ANDREA DIMUSHI: JA KOLEGËT E MI SPIUNË!

Pashtriku.org, 30 qershor 2017: Ish-funksionari i lartë i Shërbimit Informativ në vitet ’90, Andrea Dimushi, kishte premtuar në një intervistë të mëparshme në Dita se një ditë do të tregonte bashkëpunimin me ish-Sigurimin e Shtetit, të një sërë emrash të njohur të politikës. Ndërkohë që po flitet për reformën në drejtësi dhe për dekriminalizimin, Dimushi tregon sot pseudonimet e dikurshme të disave, padyshim disa syresh të publikuar edhe më parë. Por që marrin rëndësi tjetër kur shqiptohen nga një ish-zyrtarë i lartë të Shërbimeve Sekrete.
Duke e lënë të hapur këtë histori për të treguar edhe emra të tjerë… Dimushi sqaron edhe procedurat e rekrutimit të bashkëpunëtorëve, si vendosej pseudonimi dhe përse dikush që realisht nuk ka dashur të bashkëpunojë, është fshirë nga dosjet.
Kështu që pseudonimet që kanë mbijetuar pas 90-s, u përkasin atyre që kanë raportuar aktivisht…
– Zoti Dimushi, është koha e dekriminalizimit të politikës dhe është pikërisht momenti për të folur për ata që duhet të pastrohen, pra të largohen nga politika. Apo jo?
A janë aq të shumtë sa thuhet këta ish-spiunë? Po për kë do të flisni, konkretisht?– Po e ngre pak stekën si fillim, duke filluar t’iu drejtohem me emër e mbiemër disave prej atyre që na na sollën aq shumë dëme dhe shkatërruan vendin në gjithë këto vite e që sot, përveç funksioneve që kanë patur apo kanë, zotërojnë pasuri të llahtarshme krahasuar me nivelin ekonomik të popullsisë.
Po filloj të pyes të parin për nga radha, atë burrin që “na solli demokracinë”, shokun Sali Berisha, ish komunistin e vitit ’68, që nuk donte të bëhej komunist, por i erdhi keq për pushtimin e Çekosllovakisë e u betua për komunizëm… Shumë e bukur kjo! O Sali, ka 25-6 vjet që të thërrasin “Penicilina”. Në fakt, ti je shumë më shumë se një penicilinë. Sepse, ngado që ta nisesh me ty, ti del blozë. Ç’të të numëroj më parë: Bllokun, byronë e partisë së spitalit, rrëmbimin e PD-së, rrënimin nëpërmjet piramidave, 26 majin, 97-n, 14 shtatorin 98… Kush e urdhëroi të tërhiqej jo publikisht nga puçi? Kush fshihet pas atij burri që foli shqip dhe e “urdhëroi të tërhiqej” por nga jashtë kufijve? Pse gjithmonë sa herë ka patur ngjarje në Kosovë ky ka turbulluar Shqipërinë?
– Këto në fakt janë thënë vazhdimisht Andrea…
– E di, po tjetërkund e kam fjalën. Do pyes: Shoku Sali, pse zgjodhe Visho Ajazin në krye të Shërbimit Informativ Kombëtar? Pak shqiptarë e dinë që z.Visho ka qenë drejtor i zbulimit me seli në Ministrinë e Jashtme e cila mbulonte e mbulon shërbimin sekret shqiptar me jashtë. Çfarë nderi të ka bërë ky njeri që ia prishe rehatin nga Kanadaja për ta sjellë dhe emëruar kryetar të SHIK këtë person të betuar për t’i shërbyer Kanadasë, ndërkohë që në Shqipëri ka mjaftueshëm intelektualë për këtë detyrë?!
– Dakord, z. Dimushi. Po, pas kaq vitesh, duken si humbje kohe të vazhdosh t’i bësh pyetje Berishës?
– Ke të drejtë. Por njerëzit duhet të dinë, ndaj unë vazhdoj ta pyes: Ku fle lepuri, Sali? Në rezidencën franceze të ambasadës shqiptare për ty, apo për lidhjet e gjakut e znj.Liri me njerëz të rëndësishëm të UDB?! Materialet për ty në Francë e për Lirinë në Beograd, janë akoma apo janë bërë hi nga Bashkimi (Gazidede) e Visho Ajazi? Me siguri janë pastruar, ndaj dhe rithirre sërish pastruesin për të patur të sigurtë mbijetesën. Nuk dua të dëmtoj një njeri të mirë që të njeh dhe e njeh, por dhe ka administruar materialet e tua në Paris. Beson dot njeri se si mjek i numrit 2 të PPSH-së nuk të kanë studiuar ty dhe bashkëshorten Sigurimi i Shtetit? Ke folur për çdo vrimë çelësi. Por fol njëherë vetëm për veten tënde pa çimka. Kaq për sot për ty… Mbase së shpejti do kesh një dhuratë në shtyp….
– Na thuaj ndonjë emër tjetër ish-kolegu…
Një djalkë pe Rakicke (fshat kufitar në Korçë), na e sollën në Librazhd pas mbarimit të shkollës e më pas u bë i madh në PD?? Është Ridvan Bode… Nga fukara kooperative, tani vetëm makina i bën mbi 70.000 euro! Nuk do flisja për të nëse nuk do drejtonte një fushatë të ardhshme e do i thotë demokratëve se kur PD do vijë në pushtet do qeverisë me duar të pastra… më mirë se në kohën e “Sudes”? Zot na ruaj!! Po i bie drejt o Ridvani i Rakickës… Ke qenë bashkëpunëtor i Sigurimit? Je i pasur o kolegu im spiun? O “Korçar”. A vazhdon ta këndosh atë këngën e dikurshme “o moj “korcar-re”, sa e bukur je?”. Si nuk na ke treguar njëherë si erdhe në Tiranë e për çfarë kontribuove në demokraci që u bëre nr. 2 i PD-së?
Do tjetër? Më ka marrë malli të takoj një mikun tim të vjetër ish deputet në Pogradec, që dhe ky flitet se do drejtojë fushatën e ardhshme të PD-së. Ka qenë dhe ministër, por kur e njoh unë ka qenë i ri… “I Vogël” dmth. Kur je “i vogël” edhe të falet apo jo. Të kam falur, madje nuk doja as ta zija në gojë as emrin, o Jemin.
– Kë do të veçonit tjetër nga kolegët spiunë të dikurshëm?
– Kolegen Jozefinë. Ka kaq vite as pohon, as mohon bashkëpunimin. Përveçse bën biografi, zonjë, përgjigju njerëzve që të kanë zgjedhur. Kolegia ime e dashur “Dizenjatore”! Ishe fare e varfër dikur, je në majë aktualisht për pasuri.
Kurse Astrit Patozit po i bie shkurt. Ke qene kolegu im, Tit. Thuaje dhe ti se mbahesh për “trim” o Alfons Ballsha?!
Para disa kohesh gazeta DITA ka bërë publike një listë me 100 pseudonime… Po i përkthejmë në emra konkretë që ta dinë të gjithë se PD ka qenë dhe është e mbushur me “kolegë”. Ka të drejtë Arben Duka kur thotë që PD-në e ka krijuar Sigurimi i Shtetit. Në politikë janë dhe dy “fukarenj”… Preç Zogaj që është pastruar me vendim gjykate, si dhe ai që për pak na u bë president i republikës, Artan Hoxha… Nuk ka nevojë të përmend pseudonimet e tyre, pasi i dinë të gjithë. Por, ndalova për këta të dy për të bërë një shpjegim, pasi ata sot na hiqen si viktima…
– Po mund të kenë qenë dhe viktima…
– Dëgjo. Ishin apo jo viktima, po tregoj se si funksiononin gjërat në atë kohë, si bëhej rekrutimi i agjentëve, për shembull. Për tërhequr një person si bashkëpunëtor bëhej një studim i imtësishëm i personit, i familjes dhe rrethit të tij familjar. Oficeri i Sigurimit përzgjidhte në çdo rast njerëzit më të përkushtuar të mundshëm për atje ku e ndjente të nevojshme. Mbasi mbaronte studimi i paraqitej propozimi kryetarit të degës dhe kur ai e miratonte, oficeri krijonte mundësinë e kontaktit dhe, sigurisht, ka mijëra mënyra për një takim të fshehtë. Në takimin e parë, pasi i vinte rrotull për qëllimin dhe nevojën që kishte partia për bashkëpunim, i kërkonte personit bashkëpunim. Askush që ka në regjistër një pseudonim nuk mund të pretendojë se nuk ka pranuar të bashkëpunojë… pra të bëhet “koleg”. Dhe unë sot po flas për ca nga këta kolegë që na shfaqen çdo ditë nëpër ekrane e na bëjnë moral si më të ndershmit e botës…
– Disa edhe mund të mos e kenë pranuar bashkëpunimin. Është e vërtetë kjo?
– Kjo është e vërtetë. Ka pasur dhe nga ata që nuk kanë dashur të jenë spiunë. Por unë sot po flas për ata që kanë pranuar bashkëpunimin. Qoftë Preçi, apo Artan Hoxha kanë pranuar bashkëpunimin… Kanë dhënë apo jo informacione të dëmshme, kjo është çështje tjetër dhe duhet verifikuar rast pas rasti. Sepse ja si funksiononin gjërat në atë kohë: Oficeri i kërkonte mendim pas pranimit për bashkëpunim që kandidati të zgjidhte një pseudonim… dhe e zgjidhte… nëse nuk mundej e ndihmonte oficeri dhe kur vendosej pseudonimi nuk kish e nuk ka burrë nëne ta fshijë. Duhej një vendim i shkruar për ta hequr si bashkëpunëtor e kjo ndodhte për ata bashkëpunëtorë mashtrues apo që nuk jepnin informacionet kur u kërkohej, pra kur nuk aktivizoheshin.
– Pra ata që nuk kanë bashkëpunuar mund të justifikohen sot e të thonë: Kot na bini në qafë e na i kujtoni atë histori pasi nuk i kemi bërë keq asnjë njeriu…
– Jo. Nuk është kështu. Dhe këtu më duhet të bëj edhe një sqarim… Nëse vërtet dikush refuzonte bashkëpunimin, materialet asgjësoheshin e nuk mbetej gjurmë. Pra as Preçi, as Artani dhe as të tjerrit që përmenden në këtë intervistë nuk mund të hapin gojë. Spiunin aktiv nuk mund ta shpëtojë asnjë vendim gjykate, përderisa është thirrur e ka pranuar dhe mban një pseudonim. Por ende nuk e kuptoj se si disa nga këta bashkëpunëtorë të zellshëm dhe që kanë dëmtuar njerëz të ndryshëm, kanë sy e faqe e dalin nëpër ekrane e shesin moral si analistë e opinionistë. Në kohe “krize”, kur po flitet për hapje dosjesh, nga frika se mos u del “nami” bëhen aq aktivë sa të shqyejnë xhaketën po nuk u dhe detyra. Por bashkëpunëtorë nuk ka vetëm në politikë…
– Të flasim konkretisht Andrea…
– Ja psh, Artur Zheji a është përgjigjur ndonjëherë si “Bozhur”, për çfarë është angazhuar si koleg i Sigurimit të Shtetit? Po ”Kaçaniku”në krye të agrobiznesit shqiptar, kolegu Enver Ferizaj? Enver, mos u mërzit, se nuk po t’i them dhe familjaret e tjerë se ndonjeri ka qenë dhe deputet… Është e çuditshme për mua, por duhet të çuditemi të gjithë… Si është e mundur që të gjithë “kolegët” e mi spiunë që u morën me politikë vetë, por dhe të afërmit e tyre janë shumë të pasur? Ka një shpjegim të thjeshtë në dukje… Këta u futën me ndërmjetësim në politikë e biznes… U pompuan dhe ia dolën të bëhen krahu financiar i politikës që, duke vënë paratë në punë, blenë vota… pra blenë pushtet. Pushtet për të bërë më shumë para. Kjo duhet të marrë fund. Dosjet duhet të hapen para zgjedhjeve të ardhshme që këta krimba që bënë të pa vlerë shpresën e popullit për demokraci të mos gëlojnë më në zyrat e shtetit. Sot unë përmenda vetëm disa emra. Por ka edhe plot të tjerë që do t’i përmend një herë tjetër…
Intervistoi Xhevdet Shehu – Botuar në Dita/

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura