FATBARDHA DEMI: DY ‘BETEJAT’ DHE DY FITORET E ARIF MATIT (Aref Mathieu’t)

Tiranë, 1 qershor 2017: (Njeriu mund të humbasë çdo liri të tij, por nëse e ruan lirinë e mendimit, prapseprapë i lirë është. – Sami Frashëri.) – «Betejat» e Arif Matit, sikurse edhe ato të luftrave, kanë dy data kalendarike: 3 janarin e vitit 2012, e zhvilluar në Universitetin e lashtë të Sorbonës në Francë, dhe 21 marsin e 2017, në Presidencën e Republikës së Shqipërisë, në Tiranë. E para – kurorzoi pranimin për debat dhe njohjen, nga një Institucion me emër i Historiografisë botërore, të tezës së origjinës pellazge – të Kombit arbër dhe të «civilizimit grek» (siç emërtohet sot). Ndërsa e dyta paraqet një rast unik në Europë – vlerësimin me dekoratën «Naim Frashëri» nga ana e Shtetit shqipetar, për studimet mbi parahistorinë e popullit tonë, të pa pranuara nga Akademia e Shkencave, Instituti dhe Fakulteti i Historisë, si dhe Ministria e Arsimit, përgjegjëse kryesore e formimit shkencor të brezit të ri.
Në këtë kuptim, këto data, për nga rëndësia shkencore dhe politike, i kalojnë kufijtë e një ngjarje vetjake të studiuesit Arif Mati, duke shënuar zanafillën e shumë-pritur të ndryshimeve që e kërkon shkenca e Albanologjisë moderne. Gjithkujt mund t`i shkoj ndër mënd se përse studiuesi ju drejtua pikërisht Universitetit të Sorbonës në Francë? Arsyet janë të shumta, por në planin shkencor, ishte rruga e vetme për të shtruar në tavolinën e studimeve ndërkombëtare, faktet historike mbi origjinën para-greke të Arbërve dhe ndikimin që patën paraardhësit e tyre – mbi dy qytetrimet më të rëndësishme europiane: atë romak dhe hellenik.
Me fjalë të thjeshta mund të themi se, me zbulimin e fakteve historike të ORIGJINËS PELLAZGE të Kombit Arbër, Arif Mati dëshmoi domosdoshmërinë e rishikimit të Historiografisë botërore mbi Lashtësinë, të hartuar në shekujt 18-19. Dhënja e titullit « Doktor në Historinë dhe Civilizimin e Antikitetit », shpreh pranimin e bazës shkencore të tezave të tij dhe rrjedhimisht të vëndit të rëndësishëm që duhet të zërë populli ynë, në historinë europiane, duke qënë, si asnjë popull tjetër i Kontinentit, trashëgues i gjakut, gjuhës, simboleve, veshjes, zakoneve, ligjeve, këngëve dhe valleve e shumë fakteve të tjera, të Pellazgëve Hyjnorë.

Pak muaj pas ngjarjes së shënuar, shqipetarët nga Franca dhe Zvicra, të organizuar nga shoqata «Bashkimi Shqipetar», e pritën si Hero studiuesin e shquar në qytetin e Lionit (03.06.2012) duke e nderuar me çmimin «Sami Frashëri», të filozofit rilindas (të akuzuar padrejtsisht, për shfrytëzimin e emrit të pellazgëve për qëllime politike) i cili në fakt, mbështeti dhe përhapi studimet shkencore të arbëreshëve të shk.18-19 mbi këtë tezë. Vlerësimin dhe emocionin e madh me të cilin e rrethuan bashkombasit studiuesin Arif Mati, shkrimtari dhe historiani i artit Gilbert Gardes, pjesëmarrës në këtë Konferencë, e spjegon si: “Një nevojë jetike e Shqipetarëve për të njohur origjinën e tyre, shkencërisht – dhe vijon – mos vallë të jetë ëndra e një Kombi të harruar, të injoruar, të qortuar, të masakruar, viktimë e padrejtësive, të cilat nuk shfaqen zhurmshëm por durohen heshturazi?”(1)
Arif Mati, nuk është nga ata që tuten nga padrejtësia, qoftë edhe përpara një përfundimi “të pranuar përgjithsisht” të Historiografisë botërore, por që prekte drejtpërsëdrejti të vërtetën mbi lashtësinë e Shqipetaro-Arbërve. Doktoratura e tij, nëpërmjet fondit të bibliotekës së Universitetit të Sorbonës dhe mjeteve elektronike, do t`i dëshmojë çdo studiuesi, se: Nga historia moderne, Pellazgët padrejtësisht janë trajtuar si një popull i zhdukur pa lënë gjurmë.
Në Enciklopedinë Italiane të vitit 1935, në zërin «Pelasgi» (Attilio Momigliano), tregohet se si lindi kjo tezë: «Historianët modernë të shekullit të 19-të, ngritën shumë teori mbi origjinën, gjuhën dhe civilizimin e fiseve pellazge. Një zhvillim të rëndësishëm pellazgollogjia pati në historiografinë italiane në fillimet e Rilindjes, për t`iu kundërvënë origjinës parahistorike të grekëve dhe për ta shkëputur qytetrimin e Italisë nga ndikimi i saj (Cuoco, Micali, Gioberti etj)… Grekët kishin një kujtim të mjergullt për fiset, që ekzistonin përpara mbritjes (në Gadishull). Për historinë, gjuhën, besimin dhe vënd-qëndrimin e saktë të kësaj popullsie, nuk kishin asnjë njohuri. Për këtë qëllim, i zmadhuan dhe deformuan kujtimin e tyre, me hipoteza jashtë llogjikës dhe në thelb fantastike. (…) Nga ana tjetër, emri Pellazg është saktësisht grek që lidhet me fjalen πέλαγοι – fushë, dmth «banorët e fushës».(2)
Këto përfundime, sipas A.Matit, kanë ardhur si pasojë, se:«Historia arkaike greke dhe ajo e kolonizimeve, janë mbuluar nga një mister i thellë dhe mbetën gjithmonë shumë të turbullta, në mungesë të elementëve bindës ose zbulimeve të reja» (3)
Por, të mos kesh njohuri mbi një popullsi, nuk do të thotë se ajo nuk ka ekzistuar historikisht, aq më tepër, kur vetë autorët e lashtë si Herodoti, vërtetojnë se Pellazgët, kanë jetuar edhe në kohën e tyre. (Herodotus. Histories, 1.57. / Herodotus & Strassler 2009, p. 32) (4)
Për rrjedhojë, si pasojë e një “arsyetimi“ absurd, u shkëput barbarisht, pjesa më e rëndësishme dhe jashtzakonisht e gjatë në kohë, e lashtësisë europiane: ajo e lindjes dhe formimit të shoqërisë njerëzore. Historiani, arkeologu dhe gjuhëtari gjerman K.Ottfrid Müller (1797 -1840) pohon se:“Sa me më shumë mëndjemprehtësi të depërtosh në historinë e Greqisë, aq më shumë të tërheq vëmëndjen elementi pellazg i sakrifikuar deri tani.“ (5)
Por goditjen kryesore në fakt, e merr origjina e Kombit të shqipetaro-arbërve, që e ruan bashkë me gjuhën edhe kujtimin e tyre: «Bir mos harro se ne jemi pellazgë. TË PARËT TANË JANË PELLAZGË !” me këtë porosi të babait, u rrit Arif Mati edhe në dheun e huaj (Egjypt) ku lindi, dhe ku flitej “shumë…shumë shqip” . “ Shkencëtarët fshehin një fakt – pohon studiuesi – atë që grekët janë një populli ri i Ballkanit, i ardhur këtu në shekujt IX-VIII para Krishtit (…) Duke qënë se pellazgët janë konsideruar një popull i zhdukur me trup dhe me shpirt, atëhere këtu ndërpritet gjithçka…” (6)
Mbas daljes së dy librave të tij, “Shqipëria (Historia dhe Gjuha) – Origjina e pabesueshme e një populli parahelen”(2007) dhe “Greqia (Mikena=Pellazgët) zgjidhja e një enigme”(2008) dhe të shumë botimeve mbas vitit 90-të të autorëve të tjerë, të cilët, figurativisht përbëjnë “frontin pellazg”, edhe sot vijojnë sulmet e vitit 1935 nga “fronti akademik”i Albanologjisë. Duket sikur gjatë, afërsisht një shekulli, nuk ka dalë asnjë dëshmi shkencore mbi këtë tezë dhe nuk ka patur kurrë kritika, se si është ndërtuar Lashtësia.
Që në shekullin e parë, historiani romak Flavius Josefus (Titus Flavius Iosephus) pohonte: „Jam i habitur pa masë, duke parë që njerëzit e besojnë të nevojshme, që studimi i ngjarjeve më të lashta, duhet t`u bashkangjiten vetëm grekëve dhe t’ua kërkojnë atyre të vërtetën (…) dukuria më e shpeshtë është, se veprat e tyre hedhin poshtë njera tjetrën dhe ata nuk ngurojnë t’i tregojnë të njejtat fakte, në mënyrën më kontradiktore“. (7)
Në librin “Parailirët-Ilirët-Arbërit” të M.Korkutit lexojmë: “Por nuk munguan as hipotezat romantike, pa baza shkencore, apo të tjera të frymëzuara nga motive politike. (…) Përpjekje për të gjetur lidhje gjenetike midis gjuhës shqipe dhe pellazgjishtes kanë bërë edhe Z.Majani (Majani, Z. 1970,75) dhe S.Konda (Konda,S. 1964,336). Të dy këta studiues, në veprën e tyre kanë përdorur metoda jashtë shkencore, ndaj përfundimet e tyre nuk janë përfillur nga asnjë gjuhëtar shqiptar (…) Gjatë epokës së Rilindjes kombëtare shqiptare, hipoteza e J.G.Hahnit (Hahn,J.G. 1954,213) për prejardhjen e shqiptarëve nga pellazgët, ndonese e pambështetur në shumë fakte, u përqafua nga ideologët e Rilindjes sonë dhe u përdor si një mjet i mirë në luftën që ata bënin për t’i njohur shqiptarët si një komb i lashtë .(8)
Arif Mati nuk e pranon këtë përcaktim mbi studimet shkencore për Pellazgët dhe origjinën thjesht “ilire” të shqipetaro-arbërve : «Për sa kohë që ne, do t’i izolojmë Ilirët brënda një konteksti rreptësisht ballkanik (kaq i dashur për gjuhëtarët e sidomos për ata indo-europianistë ), për sa kohë do të vazhdojmë të shkëpusim Ilirët nga Pellazgët dhe nga popujt e tjerë të një gjinie me ta (Etruskët, Ligurët, Lelegët, Thrakët, Dakët, Getët, Frigasit, Maqedonasit, Epiriotët, etj.), për sa kohë, nuk do ta pranojmë lidhjen e njëkohëshme ndërmjet gjuhës dhe etnisë pellazgjike, do të ngatërrohemi nëpër situata të fantazuara, dhe Historia do të vazhdojë të mbetet në qorrsokak.» (9)
Është gjuha pellazgo-shqipe, vijon studiuesi, e trajtuar si rrjedhim llogjik i fakteve, që e kërkon vendosjen e kësaj lidhjeje. Në këto përfundime, nuk jam ndikuar nga origjina ime shqipetare, se edhe po të isha kinez, përsëri do t`i bëja këto studime dhe do të nxirrja këtë përfundim. (pjesë nga materiali i paraqitur përpara komisionit, 3.01.2012 )
Këto fjalë na sjellin ndrëmënd një tjetër matian të «frontit pellazg», Pashko Vasën (1825 – 1892) i cili shprehej se: Gjithshka sa kemi sqaruar në lidhje me historinë (tonë), është e bazuar mbi llogjikën e fakteve (…) E duam vërtet vëndin tonë, por akoma më shumë duam të vërtetën dhe drejtësinë.(10)
E VËRTETA e Arif Matit, qëndron mbi faktin, se:
– Pellazgët, autorët antik i kanë trajtuar si populli më i lashtë në vëndin që më vonë u bë Greqi dhe banorë të vetëm para-grek. Historianët e parë grekë, ndër të cilët Hekate i Miletit, Helanikosi i Mitilenit, Herodoti apo Tuqididi, kanë folur vetëm për Pellazgët. (11)
– Qytetrimi i emërtuar “miken”, nuk ka ekzistuar kurrë me këtë emërtim. Qytetrimi i vetëm që ka ekzistuar para ardhjes së grekëvë, ka qënë ay i Pellazgëve.
– Shkrimi në pllakat e zbuluara në ishullin e Kretës nga arkeologu Arthur Evans, të emërtuara “Lineari A dhe B”, nga gjuhëtarët anglez John Chadwick (1920 -1998) dhe Michael Ventris (1922- 1956) , në mënyrë mekanike u shpall prej tyre se ishte «një formë e greqishtes së lashtë». Ata, nuk i bënë asnjëherë pyetjen vetes, në se në këto shkrime kishte elemente pellazgjike, ndërkohë që Herodoti qartësisht pohonte se, pellazgjishtja ishtë një nga elementet gjuhësorë më të rëndësishme, të marra nga grekët.
– Mangësia më e madhe e studimeve mbi lashtësinë, ka qënë se gjuhëtarët e fundshekullit të XIX dhe fillimit të shk XX, për gjuhë kryesore në studimet e tyre, janë bazuar tek tre gjuhët “etalon” (matëse): sanskritishten, greqishtën dhe latinishten (12) Kjo “greqishte e lashtë” (siç e emërtuan ata) mund të qe nisur nga një nënshtresë pellazgjishte e thrako-ilirëve (13)
– Në Kontinentin europian (jetojnë-shën im) shqiptarët e sotëm, gjuha e të cilëve ka mbetur krejt e paprekur qysh prej katër mijëvjeçarësh. (14)
– Antroponimet, toponimet, oronimet, teonimet, eponimet apo fjalë të tjera që nuk shpjegohen me gjuhën greke dhe provojnë se, grekët kanë trashëguar një gjuhë që nuk ishte e tyre (që ata e emërtonin “barbarë”) dhe se e vetmja gjuhë para-helenike, ka qënë gjuha pellazge. (pjesë nga materiali i paraqitur përpara komisionit të përbërë nga Pr. Dominique Briquel, Pr.Charles Guittard dhe Pr.Guillaume Bonnet, 3.01.2012)
Ku ka gabuar historiografia botërore dhe pse Historia e lashtë e Greqisë duhet rishkruar?
Gabimi më i madh i kryer, pohon A.Mati, ka qënë se Greqia është vendosur në qëndër të të gjitha studimeve historike dhe gjuhësore. (15)
Mbetjet arkeologjike megalitike apo ciklopike, të cilat gjenden jo vetëm në Ballkan, Egje apo në Azinë e Vogël, por edhe në Europën Perëndimore, fortifikimet e Mikenës, Argosi, Tirintiti apo Pilosi dhe «pelargikoni» (muri i parë rrethues i Akropolit të Athinës) dhe mbetje të tjerë, a nuk janë vërtetuar nga arkeologjia ? Gjithsesi, asgjë «greke» nuk gjendet në të gjitha këto! (16)
Përfundimet e nxjerra nga studimi shumëvjeçar mbi Pellazgët, na bën të mendojmë dhe të reflektojmë mbi origjinën e Greqisë dhe të grekëve, historisë, kulturës dhe gjuhës së tyre. Nëpërmjet autorëve të lashtë ne mund të zbulojmë një histori komplekse të Greqisë që nuk kufizohet vetëm me Helenët. Nëpërmjet këtyre autorëve, në fakt, mund të zbulohen kontradiktat, mospërputhjet kohore dhe manipulime të tjera që do të na lejojnë të krijojmë një këndvështrim të rinovuar të historisë së Greqisë. (pjesë nga materiali i paraqitur përpara komisionit, 3.01.2012).
Studiuesi pohon se deri tani është mësuar në universitet një histori e cunguar për Grekët, ku pistat e gabuara praktikisht nuk janë denoncuar:
– Se është e pasaktë të emërtohen «Grekë» Helenët. Kjo ndodhi për arsyen se ata u quajtën kështu, nga ata që ndodheshin jashtë (Gadishullit Ballkanik) dhe në vazhdojmë t’i quajmë në këtë mënyrë, për lehtësi apo marrëveshje, në të gjithë librat e historisë (…) Në fakt asnjë dokument egjiptian, ugaritik, hitit apo asirian të periudhës së lashtësisë, nuk përmënd Helenët, dhe aq më pak të ashtuquajturit Mikenë. (17)
– Se nuk ka patur pushtim të Europës nga Azia (të ashtuquajturit „indo-europianë“ siç pohoet-shën im), përpara atij të Hunëve, të Alainëve, të Avarëve, në shk. IV/V apo të sllavëve e bullgarëve në shk.VI/VII apo të magjarëve (hungarezëve) në shk. IX pas JK. Përkundrazi, në mijëvjecarin e pestë ose të katërt pati lëvizje të popullatave në drejtimin Europë-Azi e jo anasjelltas.
– Se Pellazgët antik egzistonin dhe egzistojnë edhe sot nëpërmjet shqiptarëve, gjuha e të cilëve është fosil i gjallë i asaj që ishte gjuha e parë Europiane. Për fat të keq askush nuk dyshonte që shqipja qënkish kaq e vjetër. (18)
A.Mati duke folur për fiset Thrake, të cilat Herodoti i quan si ”Populli më i madh në numër në botë, pas Indianëve”(19) vërteton se “qysh nga treqindvjeçari i fundit të mijëvjeçarit të dytë pK, thrako-ilirët përfaqësonin një popullsi homogjenë nga ana etnike dhe gjuhësore, pavarsisht disa ndryshimeve dialektore“ (20) Në të njëjtin përfundim kishin aritur që në shk.19 studiuesit arbëresh, si Dhimitër Kamarda por edhe më të rinj si Kostantino Dragan (Il Mondo dei Traci,Athinë1985, f 87), sipas të cilit «Shqipja, Rumanishtja, Bullgarishtja, janë tri hipoteza të së njejtës gjuhë: Shqiptarët janë Trakë, të cilët kanë ruajtur gjuhën e lashtë, Rumunët janë Trakë të romanizuar, dhe Bullgarët janë Trakë të sllavizuar“ …Trakët dhe Ilirët ishin fiset më të lashta pellazgjike.(21)
Edhe Norbert Jokli (1877-1942), në librin « Reallekxikon der Vorgeschichte», 1924 shkruan: «Sidoqoftë, vërejmë se trashëgimet linguistike që vijnë nga gjuhët e lashta të Ballkanit, si ajo e Ilirëve dhe e Thrakëve, janë lidhur ngushtë me gjuhën shqipe.» (22) Për rrjedhojë, fiset që njihen si Thrakë, krahas fiseve të tjera pellazge (Dardano-Ilire, Maqedone dhe Iperiote të Epirit të lashtë), qëndrojnë në origjinën e Shqipetaro-Arbërve të sotëm. Ky është një fakt shkencor jashtzakonisht i rëndësishëm për Albanologjinë.
Që mbas vitit 1944 është shkruar se popullsia dhe vëndi i fiseve arbërore shtrihej në Perëndim të Gadishullit, pa përcaktuar bashkësinë gjinore në të cilën bënte pjesë ajo dhe shtrirjen gjeografike të tyre. Fiset autoktone të Gadishullit janë trajtuar si fise të huaja, pa lidhje gjuhësore, besimtare dhe të përkatsisë. Gjithashtu në materialet mësimore dhe studimore të lexuesve shqipetar, mbretëronte një errësirë e padepërtueshme, mbi shkrimet e lashta dhe të vërtetat historike që kishin ndodhur mbi kurrizin e kombësisë sonë, deri në shekullin e 20-të, për arsye thjesht politike, të brëndshme dhe ndërkombëtare.
Në këtë drejtim, merita e A.Matit qëndron në zbulimin e fakteve shkencore, për origjinën historike të Arbërve: «E them saktësisht Thrako-Ilirjanë dhe jo Ilirjanë – pohon studiuesi- Në fakt, të dy këto etni rrjedhin direkt nga Pellazgët (gjë të cilën e kam vërtetuar shkencërisht me fakte të provuara dhe lehtësisht të verifikueshme mbi referime të pakundërshtueshme). Ata përfaqësojnë dy etni të fundit të dala direkt nga Pellazgët: njera (Ilirianët) përfshinte të gjitha trevat perëndimore ballkanike dhe tjetra (Thrakët) ato lindorët. Për rrjedhojë (dielli s’mbulohet dot me shosh) – Shqipetarët janë pasardhësit e fundit të Pellazgëve. Për arsye të paditurisë apo mangësive shkencore, ose për shkak të qëndrimeve të qëllimshme apo nacionaliste, gabohen rëndë ata, që i ndajnë këto dy etni dhe që pranojnë dallime midis tyre. (23) Është merita e „frontit pellazg“, dhe në rastin e shkrimit tonë e Arif Matit, që na njohu me të vërtetën historike të Kombit tonë. Duke qënë pasardhës të mbijetuar të popullsive autoktone të sipërpërmëndura, numerikisht të krahasueshme me atë indiane (sipas Herodotit), kuptojmë arsyen se përse edhe mbas mijëra shekujsh të „tërmeteve“ historike, në Qitapet turke të shk.19, Arbërit apo Arnautët (sipas turqve) paraqiteshin si popullsia më e madhe në Gadishull.
„Fronti akademik“, nuk arrin (apo nuk do) ta besoje vërtetësinë e këtij fakti, megjithëse këtë e dëshmojnë edhe toponimet e ngjashme, që gjënden në të gjithë Gadishullin ballkanik apo në Fjalorët historik, por që kanë shpjegim në gjuhën shqipe, fjalët e njëjta në gjuhët e sotme ballkanike (që gabimisht apo nga padituria, gjuhësia i quan huazime të shqipes) rrënjët e të cilave ndodhen vetëm në fjalorin tonë, si dhe simbolet në veshjet dhe objektet arkeologjike të Gadishullit, por që lidhen me besimin e pellazgo-arbërve dhe janë karakteristike të traditës historike arbërore.

a- Objekt arkeologjik i trakasve të Letnitsa (Bullgari). b- Veshje nga Korfuzi (shk 19) ishull jonian (Greqi). c- Periudha hellenike. Objekt thrak me simbolin e svastikës. (24)
Këtë fakt – siç e pohon Nermin Vlora Falaski – e ka vënë në dukje edhe Franc Bop (1791-1867) gjuhëtar i shquar, profesor në Universitetin e Berlinit dhe themeluesi kryesor i gjuhësisë krahasuese historike europiane (…) Ai vuri re një ngjashmëri midis saj (shqipes) dhe sanskritishtes në gramatikë, në rrënjët e fjalëve si dhe në tingujt e diftongjet (…) ai vërejti ngjashmëri midis fjalorit të shqipes, nga njëra anë, dhe atij të armenishtes ose të gjuhëve balltike, letonishtes dhe lituanishtes, nga ana tjetër“. Pak faqe më vonë vë në dukje se „Gjuhëtarët shqipetarë kanë gjetur mbi 300 emra të qyteteve të lashta të cilat përmëndën nga gjeografët dhe historianët e vjetër grekë e romakë dhe që vazhdojnë të përdoren edhe sot në Shqipëri “. (25) L.Benlow në veprën e tij «Greqia përpara ardhjes së grekëve» botuar në Paris më 1877 shkruan « Shumë emra të vëndeve, të maleve, të lumenjve, të personazheve legjendarë, nuk mund të shpjegohen me etimologjinë greke. Vetëm një gjuhë ka qënë në gjëndje të hedhë dritë mbi emrat e këtyre vëndeve, e kjo gjuhë është shqipja» (26)
Si përfundim
Dy Institucionet më të rëndësishme, ay historik i Francës dhe ay politik i Shqipërisë, në këtë përballje, ia njohën “fitoren” Arif Matit, për paraqitjen mbi baza shkencore të së vërtetës historike të Pellazgo- Arbërve dhe Qytetrimit të Lashtësisë.
Kjo u arrit – siç pohon studiuesi – falë provave të pakundërshtueshme, argumenteve bindëse, analizave të thelluara dhe referencave të verifikueshme. Teza ime shkatërron dy pjesë të tëra të kulturës evropiane: Themelet e historiografisë së Greqisë dhe tezen mbi pushtimet dhe gjuhen «Indo-europiane» e zhvilluar në traktatet e gjuhësisë moderne (e krijuar vëtëm në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë). (27)
Filozofi i shquar Sami Frashëri, emrin e të cilit e mban çmimi që ja dhanë studiuesit, bashkëkombasit në Lion, gjithashtu vlerësonte si thelbësore për botkuptimin e çdo populli, paraqitjen e së VËRTETËS : Çdo gënjeshtër është e përbuzur, por gënjeshtra e veshur me petk shënjtor ose zyrtar dhe që detyron t’i bindet çdo njëri, është shumë e përbindshme. (28)
Në fushën e mendimit filozofik dhe të historisë së Kombit tonë, vlerësimi që ju bë studiuesit Arif Mati, shpreh edhe një „fitore“ të tretë, që i takon „frontit pellazg“ dhe shkencës së Pellazgollogjisë europiane. (Fusnotat janë hequr) Fatbardha Demi ([email protected])

==========================

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

Fjalimi i Dr.Arif Matit, me rastin e dekorimit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, Tiranë – 21 Mars 2017
Së pari i nderuari zoti president Bujar Nishani ju përshendes me respekt dhe ju falenderoj pa mbarim për këtë dekoratë që është e shenjtë për mua, një dekoratë që ka marrë emrin e një me të medhenjve Rilindas shqiptar : Naim Frashëri. Sot, Falenderoj gjithashtu shtetin shqiptar, vendin e të parëve të mi.
Kjo ditë dhe kjo ngjarje do të mbahen mend dhe do të jenë të paharrueshme për mua dhe kjo është një kënaqësi, një nder i madh, një vlerësim, një mirënjohje dhe një lavdërim për 50 vite të përkushtuar studimeve shkencore, historike dhe gjuhësore që kam kryer për të nxjerrë Pellazgët nga harresa dhe hiçi dhe veçanërisht për rindërtimin e së vërtetës historike dhe gjuhësore. Këto Pellazgë ishin parardhësit e trako-ilirëve dhe stërgjyshërit e mi, stërgjyshërit e kombit shqiptar dhe vendëve shqipëfolëse.
Prindërit e mi të ndjerë do të ishin sot krenarë dhe të lumtur për të parë djalin e tyre të përshëndetur dhe të lavdëruar nga presidenti i republikës së Shqipërisë dhe nga gjithë Shqipëtarët. Faleminderit i nderuari president për këtë dekoratë të jashtëzakonshme për një shkencëtar dhe një njeri si unë që ia ka kushtuar një pjesë të madhe të jetës së tij për vendin e të parëve.
Faleminderit.
Mathieu Aref, Tiranë, 27 Mars 2917

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura