Tiranë, 23 prill 2017: (Në 100 vjetorin e lindjes) – Të shkruash për jetën e një njeriu, do të thotë ta rindërtosh atë. Nuk bëhet fjalë, për një saktësi absolute, për të tëra detajet, por duhet shënjuar thelbi i jetës! Të shkruash për një figurë historike të shquar të Shqipërisë së gjysmës së dytë të shekullit të XX, siç është Kahreman Ylli, që veç jetës vetiake, ka një jetë publike tepër aktive në shoqëri, në politikë, në kulturë, shkencë dhe arsim, vështirësia paraqitet jo e pakët, sidomos kur kanë kaluar afro 50 vjet nga vdekja e njeriut personazh.
“Kur vdes një njeri, varroset një bibliotekë.” – ka thënë Borgesi i madh. Po
kur vdes një njeri si Kahreman Ylli, a nuk ka marrë ai me vete kujtesën e tij në vdekje me shumë histori të pashkruara, apo edhe subjekte, që s’do të shkruhen dot asnjëherë? Këto mendime të mia më gjallonin brenda vetes, kur mora në duar dorëshkrimin librit të mikut tim, Petrit Myftiut kushtuar me përqasje monografike për Kahreman Yllin.
E lexova me kënaqësi të veçantë, përkushtim e kureshtje librin kushtuar figurës së ndritur të një intelektuali të shquar shqiptar Kahreman Yllit.
Ky libër priret të bëjë një përgjithësim, të bëjë një sintezë të jetës të shtrirë në kohë e hapësirë të Kahreman Yllit, që nga lindja e tij në fshatin e gurtë, Leshnjë të Skraparit, një fshat malor në rrëzë të malit të Leshnjes me afro 1800 m. mbi nivelin e detit e deri në vdekjen e tij në detin Adriatik, në Durrës më 3 Shtator 1975.
Pse Petriti e ka shkruar këtë libër?
E para, Petrit Myftiu ka një përvojë vetjake në vite me Kahreman Yllin, që lidhet me një subjekt familjar të pazakontë, të mrekullueshëm dhe tepër njerëzor, që edhe sot, kur e dëgjon të ngazëllon. Babai i Petritit, figurë e njohur intelektuale dhe antifashist, i spikatur në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, Ali Myftiu që posa kishte mbaruar Shkollën Normale të Elbasanit, ishte caktuar mësues në shkollën fillore të fshatit Vërzhezhë të Skraparit, ku e njohu Kahremanin fëmijë dhe më pas e mori tek prindërit e tij për të mbaruar klasën e 5-të të fillores e më vonë të 5 klasat e Shkollës Noramale.
Kahreman Ylli (22 prill 1917 – 3 shtator 1975)
Më ka bërë përshtypje të madhe si një nga mrekullitë e shpirtit shqiptar, konkretisht Ali Myftiu, i cili pa dyshim që pa diçka tepër të rëndësishme, diçka parapritëse te figura e një fëmije, pra kuptoi që fëmija, Kahreman Ylli qe një fëmijë shqiptar, i pastër, me intelekt të gjallë, që kishte veti shpirtërore të prira, për dituri dhe kohezim etik si dhe protogonizëm shoqëror.
Djali i Aiut, Petriti e ka njohur nga afër këtë ndjesi familjare dhe gjatë gjithë jetës deri në vdekjen e Kahreman Yllit ka qenë i lidhutr me të dhe familjen e Kahremanit. Kush më mirë do të bënte një libër për Kahremanin se sa Petrit Myftiu? Për një figurë si Kahremani mund të shkruhen dhe monografi të tjera, e pa dyshim do të shkruhen dhe gjëra që lidhen me ndriçimin e figurës së tij. Po ky dimension, që është dimensioni i intimitetit njerëzor dhe të njohjes të drejpërdrejtë, krejt i paçmuar, krejt i veçantë dhe këtë dimension, autori i librit, e ka në substancën e librit.
Së dyti, autori i librit, për Kahreman Yllin ka vepruar sipas një koncepti modern, shkencor, në paraqitjen e jetës e të biografisë të heroit të librit. Ai jo vetëm ka një njohje të historisë familjare për Kahreman Yllin, por di mirë tërë ecurinë, tërë atë paradigmë të jetës së tij të çuditshme, por shumë të qartë përsa i përket atdhetarizmit, jetë, e cila është e denjë që të shkruajë me krenari të plotë.
Babai i Kahreman Yllit, Sinani është si të thuash prej “prijës” në një kuptim atdhetar, jo vetëm për familjen e tij, por dhe për Skraparin në përgjithësi. Më 1912 ka marrë pjesë në Kuvendin e Sinjës, në të cilin u shkruajt një Memorandum 12 pikësh, që qe baza e mobilizimit të popullit shqiptar, në një lëvizje të fuqishme për Pavarësi. Në vitin 1912, Sinan Ylli është nënshkrues i telegramit dërguar Konferencës së Paqes në Paris, i cili kundërshtonte përfaqësimin e Shqipërisë prej Esat Pashës Toptanit dhe ka qenë edhe mbrojtës i punimeve të Kongresit të Lushnjes dhe si anëtar i Komitetit Ushtarak ka dhënë ndihmesë në organizimin forcave të armatosura të kohës. Ai me 2000 skraparllinj mori pjesë në Luftën e Vlorës. Një baba i tillë, që ka një histori të ndritur vetjake, pa dyshim që është një shembëlltyrë edhe për djalin, i quajtur Kahreman Ylli.
Libri ndjek parimin e kronologjisë. Libri i shkruar qartë me një stil kronikor bën të mundur që lexuesi të njihet nga fëmijëria Kahreman Yllit deri në vdekjen e tij. Kahreman Ylli pasi mbaroi studimet në Normalen e Elbasanit vijon studimet në Lion të Francës. Këtu ai u njoh me kulturën e madhe, universale e revolucionare franceze. Ai jo vetëm që u lidh me lëvizjen më përparimtare të kohës e me shqiptarët që ishin në Francë por u bë anëtar i PKF, me pseudonimin “Burlati” dhe mori pjesë në organizimin e shkrimin e gazetave të kohës me përmbajtje revolucionare. Kthimi i tij në Shqipëri nga studimet do të bënte fazën e pjesëmarrjes të tij në drejtimin e lëvizjes NÇ në Qarkun e Beratit, si Sekretar Politik i PKSH, e më vonë në gjysmën e dytë të viti 1944, si Komisar i Br. XIV S. Lëvizja Antifashiste Nacionalçlirimtare, kjo betejë e madhe historike që ka bërë populli ynë, pati karakter integrues me botën, lidhur me aleatët e mëdhenj dhe hapi shpresa të mëdha për të ndryshuar e krijuar një Shqipëri të Re, demokratike. Mbas Çlirimit, Kahreman Ylli, duke patur parasysh tani dhe kulturën e tij të gjërë, hyri në trupin diplomatik shqiptar si Ambasadori i parë i Shqipërisë në Francë. Në libër citohen me të drejtë një nga ngjarjet e veçanta që ndodhi në Paris, Konferenca e Paqes në Paris në të cilën Kahreman Ylli ishte anëtar i delegacionit qeveritar. Ai kontribuoi shumë për mbrojtjen e të drejtave të shtetit të ri shqiptar. Më pas, Kahreman Ylli është shquar në një mision, prapë të nivelit diplomatik ndërkombëtar siç është ngjarja që lidhet me Gjyqin e Hagës lidhur me incidentin në Kanalin e Korfuzit.
Me kulturën e tij të admirueshme Kahreman Ylli mund të quhet nga diplomatët më të njohur shqiptarë të kohës. Kjo pike, pra pika inkadeshente e jetës së tij si diplomat pa dyshim që mund të jetë më e pakta me dokumenta pa dyshim që këtu ka shumë më tepër material që mund të shkruhet e mund të ndriçohet me studime të mëvonshme. Por simboli i jetës së Kahremanit është gjithmonë bota kulturore. Ai ka qenë Rektor i Universitetit i Tiranës dhe roli i tij si Rektor, si organizues është një nga konstruktuesit dhe modernizuesit kryesor të Universitetit Shqiptar. Kujtimet që kanë dhënë në libër, në veçanti, nga shumë profesorë të nderuar e pedagogë flasin për atë se sa i rëndësishëm ka qenë roli i tij për udhëheqjen në organizimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës.
Konferenca e përgjithshme për studimet albanologjike të vitit 1962, ku ai jo vetëm që ka fjalën hyrëse në këtë konferencë që për herë të parë zhvillohej një konferencë e përmasave të tilla, shumë përfshirëse, por, me sa duket ka qenë njeriu kryesor që ka bërë një mbarëvajtje për organizimin dhe konstitucionalizimin të kësaj konference të vitit 1962 kur Akademia e Shkencave nuk ishte ngritur akoma.
Osman Kraja, më pas Rektor i USH të Tiranës nënvizon në kujtimet e tij, shumë aspekte të formimit humanitar të Kahreman Yllit. Ai, gjatë gjithë veprimtarisë së tij ka luftuar që shkencat albanologjike të zhvilloheshin me ritme sa më të shpejta në mënyrë që e këtyre studimeve, sa më parë të ishte e mundur të bëheshin institutet tona të Historisë e të Gjuhësisë. Gjuhëtarët tanë të shquar Aleksandër Xhuvani, Eqerem Çabej, Androkli Kostallari, Shaban Demiraj e të tjerë më të rinj ishin bashkëbiseduesit e preferuar të Kahreman Yllit dhe gjenin tek ai gjithmonë mbështetjen për të cilin kishin nevojë. E njëjta gjë mund të thuhet për historianët Aleks Buda, Stefanaq Pollo, Selami Pulaha, Kristo Frashëri, Kristaq Prifti etj, dhe për të gjitha figurat e ndritura të tjera të shkencës e arsimit të lartë që nga institutet e para 4 vjeçare e deri tek Universiteti. Ai i konceptonte jo vetëm si qendra të përgatitjes së specialistëve të rinj, por njëkohësisht dhe si vatra të zhvillimit të kërkimore shkencore e kualifikuese. Edhe në kushtet e kufizimeve ideologjike dhe financiare të viteve ‘60 e ’70 Kahremani ka përkrahur pa hezitim idenë e kualifikimit të pandërprerë të elitës së kuadrit akademik e universitar në të gjitha fushat e mundshme. Nën drejtimin e tij të kujsesshëm u organizuan dy konferencat e studimeve albanologjike dhe Kuvendi i Studimeve Ilire (shtator 1972) që pati një pjesëmarrje të gjërë ndërkombëtare. Me një përkujdesje të veçantë ka ndjekur punën për përgatitjen e Kongresit të Drejtëshkrimit të Nëntorit 1972, një ngjarje kulmore në historinë tonë kombëtare. Në fund të vitit 1972, sikurse dihet, u themelua Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Kahreman Ylli për muaj me radhë ka diskutuar nëpër fakultete për të gjetur një formë organizative sa më të përshtatshme dhe për të zgjedhur si anëtarë të saj, – do të caktoheshin me dekret, – përfaqësuesit më të denjë të shkencës shqiptare të asaj kohe. Dhe ai e tregoi fisnikërinë e tij të admirueshme dhe në këtë rast. Ai nuk mori asnjëherë, asnjë titull e gradë universitare e akademike për veten e tij, në një kohë kur u kujdes shumë që kolegët e vet të studimeve në Francë e gjetkë të merrnin dhe me “dekret” grada e tituj shkecor akademik.
Ja disa ndihmesa të Kahreman Yllit gjatë periudhës 10 vjeçare 1961-1970 kur ai ishte Rektor i Universitetit Shtetëror të Tiranë. Kjo është periudhë e një zhvillimi të vrullshëm të këtij Universiteti dhe e fillimit të disa aktiviteteve të rëndësishme shkencore, një pjesë e të cilave më vonë i kaluan Akademisë. Me mbështetjen dhe kujdesin e tij të drejpërdrejt, pranë Katedrës së Fizikës u krijua sektori, që më vonë mori emrin Instituti i Fizikës Bërthamore. Po në këtë periudhë u ndërmor studimi i plotë i rezervave hidroenergjitike të vendit tonë, sidomos për lumenjtë e Shqipërisë qendrore e jugore, që nuk ishin studiuar më parë; u ngrit Laboratori i Modelimeve Hidraulike dhe Kopshti Botanik; u transferua dhe u ngrit mbi mbi baza shkencore Muzeu i Shkencave të Natyrës. Biblioteka e Universitetit nga një depo librash, u transformua në një institucion të lartë.
Aleko Minga, matematicieni ynë i shquar, kujton se Kahreman Ylli e kishte në qendër të vëmendjes Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Thuajse në të të gjitha mbledhjet e rëndësishme dhe ato për analizën e punës të Këshillit Shkencor të Fakultetit vinte vetë si përfaqësues i Rektoratit.
– Gjatë tërë periudhës kur ishte rektor Kahremani kam qenë anëtar i këtij Këshilli dhe i kam ndjekur drejtpërdrejt ndërhyrjet, komentet gjatë diskutimeve, konkluzioneve dhe udhëzimet e tij. I sjell ndërmend pak a shumë fjalët që tha, kur asistoi për herë të parë në mbledhjen e Këshillit tonë:
– E çmoj Fakultetin e Shkeencave të Natyrës si një nga fakultetet më të rëndësishme të Universitetit të Tiranës. Matematika dhe shkencat natyrore quhen shkenca fondamentale dhe janë themeli i formimit bazë për shumë specialitete, prandaj puna dhe veprimtaria juaj kanë rrezatim të fuqishëm në mbarë universitetin. Nga ana tjetër, ju përgatitni mësues për lëndë ndër më kryesoret në hallkat tjera të arsimit, prandaj keni një rol të dorës së pare në ngritjen cilësore të shkollës sonë. Nga sa jam në dijeni, pedagogët e fakultetit tuaj dallohen për përgatitje të mirë profesionale, përkushtim dhe seriozitet në kryerjen e detyrës për kërkesa të drejta ndaj studentëve dhe për vlerësime korrekte. Jam informuar se ka pasur presion, madje nga brenda universitetit, për ulje të kërkesave dhe për lëshime ndaj studentëve, që lëndët që mbuloni të mos kthehen në “barrierë të pakapërcyeshme” për vazhdimin e studimeve. Kërkesat e drejta janë shenjë respekti për punën, qoftë të pedagogut, qoftë të studentit. Mua sa të jem në postin që më kanë besuar, më keni në krah për t’ju mbështetur fort në punën tuaj dhe për t’u prerë rrugën gjithë përpjkjeve të dëmshme për të ndërhyrë në kryerjen me korrektesë të misionit tuaj…”. Ishte kjo shpalosje e një vije programore, së cilës Kahreman Ylli ju përmbajt me konsekuencë.
Ai mbështeti kërkesën që degët e matematikës dhe të fizikës të kishin të drejtën të zgjidhnin për të vazhduar studimet e larta në to, maturantët me rezultate më të mira në këto lëndë; zgjidhi shpejt problemin e krijimit të një katedre të dytë, atë të Matematikës së Përgjithshme që e ngriti në një nivel më të lartë dhe që do të ishin një impuls i fuqishëm për modernizimin shkencor e pedagogjik të degëve përkatëse dhe për zgjerimin e ndjeshëm të spektrit të lëndëve të reja që do të ekspozoheshin në auditoret tona.
Kur bindej për diçka i vihej me mish e me shpirt sendërtimit real të idesë. U deshën më pak se pesë vjet që Qendra Matematikore Llogaritëse dhe Instituti i Fizikës Bërthamore të bëheshin realitet. Kahreman Ylli ishte me formim humanitar si specialist, por ai ishte drejtues me vision të mirëfilltë, që e lejonte të orientohej thuajse me lartësinë e specialistit dhe në fusha të tjera të përzgjidhte drejt kahet e zhvillimit perspektiv që i duheshin vendit. Prandaj ai luajti rol kryesor në zhvillimin shkencor të vendit, duke shfrytëzuar në mënyrën më efikase mundësitë që i krijonte funksioni që kryente.
Figura shumëdimensionale e Kahreman Yllit shkëlqen dhe në aspekte që lidhen me personalitete botërore të kohës. Më 25 Dhjetor 1946 vdiq fizikanti i madh francez Paul Langaven, anëtar i shumë akademive të shkencave, mik dhe koleg i Anshtajnit, nxënës dhe bashkëpunëtor i denjë i Marie dhe Pjerr Kyri, por edhe profesor i akademikut tonë të parë fizikant, prof. Sotir Kuneshka. Kahreman Ylli, si Ambasador i Shqipërisë në Francë, i dërgoi një letër familjes, ku ndër të tjera thonte: ”Vdekja e dijetarit të madh dhe me zemër të madhe Poul Langeven, e ka zhytur në zi shkencën dhe njerëzimin…I gjithë populli shqiptar është me ju në këto ditë zije…”. Kahreman Ylli mori pjesë në varrim dhe vendosi një kurorë me kordele në emër të Shqipërisë që u pasqyrua edhe në shtypin francez të kohës. Po kështu me theks atdhetar është edhe fjala e Kahreman Yllit në varrimin e dijetarit të mrekullueshëm shqiptar Kostaq Cipos.
Dhe njohjet njerëzore me shqiptarët e talentuar bashkohorë e ngrenë në reliev Kahreman Yllin. Ai takoi në Gjirokastër Dritero Agollin, që sapo kishte mbaruar maturën. Në bisedën me Kahreman Yllin, Dritëroi i tha se dëshironte të vijonte për shkollën në gazetari dhe letërsi. Ai shkruan se ishte projektua dhe u njoftua se i kishte dalë e drejta e studimit universor për gazetari dhe letërsi në Leningrad (Sant Peterburg). Imagjinoni, të kishim një Dritëro me studime të lartë si zooeteknik. Kahreman Ylli qe ai, që mendoi më drejt, dhe ndërhyri, që Driteroi të studionte në fushën, ku spikaste talenti i vërtetë dhe prirjet e tij krijuese.
Më 15-20 shtator 1972 u zhvillua në Tiranë Kuvendi i Parë i Studimeve Ilire. Unë punoja si redaktor në gazetën “Drita” dhe mora pjesë në këtë ngjarje të madhe shkencore e rrafshit kombëtar. Gjatë ditëve të Kuvendit e takova me cilësinë e gazetarit edhe Kahreman Yllin. Më bëri përshtypje qëndrimi i tij prej njeriu serioz dhe me fjalë të matura e të mençura. Si të duken diskutimet në këtë kuvend, më pyeti. Unë ju përgjigja se më kanë impresionuar dhe përveç nivelit të lartë shkencor të dijetarëve shqiptarë, më kanë tërhequr vemendjen sidomos dijetarët e mëdhenj të huaj, si prof. Hamondi i Kembrixhit, por edhe arkeologët jugosllavë dhe të vendeve të tjera evropiane. Kahreman Ylli më ftoi të pinim një kafe. Me dialogun që bëmë, më kanë mbetur në mendje thëniet se projektin e kësaj veprimtarie shkencore flitet për një Konferencë Ndërkombëtare. Kur ia çoi këtë projekt Enver Hoxhës ai i tha ta quanim më mirë Kuvend dhe jo Konferencë dhe e pyeti se a kishin ftuar dijetarë të huaj, mbasi dëgjoi përgjigjen, se në këtë drejtim, paraqisnin problem edhe politik disa nga dijetarët e famshëm, Hoxha ju përgjegj, se të thirreshin patjetër, këta dijetarë, duke përfshirë dhe Hamondin. Mbas këtij takimi, të parë dhe të fundit në jetën time, emrin e Kahreman Yllit e kam dëgjuar në ceremoninë shtetërore mortore në 1975. Mund të shtoj se suksesi i Kuvendit të Parë të Studimeve Ilire qe substancial dhe ndërkombëtar. Një nga studiuesit e huaj, pjesëmarrës, në këtë Kuvend shkroi se “shqiptarët hynë në Portën e Madhe të arkeologjisë botërore”. Kjo kishte shumë rëndësi për tezën shkencore të Etnogjenezës Iliro-Shqiptare.
Petrit Myftiu, autori i nderuar i këtij libri, ka bërë një punë të mrekullueshme dhe dinjitoze. Natyrisht botimi i tërë dokumentacionit historic që i përket Kahreman Yllit do të jetë një informacion i shumëfishtë për botime të së ardhmes.
Kahreman Ylli është (dhe do të jetë) figurë e ndritur e një shqiptari të madh. Këtë e dinë të gjithë. Këtë nuk mund ta mohojë askush. Shkenca, arsimi dhe kultura e fuqizojnë kuptimin themelor dhe bazik të Shqipërisë. Kahreman Ylli e kishte kauzë të jetës këtë gjë. Dhe nuk kurseu asgjë në horizont të gjërë dhe altruizëm dhe gjithçka për të mirën e vendit dhe popullit shqiptar. Kujtimi i tij është kështu përherë iluminues dhe humanitar.
Dr.Mojkom Zeqo Akademik – Anëtar i Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve.
Një jetë për arsimin. Përkujtohet 100-vjetori i Kahreman Yllit