që do të bazohej në metodat empirike.
Si reflektim, ne nuk duhet fshehur dështimet tona. Por në të njëjtën kohë nuk duhet lejuar që ato të dominojnë të ardhmen tonë. Me pak më tepër përkushtim, është e mundur që në të njëjtën kohë të mbesim shqiptarë të devotshëm, të respektojmë ligjet dhe rregullat si qytetarë lojal të shtetit austriak dhe të dëshmohemi si evropianë të mirë.
II
Mërgata shqiptare në Austri është e organizuar në disa forma. Më poshtë do të paraqiten ato më kryesoret.
Organizimi institucional
Ambasada e Shqipërisë në Austri
Ambasada e Kosovës në Austri
Ambasada e Maqedonisë në Austri
Ambasada e Malit të Zi në Austri
ECIKS (Economic Initative for Kosovo) , etj.
Organizimi gjysmë-institucional
Partitë politike: LDK, PDK, AAK, VV, PSHDK, etj.
Komunitetet fetare-shqiptare: Komunietit Shqiptar Musliman në Austri, Misioni Katolik Shqiptar në Austri, etj.
Shoqatat shqiptare në ‘‘nivel qendror’’
Këshilli Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Austri (me degët në landet e Steiermark-ut dhe Austrisë së Epërme)
Shoqata e Miqësisë Austriako-Shqiptare
Shoqata e Miqësisë Austriako-Kosovare
Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Naim Frashëri’’
Asociacioni i Studentëve Shqiptarë në Austri
Rrjeti i Biznesve Shqiptare në Austri
Lidhja e Juristëve Shqiptarë në Austri
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’
Liga Shqiptare në Futboll
Lobi Euro-Atlantik me seli në Vjenë , etj.
Shoqatat dhe klubet tjera shqiptare
Shoqatat kulturore: instituti i kulturës shqiptare ‘‘Aleksandër Moisiu’’ në Vjenë; shoqata e miqësisë austriako-shqiptare ‘‘Alexander Moisi’’ (themeluar në vitin 2011 në Salzburg), shoqata ‘‘Afrim Zhitia’’ nga Genzendor-fi, shoqatat ‘‘Rinia’’ dhe ‘‘Atdheu’’ nga Graz-i, shoqata ‘‘2 Korriku’’ në Wiener Neustadt, etj.
Shoqatat kulturo-artistike (folkoristike): shoqata ‘‘17 shkurti’’ në Baden‚‘‘12 qershori’’ në Vjenë, ‘‘Dardania’’ në Linz ‚‘‘Dardania’’ në Knittelfeld (afër Graz-it)‚‘‘Skenderbeu’’ dhe ‘‘Internationale’’ në Kapfenberg, etj.
Shoqatat e gruas: ‘‘Le Donne’’ në Linz, ‘‘Shoqata e Gruas Shqiptare-Kuq e Zi’’ në Villach, etj.
Shoqata bamirëse: Shoqata humanitare ‘‘Ilirët’’ në Vjenë, shoqatat ‘‘Nënë Tereze’’ në Graz dhe Baden, etj.
Shoqatat ‘‘pak kombëtare-pak fetare’’: ‘‘Unioni i Shqiptarëve Muslimanë të Austrisë’’ (organizatë kupolë joqeveritare, bamirëse, social-kulturore e joprofitabile), ‘‘Qendra Kulturore Shqiptare në Vjene’’ , ‘‘Bashkësia Islame e Shqiptarëve në Vjenë’’ ‚ shoqata ‘‘Mërgimi’’ në Terniz, ‘‘Shoqata e Shqiptarëve Muslimanë’’ në Hollabrunn, Shoqata e Shqiptarëve Muslimanë ‘‘Vëllazërimi’’ në Hadersdorf am Kamp ‚ Shoqata Shqiptare Islame, Kulturore e Sportive ‘‘Bashkimi’’ në Linz, shoqata shqiptare ‘‘Bujaria’’ në Linz, shoqata ‘‘Stublla’’ në Graz, fondet e ndryshme për bartjen e arkivoleve në atdhe (në Vjenë, Linz, etj).
Klubet sportive: Klubi i futbollit ‘‘Albania’’ në Vjenë, klubi i futbollit ‘‘Dardania’’ në Linz, klubi i futbollit ‘‘FC Kosova’’ në Vöcklabruck, klubi i shahut ‘‘Arbëria’’ në Vjenë, etj.
Shoqatat e mbyllura apo klubet: të cilat jashtë lokaleve të tyre nuk zhvillojnë ndonjë aktivitet the theksuar, si ‘‘Iliria’’ dhe ‘‘Kërçova’’ në Vjenë‚ ‘‘Belushi’’ në Graz‚ ‘‘Kosova’’ në Linz, ‘‘Klubi Shqiptar’’ në Baden, etj.
Profili: -Shoqatat shqiptare në Austri kryesisht merren me promovimin e kulturës dhe kultivimin e traditës. Disa prej tyre tashmë janë profilizuar në fusha të veçanta, si: letërsi, të drejta të grave, edukim, bamirësi, dialog ndërkomunitar, muzikë, sport, etj. Një pjesë e vogël e tyre janë të regjistruara pranë organeve përkatëse austriake dhe të njohura ligjërisht si subjekte juridike. Sidoqoftë, vetëm pak prej tyre posedojnë me lista të anëtareve, mbajnë takime të rregullta, zhvillojnë kuvende të punës, të jashtëzakonshme apo zgjedhore. Edhe atëherë kur këto kuvende thirren, ato kryesisht zhvillohen në mënyrë stihike dhe pa ndonjë përgaditje apo koncept, sidomos në aspektin e dokumentimit të proceseve dhe trasparencës, duke bërë prezentimin e të arriturave, indiktorëve të suksesit, sfidave, planeve të veprimit, raporteve të punës dhe atyre financiare, monitorimit, evaluimit, etj. Aspekti i konkurimit me projekte për thithje të fondeve si dhe ai administrativo-teknik vazhdojnë të mbesin dobësitë kryesore të tyre. Për më tepër, vetëm një numër i vogël i tyre posedon me web-faqe apo profil në facebook. Edhe atëherë kur kjo ndodh, këto faqe janë të varfëra me informacione. Në ato shkrime të pakta që postohen, bien në sy lëshime të shumta drejtshkrimore. Edhe më të rralla janë ato që, pos në gjuhën shqipe, ofrojnë informacione edhe në gjuhën gjermane. Vetëm një numër i kufizuar prej tyre disponon me logo dhe vulë zyrtare apo ka të hapur xhirollogari në ndonjë nga bankat vendore, përderisa mbledhja e donacioneve bëhet kryesisht me para në dorë dhe atë nga pagesat e anëtarësisë vjetore apo nga sipërmarrësit vullnetmirë.
Në përgjithësi mund të konstatohet se ndër problemet më të theksuara të shoqatave shqiptare është edhe ‘‘virusi’’ i ‘‘Ad-hock-kracisë’’, i cili dominon punën e tyre.
Struktura: -Shumica e shoqatat shqiptare në Austri dominohen nga meshkujt, por ka dhe prej tyre të cilat mbledhin pjestarë të të dy gjinive, të gjitha moshave dhe prejardhjeve sociale. Në krye të tyre gjenden persona të dëshmuar në punën në komunitet. Për sa i përket kapacitetit profesional, mungesa e kuadrove dhe intelektualëve, sidomos atyre të shkolluar në Austri, është një nga brengat kryesore në këtë aspekt. Një fenomen, i cili duhet të analizohet, është dhe mospërshirja e studentëve shqiptarë, të cilët nuk tregojnë interesim të mjaftueshëm për tu kyqur dhe bërë pjesë e këtyre shoqatave.
Fushëveprimi: -Shoqatat shqiptare në Austri janë mjaft prezente në jetën e bashkësisë shqiptare. Kjo ndodhë kryesisht në shënimin e festave kombëtare. Për fat të keq, pjesa dërmuese e tyre nuk disponojnë me hapësira dhe lokale vetjake të cilat do t’i shfrytëzonin gjatë tërë vitit. Prandaj në këto organizime ka më shumë improvizime se sa ndonjë angazhim permanent dhe vizion afatgjatë. Vlen të theksohet se e tërë puna bëhet në baza vullnetare dhe ky fakt mund të konsiderohet si një nga të arriturat kryesore të këtyre organizimeve. Për sa i përket bashkëpunimit me shoqatat tjera (austriake apo të komuniteteve tjera në këtë vend), vetëm disa prej tyre kanë arritur që të identifikojnë dhe etablojnë ndonjë partneritet të theksuar. Në këtë aspekt veçohet Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’, e cila në vitet e fundit ka pasur një bashkëpunim të frytshëm dhe intenziv me PEN Klubin e Austrisë, Lidhjen e Shkrimtarëve të Austrisë, Shoqatën Austriake për Letërsi, shtëpinë botuese ‘‘Platform’’, etj. Po ashtu edhe shoqata e gruas ‘‘Le Done’’ nga Linz-i, ajo kulturore ‘‘17 shkurti’’ nga Badeni dhe shoqata multietnike ‘‘Internationale’’ në Kapfenberg kanë arritur që në vazhdimësi të marrin mbështetje nga strukturat komunale.
Për sa i përket elementit të informimit të shqiptarëve në Austri, duhet thënë se ai lë shumë për të dëshiruar. Por edhe këtu ka përjashtime, si: revista në formë elektronike ‘‘Dielli Demokristian’’ , e cila që nga qershori i vitit 2010 del një herë në tre muaj në gjuhën shqipe dhe gjermane, revista në internet ‘‘Porta’’ , revista studentore ‘‘Skriptë’’ , radioja në gjuhën shqipe ‘‘Radio Rinia’’ në Graz, ‘‘Radio Liria’’ në Linz, etj. Në lidhje me këtë një kontribut janë duke e dhënë edhe disa gazetarë, korrespodent të mediumeve të ndryshme, kryesisht atyre nga Kosova dhe Shqipëria. Në anën tjetër ‘‘aktiv’’ është dhe një numër i ‘‘pseudo’’ gazetarëve, të cilët edhe pse ende nuk i njohin parimet bazë të shkrimit të gjuhës shqipe, vazhdojnë të shkruajnë artikuj pa asnjë kriter, pa lekturim apo redaktim, e të cilët çuditëirisht u botohen nëpër portale gazetash në internet pa asnjë ndërhyrje nga ana e redaksive përkatëse.
Po ashtu duhet konstatuar se, duke përjashtuar përpjekjet individuale, si të Dr. Xhevdet Zenunit, Ardiana Kelmendi-Sherifit, Fatime Blakaj nga ‘‘Aleanz für Kinder’’ e ndonjë personaliteti tjetër, në organizime grupore mbesin shumë prapa grupeve tjera të komunitetit ‘‘elitat’’ si: mjekët shqiptarë, arkitektët, inxhinierët, artistët (këngëtarët e operave, aktorët e filmit/teatrit, piktorët/skulptorët), etj.
Nga miqët austriakë, në këtë kuadër duhet t’i jemi falënderues punës së madhe humanitare që me vite të tëra është duke e zhvilluar në viset tona në Ballkan humainistja Dr. Mariane Graf. Ajo është vetëm një nga shumë shembuj të tillë.
III
Ruajtja dhe kultivimi i gjuhës shqipe në diasporë duhet të jetë interes strategjik kombëtar dhe shtetëror e jo vetëm i mërgatës dhe mësidhënësve. Kjo dhe për faktin se ajo është elementi më unifikues i kombit tonë të ndarë në disa besime fetare.
Për të shtyrë përpara kultivimin e gjuhës shqipe në mërgatë, mision ky që të tjerët e lanë në duart tona, duhen bërë bashkë dëshirat dhe interesat e mërgatës sonë me vullnetin dhe gatishmërinë e shtetit mikpritës, në këtë rast atij austriak.
Për të arritur deri tek zgjidhja duhet të nisemi jo nga përceptimet, por nga realiteti. E për të parë ndryshime pozitive duket se momentalisht në zinxhirin e zgjidhjes mungojnë disa hallka. Gabimet e së djeshmes mund të shndërrohen në përparësi të së sotmes, që si rezultat do të sillin ndryshme pozitive për të nesërmen.
Kjo do të mund të arrihet jo duke i ndarë ata që mund të kenë më së shumti ndikim në këtë proces-prindërit në ‘‘kombëtar’’ dhe ‘‘më pak kombëtar’’ por duke u angazhuar për t’i bindur ata, duke punuar paralelisht në dy drejtime: me ata që tashmë kanë informacione të mjaftueshme por që mund të mos jenë plotësisht të kënaqur me programet dhe metodologjinë mësimore dhe me ata të cilët ende nuk kanë të dhëna të mjaftueshme për të shfrytëzuar këtë mundësi për fëmijët e tyre.
IV
Që nga themelimi i saj legjitimiteti i Shoqatës së Mësuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Naim Frashëri’’ ishte i kontestuar nga vet disa arsimtarë, kryesisht jashtë Vjenës.
Pos orëve mësimore, aktivitetet kyesore të këtij subjekti janë organizimet e programeve kulturore me rastin e festave të shënuara (7 marsi-dita e mësuesit, 17 shkurti, 28 nëntori, kuizet e diturisë, ekskurzionet në atdhe, turnetë sportive, etj).
Lidhur me cilësinë e mësimit dhe performancën e mësuesve ka pasur dhe ka vërejte. Debati nuk është i ri. Ata që e bëjnë këtë nuk janë të shumtë në numër, por herë pas here janë më të zëshëm se pjesa tjetër e komunitetit. Ndonjë herë mbase dhe me të drejtë. Dobësitë dhe të metat aktuale do të mund të zvogëloheshin duke angazhuar studentë dhe/apo ekspertë të profileve të ndryshme, sidomos atyre të fushave të didaktikës, shkencave gjuhësore, artit, sociologjisë, psikologjisë, filozofisë, etj. Ata do të bënin monitorimin dhe vlerësimin e procesit mësimor në gjuhën shqipe, duke bërë edhe asistimin në orët mësimore, plotësimin e pyetësorëve dhe zhvillimin e anketave, intervista me prindër, nxënës dhe mësues dhe interpretimin e rezultateve të tyre, analizimin e tekteve mësimore dhe metodologjisë së punës, mbledhjen e të dhënave dhe statistikave (mosha, gjinia, statusi social i nxënësve/prindërve, etj) duke bërë publike, një herë në vit, të gjeturat, konkluzionet dhe sugjerimet për ndërmarrjen e hapave drejt ndyshimeve eventuale.
Për të rritur dukshmërinë në komunitet dhe ofruar projekte të reja, innovative dhe atraktive për nxënës dhe prindër, mund të thellohen edhe format e bashkëpunimit me subjektet tjera shqiptare në Austri, të cilat në rastin e Lidhjes së Shkrimtareve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ dhe Shoqatës së Mësuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Naim Frashëri’’ mund të përfshijnë: partneritet në aplikimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta, dhurimi i librave (krijimi i një fondi të librave, të cilat do t’ju dhurohen nxënësve të dalluar në konkurse poezie, kuize diture, etj.), promovimi i mësimit në gjuhën shqipe nëpër orët letrare (fjalime, shpërdarje të materialit informues, etj.), lexime nëpër orët mësimore në gjuhën shqipe, etj.
Sugjerime për të ardhmen: -Në këtë kontekst, këta do të ishin hapat që mund dhe duhet ndërmarrë Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Naim Frashëri’’ në periudhën e ardhshme kohore:
Aspekti përmbajtësor:
-Nënshkrimi i memorandumit me institucionet (ministritë relevante/ambasadat) dhe shoqatat kryesore shqiptare në Austri
-Krijimi i Lidhjes së Prindërve Shqiptarë në Austri
-Themelimi i shoqatës ‘‘Miqët e Arsimit Shqip në Austri’’ (prindër, intelektualë, veprimtarë, etj)
-Lobimi për hapjen e një qendre kulturore shqiptare në Vjenë, etj.
Aspekti organizativ:
-Përfshirja e të gjithë mësimdhënësve shqiptarë në Austri në Lidhjen e Mësuesve Shqiptarë ‘‘Naim Frashëri’’
-Përpilimi i planit të veprimit 2017-2019
-Krijimi i një fondi, filluar nga vet mësuesit, të cilët do ndanin nga 1% të pagave të veta mujore (neto) për këtë fond
-Zhvillimi i debateve me prindër në të gjitha Landet e Austrisë
-Përpilimi i projekteve dhe konkurimi përmes tyre për fonde nga donatorët potencialë në Austri (qyteti, landi, niveli qendror, etj) si dhe tek donatorët e mundshëm në Shqipëri, Kosovë, etj
-Shkëmbimi i përvojave me mësimdhënësit nga komunitetet tjera aktive në Austri
-Krijimi i grupeve të vullnetarëve për lexim në orët mësimore (‘‘LesepatInnen’’), etj.

Aspekti teknik:
-Dizajnimi dhe mirëmbajtja e web-faqjes, profilit në plaformën facebook, email-it zyrtar të shoqatës, etj
-Botimi i një reviste periodike, qoftë dhe vetëm në formë elektronike
-Botimi dhe shpërndarja e broshurave informative
-Mbajtja e fjalimeve informuese në manifestimet publike të organizuara nga shoqatat tjera (koncerte, debate, turne sportive, etj) lidhur me mundësitë e regjistrimit të fëmijëve në mësimin plotësues në gjuhën shqipe
-Ridizajnimi i aktiviteteve ‘‘tradicionale’’, si koncerteve, kuizit të diturisë, eskurzioneve, olimpiadave sportive
-Xhirimi i një filmi dokumentar për mësimin shqip në Austri (me mesazhe nga personalitete të njohura, si: violinisti Shkëlzen Doli, aktori Astrit Alihajdari, mexosorpanja Flaka Goranci, diplomatët shqiptarë të akredituar në Austri, ej).
Konkludim
Roli i shoqatave shqiptare në Austri në kombinim me institucionet tona përfaqësuese si dhe në lidhje të ngushtë me vet komunitetin është dhe do të mbetet qenësor në promovimin e mësimit në gjuhën shqipe në këtë vend mik. Ato janë subjektet që posedojnë me një anëtarësi të madhe në numër me mundësi të mobilizimit të tyre në mbështetje të vizionit madhor: atij të ruajtjes së frymës kombëtare në mërgim.
Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Naim Frashëri’’ ka potencial dhe kapacitet që të jetë bartëse e arsimit shqip në Austri. Duke reflektuar në raport me lëshimet eventuale të deritanishme dhe duke zgjeruar gamën e aktiviteteve si dhe numrin dhe shumëllojshmërinë e partnerëve, qoftë institucionalë apo nga shoqëria civile, kjo Lidhje do të jetë në gjendje që t’u përgjigjet sfidave të kohës. Për të përmbushur këtë mision nevojitet një transformim i tërësishëm, si në qasje ashtu dhe në përmbajtje dhe formë. Në këtë udhëtim, mësimdhënëset dhe mësimdhënësit nuk do duhej të jenë vetëm, por të përkrahur nga të gjitha entitetet dhe individët shqiptarë në Austri, në mënyrë që ata t’ja dalin që me suksese të ballafaqohen me sfidat që kanë dhe mund të kenë para vetes për të mbajtur gjallë dashurinë për gjuhën amtare edhe larg atdheut.
__________________
www.naimfrasheri.at
www.ambasadat.gov.al/austria
www.ambasada-ks.net/at
www.botschaft-wien.com/mazedonien.html
www.me-austria.eu
www.eciks.org
www.keshilli-koordinues.at
www.albanien.or.at
www.kosovofriendsat.wordpress.com
www.aysa-austria.com
www.moisiu.eu
www.ligashqiptare.eu
www.facebook.com/LobiAustri
www.iliret.eu
www.unioni.at
www.qendra.at
www.islami.at
www.shoqata-mergimi.org
www.radio-vellazerimi.at
www-xhamia-linz.at
www.bujaria.at
www.svalbania.at
www.arberia.at
www.dielli-demokristian.at
www.revistaporta.com
Një numër i saj u botua në gjuhën shqipe dhe gjermane gjatë vitit 2016
www.helsinki.at/program/shows/radio-rinia
www.radioliria.com
Vjenë, 18 mars 2017
Kumtesë e paraqitur në debatin lidhur me mësimin shqip në Austri
Autori është kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘Aleksandër Moisiu’.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura