Tiranë, 15 nëntor 2017: Për kulturën shqiptare, lëvrimi i disiplinës eseistike ka qënë më i mangët dhe nuk ka shkrimtar të shumtë, që kanë shtjelluar esenë me përkushtim dhe inteligjencë.
Eseja si zhanër në letërsinë europiane është krijuar nga Michel de Montaigne.
Tek librat e Marin Barletit kemi herë herë edhe fragmente që shprehin lëvrimin e esesë.
Në njëfarë mënyre, babai i esesë në letrat shqipe është Faik Konica.
Esetë e tij janë sinteza të çuditshme kulturologjike, artistike dhe linguistike.
Me esenë është marrë edhe Fan Noli, por shkrimi estetik arrin kulmin me Migjenin.
Ndër krijuesit e sotëm, Moikom Zeqo është nga eseistët më të shquar.
Akademiku Rexhep Qosja e ka quajtur Moikomin “eseist me dhunti të shumanshme”.
Librat e Moikom Zeqos spikatin për strukturat eseistike.
Në vitin 1998, ai botoi librin e madh në prozë “Kështu foli Mona Liza”, me një titull alegorik, por edhe ironik me “Kështu foli Zarathustra”, të Niçes, por Moikom Zeqo ka shkruar edhe libra esencialisht eseistik. Librat e tij si: “Refuzimi i shkrimit”, “Vetullat Hyjnore”, “Portat pa epilog”, duket se krijojnë një kolonë, ku kryet e vendin e zë “Ofelia me mjekër”.
Titulli i këtij libri të botuar në vitin 2014, nga shtëpia botuese “Morava”, 366 f. duket i çuditshëm, për të mos thënë i tmerrshëm.
Libri ka edhe një nëntitull: “Proza të të jetuarit së prapthi”.
Po pse Moikom Zeqo e ka zgjedhur titullin “Ofelia me mjekër”?
***
Në antikitet, në botën pagane ekzistonte edhe kulti i njeriut androgjen. Madje ekzistonin edhe tempuj, ku paraqitej Afërdita, hyjnesha e bukurisë dhe e dashurisë me mjekër.
Njeriu androgjen ishte simboli i pllenimit dhe i universit. Ashtu siç është në teorinë kineze taoizëm, simboli sintezë i elementit mashkullor dhe femëror, të quajtur “xhin” dhe “xhan”.
Moikomi si erudit i di këto gjëra, por ai nuk bën një citim mekanik të koncepteve mitologjike.
Esetë e tij janë moderne dhe kërkojnë të bëjnë një skaner të ideve dhe të qytetërimit të sotëm njerëzor.
Ai, kuptohet jo rastësisht e bën Ofelinë një lloj kryesimboli të përsiatjeve dhe të analizave të tij të thella.
Por ç’është Ofelia?
Ç’përfaqëson Ofelia?
Roli i Ofelisë në letërsi, me plotëfuqinë, por edhe me lëkundjen e pozicionimit të saj, duke u cilësuar shpesh si Ofelia e Shekspirit, Ofelia e Hamletit, Ofelia e Polonusit, Ofelia e Laertit. Ofelia e pasigurt, e pambrojtur, që duket edhe zhduket në vepër, qëndron strukur nën perdet e rënda mbretërore dhe dëgjon gjithçka thuhet e vërtitet tërthorazi, ku ndjenjat e ngurtësuara, të shtypura nga njëmijë probleme zanafillash, të pazgjidhshme, përmes dialogjesh e mimikash të trishta, rrallëherë të qeshura, shkrijnë vetëm në momente kulminante, ku jeta vihet në lojëdhe dashuria e gjithësejt prek fundin.
Ofelia është katalizatori kryesor në aktet dramatike hamletiane, që është keqkuptuar, duke u ndjerë shpeshherë si “Ofelia e padukshme”.
Nëse nuk na bien në dorë shkrime që flasin për të, për heroizmin që Shekspiri derdhi në portretizimin e karakterit të saj, Ofelia do të përmendej e fundit në listën letrare, sepse ndoshta e para do të ishte “Ana Karenina”, gruaja sqimatare, personazhi karizmatik i Tolstoit, e cila u vetëhodh e zhgënjyer në shinat e trenit, duke sjellë në letërsi një tjetër botëkuptim për dashurinë ruse, duke e universalizuar atë në një tjetër dimension Ema Bovari, francezja ëndërrimtare, e lexuar, shijehollë, e shkujdesur, shkoi drejt një vetëhelmimi shkatërrues.
Ajo theu zinxhirët e mendimit të një shoqërie, duke i sjellë letërsisë bovarizmin. Prirja e njeriut për të ëndërruar dhe për t’u zhgënjyer pafundësisht. Kjo marramendje femërore, që shkrimtarët përshkruajnë hollësisht në veprat e tyre na ndërmend një epokë që nuk e kemi njohur, por që na vjen rishtazi, duke u pavdekësuar në art.
Ofelia, padukshmërisht na shfaqet e ringjallur, si vajza aristokrate daneze, si e dashura e Hamletit, që u vetëmbyt tragjikisht.
Me shume dëshirë dhe kuriozitet lexova mbi këtë figurë të mistershme dhe misticizmi i pashmangshëm që e karakterizon fund e krye. Duke lexuar librin “Ofelia me mjekër” nga studiuesi Moikom Zeqo, kushtuar poetit Frederik Rreshpja.
Janë një bashkësi tekstesh, herë paradoksalë e herë të pazgjidhshëm mes tyre, ku e përbashkëta thelbësore është origjinaliteti, e vërteta e kulluar e fakteve historike, analizave letrare, psikoanalitike, filozofike, artistike, përshkrimeve magjepsëse mitologjike, piktoreske, arkitekturore.
Përmbledhja e një eseisti me dhunti të gjithanshme, me një stil të thukët, përmes një proze moderne jashtë çdo klisheje, duke shkruar në thelb për “Artin, jashtë përkufizimeve”.
Studiuesi shkruan se: Përkufizimet në vetvete janë limite. Pasi fantazia shpeshherë ndjen nevojën të përkufizojë, klasifikojë dhe e humb fuqinë e saj përballë realitetit të artit. “E vërteta, përherë si pikëpyetje”, se ç’është e vërteta dhe do të citoja një pyetje shumë interesante në këtë ese: A është e barazvlefshme një e vërtetë e shekullit tim me të vërtetën e shekullit tënd? “Martesë me universin”: Një martesë esencialisht e të infinitshmes përtej fizikes, shpirtërores dhe shqisores, në të cilën bukuria është kudo.“Garderobat pa trupa”: Përgjithësisht, vetëm fytyrat dhe duart janë të zbuluara. Çdo gjë tjetër e trupave është detyrimisht e mbuluar. Ne nuk i shohim trupat, sepse veshjet e tyre janë përfaqësuesit e anatomisë, ose kundërshtuesit e saj. “Kujtesa pa këpucë”, “Autostradat mendore”, “Gjithësia këmishë”, si edhe ese të tjera brilante të një artisti të rrallë, që luan plot finesë me fjalët, duke i veshur bukur me imgjinatë të thellë e të papërkapshme nga vetëm një lexim.
Ky libër mban në titull Ofelinë, ndonëse tekstet janë një formatim i kuptimit të dijes tonë letrare e të gjithëdijshme, duke u kapur fort tek hijet e moslargimit të Ofelisë në vepër.
Përmes personazhit të Makabe Zaharias, studiuesi shkodon disa çështje të rëndësishme letrare, duke i dhënë përgjigje të kthjellta pikëpyetjeve të shumta e moskuptimeve, si edhe misionin e një portreti bazik letrar.
Do të veçoja një paragraf tejet të rëndësishëm tek “Ofelia me mjekër”: Shpirtrat s’mund të definohen nga trupat. As Ofelia. Ajo është një ide sublimimi. Personazhet e njohura të letërsisë botërore në këtë syshikim të hollë dhe zhbirilues janë keqkuptime të mëdha. Ky materializim i vrazhdë i zhvendos shkrimtarët jashtë shpirtit, madje me vetë dëshirën e fundit.
Nëpërmjet figurës së Makabe Zaharias na shpërfaqet edhe një tjetër botëvështrim i faktit se:nëse Hamleti do të martohej me Ofelinë, mund të kishtë një trashëgimtar princëror. Ofelia krijon vetëvrasje të vendosur për shkak të pakuptimshmërisë. Hamleti ishte më pak trim, pasi vetëm e mendoi vetëvrasjen dhe kaloi dilemën, duke iu bindur rutinës ngatërrestare dhe të përsëritur të jetës monotone të një pallati mbretëror.
Ofelia nuk u vetëvra nga dashuria e papërmbushur, por nga njëmijë arsye për të mos frymuar në një ambjent të gjakosur nga krimi, tradhëtia, inçesti.
Vdekja e saj nuk përshkruhet nga vetë Shekspiri, por rrëfehet nga mbretëresha Gertrudë (nëna e Hamletit), Akti IV, Skena VII. Një mbretëreshe që tashmë mban një kurorë të thyer, të helmatisur nga kodet morale.
Bukuria përrallore ofeliane frymëzoi piktorin britanik Sir John Evereth, i cili rreth viteve 1851-1852 pikturoi Ofelinë. Ai i propozoi vajzës 19 vjeçare Elisabeth Sidoll, të pozonte si Ofelia, e cila asokohe në një moshë të njomë, do të bëhej gruaja e ardhshme e Dante Gabriel Rosetti. Elisabeth qëndroi për një kohë të gjatë në ujë mes orkidesh e zambakësh, duke aktruar si Ofelia, pasi Millais shumëi frymëzuar, nën përhumbjen e një grishjeje totale vazhdonte qetësisht punën e tij duke e harruar pozanten. As llambëzat ngrohëse nën ujë, nuk e shmangën ftohjen që mori Elisabeth. Përpos përzgjedhjes së fustanit, piktori hoqi edhe shpenzimet e kurimit të saj. Ja pra, kjo është piktura e famshme që ka bota sot për Ofelinë, plot sakrificë, ngjyrë, natyralitet, duke zënënjë vend tërëndësishëmdhe të pazëvendësueshëmnë art.
Vdekja e Ofelisë është nja nga vdekjet me fuqinë më poetike në letërsi. Krahët e saj të hapur shëmbëllejnë me portretet tradicionale të shenjtorëve, martirëve, duke u interpretuar shpeshherë si një qëndrim me nuancë erotike letrare. Ofelia e ëndërrt, me qashtërsinë e saj vajzërore, si një mrekulli e druajtur nën dritën e hënës së një nate të ftohtë, mes resh e grimca yjesh, që ndriçojnë vagullt flokët nën ujë dhe qerpikët e rëndë që lëshojnë hijen faqeve, duke sjellë kështu të gjallëoptikën shekspiriane.
Ofelia derivon nga fjala greke (ophelos) që përkthehet ndihmë- ndihmesë- më ndihmo. Ndoshta jo pa qëllim Shekspiri e ka quajtur kështu. Duket se vetë ka besuar verbërisht se: Të jetosh një jetë pa nder është një tragjedi më e madhe se vetë vdekja”. Si një karakter dramatik, ajo, në njëfarë mënyre i zmadhon nuancat e ndjesive të saj, për të lënë impresionin e një trishtimi të madh. Shekspiri krijoi një tragjedi, për të nxjerrë në pah viktimën ndaj padrejtësisë, për shkak të frikës së pamatë, duke e përzierë me një prehje të bukur dhe romantike nga Ofelia.
Ky shkrimi im nuk është gjë tjetër, veçse një ftesë, për leximin e librit “Ofelia me mjekër”.
Vështirësia e leximit nuk krijon fatalitet, sepse libri jep mundësinë e një familjarizimi dhe të një intimiteti, për t’u lidhur me idetë dhe motivet universale të kulturës.
Esetë kanë një renditje ciklike, por janë edhe të strukturuara, për t’u kuptuar së bashku.
Ese të tilla si “Makina e shkrimit”, “Gratë kalorëse”, “Guernika e vetmisë”, “Onufri, “Kisha pa Marsejezë”, “Pasqyrat tautologjike”, “Surrealizmi bizantin”, “Orëndreqësi i gjithësisë”, “Zilkat e vogla të Arlekinit”, “Zodiaku si gramtikë”, “Relievet misterioze”, “Kulla e Babilonisë,pa rindërtim”, “Shteti X”, “Kriptologjia e engjëjve”, “Miti global”, “Egjipti i imagjinatës”, “Kujtesa e internuar” etj, krijojnë koleksionin e imazheve të një semantike të veçantë dhe shprehin edhe ndërlidhjen e qytetërimeve, si enë komunikuese dhe jo si kontraste dhe nekrologji të vetvetes.
Libri i Moikomit ka referenca edhe për filozofë të mëdhenj bashkëkohorë, siç është eseja e tij për filozofin Jean Baudrillard, si edhe Philippe Sollers.
Moikomi flet edhe për mendimtarin e madh amerikan George Steiner “Kështjella e Mjekërkaltrit”. Duket sikur Moikom Zeqo dhe estetika e tij krijon ndjesinë e një vetmie mes botës së një minikulture banale, apo të kitch kulture.
***
Akademiku Fatos Tarifa ka shkruar për Moikom Zeqon: “Moikom Zeqo është një dukuri intelektuale e vaçantë dhe e rrallë në botën e letrave dhe në kulturologjinë shqiptare.
Në një kuptim shumë real të fjalës, Moikomi është një “Walking archive”, ose një “Walking encyclopedia”. Madje, shumë më tepër se kaq.
Profilin intelektual të Moikom Zeqos e formatojnë njëherazi disa role dhe veprimtari kreative të tij: historiani i antikitetit dhe Bizantit, novelisti, poeti, eseisti, arkeologu, piktori, muzeologu, legjislatori, ministri i kulturës.
Moikom Zeqo i “refuzon” të gjitha stilet letrare dhe, duke i kombinuar të gjitha ato në një stil të vetëm dhe origjinal “moikomian”, ai prodhon një prozë që nuk u bindet kanoneve tradicionale të letërsisë, por që është po aq letërsi, sa edhe letërsia më e mirë.”
***
Libri i Moikom Zeqos nuk është një libër i mbyllur, ai mbetet përherë një libër i hapur.
Rileximi i përhershëm, i vijueshëm është një atribut, që ai e mbart dhe e transmeton tek njerëzit.
Sado të shkruash për këtë libër, ajo që nuk është përdorur në analizë, është gjithashtu e pranishme, ndonëse krijon iluzionin e së padukshmes, por në realitet është në strukturën konceptuale të vetë librit.
*) ERLA VELAJ, ka mbaruar studimet e larta për letërsi dhe filologji shqipe në USH të Tiranës, si dhe është specializuar për gjuhën italiane. Ka përkëthyer nga italishtja dhe botuar disa libra në shqip.