Pashtriku.org, 23 korrik 2017: Dialogu Prishtinë – Beograd për implementimin e gjashtë pikëshit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, ka nisur qysh në qershor 2008. Më 26 qershor 2008 kam botuar një artikull të shkurtër: “Kah po shkon Kosova?! Prioriteti i shefit të UNMIK-ut: rinisja e dialogut Prishtinë – Beograd!”
***
Në vijim lexoni të plotë këtë shkrim:
“Kah po shkon Kosova?! Prioriteti i shefit të UNMIK-ut: rinisja e dialogut Prishtinë – Beograd!”
Pashtriku.org, 26. 06. 2008: Dje, në një konferencë për media, shefi i administratës së Kombeve të Bashkuara, Lamberto Zannier deklaroi se, brenda 120 ditëve të tranzicionit, UNMIK-u mund të pësojë ndryshime radikale në strukturën e vet, por askush nuk mund ta thotë nga tani, që UNMIK-u do të largohet nga Kosova pas tranzicionit. Ndërkaq, duke u ndërlidhur me kërkesat e lidershipit të Kosovës që pas 120 ditëve UNMIK-u të largohet, Zannier tha se kjo i përket Këshillit të Sigurimit që të vendosë se a do të shkojë apo në çfarë formati do të mbetet UNMIK-u në Kosovë.
Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier.
Një prej detyrave prioritare që Lamberto Zannier ka shpërfaqur përpara gazetarëve, është rinisja e dialogut Prishtinë – Beograd. Ai tha se nuk e sheh veten si negociator klasik dhe në rolin e propozuesit të ideve e nismave, por më shumë në rolin e lehtësuesit të këtyre bisedimeve.
Për çfarë dialogu Prishtinë – Beograd e ka fjalën z. Zannier?!
Duket se shefi i UNMIK-ut, do të rinis dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për gjashtë pikat e diskutueshme, që janë bërë të njohura nga letra e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, dërguar para disa ditësh, presidentit të Serbisë Boris Tadiç.
Gjashtë pikat e Moon-it ishin:
1. Policia;
2. Gjykatat;
3. Doganat;
4. Transporti dhe infrastruktura;
5. Vijat kufitare administrative;
6. Trashëgimia serbe.
Edhe pse presidenti Fatmir Sejdiu, këto ditë ka deklaruar se nuk do të ketë bisedime të reja me Serbinë, UNMIK-u thotë, se autoritetet e Prishtinës janë pajtuar që të bisedohet për pikat e Moon-it.
“Po pres zhvillimet në Beograd dhe nëse do të formohet qeveria e re, do të pres derisa ajo të nisë punën dhe do të kërkoj më pas menjëherë që të takohem me të”, ka thënë shefi i UNMIK-ut Zannier.
Zannier, (ashtu siç e ka theksuar edhe Ban Ki Moon, në letrën e tij dërguar Tadiqit), gjatë bisedimeve me Beogradin do të konsultohet edhe me autoritetet kosovare. Në rast se ka përafrime për fushat e bisedimeve, do të përpiqem t’i ulë palët në bisedime, e nëse jo, do të zhvillojë një lloj të ‘diplomacisë fluturuese’ – ka theksuar Lamberto Zannier.
___________________
Lexo këtu origjinalin:
Kah po shkon Kosova?!
Prioriteti i shefit të UNMIK-ut: rinisja e dialogut Prishtinë – Beograd!
http://pashtriku.beepworld.de/files/kosovaneudhekryq%6008/qershor-08/moderatori_rinisja_dialogut_prishtine_beograd_26.6.08.htm
______________________
SHERADIN BERISHA: KAH PO SHKON KOSOVA? DUHESH ME QENË IDIOT E I PADINJITETSHËM, PËR TË THËNË SE DO TË JETË ҪDO GJË OK!
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=6752