Tetovë, 8 qershor 2017: Për njëzetegjashtë vjet me radhë përsëriten thirrjet raciste kundër shqiptarëve në Maqedoni, me përmbajtje tepër fyese, armiqësore dhe kërcënuese, në protesta, tubime politike, ndeshje sportive dhe manifestime të tjera: ,,Vdekje për shqiparët”, ,,Dhoma gazi për shqiptarët”, ,,Shqipari i mirë, vetëm shqiptari i vdekur”, ,,Shqiptarët, jashtë Maqedonisë”, ,,Shqiptarët e mallkuar” etj. Këto britma primitive që përsëriten gati përditë në sheshet, rrugët, stadiumet dhe vendet tjera publike nëpër qytetet e Maqedonisë, nuk janë pjellë e fantazisë së sëmurë të qytetarëve të zakonshëm maqedonas, por pjesë e ideologjisë nacionaliste, shoviniste dhe raciste të disa qarqeve politike në Maqedoni, të cilat flasin me gjuhën e propagandës antishqiptare, serbomadhe dhe rusomadhe, dhe flasin hapur, pandalur, ditenatë, zëshëm dhe pa frikë se mund të përgjigjen për këto akte armiqësore, jonjerëzore dhe kundërligjore, se mund të ndalohen nga organet e rendit, të ndiqen nga organet hetuese, ose të dënohen nga gjykatat e këtij shteti.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, për njëzetegjashtë vjet me radhë, asnjë subjekt politik dhe jopolitik i maqedonasve dhe sllavëve të tjerë, as partitë politike që e ndajnë pushtetin me partitë politike të shqiptarëve, nuk e panë të arsyeshme të distancohen nga këto veprime kundërligjore, johumane dhe raciste. Edhe subjektet politike të shqiptarëve nuk e kanë ngritur zërin sa duhet dhe nuk kanë ndërmarrë masa siç duhet për këtë çështje; si më 1990/91, në prag të pavarësimit të këtij shteti nga ish federata jugosllave, përmes fushatës së egër antishqiptare, të sajuar dhe me prapavijë politike, kundër ,,kosovizimit” dhe ,,albanizimit të Maqedonisë”; më 1994/95, kundër arsimit të lartë të shqiptarëve në gjuhën amtare, hapjes së Universitetit të Tetovës dhe gjuhës shipe; më 2001, kundër kryengritësve shqiptarë për barazi dhe të drejta kombëtare, të cilësuar nga kjo propagandë si ,,terroristë”, ,,fundamentalistë dhe eksptremistë islamikë” dhe ,,banda kaçakësh”; më 1997, kundër përdorimit të flamurit shqiptar; më 2004, kundës Ligjit për ndarjen territoriale dhe krijimin e disa komunave të reja shqiptare; në shënimin e përvjetorëve të Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir; sidomos pas zgjedhjeve parlamentare të 11 dhjetorit 2016 dhe në prag të formimit të qeverisë së re, kundër Deklaratës së përbashkët të partive politike parlamantare të shqiptarëve në Maqedoni, të etiketuar si ,,Platforma politike shqiptare”, ,,Platforma e Tiranës” dhe kundër zyrtarizimit të gjuhës shqipe; si dhe në shumë manifestime sportive, tubime politike dhe raste të tjera.
Mediumet shtetërore, të cilat i financojnë edhe qytetarët shqiptarë të këtij vendi, por edhe disa mediume në gjuhën shqipe, gjithashtu nuk kanë ndërmarrë asnjë masë serioze për kundërshtimin e kësaj dukurie të shëmtuar, të rrëmbyera nga euforia kinse bashkëjetesa mes qytetarëve me përkatësi të ndryshme etnike, fetare dhe gjuhësore në këtë shtet shkon në drejtimin e duhur, përderisa partitë politike maqedonase dhe të bashkësive të tjera etnike me ato shqiptare vazhdojnë ta qeverisin vendin dhe ta ndajnë pushtetin pa probleme, duke i lënë në heshtje këto dukuri të cilat një ditë mund të eskalojnë në përmasa të paparishueshme, për çka vetëm faktori ndërkombëtar e ka ngritur zërin dhe ka ndërmarrë masa të nevojshme për parandalimin e tyre.
A mund të pushojë dhe t’i ndalet hovi kësaj histerie shoviniste dhe raciste në Maqedoni? Gjithsesi se jo, pa ndërmarrjen e masave të domosdoshme ligjore kundër kryerësve të këtyre veprave! A do të ndërmarrin organet përkatëse masa ndaj kësaj histeria të shfrenura kundër shqiptarëve në të ardhmen, kjo mbetet të shihet gjatë muajve në vijim, sidomos tani, pas krijimit të qeverisës së re, e cila deklarohet se ka qëllime reformuese, nga e cila shumica e shqiptarëve presin ndryshime rrënjësore për hapjen e perspektivave të reja në këtë shtet, për të gjithë qytetarët, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, ku të gjithë do të trajtohen njësoj nga organet e pushtetit dhe përpara ligjit.
Këto britma raciste kundër shqiptarëve, të gjithë duhet ta kenë të qartë se u drejtohen çdo shqiptari, si bujqve nëpër ara dhe barinjve me kërrabë në bjeshkë, edhe ministrave në Qeveri dhe deputetëve shqiptarë në Parlament; këto sharje, ofendime dhe kërcënime u drejtohen të gjithë shqiptarëve pa dallim, edhe fëmijëve të sapolindur edhe prindërve të tyre, punëtorëve, tregtarëve, zejtarëve dhe qytetarëve të zakonshëm, por edhe akademikëve shqiptarë në Maqedoni; ky është ofendim dhe kërcënim ndaj një kombi të tërë, kundër qenies dhe identitetit të shqiptarëve kudo që janë, kulturës dhe gjuhës, historisë dhe traditës; si atyre që u flijuan për krijimin e këtij shteti më 1944, edhe atyre që sakrifikuan gjithçka për ndërtimin dhe përparimin e tij; si udhëheqësve të subjekteve politike dhe krerëve fetarë, shkrimtarëve, shkencëtarëve, profesorëve, mësuesve, edhe veprimtarëve të tjerë të sektorit civil, biznesmenëve, diplomatëve dhe gazetarëve; por edhe atyre që i krijuan këtij vendi famë në botë, si nobelistët shqiptarë, Shën Tereza e Ferit Muradi, sepse edhe ata janë pjesë e pandarë e popullit shqiptar në Maqedoni.
Të vetëdijshëm se këta shovinistë dhe racistë recidivë nuk flasin me mendjen e tyre, por me gojën e propagandës serbe dhe ruse kundër shqiptarëve në Maqedoni, të gjitha organet e pushtetit duhet ta trajtojnë seriozisht këtë çështje, sa nuk i ka rrënuar përgjithmonë urat e së ardhmes në këtë shtet të përbashkët me shqiptarët, kurse përfaqësuesit e subjekteve politike të shqiptarëve, si dhe përfaqësuesit shqiptarë në organet e pushtetit, duhet t’i vënë gishtin mendjes, sepse thirrjet ,,Vdekje për shqiptarët” dhe ,,Dhoma gazi për shqiptarët”, në radhë të parë u drejtohen atyre, familjeve dhe fëmijëve të tyre, para se t’u drejtohen qytetarëve të tjerë shqiptarë në këtë vend, nëse ata nuk kanë hequr dorë nga përkatësia e vet kombëtare.
Këto veprime do të kuptoheshin si diçka e rastësishme, incidentale, si raste të veçuara, individuale, stihike, histerike, sikur të kishin ndodhur vetëm në disa raste të izoluara, jo të shndërrohen në përditshmëri dhe në të gjithë vendin, për 26 vjet me radhë, të cilat marrin hov sa herë që kanë nevojë forcat politike proserbe dhe proruse në Maqedoni ta ,,ushqejë nacionalizmin dhe shovinizmin e mbështetësve të tyre me antishqiptarizëm”, mes të cilave dallohet si zakonisht fryma çetnike e udhëheqësve të derisotëm të partisë OBRM-PDUKM dhe disa organizatave të tjera klandestine që nuk dihet ku i kanë qendrat e frymëzuesve dhe sponsorëve të tyre. (7.VI.2017)