ALBERT HABAZAJ: BOTA E TËRBAÇIT NËPËRMJET POLIFONISË FEMËRORE

Vlorë, 26 maj 2017: Më në fund të fillimit! Grupi i Vajzave të Tërbaçit shfaqet para njerëzve të tij, para dashamirësve të këngës labe, para specialistëve të folkorit me albumin e parë me këngë origjinale tërbaçiote, me CD e parë të polifonisë femërore. Sinqerisht, ndihem i gëzuar dhe dua t’u shpreh mirënjohjen 10 mortave të mia, që i zbardhën faqen etnokulturore Tërbaçit, vetes dhe mua. Falënderoj me dëlirësi mentorët tanë të fushës Pelivan Barjamaj, me origjinë nga Tërbaçi dhe Llambro Hysi nga Kallarati, por që, bashkë me Dragoin e Këngës labe, të paharruarin Kujtim Mici ka punuar për këngën me vajzat, qysh kur ato ishin gjimnaziste, në shkollën e mesme të Bratit, në vitet 1975-1979. Vlerësimi im, i pari dhe sa të jem e të kem kujtesë është i veçantë dhe i patjetërsueshëm për ato 10 nëna, motra e gra heroina: Shpresa Kapo Çelaj, Liliana Rrapi Kapo, Hava Çelaj Muça, Baftie Dauti Xhelili, Evgjeni Habili Seferi, Liri Gaçe Shkurtaj, Lavdie Goxho Xhaka, Vitore Shiroka Veraj, Antoneta Goxho Mehmetaj dhe Madelona Mëzyraj Skëndaj. Kryezana Diana Ribaj, motra jonë me banim në Greqi Nazo Dautaj, Amazona e këngës labe, Diva e polifonisë femërëore, me atë zë hyjnor, të pa bërë dot pis nëpër pellgaçe të ndënjura folklorizante është frymëzimi dhe modeli i këtij grupi. “Themeli i këngës labe dhe qeliza fillestare e zërit te bukur e melodioz” e quan Shpresa Kapo, shoqja e saj më e ngushtë e këngës, e shkollës e deri më sot. Të dhjeta janë bërë nëna e gjyshe, por, veç kaq, u shprehim mirënjohjen tonë për mirësinë, vitalitetin dhe mesazhet që na japin ato 10 Vajza të sakrificës e të përkushtimit maksimal. Janë ato 10 vajza tërbaçiote, ato stërmbesa të Miro Tërbaçes me këngë e histori, që realizuan këtë punë të mirë, të bukur e të dobishme për kulturën e vendlindjes, ngritur mbi bazën e vullnetarizmit, me profesionalizëm, seriozitet, disiplinë artistike, origjinalitet, me besim reciprok për t’u marrë shembull nga të tjerët, se si mund të mbahet gjallë tradita, se si mund të pasurohet dhe të përçohet brezave, e pastër si ujë burimi, si bora e malit të Çikës mbi Tërbaç. Mirënjohje speciale nëpërmjet gazetës Tuaj po i shpreh jo vetëm unë, por gjithë grupi, mikut tim Gentjan Banaj në Fier për punën cilësore, profesionalisht dhe artistikisht të lartë që bëri me Grupin e 10 Shqiponjave të Tërbaçit. Po Mikel Lutaj?! Sponsori. Nuk e kemi takuar asnjëherë, nuk e njohim fizikisht. Kemi komunikuar vetëm elektronikisht dhe ka shprehur vetëm fjalë të mira e besim për veprimtaritë e grupit. Pa i kërkuar gjë, na ndihmoi për hir të dashurisë që ka ndaj këngës labe, asaj të burimit. Është një djalë i çuditshëm, i dashur dhe hobi ka veç këngën labe, edhe pse ka emigruar në SHB, qysh në moshën 16 vjeç dhe sot është i burrëruar, 38 vjeç. Në Shqipëri s’ka ardhur më, qëkurse ka ikur prej këtej. Kjo e bën edhe më të malluar këtë djalë edhe për Vlorën, edhe për njerëzit e tij, edhe për Tërbaçin e origjinës. Ia ka qepur mirë i trëndelinti Pelivan Bajramaj: “Gjalmëziu i Nju Jorkut për Vlorë e Shqipëri”. Këto falënderime që shpreh publikisht nuk janë qoka, se s’i kam për zemër, por janë fjalë nderimi e frymë shpirti.

Pak kronologji
Më 13 maj 2017, miku poet dhe artist me thesare shpirti Gentjan Banaj na njofton: “Sot materializohet ideja dhe dëshira për prodhimin e albumit me këngë polifonike nga Grupi i Vajzave të Tërbaçit. Pas përpjekjeve, arritëm të kemi në dorë jo vetëm idenë dhe imazhin, por materialisht të realizuar në CD, me regjistrim të pastër e cilësor 14 njësi folklorike nga “10 Shqiponjat e Tërbaçit. Udhëheqësi artistik Albert Habazaj meriton falënderime për kurajën dhe punën e palodhur. Prodhuar nga G. Banaj, imazhi Benart studio. Suksese Çikave Tërbaçiote”. Emocione të bukura, vëllazërore, të larta. Duhet të ishe pranë nesh, t’i përjetoje aq ngrohtë e fisnikërisht … Grupi i Vajzave të Tërbaçit, cilësuar si 10 Miro Tërbaçet e Këngës labe, 10 Shqiponjat e Tërbaçit për Polifoninë femërore shkëlqyen me interpretimin e tyre edhe më 18 Prill 2017 për nder të ditëlindjes së Ambasadores së Kombit në botë, dritërores së paharruar Nermin Vlora. Grupi i Vajzave të Tërbaçit u paraqit me tre njësi folkorike në veprimtarinë “Gra të ndritura ndriçojnë kombin”, zhvilluar me rastin e 15 vjetorit të krijimit të Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi” në sallën e madhe të Hotel “Vlora Internacional” në Skelë, Vlorë. Vajzat kënduan këngën e sapokrijuar “I bukur si sy Nermini”, këngën e njohur “Nënat tona shqipëtare” dhe vallen emocionuese “Shtëpitë e bardha në brinjë”, duke dalë para Zonjave të Mëdha të Kombit denjësisht edhe me kostumin folkorik, pasuruar me elemente të duhur, mbështetur në traditën e stërgjysheve e gjysheve tona, sipas Historikut tonë “Tërbaçi në rrjedhat e historisë”, Tiranë, Toena, 1998, f. 23. Mirënjohje për Ju, 10 Motrat e mia, që nderuat veten, Tërbaçin tonë të dashur, parardhësit e Folkorit të vendlindjes sonë dhe mua. Sakrificat tuaja, vullnetarizmi idealist për hir të Tërbaçit tonë, që s’e këmbejmë të na falin botën, po u dhuron një emër të respektuar në komunitet. Dhe vetëm me investime nga kursimet tuaja ngjitët këto shkallë të hijshme arti. Besoj se mirësia juaj bujare dhe niveli i lartë artistik në ekzekutimin e këngëve dhe valleve, në të ardhmen do të vlerësohet edhe materialisht, sepse ju e meritoni, sepse ju jeni ARTISTE, sepse ju e ndezët sallën me zjarrin e ngrohtë të shpirtit tuaj të bukur, sepse ju i emocionuat aq shumë Fisniket e Kombit, sa u ngritën për ju e me ju në këngë labe e vallen e kënduar. Gjëra më të dobishme do të bëni e suksese të tjera ju presin. Margarita Xhepa dhe Tinka Kurti na bëjnë më të bukur, më të mirë, më të dobishëm me trëndafilishten e shpirtit të tyre, që na dhurojnë bujarisht mua dhe Grupit të Vajzave të Tërbaçit. Mirënjohje dy figurave të ndritura të Kombit! FALEMINDERIT, MOTRAT E MIA TËRBAÇIOTE! E pasurojnë sipas traditës kostumin femëror me xhoke e përparëse dhe ngjajnë si bletë mjalti folkorik. Metafora e kostumeve folkorike të Grupit të Vajzave të Tërbaçit kuptohet si pranverë e çelur, e hapur, e bukur e shpirtit të 10 Motrave të mia, të 10 Shqiponjave të Tërbaçit. Shumë vlerësime na vijnë në adresë të kontributit tuaj folkorik në këtë kohë ende të paqartë dhe abuzive, që është lëmë i shtruar me begati shpirti për kusarët me çizme, që grabisin fare butë e padhunë e nuk nisen fare nga “Shpella e piratëve”, por i ke të zbukurueshëm nëpër lëmë e duan pronësimin e ballit të lëmit të këtyre thesareve të shpirtit popullor. Qeparotsja Florika Thanasi Kotska nga Zvicra shprehet: “Nuk ka më bukur kur Artistët nderohen nga Artiste të mëdha, të kulturës dhe artit shqiptar, me të cilat krenohemi sot. Ju uroj suksese të mëtejshme grupit dhe ju përshëndes nga larg të gjithave”. “Sa bukuuur!!!- thotë Fatma Jasini, nxënëse shembullore dhe poete me talent. “Krenohemi me ju- shprehen të malluar çifti Lulo e Tana Malaj. “Shumë bukur veshjet popullore të grupit-vëren mësuesja Mjeshtre Rita Hasanaj. Publicisti dhe shkrimtari i njohur, sidomos për motivet historike dhe etnofolkorike Gëzim Zilja e shpreh me kulturë, admirim e nderim, aq çiltër e bukur vlerësimin e tij: “Duke lexuar sa më sipër i nderuar Albert, me shkoi mendja të isha një nga ato 10 ”Miro Tërbaçet” e tua, të veshura aq bukur. Meqenëse kjo është e pamundur, atëhere shpreh falënderimin tim për punët e mira që bëni ju”. Aljosha Korkaj, shkrimtar, studiues, emigrant në Itali, (bashkëmoshatar dhe bashkëshkollar me vajzat): “Falë kontributit afro gjysmë shekullor, e meriton një nder të tillë grupi polifonik i Vajzave të Tèrbaçit. Përgëzime grupit tuaj të Tërbaçit si dhe juve Albert Habazaj si promotori i këtij grupi dhe aktiviteteve të tjera artistike, letrare, kulturore apo historike. Pasi dihet, nëse nuk ka persona të përkushtuar dhe me shpirt patriotik dhe organizator të palodhur, nuk ka as aktivitete, as grupe të këngës popullore e si rrjedhojë tradita shuhet. Gëzohemi Berti që je në radhë të parë”. Kritiku dhe poeti Elton Brakaj nënvizon: “Fakti që kjo traditë mbahet gjallë është sforco intelektuale e disa njerëzve të thjeshtë, vlera e të cilëve nuk kuptohet. Vetëm kur njeriu mediton pak kupton se përveç të qenit banor i fshatit të madh që quhet botë, ka ca rafshe të tjerë identitare që po të mos ishin disa përpjekje të kësaj natyre, nuk do të ishin më”.

Repertori i albumit: Grupi i Vajzave të Tërbaçit – 10 shqiponjat e Tërbaçit (Polifonia femërore e këngës labe) prezantohet me albumin e parë në CD – inë e parë për publikun me 14 njësi folkorike (11 këngë e 3 valle):
I. Këngët:
1. Himni i Tërbaçit (liriko – epike), teksti Albert Habazaj, marrëse Liljana Rrapi Kapo, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Vitore Shiroka Veraj;
2. Elegji për Dragoin e këngës Kujtim Mici (e përvajshme), teksti Albert Habazaj, marrëse Baftie Dauti Xhelilaj, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj;
3. Tërbaçi ynë sa deti (lirike), teksti Kujtim Mici, marrëse Shpresa Kapo Çelaj, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Vitore Shiroka Veraj;
4. Himni i Brigadës së Pestë: Gjurmë të kuqe borës latë, (epiko – lirike), teksti Kujtim Mici, marrëse Baftie Dauti Xhelilaj, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj;
5. Këngë për Miro Tërbaçen (epiko – historike), teksti populli, marrëse Evgjeni Habilaj Seferi, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Vitore Shiroka Veraj;
6. Nënat tona shqiptare (liriko – epike), teksti Kujtim Mici, marrëse Hava Çelaj Muçaj, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Vitore Shiroka Veraj;
7. Ç’ po kërkon një nënë?! (elegjiake), teksti Kujtim Mici, marrëse Evgjeni Habilaj Seferi, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Vitore Shiroka Veraj;
8. Shaminë e zezë e preva shqiponjë (epiko – lirike), teksti Kujtim Mici, marrëse Baftie Dauti Xhelilaj, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Shpresa Kapo Çelaj;
9. Tërbaçiotes: Lulja e Malit të Çikës, (lirikë dashurore), teksti Pelivan Barjamaj, marrëse Antoneta Goxho Mehmetaj, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Vitore Shiroka Veraj;
10. Ç’i gjet’ zakonet që pamë?! (satiro – humoristike), teksti Kujtim Mici, marrëse Shpresa Kapo Çelaj, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Vitore Shiroka Veraj;
11. Bilbilejtë trembëdhjetë! (Këngë epiko – historike), marrëse Baftie Dauti Xhelilaj, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Shpresa Kapo Çelaj;
II. Vallet (të kënduara):
1/ 12. Shtëpitë e bardha në brinjë (lirike), teksti popullor, heq vallen Shpresa Kapo Çelaj, marrëse Liljana Rrapi Kapo, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Vitore Shiroka Veraj;
2/ 13. Atje, te ura në lumë, (baladë), teksti popullor, heq vallen Shpresa Kapo Çelaj, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Vitore Shiroka Veraj;
3/ 14. Djal’ i popullit, Halim (epike, kushtuar Halim Xhelos), teksti Petro Marko, hedh vallen dhe ia merr Shpresa Kapo Çelaj, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Vitore Shiroka Veraj; mbushin këngët (bëjnë iso) Lavdie Goxho Xhakaj, Madelona Mezyraj Skëndaj dhe Grupi i Shqiponjave të Tërbaçit.
BOTA E TËRBAÇIT NËPËRMJET POLIFONISË FEMËRORE; Drejtues artistik: Albert Habazaj; sponsor: Mikel Lutaj; konsulentë: Pelivan Barjamaj dhe Llambro Hysi;
producent: Gentjan Banaj.
Qoftë dielli me mirësitë fisnike njerëzore!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura