DR.MOIKOM ZEQO: EQREM CABEJ: DJALËRI SHQIPTARE, LEXO LASGUSHIN DHE VDIS!

Tiranë, 30 maj 2017: Viti 2017 është 30 vjetori i vdekjes së Lasgush Poradecit (vdiq në 12 nëntor 1987).
Nuk di nëse Ministria e Kulturës e ka në një subjekt përkujtimor për poetin Lasgush.
Përtej strukturës kronologjike dhe formale emri i Lasgushit është plot dritë të brendshme, të pazakontë.
Një dritë, që është e pamundur të shuhet.
Një bashkëkohës i Lasgush Poradecit, dijetari i pashembullt Eqrem Çabej ka qenë i pranishëm dhe ka përjetuar procesin krijues të Lasgush Poradecit, ka reflektuar, ka menduar për poezitë është tronditur dhe emocionuar prej tyre.
Në 1929, konkretisht më 23 shkurt, në faqen 3 të “Gazeta e Re” Çabej boton esenë e tij “Mbi poezinë e Lasgush Poradecit”. Kjo ese për nga mënyra sinkretike, nga optika e estetikës së poezisë, është pa një të dytë në krejt letrat shqipe. Ç’do të thotë kjo? Ç’dua të shpreh me këtë? Pse e theksoj këtë gjë? Eseja e Eqrem Çabejit nuk ka asnjë shëmbëlltyrë para vetes, si një ese estetike në rrafsh krahasimtar të ndonjë studiuesi shqiptar , a të huaj për subjektin e vet.
Pra eseja e Eqrem Çabejit në këtë kuptim ftillëzues është pa paraardhës. Kjo është eseja e parë për të shtjelluar estetikërisht poezinë e Lasgush Poradecit.
Pas kësaj eseje është shkruar shumë për Lasgushin. Pas vdekjes së tij janë botuar një numër i madh librash. Ka si të thuash një shumim trajtesash dhe ligjërimesh për poetin, kryesisht në formë apologjiste, apo të standardeve didaktike, të hollësirave shpjeguese dhe të komenteve. Aradha e studiuesve shqiptarë që janë marrë me Lasgushin, temat e disertacioneve për doktoratura etj. është e madhe, por konceptualisht ka munguar një pendë e mprehtë dhe sublimuese si e Eqrem Çabejit, i cili merret me substancën, por jo me sipërfaqen e poezisë.
Pra guxoj të them (kuptohet me bindje dhe pa asnjë kompleks) se eseja e Eqrem Çabejit për Lasgush Poradecin jo vetëm që nuk u tejkalua në konceptim apo në erudicion, por kjo ese është pa pasardhës.
Eseja u shkrua në qytetin universitar të Grazit në Austri.
Në këtë universitet Çabeji u doktorua shkëlqyeshëm për filologji dhe kështu mund të themi, se lindi prej krye figurës së tij dijetari shqiptar më i madh i të gjitha kohërave, një mendimtar i fuqishëm që krijoi epokë. Në një farë kuptimi ai qe i Zgjedhuri.
Ai krijoi në mënyrë të qartë, strukturore dhe akribike Shkollën Gjuhësore Shqiptare, duke i dhënë përparësi Shqipërisë përfundimish në këtë rrafsh inkandeshent dhe të patjetërsueshëm. Por kultura shumëdimensionale e Eqrem Çabejit, ngrihej dhe mbi disiplinat linguistike. Prej gjuhësisë krahasimtare ai mësoi metodën e shtjellimit universal.
Kur ai e shkroi esenë qe në një moshë tepër të re. Ai qe 21 vjeç kur e shkroi këtë kryevepër eseistike. Si studiues ai është i mahnitur nga poezia e Lasgush Poradecit.
Ai mendon se Lasgushi ka hapur portën e një jete të re në poezinë shqiptare. Stili modern i poezisë së Lasgushit dallon nga stili poetik i Naim Frashërit, siç ndryshon një pjesë mozartiane nga një pjesë beethoviane.
Çabej mendon se Lasgushi është vjershëtori më i thellë q ka shkruar në shqipet. Nëse kjo gjë nuk është vënë re gjer tani, shkaku është se shumica e lexuesve nuk e kuptojnë poezinë e tij, poezi që me fjalë dhe mënyra foljesh fare të thjeshta dhe shumë herë popullore, arrin të koncentrohet, aq sa mundet të nxjerrë në dritë mendimet më të thella, ndjenjat më labirintike, idetë më të larta.
Kjo kthjelltësi e pashoqe e poetikës lasgushiane do të vërtetohet, sipas Çabejit, nga brezat që do të vinë.
Eqerem Çabeji si të ishte një kritik i llojit të Walter Beniaminit, e skalit panoramën e poezisë moderne në Europë. Ai përmend për Gjermaninë poetë si Hoelderlin, Rilken, Stefan George. Në Francë shkëlqejnë poetë si V. Hugoi, Baudelaire (Fleurs du mal). Verlaine, Mallarme, Rimbaud, Valery. Në Itali janë të mëdhenj emra të tillë si D’Annuzio, Pascoli, Carduççi. Në Rusi shkëlqen poeti ,që vret veten ,Sergej Jessenin.
Kostilacioni i këtyre poetëve janë produkt i kohës moderne, bir i së cilës është Lasgush Poradeci. Lasgushi është poet në një kuptim më universal të lirikës. Më shpesh poezitë e tij janë drama, shumë prej tyre janë tragjedi të vogla, ku shquhet prologu, akti i parë i dramës, pastaj kulmi i dramës.
Po pse bashkëkohësit nuk e kuptonin poezinë e Lasgushit?
Ata që e njohin nga afër Lasgush Poradecin e dinë se ai është adhurues i kulturës latine, i qartësisë s poezisë latine dhe një armik i obskurantizmit gjerman. Çabeji guxon dhe thotë: “Një paralelë, Nietzsche, armikut më të fortë të “Besties blondi”, të muzikës së Wagnerit, i pëlqente muzika latine e Bizetit, poezia latine e Horacit, mendimet latine dhe stili latin i Montagneit”.
Shumë njerëz të mëdhenj kanë qenë të mbërthyer nga demoni i mendimeve kaotike. Ajo që konsiderohet si errësira e poezive të Lasgushit, është vetëm për mendjet e cekta errësirë.
Prandaj Çabeji thotë: “Djalëri shqiptare, këndo Lasgush Poradecin e pastaj vdis!”
Çabeji mendon, profetizon, se Lasgush Poradeci “do të bëhet ai shkrimtar, të cilin Shqipëria do t’ia falë njëherë botës”. Shikoni harkun e referencave kulturore të Eqrem Çabejit, shikoni rrëfenjat e tij nokturne për letërsinë antike, romantizmin dhe iluminizmin për poezinë moderne, për mendimtarët e mëdhenj të botës, për muzikën, sidomos kjo pikë e fundit që tregojuni një vetëdije dhe një njohje të madhe të muzikës, bëjnë që idetë e kësaj eseje të Eqrem Çabejit të jenë si një program i shumë librave të koncentruara, në formën e fetuseve për t’ua zmadhuar, për t’u ribërë në kohërat e ardhshme krijesa me forma të plota dhe madhështore.
Është fatkeqësi e madhe që kritika shqiptare, sidomos në periudhën e realizmit socialist është më tepër një disiplinë propagandistike, plot dituri sipërfaqësore, pa asnjë analizë të thellë të karakterit evropian dhe botëror. Nuk them se nuk janë shkruar studime dhe libra që i shërbejnë paradigmës së historisë së letërsisë shqipe për autorë dhe emra kryesorë, për shkrimtarë stacionarë të letërsisë sonë. Por në to ka zotëruar deskriptivizmi, formalizmi dhe karakteri deduktiv. Eqrem Çabeji vetëm me këtë artikull eseistik e zë një vend të nderuar në trajtimin estetik të poetit Lasgush. Kjo shëmbëlltyrë e pakapërcyeshme subjektivizohet nga brenda nga një fuqi e madhe mendore dhe një kulturë e shumanshme.
Por nuk është vetëm kjo ese. Pra nuk kemi të bëjmë vetëm me një “unicum”. Çabeji ka shkruar dhe një ese po kaq të jashtëzakonshme edhe për Fan Nolin, Naim Frashërin si dhe esenë që përbën një koleksion bërthamash, librash studimorë, për botën dhe vatrën në poezinë e De Radës.
Gjithashtu Çabeji është i pari dhe i vetmi që ka bërë dy studime lakonike për karakteristikat e romantizmit shqiptar në lidhje me romantizmin evropian por edhe atë ballkanik. Këto hulli të tij janë ende të pashkelura nga studiues të tjerë.
Në 30 vjetorin e vdekjes së Lasgush Poradecit ribotimi i plotë i tekstit të esesë së 21 vjeçarit Eqrem Çabeji përbën një rindezje të Pishtarit të Kujtesës.
Një ndriçim dhe një dritë iluminuese mbi çdo lloj terri dhe harrese të pamëshirshme.
MBI POEZINË E LASGUSH PORADECIT
Poezia e Lasgush Poradecit ka shumë vjet që tingëllon në veshin e shqiptarit; po e ngadalshme e si nga larg, si harpa e Eolit: vetëm në kohët e fundit, me rastin e sëmundjes së tij të rëndë, vetëdija kombëtare u zgjua, dhe fletoret janë plot me artikuj për të dhe për ndihmat materiale që i mblidhen.
Po sa di vetë, gjer tani kurrkush nuk është marrë estetikisht me poezinë e Lasgush Poradecit.
Nga shqiptarët që kam pyetur më të shumëve i pëlqejnë do vjersha idilike si “Kroi i Poradecit”, kurse shumë të paktë i shijojnë thellësitë moderne të tija, një shenjë e cektësisë së shijes shqiptare të sotme.
Duke hedhur një vështrim mbi literaturën e Shqipërisë së re, do të shohim së pari si në gjithë rrjedhjen e jetës së saj, të gjithë përfaqësonjësit e saj i përshkon një frymë etike (morale), një shenjë kjo mjaft karakteristike. Kjo frymë kapërcen në shumë raste në zonat e religjionit.
Së dyti ajo ndahet natyrisht në dy periudha: e para përmbledh ata vjershëtorë, në jetën dhe veprën e të cilëve, midis të tjerave, një ide kryesore është flaka e madhe që i ndez për lirimin e Atdheut: flasim për De Radën dhe Naim Frashërin. Doemos ideja e tyre merr forma të ndryshme në të dy: e huajtur tek De Rada, ati i vjershës shqiptare, në format e ngadalshme e madhështore të klasicizmit, tek Naimi më e djegur, shfaqet më direkte. Po në thelb ideja është gjith’ ajo. Dhe religjioziteti i tyre bie dendur në rigatën e misticizmit, misticizmi katolike te De Rada, e te Naimi misticizmi orientale.
Periudha e dytë është ajo në të cilën ideja kombëtare i lë udhën idesë njerëzore: Atdheu është duke u liruar, ëndrra e përvëluar e shkrimtarëve të parë ishte duke u bërë reale. Kështu syri i poetit u hap për horizonte më të gjera, vegime më të thella. Po të marrim në dorë veprat e Asdrenit, do të shohim të shfaqur atje fillimet e kësaj periudhe të dytë, e cila mund të quhet periudha moderne e poezisë shqiptare, dhe gjen vazhdimin e saj në vjershat e Lasgush Poradecit. Shenjë modernizimi e Asdrenit është fakti se, i pakënaqur me pasurinë e fjalëve të gjertanishme, për të endur ndjenjat e vegimet e tija në gjithë stërhollësinë e tyre, ky fillim e pasuron thesarin e gjuhës me xhevahire të çmueshme, fjalë e mënyra foljeje të reja, delikate e stërmagjike. Po i ikur që prej djalërisë prej atdheut, e duke mos mundur nga ana tjetër të ngrihej në ide universale, vepra e tij nuk mundi të dalë e plotë dhe duket të vërtetojë fjalën e gjermanit Theodor Storm: Asnjë poet i madh pa atdhe (Kein grosser Dichter ohne Vaterland).
Lasgush Poradeci na hap portën e një jete të re në poezinë shqiptare, një “frisson nef”, siç pat thënë V. Hugoi për vjetërsirat e Baudelaireit, lind e rritet në lëmën e këngës shqiptare një stil i ri, të cilin do ta kërkosh më kot ndër poetët e tjerë shqiptarë, po më kot dhe ndër shkrimtarët e huaj nga shkaku i origjinalitetit që shquan këtë poet djalosh. Këtu ndjenja e mendime që nuk kish guxuar e s’kish arritur kurrkush ndër shqiptarët e pëndës t’i shfaqte, këtu një stil i munduar, i cili ndryshon nga shkrimi i një Naimi, si bie fjala, një pjesë beethoveniane nga një mozartiane. Ky pra është stili modern, stili i Lasgush Poradecit.
Ç’e ndryshon nga të parët, është thellësia… Është vjershëtori më i thellë që ka shkruar në shqipet; në qoftë se kjo nuk është vënë re gjer tani, shkaku është se më të shumët nuk e kuptojnë poezinë e tij, e cila me fjalë e mënyra foljesh fare të thjeshta, e shumë herë popullore, arrin të koncentrohet aq sa të mundet të nxjerrë në dritë mendimet më të thella, ndjenjat më labirintike, idetë më të larta. Dhe po të këndohet Lasgushi me dashurinë, do të vërtetohet thellësia e tija e pashoqe, në mos sot, nga brezat që do të vijnë.
Poezia moderne në Europë: Në Gjermani është çudi se ka qenë një shkrimtar i lindur që më 1770, Hoelderlin, i cili me jetën e tij letrare fort të shkurtër ka nxjerrë harmoni që u afrohen këtyre të sotmeve. Në kohët e fundit, Rilke, Stefan George e disa të tjerë janë përfaqësonjësit e vjershës moderne gjermane. Në Francë filloi fryma e re me disa vjersha të V. Hugoit, e lulëzoi me Bandelaire, Verlaine, Mallarme, Rimbaud, Valery etj. Në Itali, D’Annuzio e Pascoli e rritën pemën e re të vjershës moderne të mbjellë prej Carduccit. Në Rusi prozatorët e së cilës kanë influencuar të gjithë Europën, nga vjershëtorët, ai që mori më famë në kohët e fundit është djaloshi i vdekur Sergej Jessenin. Ja pra, poetët që janë produkt i kohës moderne, bir i së cilës është dhe Lasgush Poradeci.
Një tjetër send karakteristik për të: ky nuk është poet lirik në kuptimin më të vërtetë të fjalës: nuk do të gjesh të ëmbla e të buta melodi; më shpesh vjershat e tij janë drama dhe shumë prej syresh tragjedi të vogla; shquan prologun, aktin e parë të dramës, kulmin e dramës, pastaj, si vala e detit e “Këngës pleqërishte”, bie, bie, bie, pasi pat luftuar shpirti i munduar, i munduar më kot.
Pasi pat luftuar më kot për të gjetur lumturinë jashtë kësaj bote, për t’iu avitur idealit të paarritshëm.
Po mor mik, lëre këtë botë! Në qoftë se nuk vret veten, hidhu në ideal e mbushe shpirtin plot me të. Një fuqi elementare mund të krijojë një botë… Po, ah, janë të gjitha përralla! Largohu më mirë dhe ruaje jetën si murg, i vdekur, i pakallur. Të paktën do ët ndjesh ahere “Ç’ëndrim krijoi truri”.
MË ÇDO VARG PREJ PIKASH LOT
Kur dridhesh nga hidhërimi dhe jeta të është natë, mos u ngroh në mishin e gruas! Përpara syrit të shpirtit tënd të avitet forma ideale: “Me flokë përmbi supe”.
ME RROBA GJER PËRDHE
Këtë, të patruptën, pushtoje, “me magji të re”. Ja qëndrimi i Lasgush Poradecit kundrejt dashurisë, ku duket aq zotësia ashtu dhe vetijat e një vjershëtori.
Disa nga vjershat e tij nuk kuptohen, ose me shumë zor. Kush e njeh Lasgush Poradecin për së afërmi, e di se ai është një adhuronjës entuziast i kulturës latine, i kjartësisë latine, një armik i obskurantizmës gjermane. Një paralelë: Nietzsches, armikut më të rreptë të “bastis blondi” të muzikës së Ëagnerit, i pëlqente muzika latine e Bizetit, poezia latine e Horacit, mendimet latine e stili latin i Montaigneit: sikurse Nietzschea, shpjegimin na e jep një dialog i Platonit: “Njeriu dëshiron atë që nuk e ka vetë”. Edhe Lasgush Poradeci është larg na të qenit një njeri “latin”.
Po, moskuptimi i lehtë, të themi errësira e disa vjershave të tija, nuk është një e metë, përkundrazi, një element i gjithë shkrimeve të thella në botë që prej poemave indiane e, nëpër Kran, gjer më sot. Fundi i fundit çdo thellësi është e errët. Dhe faji s’është aq i gjeniut sa i publikut mëndjeshkurtër.
Dante, tek i cili gjenden disa verse jo aq të qarta. Ka thënë: “O voi che avete gl’intelletti sani, Mirate la doktrina che s’asconde Sotto il vilame delli versi strani.”
Po sikundër ndër kompromistët e një stili të rëndë, ziplot, nganjëherë ndihen tingëllimet e këndshme të një “Scherzo-je”, ashtu dhe nëpër poezitë e këtij, të gjera e plot gremina, që janë tableau-të e një fati, shfaqet diku një ndënqeshje sublime në trioletin si një grumbull rrezesh dielli të mëngjesit ne një odë të zezë:
“Këto kopshte ku fryn era
Muar ngjyrën e floririt
Se ç’i çel baluke-prera
Këto kopshte ku fryn era!”
Kush nuk mundet nga magjia e kësaj gjuhe? Djalëri shqiptare, këndo Lasgush Poradecin, e pastaj vdis!
Këto vërejtjte le t’i shërbejnë kuptimit të poezisë së Lasgush Poradecit, të këtij djaloshi të cilin një fat i mirë duket sikur ia ka falur Shqipërisë, që të bëhet ai shkrimtar, të cilin Shqipëria do t’ia falë njëherë botës. Po si do të zhvillohen pemët, kush mund ta dijë? Lasgush Poradeci ka mjaft kohë që nuk shkruan. Periudha e djalërisë i kaloi, tash do të vinte krijimi i burrërisë. Po një sëmundje e rëndë dhe e pamëshirshme lufton që ta shtypë.
Kjo kaptinë e sëmundjes së tij është tepër tragjike, aq sa nuk mund të zgjatemi më tej. A është sëmundja shkaku i vuajtjeve të tija, apo vuajtjet e tija të para qenë shkaqet e sëmundjes, këto janë probleme tepër të koklavitura. Fakti është se literatura shqiptare do të fitonte shumë, ose do të humbiste shumë me Lasgush Poradecin.
Ne dëshirojmë të parën. Po Fati e ka në dorë!
Edhe shqiptarët. Duhen sakrifica të mëdha që ai të mund të mbarojë misionin e vet…
“E pastaj le të ronitem, le të qaj, e le të vdes”.

– Eqrem Ҫabej, Lasgush Poradeci dhe Moikom Zeqo –

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura