MUHAMET D. ROGOVA: ARENA KOMBËTARE NË VORBULLËN E DHEMBJES POETIKE

Gjakovë, 25 nëntor 2017: (Në vend të recensionit)
Poeti, shkrimtari, studiuesi dhe veprimtari i palodhur i çështjes shqiptare, Brahim Avdyli, tani na vjen edhe me një përmbledhje poezish të titulluar “Arena e dhembjeve” me dyzet e pesë poezi të ndara në pesë cikle; “Këngët e paprekura”, ”Si të dilet prej ëndërrës”, “Arena e fjalëve”, “Në pusin e vargjeve”, “Poligoni i dhembjeve”.

Tani poeti me një përvojë të gjatë letrare, rreth dyzetvjeçare, na vjen më i formuar dhe shumë më i pjekur në fushën e formimit poetik. Për ndryshim të përmbledhjes së pare poetike të tij, “Nën hijen e alpeve” ku përmes atyre poezive shpërthente dashuria për jetën, shpërthimi i ëndrrave rinore për një jetë më të mire e më të lumtur dhe për një të ardhme më të ndritshme, tani në këtë përmbledhje të fundit, pas rropatjeve të shumta të jetës, vuajtjeve të pafundme që i solli jeta, shembja e idealeve personale – familjare dhe atyre kombëtare, nuk po shkojnë ashtu si i kishte ëndërruar për të cilat edhe ai kishte dhënë një kontribut jo të vogël, që në kohën kur ishte nxënës dhe student e që vazhdon akoma të punojë.

Është e natyrshme që të përjetojë një zhgënjim dhe shpesh i duket se jeta dhe përpjekjet e tij për të ndërtuar një jetë më të mire familjare dhe ate kombëtare nuk kishin shkuar sipas planifikimit dhe përpjekjeve të tij.
Të gjitha këto zhgënjime poeti përpiqet t’i paraqesë përmes vargjeve të kësaj përmbledhje poetike. Poeti me këtë përmbledhje poetike arriti t’i paraqesë vuajtjet e tij personale dhe ato kolektive nëpër të cilat po kalon. Ai, me një shpirt të pastër e të sinqertë deri në pafundësi, me të drejtë kishte pritur për ta gëzuar dhe shijuar një jetë më të mirë si rezultat i punës dhe përpjekjeve të tij të pandërprera. Në vend të gëzimeve të pritura që i kishte merituar me punën dhe angazhimin e tij kolosal, në jetë i erdhi e kundërta. “Dhembja dhembjen e thirrë deri në lot” (Arenë e dhembjeve të mia). Kështu nga poezia në poezi shpërthen dhembja e tij shpirtërore dhe përmasën e dhembjeve që po i përjeton e krahason me një zgjua bletësh. Aty ku në vend se të jehojë kënga, gëzimi dhe hareja, poeti shprehet: ”Kënga është bërë/ zgjua bletësh/ në të cilën/ oshtinë dhembja” dhe shpirti i i tij ka mbetur i “bllokuar në atë trup të shkallmuar”. Kjo tregon se poeti shpirtërisht dhe fizikisht ka mbetur në kolapsin e vuajtjeve dhe kështu ai vajton fatin e tij se në këtë periudhë që po kalon, “As grua e as vajzë / nuk gjenden pran meje”, bile sado pak për t’ia lehtësuar dhembjet (Vargu i pakëputur).
Por përkundër këtyre dhembjeve të pafund në të cilat gjendet poeti, megjithatë ai nuk bie në zhgënjimin total, por forcën dhe ngushëllimin e gjen në punën e tij letrare dhe shkencore. Ai, përmes studimeve, zhytet thellë në lashtësinë e historisë së popullit tone dhe përpiqet t’i gjejë rrënjët e të parëve tanë, që nga periudhat mitike të popullit hyjnor, pellazgëve, për të dëshmuar se nuk jemi një popull pa vlerë dhe pa të kaluar , por jemi populli më i lashtë i Evropës e ndoshta i gjithë botës. Pra, rrënjët e këtij populli janë shumë të thella. Ai shpreh mllefin pse ky popull sot po nëpërkëmbet prej botës së sotme dhe prej popujve më të fuqishëm. Poeti përpiqet ta japë arsyen në të cilën ndodhet populli ynë e shumë popuj të shtypur të botës, përmes poezisë “Ngjallja e Luciferrit”: “Si duket, sërish është ngjallur Luciferri / tani kufomat shëtisin nëpër botën e shashtrisur…”. Kështu këta luciferët e sotëm nuk i lënë popujt të jetojnë të qetë e të lirë nëpër vendet e tyre por iu bëjnë jetën ferr me vuajtje të pasosura. Ndoshta kështu është gatuar kjo botë. Poeti nuk mund t’i tejkalojë përpjekjet e tij shumë të mëdha në këtë fushë studimesh. Në poezinë “A qanë Pirro Burri dhe unë” shprehet, “Unë dhe ai u biem kryq e tërthor/ tokave të shenjta iliro-pellazge”. Kjo vërtetohet me studimet e shumta që ka bërë poeti edhe në këtë fushë studimesh duke u përpjekur vazhdimisht t’i gjejë rrënjët e hershme të popullit tone. Ai shetit edhe në Kroaci dhe në Konstancë te arbëreshët për të cilat vende shkruan edhe nga një poezi. Në Zarë dëgjon se si ende flitet shqipja e bukur dhe Nikolla Tesllën e vesh me kostume kombëtare, për të treguar origjinën e tij të hershme shqiptare. Poeti me ironi flet për disa popuj të cilëve u mungon origjina fisnike e tyre dhe më kot mundohen për të mashtruar veten dhe botën, gjoja për origjinën e lashtë të tyre të paqenë:
“Mundohen që të fshehin / origjinën e vet…”,
(Gadishulli Ilirik),
“Tani shekujt po maten / kush e gjuan gurin më larg /
deri në kohën tone…”, (Ujdina).
Historinë nuk mund ta mashtrojnë me përpjekje të tilla të kota. Historia kërkon gjuhë dhe argument. Brahim Avdyli këto argumente historike për lashtësinë e popullit tonë i ka gjetur dhe po i gjenë gjatë studimeve të thella në favor të popullit tonë, sado që “shkenca” e sotme, ende nuk është e gatshme t’i pranojë. Poeti trajton me dhembje nëpër vargjet e tij fatin e zi të atyre mijëra të rinjve që i rrëmbeu vorbulla e luftës nga armiqtë gjakatarë për të vetmën arsye se e deshtën lirinë për popullin e tyre.
Në poezinë “Miliona stërkalla të pikëllimit” shprehet:
“Rrathët e vdekjes kanë plasur papritmas
është ngrirë nën dhé buzëqeshja trëndafilore…
vdekja papriturazi e rrëmbeu në kulmin e gazit
fëmijëror…”
Poeti ndjen dhembje të thellë për gjendjen e tij, por edhe për kohën kur po jeton dhe e paraqet dilemën e tij:
“Nuk e di a jam gjallë apo kam vdekur nëpër vargje
jam gjallë apo në botën tjetër… /
Aljen jam apo njeri
një hije e patrajtë…”
(Valëmadhja stinë e këngës)
Se poeti me mundim po ec “Nëpër trajektoren e dhembjes”, që për te nuk po marrin fund. Ai përjeton vuajtje e dhembje të dyfishta. Në njërën anë shpirti i digjet për gjendjen e vështirë që po kalon populli ynë, e që e ka merituar një fat më të mire, dhe në anën tjetër vuajtjet e thella shpirtërore që i përshkruan nëpër vargjet e kësaj përmbledhje, dhe që po i përjeton në raport me familjen e tij. Një njeri me shpirt të butë, i dashur dhe shumë i sinqertë, kishte rënë në vorbullën e shpifjeve dhe intrigave të dashakëqijve, që kishin krijuar një plasaritje të thellë e të pamerituar, të paimagjinueshme në mes të tij dhe gruas e njerëzve të tij. Janë të dashurit edhe të familjes, për të cilat shprehet se “Magjia e zezë” kishte hyrë në mes tyre, për t’ua nxirë jetën të dy palëve.
“I përzënë nga urrejtja / e atyre që i shqetësove”, thotë poeti, në poezinë “Dallëndyshe kujtese”. Në një numër të poezive të kësaj përmbledhje, me dhembje trajton hendekun që u krijua pa fajin e tij, nga intriga të njerëzve të ligë në mes të tij dhe gruas apo familjarëve të tij. Këto i kanë shkaktuar poetit një pezmatim të thellë në shpirt dhe i kanë shkaktuar vuajtje aq të thella, të cilat janë të pasqyruara nëpër këto poezi. Ashtu si shprehet në një rast poeti i Rilindjes, Filip Shiroka, kur thotë; “Mos e ngacmoni poetin në çastin e frymëzimit”, se ati i lëndohet zemra e mund të shpërthej ashpër, ai e krijon një poezi metaforike e dhembjeje, nëpër këso ndjekje.
Përveç të gjitha këtyre brengave që i ranë mbi kokë poetit, ishte edhe gjendja jo e mirë materiale dhe shëndetësore që po e përcjellin vazhdimisht në jetë, gjendje të cilën e shpreh me këto vargje:

“Gjatë tërë rrugëdijes
sëmundjen time e bartja me vete
hapësirave të fluturimit…”
(Antirrugët e bebëzave).

Prandaj poeti veten e krahason me Sizifin; në poezinë “Dhembje e pafund”: “Sizif, i ziu Sizif / sado të vuaj / dhembja nuk ka fund”. Poeti me dëshpërim e shkruan në poezinë “Jasht kohës tonë” : “E pra, paskam lindur gabimisht / i ndodhur jashtë kohës”. Këtë mendim e shpreh poeti kur ndodhej në kulmin e dëshpërimit për të gjitha ato që i kanë ndodhur në jetë.
Përkundër të gjitha këtyre peripecive që ia ka sjellë jeta me vuajtje nga më të ndryshmet ai shpesh shpërthen me tone optimiste për jetën në poezinë Përtej këngës” :

“Liria është gjak
e gjaku rrjedh
me lumenjtë e dritës
anë e përtej këngës…”

Por edhe për të ardhmen e popullit tonë ushqen shpresa të mëdha se ditë të bardha do të vijnë edhe për ne, ku shprehet: ”Mbi ne ndodhet milenjumi i paqes me diell / lumë ai që ec nëpër shkëlqimin e viteve” . Ashtu si shprehej dikur Rilindësi ynë i madh, Naim Frashëri, ku thoshte: “Lum ai që të rrojë/ e ta sheh Shqipërinë zonjë”. Pra kështu të gjithë idealistët jetojnë me këtë shpresë të madhe për të ardhmen e ndritur që e pret popullin tonë.
Ajo që na bie më së tepërmi në sy, ndër të tjera është kjo poezi, “Përplasjet nga Aresi”. Brahim Avdyli, me imagjinatën e tij prej poeti, Perëndinë e grindjes, Aresin, e nxjerr nga thellësitë e lashta të mitologjisë dhe na sjell në ditët e sotme për të përshkruar fatkeqësitë që po i bien njerëzimit. Aresi, i biri i Zeusit, rrinte me harkun e tij në dorë, me shigjetat me maje të helmatisur i godiste njerëzit në “zemër” për të futur në shpirtrat e tyre elementin e urrejtjes për njëri-tjetrin dhe për të nxitur grindjet në mes tyre. Dhe shigjetat e tij të helmatisura i drejtonte popujve apo shtetarëve të ndryshëm të botës, për të vazhduar grindjet e tyre. Kjo gjë po vërehet edhe sot e kësaj dite, sepse nuk pushojnë konfliktet në mes të popujve dhe shteteve të ndryshme duke i shkaktuar fatkeqësi të mëdha atyre popujve të mjerë e duke shkaktuar mijëra viktima dhe miliona refugjat të cilët përpiqen t’iu ikin tmerreve dhe vrasjeve të palogjikshme që po ndodhin te ata popuj dhe në shtetet e tyre fatkeqe. Aresi edhe njerëzit e zakonshëm nuk i len të qetë duke futur helm në zemrat e tyre dhe këta njerëz, plot vrer, vërsulen kundër njëri-tjetrit, sa për të realizuar ambiciet e tyre të sëmura, duke shkaktuar fatkeqësi dhe konflikte të përhershme në mes tyre. Poetit i digjet zemra kur i sheh këta njerëz që nuk mund të gjejnë aspak qetësi nga këto ambicie të sëmura dhe përherë janë në konflikt me njëri-tjetrin.
Kjo ka të bëjë edhe me të gjitha fatkeqësitë që i ndodhin poetit e familjes së tij, dhe kjo nuk është rastësi. Poeti ka lindur për ta përcjellë botën e gjallë, për ta paraprirë ate nëpër të gjitha sfidat, e duke i duruar edhe vetë sfidat e përhershme gjatë tërë jetës së tij.
Putini, bir i Iblisit , si e përshkruan poeti, janë ata që përherë thurin plane për kobin e popujve të vegjël. Prandaj poeti ngrit zërin kundër këtyre qenieve që kurrë nuk pushuan së menduari dhe së vepruari duke iu sjellë fatkeqësi popujve liridashës dhe paqësorë. Se ata, apo Putinin, apo të tjerët, të të njëjtit kalibër, me në krye me Aresin, Perëndinë e grindjeve, i pengon kur dëgjohet gjuha e bukur shqipe në Zarë, kur fëmijët e mirëfilltë shqiptarë buzëqeshin e flasin shqip kudo që ndodhen, apo fara e tillë iliro-pellazge që mbijeton nëpër mileniume e deri në kohën tonë, siç thotë në fund të kësaj poezie të rrallë.
Ai diellin, si simbol i denjë i universit, si zot i botës së gjallë të Ilirisë, si një shembull të veçantë i adhurimit të Dodonës pellazgo-ilire, që ia bënin Diellit, e vlerëson lartë, sepse:

“Dielli e kishte marrë tërë ditën
në krahët e tij jetëdhënëse…”.

Jo rastësisht edhe Dielli, si simbol i arenës së dhembjeve të poetit na del e përsëritur në kopertinë.
Brahim Avdyli përmes kësaj përmbledhje poetike mendimet dhe brengat e tij personale arrin t’i përgjithësojë, duke iu dhënë edhe karakter shoqëror. Ai si përpunues dhe njohës i mirë i teorisë së letërsisë, arrin të na japë një vepër me vlera të padiskutueshme e të një niveli të lartë artistik.

Gjakovë, 05.10 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura