MR BAJRAM MEHMETAJ: DISA PËRDORIME TË GABUARA TË PËREMRIT ‘ҪFARË’ DHE TË DISA FORMAVE FOLJORE TË DIATEZAVE VETVETORE E PËSORE NË ‘GRAMATIKA’ SHKOLLORE TË GJUHËS SHQIPE

 Pashtriku.org, 01. 10. 2013 – Përemri pyetës çfarë përdoret në fjali pyetëse të drejta a të zhdrejta nga folësi që kërkon të informohet nga bashkëbiseduesi për dikë a për diçka që nuk e njeh, ose që nuk i njeh në mënyrë të plotë. Ky përemër ka funksion sintaksor gati të njëjtë me përemrin pyetës ç’. Të dy këta përemra pyetës nuk kanë asnjë kategori gramatikore. Kur përemri pyetës çfarë, përdoret pa kritere gramatikore, si p.sh.: te fjalitë pyetëse: “Çfarë më sillni?, fjalia del e çoroditur, e paqartë.
– I –
1. Diatezat joveprore të foljeve siç janë: diateza pësore, vetvetore e mesore si dhe nuancat e tyre aspektive me foljet e fillimit të veprimit, ashtu si dhe foljet pavetore, janë ndër çështjet më pak të studiuara të gramatikës së gjuhës shqipe. Në gramatikat shkollore të ditëve tona, u është kushtuar pak vend problemeve të diatezave joveprore.
2. Në këtë kumtesë do të përpiqem të paraqes disa ndërtime fjalësh, shprehjesh e fjalish, ku forma të caktuara foljore në diateza të ndryshme joveprore, po përdoren pa vend e gabimisht në vend të njëra-tjetrës, me ç’rast, ndërtimi i fjalisë si dhe kuptimi i saj, dalin të paqartë e të pasaktë. Edhe përemri pyetës çfarë, i përdorur aq dendur për ndërtimin e fjalive pyetëse, po përdoret pa vend në gramatikat shkollore dhe në shtypin e përditshëm.
3. Këtu më poshtë, në vazhdën e këtij shkrimi, do të përpiqem t’i vë në dukje disa keqpërdorime të përemrit pyetës çfarë dhe të disa formave foljore joveprore në diatezën pësore e vetvetore, që i kam hasë në librat e gramatikave shkollore të gjuhës shqipe, por pa hyrë thellë në detaje e çështje teorike të problemit.
4. Përemrat pyetës: kush, cili, ç’, çfarë, sa (i sati), se (i sejtë), siç dihet përdoren për të pyetur për frymorë, sende, për sasinë, rreshtin, përkatësinë ose për tiparet e tyre.
– II –
Përemri pyetës çfarë përdoret në fjali pyetëse të drejta a të zhdrejta nga folësi që kërkon të informohet nga bashkëbiseduesi për dikë a për diçka që nuk e njeh, ose që nuk i njeh në mënyrë të plotë. Ky përemër ka funksion sintaksor gati të njëjtë me përemrin pyetës ç’. Të dy këta përemra pyetës nuk kanë asnjë kategori gramatikore. Kur përemri pyetës çfarë, përdoret pa kritere gramatikore, si p.sh.: te fjalitë pyetëse: “Çfarë më sillni?, fjalia del e çoroditur, e paqartë.

1. Përemri pyetës çfarë (nga ç’ + farë = çfarë) i ndërtuar nga përemri pyetës i mirëfilltë ç’ + emri i gjinisë femërore farë-a, ka përdorim më të gjerë sesa përemri i mirëfilltë ç’.
2. Përemri pyetës çfarë përdoret në fjali thirrmore ku shprehet habi për cilësitë e tipareve të një qenieje, të një sendi, të një dukurie a veprimi konkret e të njohur, si p.sh.: Çfarë trimash! Çfarë dite e bukur! Çfarë gruaje e mirë që ishte! Por, po përdoret pa vend para një foljeje në fjali thirrmore ose në pyetje retorike që nënkuptojnë përgjigjen mohuese “hiç gjë”, “asgjë”, etj., si p.sh.: Çfarë po ndodh? Çfarë të tha? Çfarë të bëjmë?, në vend që të përdoret përemri pyetës Ç’: Ç’po ndodh? Ç’të tha? Ç’të bëjmë?
