ADIL FETAHU: 95-VJETORI I PRANIMIT TË SHQIPËRISË NË LIDHJEN E KOMBEVE

Prishtinë, 18. 12. 2015: *Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u bë anëtarja e 43 e Lidhjes së Kombeve * Nga mohimi gati total – pranimi i njëzëshëm, pa asnjë votë kundër * Shpresa për zgjidhjes e statusit të minoritetit të çamëve.
Themelimi dhe qëllimet e Lidhjes së Kombeve

Lidhja e Kombeve, apo Lidhja e Popujve, si pararendëse e OKB, u themelua nga fundi i Konferencës së Paqes, të mbajtur në Paris, më 28 prill 1920. Atë e themeluan shtetet fituese të Luftës së Parë Botërore. Statuti parashikonte tri kategori të shteteve anëtare: 1) shtetet-anëtare themeluese (32 shtete); 2) shtetet (neutrale) të ftuara për t’iu bashkuar Lidhjes pasi të hynte në fuqi Traktati i themelimit (13 shtete); dhe 3) shtetet anëtare që do pranohen më vonë. Gjatë gjithë kohës së ekzistimit të Lidhjes së Kombeve, numri i anëtareve të saj ka ndryshuar vazhdimisht, për shkaqe të ndryshme: për shkak të përjashtimit, ose për shkak të humbjes së subjektivitetit të shtetit, por edhe për shkak të humbjes së besimit dhe heqjes dorë nga anëtarësimi. Thelbi i Statutit të Lidhjes së Kombeve ishin “14 pikat” e presidentit amerikan, Vudrov Vilson, ndonëse vet ShBA-të nuk e kishin ratifikuar aktin e themelimit as ishin bërë themeluese. Lidhja ishte menduar të ishte një organizëm botëror që do garantonte sigurinë dhe paqen ndërkombëtare, kufizimin e armatimit, garantimin e pavarësisë dhe integritetit territorial të të gjitha shteteve, të mëdha e të vogla, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mënyrë paqësore, sanksionimin e shteteve të cilat hyjnë në luftë duke shkelur normat e statutit të Lidhjes. Shpejt u pa se qëllimi kryesor i themelimit kishte qenë dominimi i fuqive të mëdha, se Lidhja u tregua e paaftë për të ndalë konfliktet, sidomos ato që shpërthyen në vitin 1939, prandaj konsiderohet se Lidhja veproi prej vitit 1920 deri më 1939, por që shpërbërja e saj përfundimisht u bë në prill të vitit 1946, pasi që pas Luftës së Dytë Botërore ishte themeluar (në San Francisko) Organizata e Kombeve të Bashkuara (1945).

Ambasadori i parë shqiptarë në OKB, Fan Noli së bashku me Wilsonin në Gjenevë, kur Shqipëria, e përfaqësuar prej tij, u pranua në Lidhjen e Kombeve të Gjenevës dhe pavarësia e vendit tonë u njoh zyrtarisht nga bota.
Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve

Prej shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë (1912), deri me përfundimin e Konferencës së Paqes (1919), territori i Shqipërisë ishte i pushtuar nga ushtritë e hueja: Serbi, Mali Zi, Greqi, Itali, por edhe Francë e Gjermani, kështu që ishte rrezikuar shpërbërja dhe copëtimi midis shteteve fqinje. Ekzistonin marrëveshje të hapta e të fshehta për copëtimin e Shqipërisë midis shteteve fqinje dhe fuqive të mëdha. Për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Komisioni Ndërkombëtar për caktimin e kufijve të Shqipërisë londineze, e kishte ndërprerë punën dhe kufijtë në terren nuk ishin caktuar. Shqipërinë si shtet, as qeverinë e saj nuk e kishin njohur shtetet e mëdha, kështu që ishte një pre e lehtë për lakmitë e shteteve fqinje, të cilat e mbanin të pushtuar, vetëm prisnin ta “legalizonin” aneksimin e pjesëve të saj. Në kohën kur në Konferencën e Paqes në Paris (1919), bëheshin pazaret e presë së luftës, ku si kurban kryesor ishte Shqipëria, në Lushnje u mbajt Kongresi për Shpëtimin Kombëtar (21-31 janar 1920), në të cilin morën pjesë mbi 50 delegatë nga të gjitha krahinat e vendit. Kongresi zgjodhi një qeveri të kryesuar nga Sylejman Delvina, ministër i jashtëm Mehmet Konica, ndërsa ministër i brendshëm Ahmet Zogu. Kështu, Kongresi i Lushnjës rrëxoi qeverinë e Durrësit, të kryesuar nga Esat Pashë Toptani. Por, duket se nota protestuese e ShBA-ve që ua kishte dërguar fuqive të mëdha (6 mars 1920), pati ndikim vendimtar për mbrojtjen e Shqipërisë nga copëtimi. Në notë thuhej: “Presidenti amerikan, Wilson, ripohon se nuk është e mundur të aprovojë asnjë plan që i jep Jugosllavisë shpërblime tokësore nga krahinat e Shqipërisë…”.
Shqipëria nuk ishte pjesëmarrëse në asnjërën anë të Luftës (për shkak se ishte e pushtuar), prandaj nuk mund të konsiderohej as si fituese as si humbëse e luftës, kështu që shpresonte se Konferenca e Paqes jo vetëm se do ia njihte e konfirmonte pavarësinë, por se edhe do të ndreqte padrejtësitë, duke ia kthyer tokat e pushtuara (Kosovën dhe Çamërinë). Me shpresë se Lidhja e Kombeve e sapothemeluar, do t’ia garantonte ekzistencën dhe mbrojtjen e integritetit territorial, Shqipëria bëri kërkesë zyrtare për pranim në Lidhjen e Kombeve (tetor 1920). Kërkesën e paraqiti Pandeli Evangjeli, që ishte përfaqësues i Shqipërisë në Konferencën e Paqes, ndërsa Qeveria e dalë nga Kongresi Kombëtar i Lushnjës, e kishte caktuar Fan Nolin kryesues të Delegacionit. Noli e kishte formuluar një memorandum që ia bashkëngjiti kërkesës, ashtu siç dinte ai, për të argumentuar statusin dhe sovranitetin e shtetit shqiptar me akte ndërkombëtare, prej njohjes nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913) dhe Protokolli i Firancës, e deri ato ditë. Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve (Erik Durmman) kërkoi aktet me të cilat dëshmojnë konstituivin e Shqipërisë shtet i pavarur, dhe pasqyrën e forcave ushtarake e detare. Ministri i jashtëm, Mehmet Konica, iu përgjigj se Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve në Londër është akt ndërkombëtar që vërteton pavarësinë e Shqipërisë, ndërsa Protokolli i Firencës (17 dhjetor 1914), i nënshkruar dhe shpallur nga fuqitë e mëdha, ka përcaktuar kufijtë e shtetit. Pas shqyrtimit të dokumentacionit, u formua një komision dhe pastaj një nënkomision për shqyrtimin e kërkesës. Me qenë se shumë prej delegatëve e kundërshtonin pranimin e Shqipërisë, Komisioni nuk miratoi ndonjë propozim-vendim, veçse çështjen ia kaloi Asamblesë së Përgjithshme për të vendosur.
Në mbledhjen e Asamblesë, të mbajtur më 17 dhjetor 1920, i pari që mori fjalën ishte juristi i shquar nga Afrika e Jugut, lordi Rober Cecil, i cili ishte raportues në mbledhje, dhe që mbrojti në mënyrë të brilante argumentet e kontinuitetit të ekzistimit dhe statusit të shtetit shqiptar. Falë zgjuarsisë dhe lotimit të Nolit, dhe fjalës së lordit Cecil, në Asamble u bë një kthesë aq e madhe, sa që të gjithë diskutuesit tjerë pas tij (përfaqësuesit e Kanadasë, Australisë, Perandorisë Britanike, Indisë, Italisë, Rumanisë, Francës, përkrahën kërkesën e Shqipërisë. Kur kryesuesi i Asamblesë e kishte hedhur çështjen për votim, të gjithë (35) përfaqësuesit e pranishëm të shteteve anëtare të Lidhjes së Kombeve kishin votuar për pranimin e Shqipërisë, pa asnjë votë kundër. Me aktin e pranimit në Lidhjen e Kombeve, Shqipëria u rendit në radhët e shteteve të lira e të pavarura të botës.
Kështu, më 17 dhjetor 1920, dmth. para plot 95 vjetëve, u bë anëtarja e 43-të e Lidhjes së Kombeve, dhe këtë status e ka ruajtur deri në shuarjen e asaj Lidhje, pas themelimit të OKB-së (1945), por për shkaqe dhe arsye të ndryshme, Shqipëria u bë anëtare e KB tek në vitin 1955, dmth. dhjetë vjet pas themelimit të kësaj OKB që është tash.
Anëtarësimi në Lidhjen e Kombeve, nuk e zgjidhi problemin e çamëve
Anëtarësimi në Lidhjen e Kombeve ishte ngjarja më e rëndësishme dhe arritja më e madhe politike e diplomatike e Shqipërisë pas aktit të shpalljes së pavarësisë, bile ndoshta ishte edhe më i rëndësishëm se vet shpallja e pavarësisë të cilën nuk ia njihte bota as fqinjët. Sepse tash kishte marrë garancione ndërkombëtare për sovranitetin dhe kufijtë që ia kishte caktuar Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Edhepse shumica e territoreve me popullsi shqiptare kishin mbetur jashtë kufijve të shtetit shqiptar, tash ai shtet mund të ngrinte zërin në forumet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave elementare të shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve. Një angazhim të veçantë shteti shqiptar pati në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të pronës dhe të minoritetit të çamëve, por nacionalizmi dhe klerofashizmi grek nuk përfillte as aktet ndërkombëtare sa u përket të drejtave të shqiptarëve, derisa i zhbiu nga Çamëria të gjithë shqiptarët myslimanë dhe asimiloi shqiptarët e besimit ortodoks. Në ballafaqimet e Shqipërisë me Greqinë në Lidhjen e Kombeve, përfaqësuesi shqiptar kërkonte respektimin e të drejtave politike, ekonomike, arsimore e kulturore të çamëve, sikur që shteti shqiptar respektonte për minoritetin e vogël grek në Shqipëri. Një përpjekje të madhe bëri në Lidhjen e Kombeve, kundër shkëmbimit të çamëve myslimanë me grekët e Turqisë. Noli zotohej në Këshillin dhe në Asamblenë e Lidhjes, për respektimin e të drejtave të minoritetit grek, sipas traktateve ndërkombëtare, dhe këtë e kërkonte nga pala greke. Por, përfaqësuesi i shtetit grek, me makinacione procedurale e diplomatike, asnjëherë nuk u zotua për të drejtat e shqiptarëve në Greqi. As Lidhja e Kombeve asnjëherë nuk e pengoi administratën greke në brutalitetin e saj kundër çamëve, ndërsa shteti shqiptar ishte i pafuqishëm ta ndalonte atë brutalitet. Prandaj, çamët u detyruan të lënë vatrat dhe pronat e tyre, e të shpërngulën në Turqi e në Shqipëri. Dhe as sot e kësaj dite nuk e kanë të zgjidhur problemin e të drejtave të mohuara nga shteti “demokratik” grek. Për çështjen e çamëve, edhe OKB-ja, edhe organizmat e BE-së janë bërë të shurdhër e mospërfillës, sikur edhe Lidhja e Kombeve.
Sidoqoftë, dita e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve është një datë e shënuar, që duhet ta kujtojmë, jo vetëm për aktin e pranimit, por për përpjekjet dhe mençurinë e negociatorëve në kushtet dhe rrethanat më të pafavorshme. Po të kishim sot një Fan Nol, një Mehmet Konicë, një Pandeli Evangjel, një Mehdi Frashëri, një Hil Mosi, e personalitete tjera patriotike e me kulturë të gjërë, të cilët dit[ bënë çmos derisa e bënë Shqipërinë anëtare të Lidhjes së Kombeve, do i kishim punët ku e ku ma mirë se që i kemi. / Adil Fetahu /

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura