Prishtinë, 9 shtator 2017: Kontributi i shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore është vlerë kombëtare që duhet kultivuar, shkruan Dr. Qazim Namani
Sipas rrëfimeve të Ruzhdi Behlulit (1940) babai i tij Sadik Sadiku (1902-1996) i lindur në fshatin Novosellë komuna e Bujanocit është njëri ndër shqiptarët që bëri shumë për shpëtimin e një të riu hebre.
Fshati Novosellë dikur i banuar me popullatë shqiptare, kufizohet me fshatin Terstenë të banuar me popullatë serbe, si dhe me fshatrat tjera të banuara me popullatë shqiptare si : Suharna, Zarbinca, Priboci, Qarri, Ramabuça, Gjergjeci dhe Muhoci.
Në vitin 1941 Sadik Sadiku në qytetin e Vranjës e takon një serbë të cilin e kishte njohur më parë. Serbi kërkon nga Sadiku që ta merr në strehim dhëndrin e tij hebre pasi që ishte i rrezikuar nga serbët të cilët i dorëzonin hebrenjtë te ushtarët gjerman.
Sadiku e mori hebreun dhe e dërgoi në shtëpinë e tij, duke e mbajtur në fshehtësi nga rrethi dhe fqinjët e tij.
Hebreu ishte rreth 20 vjeçar dhe sapo ishte martuar me një të re serbe. Sadiku për ta ruajtur me besnikëri hebreun e ri të quajtur Ahim Kohen ia ndërroi emrin dhe e quante Mehmet. Në fillim hebreu i ri flinte me tesha veshë nga frika që po i zbulohet ari i fshehur në rrobat e tij. Pas një jave duke e vërejtur këtë gjest të Ahim Kohenit (Mehmetit), Sadiku e pyeti : Pse Mehmet nuk po i heq teshat kur po donë me fjet. Ahimi i përgjigjet po ja kështu e kam vetë shprehi të flejë me tesha veshë. Sadiku tani e kishte kuptuar se hebreu i ri tërë trupin e kishte të veshur me arë dhe prapë i kërkoi Ahimit që të lirohet të flejë i qetë dhe pa frikë. Sadiku afrohet duke i thënë Mehmet liroju flejë lirshëm se më parë e mbyti djalin tim se sa të mbys ty, unë ty të kam marrë në besë dhe mbrojtje andaj mos u frikëso.
Hebreu qëndroi më shumë se një muaj në shtëpinë e Sadikut, por nga frika se po e zbulojnë hebreu kërkonte që ti ndërrohet vendi dhe të dërgohet në Shqipëri.
Sadiku e kishte pas mik Shefki Bunjakun nga Desivojca e të cilit i tregoi rastin e hebreut të ri, dhe kërkon mendimin e tij për të gjetur rrugën që ta dërgojnë Ahimin në Shqipëri.
Shefkiu i kishte thënë Sadikut se nëse arrin që ta kaloi hebreun këndej Gurit të Pribocit atëherë edhe mundë të bëhet ndonjë zgjidhje.
Guri i Pribocit në atë kohë ishte bërë pikë kufitare në mes të Bullgarisë dhe Shqipërisë.
Sadiku për Ta realizuar qëllimin e tij e kishte pjekur një pulë dhe e kishte veshur hebreun e ri me një tërlik (veshje-mbulesë) të grave. Kur afrohet në kufi te Guri i Pribocit ushtarët bullgar i ndalën dhe e pyetën Sadikun se ku donë të shkoi. Sadiku ju thotë ushtarëve bullgar se po shkon me gruan te miqtë e tij, dhe ja ofron ushtarit bullgar një pulë të pjekur. Ushtari bullgar e liroi Sadikun që ta kaloi kufirin me hebreun e ri të maskuar në tesha të grave.
Sadiku së bashku me Shefkiun e sjellin hebreun në Gjilan dhe prej Gjilanit ata kërkojnë të gjejnë lidhje në qytetin e Gjakovës. Pasi i sigurojnë lidhjet e dërgojnë hebreun në qytetin e Vlorës në Shqipëri. Hebreu në qytetin e Vlorës qëndron afër 3 vite dhe nga aty kalon në Amerikë. Pas vendosjes së tij në Amerikë Ahimi arrin që edhe gruan e tij serbe ta merr në Amerikë.
Pas luftës së dytë botërore Sadiku në qytetin e Vranjës së bashku me vëllanë e tij dhe djalin Ruzhdiun e mbanin një ëmbëltore.
Në vitin 1956 Ahimi vejnë nga Amerika në qytetin e Vranjës dhe pyet për Sadikun. Ahimin në ëmbëltoren e Sadikut e sjellin Dragolubi babai i gruas së tij dhe axha i saj Filipi që tani ishte bërë kolonel armate.
Hebreu përqafohet ngrohtë me Sadikun. Sadiku nga ëmbëltorja e çon hebreun në shtëpinë e tij, ku bisedojnë gjatë për ato moment të vështira që i kishin kaluar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në vitin 1981 hebreu e vizitoi Sadikun në qytetin e Gjilanit ku tani kjo familje kishte filluar jetën në truallin e ri pas shpërnguljes nga fshati Novosellë.