3. Në librin “Gjuha shqipe – Gramatika” për klasën e tetë, (“Dukagjini”, Pejë, 2009), kam hasë, pos të tjerash, edhe këto ndërtime sintaksore ku është përdorur pa vend, kujtoj, përemri pyetës çfarë: ”Çfarë kërkon të marrë Mira nga shoqja e saj, Emi?” ”Çfarë i thotë në fillim?” (f. 31), ”Çfarë ke ndërmend të bësh?” (f. 50), ”Çfarë vini re?” (f. 60), në vend se të përdorej përemri pyetës ç’, ku fjalitë e sipërme do të delnin me formën e drejtë: ”Ç’kërkon të marrë Mira…”, ”Ç’i thotë në fillim?”, Ç’ke ndërmend të bësh?”
4. Përemri pyetës çfarë ka përdorime të shumta në gjuhën e folur e të shkruar. Në gramatikat tona shkollore ky përemër po përdoret ndonjëherë pa kuptim në vend të përemrave të tjerë pyetës: kush?, ç’ dhe se – i sejtë. Në librin “Gjuha shqipe – gramatikë – drejtshkrim – gjuhë e folur dhe e shkruar”, për klasën e tetë, siç u cek edhe njëherë këtu më lartë, përemri pyetës çfarë është përdorur 108 herë në forma të ndryshme. Në disa raste përemri pyetës çfarë, është përdorur këtu pa vend, sidomos në shembujt ilustrativë: “Çfarë u tha, u bë” (f. 137), “Çfarë bëhet, nuk zhbëhet” (f. 138), “Me çfarë është lidhur pjesa e nënrenditur mënyrore?” (f. 146), “Shkruani se çfarë do të bëni këtë të diel” (f. 64), në vend që të ishin përdorur: “Ç’u tha, u bë”, “Ç’bëhet, nuk zhbëhet”, ”Me se është lidhur pjesa e nënrenditur mënyrore?”, “Shkruani se ç’do të bëni (çka do të bëni) këtë të diel”.
5. Përemri pyetës çfarë përdoret më vete ose me një emër në rasën rrjedhore të pashquar, i shoqëruar me parafjalët me, prej, si p.sh.: “Me çfarë qëllimesh m’i thua këto fjalë?”, “Prej çfarë vendesh vijnë zogjtë shtegtarë?”, “Me çfarë mjetesh mund të ngjitemi në bjeshkë?”, ku mund të përdoren gati me të njëjtën vlerë në disa ndërtime edhe përemrat pyetës ç’, cili, ose përemri pyetës se – i sejtë, i paraprirë me parafjalën me: Me ç’qëllim (ose me se) m’i thua këto fjalë? (Për çfarë qëllimi m’i thua këto fjalë?). Prej cilit vend vijnë zogjtë shtegtarë? Me se (ose me ç’mjete) mund të ngjitemi në bjeshkë?

6. Është përdorur pa vend përemri pyetës çfarë edhe në shembuj të tjerë ilustrativë në fjalitë pyetëse, si p.sh.: “Çfarë shihni në figurë?” (Gramatika për klasën e tetë, e cituar këtu më lartë, f. 125), “Me çfarë fshin djersën? – Me pëllëmbë” (“Gjuha shqipe” për klasën e gjashtë, Prishtinë, 2009, f. 81); “Çfarë vini re?” (“Gjuha shqipe” për klasën e dhjetë, Prishtinë, 2007, f. 19); “Çfarë more sot? – Nëntë.” (“Gramatika e gjuhës shqipe”, “Libri Shkollor”, Prishtinë, 2003, f. 63); “Po atje çfarë binte, shi apo borë?” (Akademia e Shqipërisë, “Gramatika e gjuhës shqipe, I, Morfologjia”, Tiranë, 1995, f. 243). Në këto raste, mendoj, fjalitë pyetëse të ndërtuara me përemrin pyetës çfarë, do të dilnin më të qarta me këtë formë: Ç’ (çka) shihni në figurë?”, “Me se fshin djersën? – Me pëllëmbë”, “Ç’vini re?”, Ç’notë (çfarë note) more sot? – Nëntë”. “Po atje ç’ (çka) binte, shi apo borë?”.
7. Përemri pyetës çfarë ka përdorime pa vend edhe në disa raste të tjera, sidomos në bashkërenditje me pjesëzën “ja”, kur dikush fillon të tregojë a të numërojë diçka drejtpërdrejt, ose kur e përmbyll tregimin: “Ja çfarë më tha ai”, “Ja çfarë bleva”, “Ja çfarë duhet të bëjmë”, etj., që i kam vështruar në mjetet e informimit publik dhe në ligjërimin e folur. Mendoj se do të ishte më i përshtatshëm ndërtimi i këtillë: Ja se ç’ (çka) më tha ai, Ja se (çka) ç’bleva, Ja se ç’ (çka) duhet të bëjmë.
8. Përemri në shqyrtim, siç u tha, është fjalë e përngjitur nga përemri i mirëfilltë ç’ dhe emri farë-a (ç’ + farë = çfarë). Në disa raste ky përemër ruan kuptimet leksikore të fjalës farë dhe nuancat semantike me domethënie: kokërr, bërthamë; kokërr drithi ose e bimëve të tjera që zhvillohet nga pllenimi i lules dhe që mund të mbillet për të riprodhuar një bimë, etj. Prej këndej dalin togfjalëshat: fara kungulli, farë specash, fara e shalqirit, fara luledielli etj. (Shih Fjalori…, 1980, f. 453).
Së këndejmi, mund të thuhet se përemri pyetës çfarë përdoret për të pyetur drejtpërdrejt ose tërthorazi për llojet e drithërave, zarzavateve, pemëve; për tiparet e veçoritë e një sendi, të një dukurie, të një qenieje etj., si p.sh.: Çfarë misri ke mbjellë? (hibrid, kokërrkuq, etj.), Çfarë turshie ke përgatitur? (turshi lakrash, specash, etj.) – Çfarë drunjësh ka në Bjeshkët e Nemuna?; “Prej çfarë druri është punuar kjo kacë? – Prej dërrasash molike”, etj.
Do pasur kujdes që përemri pyetës çfarë të përdoret sipas rregullash gramatike aty ku e ka vendin.
– III –
1. Diateza e foljes, siç dihet, është kategori gramatikore që shpreh lidhjen midis veprimit të foljes dhe kryefjalës së fjalisë. Këto lidhje shprehen morfologjikisht me dy format veprore – joveprore të foljes dhe me kundërvëniet kuptimore përkatëse. Ka lloje të ndryshme të lidhjeve midis veprimit të emërtuar nga folja dhe kryefjalës së fjalisë si dhe kundërvënies së formave përkatëse që në gjuhën shqipe dallohen katër diateza që janë: diateza veprore, diateza pësore, vetvetore dhe diateza mesore.
2. Në gramatikat tona shkollore diatezat e foljes po përdoren ndonjëherë pa vend dhe në vend të njëra-tjetrës, p.sh.: “Mbylla portën dhe ngjita shkallët me vrap. U ula pranë dritares, hapa librin dhe fillova të lexoj”. (Akademia e Shqipërisë, “Gramatika e gjuhës shqipe, I, Morfologjia”, Tiranë, 1995, f. 270). Ky shembull ilustrativ është përdorur në tekstin e gramatikës në shqyrtim, për të shpjeguar njohje teorike për format foljore të diatezës veprore. Dy periudhat e sipërme, që janë të bashkërenditura, kanë pesë fjali të pavarura këpujore të ndërtuara kryesisht me lidhëzën dhe. Foljet-kallëzues mbylla, ngjita; u ula, hapa dhe fillova të lexoj, paraqesin veprimin e kryefjalës. Në këtë rast kryefjala “unë” nënkuptohet nga mbaresat vetore – a dhe – j. Të gjitha këto folje janë përdorur në mënyrën dëftore, koha e kryer e thjeshtë (aoristi), veta e parë, numri njëjës.
Foljet-kallëzues mbylla, hapa dhe fillova të lexoj, në periudhat e mësipërme, janë forma veprore të foljes, në diatezën veprore, ndërkaq foljet ngjita dhe u ula, në ndërtimet e mësipërme, janë folje joveprore (jokalimtare) të diatezës vetvetore-pësore, të përdorura pa vend; – në vend të diatezës veprore.
Në periudhën e dhënë: “Mbylla portën dhe ngjita shkallët me vrap” veprimi i foljeve mbylla (portën) dhe ngjita (shkallët) është kryer nga kryefjala e fjalisë në të njëjtën kohë, në vazhdimësi, me kuptimin e përgjithshëm të tërë paragrafit (tërësisë logjike sintaksore) të dhënë për ilustrim. “Posa mbylla portën e hyrjes në katin e parë të shtëpisë, eca – lëviza shkallëve përpjetë, hyra në odë, u ula pranë dritares (në vendin e përshtatshëm) ku fillova të lexoj.”
Fjalia e pavarur e periudhës së sipërme “ngjita shkallët me vrap”, është fjali e pakuptueshme, sepse shpreh dykuptimësi. Fjala ngjit (ngjes) ka disa kuptime, mjaft prej të cilave janë të ndryshme nga njëra-tjetra; është pra fjalë shumëkuptimore (polisemantike) që ka edhe vlera që dalin nga përdorimi i saj në fjali. Përveç të tjerash, kjo fjalë del në Fjalorin e gjuhës shqipe (1980) edhe si folje kalimtare (veprore) me kuptimin “bashkoj një gjë me një tjetër”: “Ngjit pullën në zarf. Ngjit parullën në mur.” Si folje veprore, kuptimi kryesor i ngjit (ngjes) është ky: “Shpie diçka nga një vend më i ulët në një vend më të lartë; kaloj nga një vend poshtë-lartë: ngjitem: Ngjitem shkallëve; Ngjitem në bjeshkë.” Mirëpo, te kuptimi i foljes ngjitem ndryshon diateza: nga ajo veprore në diatezën vetvetore, sepse kryefjala e fjalisë kryen veprimin vet dhe e pëson vet njëkohësisht; pra folja-kallëzues te shembulli në shqyrtim ka marrë formë joveprore; veprimi i kësaj foljeje nuk bie mbi ndonjë objekt, po mbetet te kryefjala (vepruesi) që vet e kryen dhe vet e pëson.
Pra, shembulli i shprehur me periudhën “Mbylla portën dhe ngjita shkallët me vrap”, ku fjala shkallët (shumësi i emrit shkallë-a) ka kuptimin “mjet druri ose metali që përdoret për t’u ngjitur diku (nga poshtë më lartë), duhej të ishte përdorur: “Mbylla portën dhe u ngjita shkallëve me vrap”, ku diateza vetvetore-pësore e foljes ngjita, që merr pjesëzën u përpara, ndryshon edhe kategorinë e rasës së emrit shkallët (në shkallëve) si dhe tërë kuptimin e fjalisë.
3. Diateza e foljes po afronte, është përdorur gabimisht edhe në fjalinë: “Po afronte koha e draprit të parë dhe e shtegtimit të bagëtive”, (“Gramatika…”, po ajo, po aty, f. 272), në vend që të përdorej po afrohej, e të dilte ndërtimi i qëlluar i fjalisë: “Po afrohej koha e draprit të parë dhe e shtegtimit të bagëtive”.
Edhe në Fjalorin e gjuhës shqipe (1980, f. 899), forma foljore ndaloj e përdorur në fjalinë: “Ndaloj pak diku, hyj diku kalimthi” (kur jam duke shkuar në një vend tjetër), me vështrimin e diatezës veprore, është trajtuar gabimisht, në vend që të trajtohej në format e diatezës vetvetore e të dilte me këto ndërtime: Ndalohem – ndalem pak diku, hyj diku kalimthi (kur jam duke shkuar në një vend tjetër). Thohet: U ndala pak te miqtë. U ktheva kalimthi në dyqan etj., që kanë në përmbajtjen e tyre edhe nuanca kuptimore: “Kthehem – hyj kalimthi te miqtë”; “Hyj – kthehem për pak kohë në dyqan”, etj.
4. Foljet joveprore që marrin diateza vetvetore, pësore e mesore tregojnë zakonisht gjendje ose lëvizje dhe mund të përdoren disa sosh edhe në diatezën veprore. Përdoren ndonjëherë edhe gabimisht diatezat e formave foljore në vend të njëra-tjetrës; kështu që ka vështirësi në përcaktimin e saktë të fjalëve-terma për diatezat e foljes. Këto vështirësi, janë të kushtëzuara me faktin se gjësendet, dukuritë, proceset, qeniet e lidhjet e tyre objektive apo subjektive janë të shumta e të llojllojshme gati deri në pakufi. Ndërkaq, fjalë-terma gramatikore si dhe shprehje gjuhësore ka më pak, prandaj është vështirë që shumësia e gjësendeve, dukurive, proceseve, etj., të shprehet me një numër të kufizuar termash gramatikore.
Përkitazi me keqpërdorimin e formave foljore në diatezat vetvetore-pësore e mesore, po sjell edhe pak shembuj nga gramatikat shkollore, p.sh.: “Festa po afron” (“Gjuha shqipe për klasën e tetë”, Pejë, 2009, f. 95); “Pasi krijon bindjen se informacioni i mbledhur është i plotë nis nga puna” (“Gjuha shqipe për klasën 10”, Prishtinë, 2007, f. 98); “Do punë, sa kje përjashta, t’i kam rregullue, tjerat ke me i ndreq vet tash qi ktheve” (“Gjuha shqipe për klasën 12”, “Albas”, Prishtinë-Tiranë-Tetovë, 2007, f. 26); “Duhet bërë kujdes që trajtimi i çështjeve që analizohen të mos jetë i zgjatur, me përsëritje të panevojshme e të letrarizuara” (“Gjuha shqipe për klasën 10”, Prishtinë, 2007, f. 98).
5. Nga shembujt e mësipërm, fjalia “Festa po afron” duhej të shprehej: “Festa po afrohet”, ndërkaq, te ndërtimi “Pasi krijon bindjen se informacioni i mbledhur është i plotë nis nga puna”, fjalia “nis nga puna” është e çoroditur. Folja nis, ashtu si dhe folja filloj, zë, bëj, vij e rrallë ndonjë tjetër, është folje aspektive e fillimit të veprimit. Ndërtimet “nis nga puna” dhe “filloj nga puna” nuk duhet të përdoren me këtë formë. Në rastin konkret, ato mund të përdoren kur ndiqen nga një emër në kallëzore ose nga një trajtë e lidhores, e do të dilnin: Nis punën (nis të punoj); filloj punën (filloj të punoj). Teksti i mësipërm do të dilte më i kuptueshëm me formën: “Pasi krijon bindjen se informacioni i mbledhur është i plotë nis punën” (nisja punës ose nisja të punosh apo filloj punën (filloj të punoj).
Në këto raste folja nis (filloj) e përdorur si kallëzues i fjalisë, fiton edhe një kuptim të ri leksikor, që bëhet i qartë edhe nga një pjesë emërore e fjalisë që përmban idenë e veprimit, si në shembujt këtu më lartë: nis (filloj) punën, që do të thotë “nis (filloj) të kryej punën”.
Folja-kallëzues qi ktheve, e përdorur në shembullin e mësipërm “Do punë sa kje përjashta, t’i kam rregullue, tjerat ke me i ndreq vet tash qi ktheve”, është përdorur pa vend, ndaj duhet të përdoret në diatezën vetvetore-pësore me formën që u ktheve, në mënyrë që të qartësohet kuptimi i tërë periudhës në shqyrtim.
Te shembulli për ilustrim që u muar në shqyrtim këtu më lartë, janë trajtuar mangët bërthamat kallëzuesore duhet bërë kujdes dhe të mos jetë i zgjatur dhe tërë ndërtimi i dhënë të paraqitet me këtë formë: “Duhet pasur kujdes që trajtimi i çështjeve që analizohen, të mos zgjatet me përsëritje të panevojshme e të letrarizuara”.
Edhe në shembujt e dhënë për ilustrim: “Arbeni zbriti me kujdes duke u mbajtur me gishtërinjtë e hollë tek të çarat e shkëmbinjve. Pastaj vrapoi duke dredhuar pas trungjeve të lisave të moçëm”. (“Gramatika e gjuhës shqipe”, Prishtinë, 2002, f. 105), bërthama kallëzuesore vrapoi duke dredhuar, merr formën e diatezës vetvetore-pësore dhe duhet të përdoret: Vrapoi duke u dredhuar, me ç’rast tërë ndërtimi sintaksor merr kuptim të qartë. Shembulli tjetër që është marrë për ilustrim: “Oso Kukës nuk po i shijonte as buka e ngrohtë e as mishi i dashit të pjekur atë mbrëmje” (“Gramatika e gjuhës shqipe”, Prishtinë, 2002, f. 217), është i paqartë për shkak të keqpërdorimit të foljes-kallëzues nuk po i shijonte, në vend që të përdorej tjetra folje me formën: nuk po i shkonte, ashtu siç haset kjo folje në veprën origjinale prej nga është marrë si shembull për ilustrim.
6. Shembujt ilustrativë të përdorur në përpilimin e librit “Gramatika” e gjuhës amtare duhet të jenë të saktë, të zbërthyeshëm e të analizueshëm. Gjuha kërkohet të jetë e thjeshtë, pa fjalë të tepërta dhe pa përdorime të fjalëve të figurshme, kur nuk ka nevojë të domosdoshme. Shqipja është njëra ndër gjuhët e vjetra të Europës, që ka një fjalor të mëvetësishëm shumë të begatë. Sistemi foljor i gjuhës shqipe dhe format e diatezave të këtij sistemi, janë ndër më të pasurit në gjuhët indoeuropiane.
Pozhar, më 12 gusht 2011

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura