Tiranë, 22 nëntor 2017: (Kumtesë lidhur me librin “Bijtë e Shqipes” të autorit Gjekë Gjonaj) – Kur lexon librat e Gjekë Gjonajt, nuk mund të mos mrekullohesh prej punës së tij dhe nuk mund të mos e adhurosh atë njeri të palodhshëm. E them këtë, sepse e di fort mirë ç’do të thotë të jetosh në Republikën e Malit të Zi dhe të shkruah në këtë mënyrë. Me shkrimet e tij Gjekë Gjonaj i mban gjallë dhe i ringjall njerëzit e vendit të vet. Ai, me anë të shkrimevet, i mban gjallë dhe i ringjall gjer në përjetësi të gjitha trevat shqiptare që sot ndodhen nën Mal të Zi.
Kur e sheh në hartë atë pjesë toke shqiptare që shtrihet nga Çakorri deri te Ada në Grykë të Bunës e që dikush e ka quajtur figurativisht Rripi numër 2 i Gazës, të ngjan me ca mbetje gjeografike që zor se i hyjnë në punë dikujt. Mirëpo, kur e lexon lirin e Gjekë Gjonajt “Bijtë e Shqipes”, zbulon aty një thesar njerëzor gati të pabesueshëm. Rron Kombi ynë edhe në ato ngastra toke, që ngjajnë në hartë me ca copa letrash të grisura! Rron dhe nxjerr thesare pa ndërprerë! Nxjerr ai vend i shqiptarëvet të atillë personalitete që edhe vende të mëdhenj s’i lindin e s’i rrisin dot!
Njerëzit që ka përshkruar Gjeka në këtë libër, janë aq shumë sa do të duhej një simpozium më vete për t’i pasqyrur e për t’i njohur vlerat e tyre jo me të gjitha veçoritë e hollësitë, por përsëri vetëm pjesërisht. Mendja dhe talenti i atyre njerëzve, i atyre malësorëvet tanë, kanë pushtuar sot edhe Amerikën. Nuk themi kanë mbërritur deri në Amerikë, por themi e kanë pushtuar Amerikën, sepse shumë prej tyre tashmë janë bërë, sidomos në fushën e biznesit, njerëz me peshë dhe gjurmëlënës në ambientet ku jetojnë. Por jo vetëm kaq. Ata janë njerëz që paranë e fituar nuk e ruajnë sënduqeve apo në skuta bankash, por e japin dhe e shpenzojnë edhe në të mirë të Kombit, prej të cilit kanë dalë dhe të cilit, edhe pse larg, vazhdojnë t’i takojnë e t’i shërbejnë.
Gjon Lulgjuraj (f.209), nga Llofka e Grudës, emigruar në SHBA që në moshën 18 vjeç, veprimtar i palodhshëm i çështjes shqiptare. I kthjellët në përballjen me agjentët sërbo-malazias, të cilët as në SHBA nuk u hiqen qafet shqiptarëvet.
Kolë Zagreda (f.243) nga fshati Reç i Ulqinit, në shtëpinë e të cilit “njëzet e katër orë valon Flamuri Shqiptar”. Larguar 12 vjeç për në SHBA dhe unë kam këtë shënim në fund të artikullit që ka shkruar Gjekë Gjonaj për këtë njeri: “Njëri ndër atdhetarët më të vetëdijshëm, që e koncepton Atdheun më saktë se shumë shqiptarë të tjerë që mund të gjenden edhe në krye të politikës.”
Familja Jakaj (f.248), nga Ranoci i Klinës. “Shembull i sakrificës njerëzore për mbrojtjen e Kombit dhe Atdheut të vet.” Për njërin nga pinjojtë e kësaj familjeje, Tomë Ndue Jakajn, Gjekë Gjonaj shkruan: “Ndihma e tij humanitare është e pranishme në shumë veprimtari bamirësie, si sponsorues i palodhur kudo që e ka kërkuar nevoja dhe kauza shqiptare”.
Mark Gjonaj (f.309) nga Reçi i Ulqinit, lindur e rritur në SHBA, biznesmen i suksesshëm, pronar i qindra apartamenteve dhe personalitet në hierarkinë shtetërore të SHBA-së. Midis gjithë asaj që lexova për të, më bëri shumë përshtypje një thënie e tija: “Njeriu ka këto zgjedhje në jetë: (1) T’i pranojë gjanat ashtu si janë. (2) Të ankohet për problemet. (3) Të shpërvjeli mangët, t’i hyjë punës e t’i ndrrojë gjanat… Unë zgjodha të tretën.”
Gjonajt e Reçit (f.335). Që të gjithë njerëz të punës dhe krenarë se janë shqiptarë. Gjekë Gjonaj shkruan: „Askush nuk mund të thotë se sa llogaritet pasuria e Gjonajvet të Reçit në Amerikë.“
Anton Markola (f.323), shqiptari “që kujdeset për ndërtesën më të lartë në Manhatan”, “78 kate të lartë me 350 banesa”. Njeri me disa fakultete, “shembull i realizimit të ëndrrës amerikane”.
Nick Markola (f.326), bankier. Është pak me thënë i suksesshëm. Ka qenë Zëvendëspresident në Benk of Amerika, një nga bankat më të mëdha në botë. Ka shërbyer si ekzekutiv i bankës së famshme Sitigrup (Citigroup), edhe kjo një nga bankat më të mëdha në SHBA dhe në botë, me filiale bankare e financiare në më shumë se 100 shtete të botës. Ka mbrojtur dy magjistratura dhe është analist i çertifikuar për menaxhim kapitali.
Njëzet faqet e para, nga f.11 deri në f.32, Gjeka ia ka kushtuar Flamurit tonë Kombëtar. Jo më kot ka ndodhur kështu. Flamuri Kombëtar Shqiptar nuk lejohet të mbahet lirshëm në Republikën e Malit të Zi. Nëse dëshiron ta përdorësh në ndonjë dasmë a me rast të ndonjë feste, je i detyruar të kërkosh leje. Duket se pikërisht të këtilla rrethana diskriminuese e kanë shtyrë Gjekë Gjonajn t’ia kushtojë njëzet faqe pikërisht Flamurit, me titull të përgjithshëm “Dashuria për Famurin”.
“Flamuri ynë Kombëtar,” thotë Gjeka, “radhitet ndër më të vjetrit nga flamujt që vazhdojnë të praktikohen”. Pastaj citon Faik Konicën: “Flamuri ynë Kombëtar është nga më të drejtët, sepse asnjëherë nuk priu në mësymje të shqiptarëvet kundra (popujvet të tjerë).” (f.13) Pra, është edhe ndër më të vjetrit dhe është nga më të drejtët! Mirëpo, ç’e do?! Pushtetarët malazias duket se e kanë halë në sy Famurin tonë. “Përdorimi i simbolevet kombëtarë për shqiptarët (nën Mal të Zi) është mjaft i kufizuar”, shkruan Gjeka. “As ligji aktual, por as ai që pritet të miratohet në parlamentin malazias, nuk lejon pëdorimin e lirë të simbolevet kombëtarë shqiptarë.” (f.14)
Mbas kësaj, si për të vërtetuar se, megjithkëto, Flamuri Shqiptar rron e do të rrojë në viset ku jetojnë “Bijtë e Shqipes”, Gjekë Gjonaj ka radhitur një varg faktesh, të cilët te shumë lexues mund të shkaktojnë habi. Më 1905-n, gjashtë vjet para se ky Flamur të ngrihej në Deçiq prej një skuadre heronjsh, është ngritur në Tivar. Pikërisht në Tivarin ku sot praktikisht nuk mund as ta përmendësh.
Në Tuz e Triesh ai Flamur është ngritur më 1906-n, pesë vjet para se historia e Kombit tonë të përjetonte në Bratilë të Deçiqit një nga epopetë e veta më madhështore. Të tre këta akte madhorë të ekspozimit të Flamurit tonë Kombëtar, në Tivar, në Tuz e në Triesh, nuk janë tjetër veçse preludi i aktit sublim të Deçiqit.
Në Deçiq, ndërkaq, më 6 prill 1911, do të ndodhte ajo që as heroizmi mrekullibërës i Zhan D’Arkës nuk do të mund t’i afrohej dhe as qëndresa gjëmëmadhe vetëflijuese e trimavet spartanë të Termopilës. Aty, të shtatë trimat e Kojës së Kuçit, Dokë Preçi, Gjeto Gjeka, Gjeto Toma, Kolë Doka, Tomë Uci, Kolë Uci dhe Mark Luca, ranë vetë, njëri mbas tjetrit prej plumbash të ushtarëvet osmanë, por Flamurin s’e lanë të rrëzohet. (f.80) Mbetet vetëm për t’u indinjuar: Këta shtatë heronj të Flamurit dhe të Kombit tonë, pse s’i kanë përmendoret, në Tiranë, në Vlorë, në Prishtinë, në Shkup, në Shkodër dhe në Podgoricë?! Them, në Podgoricë, sepse ata nga ajo anë ishin dhe se, si vetë malazezët, edhe ata kundër pushtuesvet osmanë kanë luftuar. Pse të mos vihej në Podgoricë një përmendore e tyre?
Detarët ulqinakë, sapo edhe në Vlorë u ngrit Flamuri i Kombit tonë, për të mos u rrëzuar kurrë më, e ngritën atë Flamur edhe mbi anijet e veta. Ndonjëri prej tyre guxoi ta çojë atë Flamur edhe në Tivar, në Tivarin e pushtuar prej sllavësh tashmë mbi 30 vjet, por e pagoi guximin edhe me gjobë edhe me burg.
Në Hot, Grudë e Triesh më 1912-n dhe në Shtoj të Ulqinit po më 1912-n e 1913-n, valonte ky Flamur, tashmë triumfues në një pjesë të Shqipërisë, por jo triumfues pikërisht në këta vise ku ngritja e tij kish qenë ndër më të flaktat dhe ndër më të shtrenjtpaguarat! Qeveria monarkike sërbo-kroato-sllovene, në të vërtetë monarkia sërbe, do ta ndalonte atë për tridhjetë vjet, deri në kapitullimin e saj.
Por, sapo kapitulloi Jugosllavia Monarkike, më 1940-n, Flamuri ynë u shfaq përsëri. Në një vend që quhet Ullini i Egër, midis Ujmirit dhe Peçuricës, italianët vunë njëfarë kufiri, duke e lënë abuzivisht Tivarin jashtë së quajturës, gjithashtu abuzivisht, “Shqipëri e Madhe”. Dhe pikërisht aty u ngrit edhe njëherë Flamuri i Kombit Shqiptar. Pastaj në Ulqin te Kisha e Shnozefit më 1941, ku u mblodhën shqiptarët pa dallim feje, dhe në Plavë e Gusi po kështu në vitin 1941. (f.15-19)
Sapo të dalë diku sado pak diell, shqiptarët janë të gatshëm t’ia tregojnë atij dielli Flamurin e tyre. Në korrik të vitit 1941 ngrihet Flamuri ynë edhe në krahinën e Shestanit dhe krijohet, në një mbledhje të popullit në Kishën e Shëngjergjit në Shestan të Poshtëm Komiteti Kombëtar Shqiptar, i cili dërgon në Tiranë një delegacion me kërkesën për t’iu bashkuar edhe Shestani shtetit shqiptar.( Krs. Gjokë Dabaj “Shestani” vëll II, f.544-546 dhe Gjoka Markov Daboviq “Pleme Shestani”, f.252-254).
Vjen, mbas atij zgjimi sado të shkurtër të shpresavet tona në gjysmën e parë të vitevt 1940, ripushtimi dhe, për njëzet e tri vjet nën Jugosllavinë Komunite, Flamuri Kombëtar i këtyre anëve mbyllet sërish ndër arka, midis petkavet të nusevet e të plakavet.
Në vitin 1968 në Jugosllavinë Federative fillon të fryjë një lloj ere demokracie. Shqiptarët e këtyre viseve, të gatshëm si gjithmonë për ta dëshmuar veten, e nxjerrin edhe njëherë në shesh simbolin e Kombit të vet, sado që detyrohen ta ruajnë me pushkë në faqe. (f.21-24)
Unë po sjell këtu vetëm një episod nga ata që i përshkruan Gjeka dhe kjo besoj është e mjaftueshme për ta kuptuar shpirtin e shqiptarëvet që nuk vdes kurrë.
Myzafer Cungu, një fëmijë 7 vjeç, në përbërje të një grupi moshatarësh flamurmbajtës shtatë dhe tetëvjeçarë, paraklon nëpër rrugët e Ulqinit me Flamurin Shqiptar në duart e tija të vogla. Një milic i gjatë i del përpara grupit demonstrues dhe, natyrisht, fëmijët shpërndahen. Fëmijët shpërndahen, por emrat u shënohen dhe prindët e tyre thirren një nga një në milici. Musa Cungu, i jati Myzaferit të vogël, detyrohet të paguajë 15 000 dinarë gjobë për “deliktin kriminal” të të birit. E paguan gjobën, por djalit tjetër, i cili lind pikërisht ato ditë, ia vë emrin Skënder, sepse fëmijët, në ballë parakalimit me Flamujt Kuq e Zi, kishin mbajtur edhe një portret të Skënderbeut, të vizatuar në një pëlhurë. (f.25-27)
“Flamuri për mua është dëshmi e besnikërisë ndaj Atdheut dhe ndaj Kombit. Unë jam shqiptar dhe s’mund të jem askush tjetër. Por më vjen keq që disa shqiptarë e mohojnë të qenurit shqiptar, duke mos ditur se çka janë. Unë nuk mund të pajtohem me ata që duan tjetrin më shumë se veten.” Kështu thotë Palokë Shkreli, banues në Shtoj të Ulqinit, i pari që mori guximin të bëjë dasmën me Flamur Shqiptar, duke kaluar me të nëpër Tivar e nëpër Podgoricë. (f.32)
Faqet 85 deri në 193 (përfshirë aty edhe disa shkrime të Gjekë Gjonlekajt), Gjekë Gjonaj ia ka kushtuar Trieshit, trevës së tij të lindjes, me titull “Copëza historie nga vendlindja”. Nxitur nga ç’lexova në këtë kapitull, unë po bëj tash një krahasim midis Trieshit dhe Shestanit. Për nga numri i banorëvet, Trieshi i Gjekë Gjonajt dhe Shestani im, në gjysmën e parë të sh.XX, janë thuajse barabar. Por rruga e tyre në këtë fragment kohe, nga mesi i sh XX e këndej, ka qenë me kahe të kundërta: Trieshi, i vetëpërcakruar për mbijetesë e rrjedhimisht edhe për zhvillim historik, Shestani i vetëpërcaktuar për të vdekur dhe për të mos lënë gjurmë në histori, përveç ndonjë përpjekjeje sporadike! Shpjegimi është fare i thjeshtë: Në vitet e Luftës së Dytë, edhe Trieshi, edhe Shestani, patën hapur shkolla në gjuhën shqipe. Mbas vitit 1945 Trieshi vazhdoi shkollimin e fëmijëvet të vet në gjuhën shqipe, Shestani, i sunduar nga ca njerëz miopë, edhe pse s’ish i detyruar, e pranoi shkollimin në gjuhën sllave. Rezultati: Shestanasit, sot, në shumicën e tyre janë drejt shkombëtarizimit. Pamja e shestanasvet, veçanërisht e atyre që jetojnë në Tivar e rrethina, del më qartë kur i krahasojmë me shestanasit e Zarës. Shestanasit e Zarës, shpërngulur prej këndej para 270 vjetësh, flasin ende arbërisht dhe nxjerrin dijetarë e njerëz të tjerë të shquar, shestanasit e Tivarit jo vetëm nuk flasin shqip, por i urrejnë shqiptarët duke i akuzuar madje edhe përbuzur, se “janë myslimanë”. Ja çfarë bën në kohën tonë mosshkollimi në gjuhën e vet! E bën njeriun monstër!
Personalitetet që ka dhënë Trieshi, pikërisht falë përkushtimit ndaj Gjuhës Shqipe dhe ndaj Atdheut të Shqiptarëvet, janë të shumtë. Përfshirë të mëparshmit, Nikollë Ivanaj, Mirash Ivanaj dhe Athanas Gega, me të mëvonshmit Pashko Nikollë Gjokaj, Zef Gjokaj, Dr.Lukë Gjokaj, Kolë Cacaj dhe Gjekë Gjonlekaj, i njëemërti me Gjekë Gjonajn, Trieshi hyn në radhën e konribuesvet më të dalluar në panteonin e Kombit Shqiptar.
Por cilët janë prijatarët e një të këtillë rezultati të lakmueshëm të një Trieshi të vogël në një cep të Shqipërisë?! Prijatarët janë ca njerëz të thjeshtë, që, me punën e tyre të përorëshme dhe të përditshme, u frymëzojnë fëmijëvet virtytet më të mirë njerëzorë, adhurimin ndaj Gjuhës së vet, adhurimin ndaj Atdheut të vet dhe nderimin ndaj të parëvet. Janë të pesë mësuesit, të cilët, mbas Luftës së Dytë Botërore, dhanë mësim në shkollën 8-vjeçare të Trieshit: Gjergj Hasanaj, Vasel Margilaj, Nua Lekoçaj (të cilin unë e kam pasur shok shkolle në Nikshiq, Gj.D.), Pjetër Gjuravçaj dhe Prelë Gegaj. Gjekë Gjonaj ka shprehur në këtë libër mirënjohje të veçantë ndaj këtyre mësuesve. Është e arsyeshme që krejt Kombi, me mënyrat përkatëse të vlerësimevet, ta shprehë edhe ai mirënjohjen, sepse nuk është e lehtë të predikosh atdhedashuri mu përpara dhëmbëvet shqiptarkërcënues të një bishe, e cila duket se s’ka ardhur për tjetër në këtë botë, veçse për të urrejtur shqiptarët.
Libri “Bijtë e Shqipes” është një fragment i Enciklopedisë Kombëtare Shqiptare. Personalitetet, jeta dhe kontributi i të cilëvet përshkruhen në faqet e këtij libri, janë të profilevet nga më të ndryshmit, por që të gjithë konvergojnë në një pikë: Ata, secili me mundësitë e veta dhe në mënyrën e vet, i shërbejnë Kombit Shqiptar. Prandaj dhe Gjekë Gjonaj, me të drejtë, e ka titulluar këtë libër “Bijtë e Shqipes”.
Lexojmë këtu, njërin mbas tjetit, emra, jetë dhe veprimtari atdhetarësh të atillë, për të cilët ke përshtypjen se, sa herë marrin frymë, mendjen e çojnë te Gjuha Shqipe dhe te njerëzit që e flasin këtë gjuhë. Njerëz, fatkeqësisht, shpërndarë në gjashtë shtete në Atdheun e vet dhe në dhjetëra shtete jashtë Atdheut të vet.
Sheh Rasim Llolla, Gjekë Rudaj, Mark Kolë Dedëvukaj, Pretash Zekë Ulaj, Ismail Doda, Liri Buzuku, Zylfie Gjoni-Duraku, Hasan Salaj, Ejll Zagreda, Age Palaj, Liri Milla-Kodra, Tomë Berisha, Lukë Gjokaj, Arben Kurti, Fuat Nimani, Mirash Gojçaj, Preç Curanaj, Dan Xhurreta, Gjelosh Gjokaj, Emine Çunmulaj, Ilirjanë Gjoni, Pjetër Malotë Lulgjuraj, Kolë Gjonaj, Pashkë Gjonaj, Fatmir Gjeka, Rexhep Lika, Simë Dobreci, Bahri Brisku.
Midis gjithë këtyre dhe atyre që munda t’i përmend më parë, bëjnë shenjë edhe dy kryekontribues, dëshmi madhore se deri në ç’lartësi mund t’ia rrisë vlerën Kombit të vet edhe një njeri i vetëm: Dedë Gjo Luli dhe Dom Simon Filipaj.
Megjithkëto, lexuesit nuk mund të mos i mbetet mendja te njëri prej kapitujvet më trishtues të këtij libri: “Pse Trieshin e ka kapluar heshtja?!“. Shumica e shqiptarëvet, që i mbajnë gjallë historinë dhe krenarinë e këtyre pjesëve të Shqipërisë Veriperendimore, jeton sot jashtë Atdheut. Zogj që lindin e rriten jashtë folevet të veta! Kjo dukuri, tashmë, për fatin tonë të keq, nuk është tipar vetëm i pjesëvet që kanë mbetur përtej kufijvet të shtetevet tanë, por është pamje tragjike e krejt Atdheut tonë. Dhe, për këtë dukuri, për dukurinë e shpopullimit, sidomos të trevavet tona rurale, nuk mjafton vetëm të konstatojmë e të shqetësohemi. Është e domosdoshme që pjesa më e vetëdijshme e Kombit të marrë vendime, jo vetëm për ta shpëtuar Kombin, por, pse jo, edhe për ta ngritur atë në nivelin që e ka merituar me privime dhe me sakrifica të panumërta.
GJOKË DABAJ – Tiranë, 17 nëntor 2017