ABDULLA MEHMETI: UNIVERSITETI I TETOVËS ËSHTË THEMELUAR MË 4 QERSHOR, JO MË 17 DHJETOR 1994 (II)

Tetovë, 11. 01. 2015 – Sipas Programit të paraparë, të paraqitur më poshtë (në gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze) dhe të Ftesës për hapjen solemne të Universitetit, në Pallatin e kulturës në Tetovë, me fillim në orën 12:00, ky manifestim i planifikuar nuk u mbajtur për shkak të rrethanave të sipërpërmendura. Me vendimin e Qeverisë, të datës 12 dhjetor 1994, u ndalua çdo aktivitet në lidhje me punën e Universitetit, Tetova u vendos në shtetrrethim të hekurt nga forcat policore dhe u vendos kontroll i ashpër në të gjitha vendkalimet kufitare me Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë, prandaj, Kryesia e Universitetit (Prof. dr. Fadil Sulejmani, Prof. dr. Agni Dika dhe Prof. dr. Murtezan Ismaili), në këto rrethana u detyrua t’i ndërmerr hapat e nevojshëm për fillimin e punës së Universitetit dhe fillimin e vitit akademik 1994/95, duke kërkuar mbështetje me shkrim nga përfaqësuesit e partive politike shqiptare, sidomos të PPD-së, e cila atë kohë ishte në pushtet, si dhe përkrahjen e përfaqësuesve të komunave, Tetovë, Gostivar dhe Dibër dhe të disa Këshillave të komunave të tjera me numër të konsiderueshëm të këshilltarëve shqiptarë, si dhe nga faktorë të tjerë. Të gjitha aktivitetet e zhvilluara nga Kryesia e Universitetit, gjatë ditëve 15, 16 dhe 17 dhjetor 1994 janë organizuar në këtë frymë dhe me këtë qëllim, ndërsa për suksesin e arritur dhe përkrahjen e dhënë nga subjektet politike dhe jopolitike shqiptare të asaj kohe dhe udhëheqësit e komunave, meritë të veçantë ka popullata shqiptare e Tetovës dhe viseve të tjera, e cila u ngrit në mbrojtje të këtij tempulli të dijes, po ashtu edhe të gjithë nënshkruesit e Listës për mbështetje të Vendimit për fillimin e punës së Universitetit, i cili në atë kohë u publikua si Akt i themelimit të Universitetit, fillimisht në radio ,,Zëri i Amerikës” dhe në gazetën ,,Flaka e vëllazërimi”, më 17 dhjetor 1994. Vendimi, i tillë siç u publikua, është një version i modifikuar i Vendimit për themelimin e Universitetit të Tetovës, i miratuar nga Kuvendi themelues, më 4 qershor 1994. (Shih, foto nr. 12).


Kopje e Vendimit për themelimin e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë, nënshkruar nga Prof. Dr. Fadil Sulejmani, në cilësi të kryesuesit të Kuvendi për themelimin e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë.
Vë vazhdim e paraqes Listën e nënshkruesve, e cila fillimisht u nënshkrua nga Kryesia e Universitetit të Tetovës (jo siç janë nënshkruar në këtë Listë, Fadil Sulejmani, kryetar dhe Murtezan Ismaili e Agni Dika, anëtarë të Këshillit të Universitetit). Ata janë zgjedhur anëtarë të Kryesisë (kolektive) së Universitetit, ndërsa Këshilli i Universitetit është përbërë nga 18 anëtarë të tjerë, prej të cilëve vetëm 2 (dy) anëtarë janë nënshkrues të kësaj Liste për mbështetje të këtij Vendimi (Aktit për themelimin e Universitetit), edhe atë: Mr. Nexhbedin Beadini dhe Mr. Petrit Polozhani (Shih, foto nr. 13).

Lista e nënshkruesve në mbështetje të Vendimit për themelimin e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë (Universitetit të Tetovës), të nënshkruar më 15 dhjetor, në shtëpinë e Bari Ganiut, Reçicë e Vogël, dhe më 16 dhjetor, në orët e vona të natës, në zyrën e PPD-së në Tetovë, ndërsa disa persona janë nënshkruar në këtë Listë edhe më 17 dhjetor e më vonë.
Lista e plotë nënshkruesve të Aktit për themelimin e Universitetit të Tetovës, më 15 dhe 16 dhjetor 1994 (përshkrimi është pa asnjë ndryshim në përmbajtje dhe radhën e nënshkruesve):
1. Fadil Sulejmani, Kryetar i Këshillit të UT-së,
2. Agni Dika, Anëtar i Këshillit,
3. Murtezan Ismaili, Anëtar i Këshillit,
4. Nevzat Halili, Kryetar i PPD-Partia e Unitetit Popullor,
5. Iljaz Halimi, Kryetar i PDP-së,
6. Arbën Xhaferi, Kryetar i PPD-së,
7. Milaim Fejziu, Kryetar i FDMDLNJM,
8. Arben Rusi, Kryetar i SH.H. ,,HËNA E RE”, Tetovë,
9. Myqereme Rusi, Kryetare e LGSHM,
10. Zeqir Kadriu, deputet i PDP,
11. Xhevat Halili, anëtar i Këshillit Qendror të PDP,
12. Agim Shabani, anëtar i Këshillit Qendror të PPD,
13. Vahit Kamberi, anëtar i Kryesisë së PPD-PUP,
14. Qemal Halili, këshilltar dhe anëtar i Kryesisë i PPD-PUP,
15. Qemal Xhafa, Kryetar i K.K. Dibër,
16. Enver Zenku, Kryetar i K.K. Gostivar,
17. Hasan Jashari, Zëvendësministër për Arsim,
18. Nasir Selimi, Nënkryetar i K.K të Gostivarit,
19. Shaqir Aliti, Kryetar i K.K. Tetovë,
20. Agim Sherifi, Nënkryetar i KE të K.K. Tetovë,
21. Xhemil Idrizi, Kryetar i LDSH-PL,
22. Sami Ibrahimi, deputet i PPD,
23. Kasamedin Abdullai, asistent, anëtar i Këshillit,
24. Nexhbedin Beadini, anëtar i Këshillit,
25. Avdi Murtezani, Sekretar i K.K të Tetovës,
26. Qenan Sheji, Këshilli për themelim,
27. Hysen Reçi, Këshilli për themelim,
28. Hysni Hoxha, Këshilli për themelim,
29. Nafi Doko, Nënkryetar i Komunës së Strugës,
30. Petrit Pollozhani, Këshilli për themelim,
31. Liman Kurtishi, Nënkryetar i K.K të Tetovës,
32. Abdurahman Haliti, Kryetar i PPD,
33. Hisen Ramadani, deputet,
34. Xhevdet Hajredini,
35. Qenan Mazllami, Kryetar i PAD-Rruga Islame
36. Iljaz Sabriu, ministër

(Lista përfundon me numrin rendor 36)
Rreth zhvillimeve të tjera gjatë ditëve 15, 16 dhe 17 dhjetor 1994 nuk do të ndalem më tepër me këtë rast, sepse nuk është qëllimi i këtij shkrimi dhe për të njëjtat kanë shkruar hollësisht disa autorë të tjerë.
Sqarime
1. Vendimi (Akti për themelim) është nënshkruar vetëm nga Prof. dr. Fadil Sulejmani, në cilësinë e Kryesuesit të Kuvendit për themelimin e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë. Domethënë, Prof. dr. Fadil Sulejmani, nënshkrues i vetëm i këtij akti, thirret në Kuvendin për themelimin e Universitetit të Tetovës, më 4 qershor 1994, në të cilin ka qenë kryesues i punimeve të tij, ndërsa ky Vendim është modifikuar më vonë, edhe pse mban datën 17 dhjetor 1994. Në asnjë rast nuk është mbajtur kuvend tjetër për themelimin e Universitetit të Tetovës, por të gjitha aktivitetet, mbledhjet dhe takimet e mëvonshme janë organizuar nga Kryesia e Universitetit dhe Këshilli për themelimin e Universitetit, organe të zgjedhura nga Kuvendi për themelimin e Universitetit të Tetovës, më 4 qershor 1994.
Nënshkruesit tjerë, në emër të Këshillit të Universitetit, përfaqësuesit e partive politike dhe asociacioneve jopolitike, të kuvendeve komunale, këshillave të komunave dhe organeve të tjera të pushtetit, ministra, deputetë e personalitete të tjerë të jetës publike, nuk janë nënshkrues të këtij Vendimi, por e kanë nënshkruar Listën për mbështetje të këtij Vendimi.
Vendime të ngjashme, si ky Vendim i datës 17 dhjetor 1994, janë shkruar dhe publikuar edhe më herët në emër të Kryesisë së Universitetit dhe Këshillit për themelimin e Universitetit si, Vendimi për themelimin e Universitetit dhe të fakulteteve me mësim në gjuhën shqipe, i datës 6 qershor 1994, të cilin e ka nënshkruar po ashtu Prof. dr. Fadil Sulejmani, dhe të njëjtin ua ka drejtuar subjekteve politike dhe jopolitike shqiptare, kuvendeve komunale dhe institucioneve të tjera.
Sipas përmbajtjes së Vendimit, të datës 6 qershor 1994, atë e ka miratuar Kryesia e Universitetit, duke u thirrur në Kuvendin e Intelektualëve Shqiptarë të rangut universitar nga Maqedonia, si themelues të tij. I ashtuquajturi ,,Kuvend i Intelektualëve Shqiptarë të rangut universitar nga Maqedonia” ka qenë një sajesë e Prof. dr. Fadil Sulejmanit. Edhe tekstin e këtij Vendimi nuk mund të besohet se e ka shkruar vetë ai, por ndonjë nga këshilltarët e tij, nga vetë fakti se ai ka qenë njohës i mirë i drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe nuk ka mundur ta shkruaj gabimisht emrin univerzitet, në vend të emrit universitet, sipas normës së gjuhës shqipe. Vendime të ngjashme janë shkruar dhe nënshkruar kokë më vete nga Prof. dr. Fadil Sulejmani dhe këshilltarët e tij edhe në disa raste të tjera.
Në Vendimin e datës 6 qershor 1994, mes tjerash thuhet:
,,Kuvendi i Intelektualëve Shqiptarë të rangut universitar nga Maqedonia, mbajtur më 4.IV.1994 në Tetovë për çështje të organizimit të arsimit të lartë dhe sipëror me mësim në gjuhën shqipe dhe ku morën pjesë 116 delegatë nga atë gjitha trojet e banuara me shqiptarë në Maqedoni, në lidhje me iniciativën e ngritur nga ky kuvend për themelimin e Universitetit dhe të fakulteteve me mësim në gjuhën shqipe, në mënyrë unanime solli këtë:
VENDIM
1. Që të hapet Universiteti dhe Fakultetet: a) Fakulteti filologjik, b) Fakulteti filozofik, c) Fakulteti shkencave të natyrës, ç) Fakulteti juridik-ekonomik, d) Fakulteti teologjik dhe f) Fakulteti i arteve, me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoni.
2. T’u bëjë kërkesë organeve politike legale dhe asociacioneve shqiptare në Maqedoni…” (Shih, foto nr. 14).
Vendim e ka nënshkruar Dr. Fadil Sulejmani, në cilësi të kryesuesit të Kryesisë së përkohshme për themelimin e Universitetit dhe të Fakulteteve me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoni, siç shkruan në këtë Vendim.

Kopje e Vendimit për themelimin e Universitetit dhe të fakulteteve me mësim në gjuhën shqipe, i datës 6 qershor 1994, i nënshkruar nga kryesuesi i Kryesisë së përkohshme për themelimin e Universitetit dhe të fakulteteve me mësim në gjuhën shqipe, Dr. Fadil Sulejmani.
4. Edhe në Listën për përkrahje të Vendimit të datës 17 dhjetor 1994 i pari është nënshkruar Prof. dr. Fadil Sulejmani, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Universitetit, ndërsa ai ka qenë anëtar i Kryesisë së Universitetit, i zgjedhur dhe emëruar në këtë detyrë nga Kuvendi për themelimin e Universitetit të Tetovës, më 4 qershor 1994, bashkë me Prof. dr. Murtezan Ismailin dhe Prof. dr. Agni Dikën, ndërsa detyrën e kryetarit të Këshillit për themelimin e Universitetit e ka sajuar vetë ai. Ky Këshill nuk ka pasur kryetar, por koordinator të tij, edhe atë, koordinator i Këshillit për themelimin e Universitetit, në mbledhjen e parë (konstituive), më 4 qershor 1994, është zgjedhur Prof. dr. Bedri Kamberi, i cili në këtë detyrë është prezantuar gjatë fushatës për afirmimin e Universitetit të Tetovës gjatë asaj kohe, në mediumet e shkruara dhe elektronike.
5. Një pjesë e nënshkruesve në këtë Listë, si anëtarë të Këshillit të Universitetit, nuk janë zgjedhur dhe emëruar në këtë detyrë nga Kuvendi për themelimin e Universitetit, prandaj edhe nuk kanë qenë anëtarë të këtij Këshilli. Se në çfarë cilësie e kanë nënshkruar këtë listë, mund të japin shpjegime vetëm ata. Sigurisht, këtë veprim e kanë ndërmarrë nga dëshira për ta përkrahur këtë akt dhe për t’i dhënë mbështetje sa më të gjerë hapjes së Universitetit.
6. Nga gjithsej 18 anëtarët e Këshillit të Universitetit, nënshkrues të kësaj Liste janë vetëm dy prej tyre, edhe atë, Mr. Nexhbedin Beadini dhe Mr. Petrit Pollozhani. Ky fakt hap dilema, pse nuk janë ftuar, nuk kanë marrë pjesë dhe nuk e kanë nënshkruar këtë Listë, për mbështetje të Vendimit të datës 17 dhjetor 1994, pjesa dërmuese e anëtarëve të këtij Këshilli, 16 anëtarë nga gjithsej 18 anëtarë sa kishte ky Këshill?!
7. Nënshkruesit në këtë Listë, deri në numrin rendor 14, janë nënshkruar më 15 dhjetor, në shtëpinë e Bari Ganiut, në Reçicë të Vogël, ndërsa nënshkruesit nga numri rendor 15 e deri në fund të listës janë nënshkruar në zyrën e PPD-së, në mesnatën e datës 16 dhjetor 1994. Mes nënshkruesve ka edhe persona të cilët janë nënshkruar më 17 dhjetor dhe më vonë. Arsyet mund t’i dinë vetëm ata dhe organizatorët e mbledhjeve dhe takimeve, më 15, 16 dhe 17 dhjetor 1994.

Përfundime
I. Nuk është në dobi të Universitetit të festohet data 17 dhjetor 1994 si datë e themelimit të Universitetit të Tetovës, mbështetur në faktet e paraqitura më lartë, jo vetëm pse nuk është datë e themelimit të tij, por dhe nga fakti se u japin krah forcave të ndryshme politike të thirren në atë argument dhe të vazhdojnë edhe më tej me politizimin e Universitetit, në të shumtën e rasteve të skajshëm dhe djallëzor, sa herë që vinë në pushtet, herë njëra parti dhe herë një tjetër, të cilat e kanë dëshmuar se vetëm mund t’i sjellin dëm zhvillimit normal të këtij institucioni dhe procesit edukativ-arsimor dhe mësimor-shkencor të tij, sidomos çështjes kadrovike dhe punës financiare të Universitetit.
II. Në disa shkrime dhe dokumente, përmenden gabimisht se janë mbajtur disa Kuvende të Universitetit të Tetovës, si Kuvendi I (4.06.194), Kuvendi II (1.10.1994) dhe Kuvendi III (26.11.1994). Kuvendi për themelimin e Universitetit të Tetovës është mbajtur një herë, më 4 qershor 1994, në organizim të Bashkësisë Kulturore Shqiptare, me përkrahje të gjerë të subjekteve politike dhe jopolitike shqiptare, kuvendeve komunale, i Tetovës, Gostivarit dhe Dibrës, të një numri të konsiderueshëm të intelektualëve me thirrje shkencore, doktorë dhe magjistra, punonjës shkencorë, veprimtarë dhe dashamirë të tjerë të arsimit shqiptar. Mbledhjet e Kryesisë së Universitetit dhe të Këshillit të Universitetit, të organizuara me qëllim të bashkërendimit të aktiviteteve të mëvonshme, siç edhe i kishte autorizuar Kuvendi për themelimin e Universitetit, më 4 qershor 1994, si mbledhja në Kuvendin Komunal të Gostivarit, më 1 tetor 1994 (e cila është ndërprerë nga policia sapo kishte filluar të mbahet dhe nga e cila janë sjellë më vonë disa qëndrime si, bashkëngjitja e nismës për hapjen Fakultetit Pedagogjik me seli në Shkup, në kuadër të Universitetit të Tetovës, si dhe qëndrimi për sigurimin e mbështetjes së gjerë për fillimin e punës së Universitetit në vitin akademik 1994/95). Po ashtu, edhe mbledhja konsultative me përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare, e mbajtur në Kuvendin komunal të Tetovës, më 26 nëntor 1994 (Shih, foto nr. 15), në të cilën, pas një debati disa orësh është siguruar përkrahje nga subjektet politike dhe përfaqësuesit e tyre në Parlament, Qeverinë e Republikës së Maqedonisë dhe organet tjera të pushtetit qendror dhe lokal, për fillimin e punës së Universitetit në vitin akademik 1994/95, përkatësisht hapen e tij solemne më 17 dhjetor 1994. Këto takime kanë qenë në nivel të mbledhjeve konsultative, të cilat i ka organizuar Kryesia e Universitetit dhe Këshilli i Universitetit me përfaqësuesit e partive politike, përfaqësuesit e kuvendeve komunale dhe me subjekte të tjera, me qëllim të bashkërendimit të aktiviteteve për fillimin e punës së Universitetit të Tetovës.
Përmbajtja e ftesës për takimin konsultativ të datës 26 nëntor 1994, e nënshkruar nga Dr. Fadil Sulejmani, në cilësi të kryetarit të Këshillit për themelimin e Universitetit shqip, siç thuhet në këtë ftesë, e dëshmon konstatimin tonë.

Ftesa për mbledhjen konsultative me subjektin profesional politik shqiptar në Maqedoni (përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare) për hapjen e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe.
III. Nuk i bëhet nder figurës së profesorit Fadil Sulejmani duke e paraqitur si ,,themelues” i Universitetit, sikur ky institucion të ishte një biznes privat i tij, për të cilën është akuzuar nga bashkëpunëtorët e tij dhe nga shumë të tjerë, por mjafton të nderohet dhe lartësohet figura e tij për aq sa ka kontribuuar dhe në nivel të detyrave që ka ushtruar dhe të funksionit në Universitet; detyrës në të cilën e ka zgjedhur dhe emëruar Kuvendi për themelimin e Universitetit të Tetovës: anëtar i Kryesisë kolektive të Universitetit, dhe më vonë i zgjedhur nga organet e Universitetit, Rektor i Universitetit të Tetovës, në dy mandate me radhë, nga viti 1994 deri në vitin 2002, me ndërprerje prej një viti, gjatë vuajtjes së dënimin me burg. Gjatë kësaj periudhe njëvjeçare, në mungesë të tij, detyrën e Rektorit e ka ushtruar Prof. dr. Agni Dika, prorektor i mëparshëm i këtij Universiteti. Në historinë e arsimit shqiptar në Maqedoni dhe historinë e arsimit kombëtar, Prof. dr. Fadil Sulejmani në mënyrë të denjë do të nderohet, jo si iniciator dhe themelues, por si Rektor i parë i Universitetit të Tetovës.
IV. Kuvendi për themelimin e Universitetit të Tetovës nuk është thirrur as është mbajtur ndonjëherë me emër siç është paraqitur në disa shkrime të asaj kohe dhe më vonë, si Kuvend i Intelektualëve Shqiptarë të rangut universitar në Maqedoni, por si Kuvend për themelimin e Universitetit të Tetovës. Për këtë çështje, asnjëherë dhe në asnjë kohë nuk është organizuar ndonjë kuvend me iniciativën e intelektualëve shqiptarë të këtij rangu, as me iniciativë të profesorit Fadil Sulejmani. Në Kuvendin themelues të Universitetit të Tetovës, 4 qershor 1994, kanë marrë pjesë përfaqësues të asociacioneve politike dhe jopolitike shqiptare, intelektualë, punonjës shkencorë, mësimdhënës universitetesh, personalitete të jetës politike dhe kulturore, biznesmenë dhe veprimtarë të tjerë. Një numër i konsiderueshëm i pjesëmarrësve në këtë Kuvend kanë qenë pa tituj shkencorë, jo më të ,,rangut universitar”. Edhe Prof. dr. Fadil Sulejmani është ftuar nga organizatori i këtij Kuvendi si të gjithë pjesëmarrësit tjerë. Nga intelektualët e këtij niveli është kërkuar përkrahje dhe angazhim konkret, duke marrë parasysh përgatitjen e tyre, potencialin intelektual dhe përvojën nga puna e tyre në universitetet tjera, që të viheshin në shërbim të Universitetit tonë të ri që po e hapej me shumë mund dhe sakrifica.
V. Shumë autorë shkrimesh në lidhje me themelimin dhe hapjen e Universitetit të Tetovës, këtë projekt e lidhin me kinse iniciativa të partive politike shqiptare të asaj kohe. Ky është një gabim i radhës, i cili nuk përkon me realitetin dhe e dëmton imazhin e këtij Universiteti. Në kohën kur është ngritur iniciativa dhe është themeluar Universiteti i Tetovës, subjektet politike shqiptare ka qenë në gjendjen më të rëndë në historinë e ekzistimit të tyre, në fund të vitit 1993 dhe gjysmën e parë të vitit 1994. Partia më e madhe shqiptare e saj kohe, Partia për Prosperitet Demokratik, ka qenë e përçarë dhe coptuar në tre subjekte të reja, nga të cilat pas një procesi të gjatë (edhe në rrugë gjyqësore) kanë dalë tre subjekte me po këtë emër: Partia për Prosperitet Demokratik (krahu i Xheladin Muratit, më vonë këtë krah politik e pasoi Abdurrahman Haliti), Partia për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve (PPDSH), krahu politik i Arben Xhaferit dhe Partia për Prosperitet Demokratik-Partia e Unitetit Popullor, e udhëhequr nga lideri i saj i parë, Nevzat Halili. Ndërsa partitë tjera kanë qenë me ndikim të vogël dhe nuk kanë pasur përfaqësues të vetë në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë gjatë asaj kohe. Pas themelimit të Universitetit të Tetovës, më 4 qershor 1994, fuqia politike e këtyre subjekteve ishte përqendruar kryesisht në Grupin parlamentar të PPD-së dhe PDP-së, si dhe në ministrat dhe zëvendësministrat shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë. Në lidhje me Kërkesën drejtuar këtij grupi parlamentar, nga Kryesia e Universitetit, përgjigja zyrtare e këtij grupi parlamentar ka qenë shumë negative dhe e ka dëmtuar rëndë çështjen e njohjes zyrtare të Universitetit nga organet e atëhershme të pushtetit. Në shkresën zyrtare, përgjigjen drejtuar Kryesisë së Universitetit nga ky grup parlamentar, mes tjerash thuhet: ,,Grupi parlamentar i PPD-së dhe PDP-së dy vitet e fundit është i angazhuar në tërë potencialin e tij të jetësojë një iniciativë të Unionit të Inteligjencies shqiptare në Maqedoni për themelimin e Fakultetit Pedagogjik në gjuhën shqipe, pranë Universitetit të Shkupit. Shpresojmë kjo të kryhet vitin e ardhshëm akademik. Nisma e Juaj që ka qëllime krejt fisnike do të na shërbejë si presion ndaj Qeverisë së Maqedonisë ta realizojmë me sukses pikën programore të PPD-së për funksionimin e arsimit universitar në gjuhën amtare. Hapi i parë i domosdoshëm është hapja e këtij fakulteti, në gjuhën shqipe. Megjithatë, Grupi parlamentar i PPD-së dhe PDP-së është i brengosur për largimin e kuadrove cilësore nga Universiteti i Kosovës /për të cilët Republika e Kosovës investoi aq shumë/…”. (Shih, foto nr. 16).

Përgjigja zyrtare e Grupit parlamentar të PPD-së dhe PDP-së në lidhje me Universitetin e Tetovës, e datës 9 qershor 1994.
Deklaratat zyrtare të disa deputetëve, ministrave dhe zëvendësministrave shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë të asaj kohe kanë qenë të pamatura dhe më tepër i kanë ,,ndërsyer” organet e pushtetit dhe policinë kundër themeluesve dhe vetë Universitetit, në stilin ,,Keni dëshiruar, shikoni!”, me arsyetimin se po të ishte pranuar iniciativa e përkrahur prej tyre për hapjen e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe, në kuadër të Universitetit ,,Shën Kirili dhe Metodi” të Shkupit, nuk do të ishte ngritur iniciativa për hapjen e Universitetit të Tetovës. Për më tepër mund të shihen edhe stenogramet nga seancat e asaj kohe të Parlamentit të Republikës së Maqedonisë dhe shkrimet në shtypin ditor. Ky konstatim i tyre nuk ka pasur asnjë bazë, sepse qëndrimet e Bashkësisë Kulturore Shqiptare nuk janë varur aspak nga qëndrimet e partive politike, por nga Programi dhe Statuti i kësaj organizate, si dhe Platforma për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni, e cila ka qenë dokument bazë për taktikën dhe strategjinë e hapjes së këtij Universiteti. Në njërën nga intervistat e tij, Prof. dr. Agim Vinca mes tjerash do të thotë: ,,Bashkësia Kulturore Shqiptare, e cila, me sa di, e para e ka ngritur idenë e Universitetit Shqiptar në Maqedoni dhe e kishte marrë iniciativën për mbajtjen e atij kuvendi. Në fjalën time të mbajtur në atë rast në tribunën e kuvendit komunal të Tetovës, ku mbahej mbledhja, pata kërkuar që së pari të hartohej një elaborat serioz, i cili t’i dërgohej Kuvendit republikan të Maqedonisë (jo pse kisha iluzione se ai do të shqyrtohej e aq më pak se do t’i jepej një përgjigje pozitive, por për shkak se ne duhej t’ia marrim këtë argument përpara botës palës maqedonase) e pastaj, brenda një afati të caktuar, “të futeshin në lojë” kuvendet komunale ku shqiptarët e kishin shumicën e këshilltarëve (Dibër, Gostivar, Tetovë), si edhe subjekti politik shqiptar në Maqedoni në përgjithësi.” (Shih, foto nr. 17).


Pjesë nga intervista e Agim Vincës, Arti i reagimit, Prishtinë 2011, f. 147.

VI. Në fund, po i paraqes me këtë rast dy deklarata të Prof. dr. Fadil Sulejmanit, të cilat dëshmojnë bindshëm se data e themelimit të Universitetit të Tetovës nuk është 17 dhjetor 1994, por 4 qershor 1994.
1. Në Raportin e punës, të paraqitur në emër të Kryesisë dhe Këshillit të Universitetit, Prof. dr. Fadil Sulejmani, ndër të tjera deklaron: “Iniciativa e hapjes së Universitetit me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoni u konkretizua më 4 qershor, kur u mbajt Kuvendi për themelimin e Universitetit nga intelektualët shqiptarë të rangut universitar. Duke hyrë në lokalet e kësaj godine për të mbajtur këtë mbledhje, për herë të parë në historinë e shqiptarëve të Maqedonisë u hapën dyert e Universitetit shqiptar dhe kështu kemi marrë çelësat e fatit në duart tona, të historisë, të traditës e të gjuhës tonë.” (Shih, Ismail Arsllani, Universiteti hapet me çdo kusht, Rilindja, Tiranë, 28.08.1994).
2. Përmes shkresës të datës 18 nëntor 1994, në emër të Këshillit të Universitetit, Prof. dr. Fadil Sulejmani u drejtohet subjekteve politike shqiptare, ku mes tjerash thuhet: ,,Ju njoftojmë se i kemi bërë të gjitha punët përgatitore për fillimin e procesit mësimor-pedagogjik me studentët, duke përfshirë këtu edhe angazhimin e kuadrove për lëndët përkatëse që do t’i ligjërojnë. Kërkojmë nga Ju që çështjen e Universitetit ta afirmoni e ta aktualizoni sa më shumë dhe më shpejtë nëpër të gjitha degët tuaja partiake, që kjo ide dhe nismë humane të materializohet dhe të jetësohet sa më tepër në të gjitha poret dhe shtresat tona popullore. Duke e mbrojtur Universitetin, ne e mbrojmë moralin e shkollës në përgjithësi dhe në veçanti të drejtën tonë natyrore për arsim dhe arsimim, të cilën e përkrah mbarë bota progresive-civilizuese”.
Me këtë rast, është shumë e logjikshme të parashtrohet pyetja: në këtë shkresë të nënshkruar nga Prof. dr. Fadil Sulejmani, nuk bëhet fjalë për Universitetin i cili do të themelohej një muaj më vonë, më 17 dhjetor 194, por e vërteton faktin se në atë kohë ekzistonte Universiteti i Tetovës, i themeluar më 4 qershor 1994, dhe se deri në muajin tetor, kur u drejtohet kjo shkresë subjekteve politike, ishin bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit akademik 1994/95 në Universitetin e Tetovës.

– FUND –

***
PJESA E PARË:
ABDULLA MEHMETI: UNIVERSITETI I TETOVËS ËSHTË THEMELUAR MË 4 QERSHOR, JO MË 17 DHJETOR 1994 (I)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=3456

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura