BAFQAR NUREDINI: DELEGATËT E SHQIPËRISË LINDORE (MAQEDONISË VERIPERËNDIMORE) NË KUVENDIN E VLORËS (28 NËNTOR 1912)

Gostivar, 27 nëntor 2017: (Në 105 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në kufijtë etnik) – Kontributi dhe roli i popullit shqiptar përgjithësisht dhe i atdhetarëve shqiptar posaçërisht, nga Kumanova e deri në Prespë, në ngjarjet dhe zhvillimet që kanë shoqëruar popullin shqiptar është jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Në të katër fazat e zhvillimit të Rilindjes me këtë edhe të vetë lëvizjes kombëtare si pjesë e saj, në këto hapësira janë zhvilluar ngjarje dhe zhvillime të ndryshme të cilat kanë kontribuar në avancimin e çështjes shqiptare, duke ndikuar edhe në procesin e përshpejtimit të shpalljes së pavarësisë, të trojeve shqiptare. Kujtojmë kryengritjen në krahinën e Dibrës, kundër reformave (të tanzimatit) të cilat do t′i ndërmerrte Perandoria Osmane në vitet e 30-ta, të shekullit XIX. Kryengritjen e viteve 1843 – 1844, të udhëhequr nga Dervish Cara, e cila kryengritje arriti një shtrirje të madhe gjeografike, me çka arrihet të çlirohet edhe qyteti i Shkupit. Në periudhën e Lidhjes së Prizrenit (1878 – 1881) dhe atë të Pejës (1902) roli i atdhetarëve shqiptarë nga kjo pjesë do të jetë gjithashtu jashtëzakonisht i rëndësishëm. Në dekadën e parë të shekullit XX, në këto hapësira do të organizohen e zhvillohen Kongrese të ndryshme, në të cilat do të merren vendime historike, që do të ndikojnë, si në zhvillimin arsimor e kulturor të popullit shqiptar, gjithashtu edhe në organizimin ushtarak. Ngjarjet si, Kongresi i parë i Manastirit, Kongresi i Dibrës, Kongresi i dytë i Manastirit. Çlirimi i Shkupit në gusht 1912, dhe marrëveshja shqiptaro – turke e arritur në këtë qytet, janë ngjarje të rëndësishme të cilat e kanë përshpejtuar procesin e shpalljes së pavarësisë të trojeve shqiptare, më 28 nëntor 1912.
Roli i atdhetarëve të kësaj pjese të trojeve shqiptare, edhe në organizimin dhe zhvillimin e Kuvendit kombëtar të Vlorës, ka qenë jashtëzakonisht i madh. Në Kuvendin kombëtar të Vlorës, ku kanë marrë pjesë delegatë nga të gjitha trojet shqiptare, kanë marrë pjesë edhe delegatë nga këto hapësira. Si përfaqësues – delegatë më të njohur nga këto hapësira kanë qenë:
1. Mehmet Pashë Derralla,
2. Vehbi Dibra,
3. Sherif efendi Dibra,
4. Zyhdi bej Ohri,
5. Dr. H. Myrteza,
6. Nuri Sojlliu,
7. Hamdi bej Ohri,
8. Mustafa Baruti,
9. Dervish Hima.

1. Mehmet Pashë Derralla ka lindur në fshatin Gradec të Gostivarit, në vitin 1843. Mësimet e para i mbaron në vendlindje, shkollën e mesme e mbaron në Shkup, ndërsa studimet e larta i ka mbaruar në Akademinë Ushtarake të Stambollit. Që në moshë të re është inkuadrua në aktivitete të ndryshme të organizuara nga Lëvizja kombëtare shqiptare, duke bashkëpunuar me Rexhep Pashë Matin, Ismail Qemalin e Hasan Prishtinën. Në periudhën e Lidhjes shqiptare të Prizrenit, nga organet drejtuese të saj është ngarkuar me detyrën e komandantit të fuqive ushtarake për Tetovën dhe Gostivarin. Janë të njohura sukseset e tija në luftë kundër ushtrive të Dervish Pashës, në rajonin prej Tetove deri në Shkup. Mehmet Pashë Derralla, është njëri ndër themeluesit e Lidhjes së Pejës, apo Lidhjes Besa – Besë. Nga organet drejtuese të kësaj lidhje, ai caktohet si udhëheqës i organizimit të tubimeve për qytetin e Prizrenit, Gostivarit, Kërçovës, Dibrës, e Ohrit. Mehmet Pashë Derralla, njihet si njëri ndër delegatët kryesor të Kuvendit kombëtar të Vlorës. Në dokumente të kohës dëshmohet pjesëmarrja e tij në Kuvendin kombëtar të Vlorës, bashkë me atdhetarë të njohur, ku theksohet,” si delegatë të ri erdhën z. Mehmet Pashë Derralla, Isa Boletini, Ajdin Draga, Dervish bej Ipeku nga Kosova.” Memhmet Pashë Derralla, në mbledhjen e 3 dhjetorit 1912, do të zgjidhet ministër i Luftës në qeverinë e Ismail Qemalit, ku kontributi i tij në ngritjen e këtij Institucioni ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm. Mehmet Pashë Derralla, ka vdekur në vitin 1918, ndërsa në kujtesën e popullit ngeli si gjenerali i cili kur nuk u mposhtë nga armiku.

2. Vehbi Dibra ka lindur, në Dibër të Madhe, më 12 mars 1867, në një familje të shquar për traditat, atdhetare, fetare e kulturore. Vehbi Dibra pas mësimeve të para që i mbaron në vendlindje, vazhdon shkollimin e tij në Universitetin e Stambollit për teologji Islame. Gjatë studimeve të tij në Stamboll është njoftuar me atdhetarë të njohur si Sami Frashërin, Naim Frashërin, Murat Toptanin, Hamdi Ohrin, Shahin Kolonjën, etj. Falë kontributit të tij të jashtëzakonshëm në zhvillimet që ishin zhvilluar në trojet shqiptare të udhëhequra nga Lëvizja kombëtare shqiptare, bëri që Vehbi Dibra të ishte njëri ndër delegatët kryesor në Kuvendin kombëtar të Vlorës. Në dokumente të kohës theksohet ”dora e tij bashkë me dorën e Ismail Qemalit ngritën flamurin e independencës, në Vlorë.” Në mbledhjen e 4 dhjetorit 1912, Vehbi Dibra zgjidhet Kryetar i Senatit shqiptar, qeveria shqiptare e ngarkon me detyrën e krijimit të Komunitetit Mysliman shqiptar, duke e shkëputur atë nga kleri mysliman i Perandorisë Osmane, kryetar i të cilit Komunitet zgjidhet po Vehbi Dibra. Vehbi Dibra ka vdekur më 24 mars 1937, në qytetin e Tiranës.

3. Sherif Dibra ka lindur, në Dibër të Madhe, në vitin 1877. Rrjedh nga një familje atdhetare, gjyshi i tij, Selim bej Rusi, ka qenë i inkuadruar herët në Lëvizjen kombëtare. Sherif Dibra pasi mbaron arsimimin në medresenë e Dibrës, vazhdon studimet në Manastir, për të vijuar në Stamboll, ku ka studiuar për teologjinë islame. Gjatë studimeve të tij në Manastir, ka bashkëpunuar me Hamdi Ohrin, Zyhdi bej Ohërin dhe Hajdar Blloshmin. Zgjidhet delegatë i Dibrës në Kuvendin kombëtar të Vlorës, ndërsa në maj të vitit 1913, nga qeveria e Ismail Qemalit, ngarkohet me organizimin e rezistencës kundër forcave pushtuese serbe për krahinën e Dibrës. Në periudhën e viteve 1938 – 1941, ka qenë Kryetar i këshillit të ulemave në Shkup, ku pas kërcënimeve me të cilat do të përballet, detyrohet të largohet drejt Tiranës, ku do të zgjidhet Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Ka vdekur më 9 mars 1956.

4. Zyhdi Ohëri, ka lindur, në Ohër në vitin 1870, në një familje të njohur atdhetare. Pas përfundimit të shkollimit në vendlindje, ka vazhduar studimet e tija në Stamboll. Ka qenë bashkëpunëtor i afërt i Ibrahim Temos, Dervish Himës dhe Murat Sojlliut. Zyhdi Bej Dibra, në nëntor 1912 është zgjedhur delegatë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Fillimisht qeveria e Isamil Qemalit e emron si këshilltar pranë Vehbi Dibrës, ndërsa më vonë ngarkohet me detyrën për të ndihmuar organizimin e administratës të qytetit të Elbasanit. Kontributin e tij, Zyhdi Ohëri e ka dhënë në organizime të ndryshme që janë organizuar nga Lëvizja kombëtare edhe pas shpalljes së pavarësisë, ka qenë njëri ndër pjesëmarrësit kryesor në Kuvendin e Lushnjës, në vitin 1920. Zyhdi Ohëri ka vdekur në vitin 1931, në Turqi.

5. Dr. Myrteza Ali Struga, ka lindur në Dibër, në vitin 1878, shkollën fillore dhe të mesme i ka mbaruar në qytetin e Strugës, ndërsa studimet e larta i vazhdon në Stamboll. Pas mbarimit të studimeve kthehet në qytetin e Strugës, në të cilin qytet ka punuar si mjekë. Në nëntor 1912 ka marrë pjesë në Kuvendin kombëtar të Vlorës. Pas shpalljes së pavarësisë, si një atdhetar i dalluar, nuk është pajtuar me ripushtimin e trojeve shqiptare nga ushtritë serbe. Do të bashkohet me forcat atdhetare shqiptare, në luftë kundër forcave serbe, duke mos kursyer edhe mjetet financiare që i ka dhënë në ndihmë të kryengritësve. Ka marrë pjesë në Kuvendin e Lushnjës, në vitin 1920, si delegatë i Strugës dhe Ohërit. Dr. Myrteza Ali Struga, nga qyteti i Strugës, do të vendoset në Peshkopi, ku prej atje do të vendoset në qytetin e Lezhës, ndërsa në vitin 1935 do transferohet në qytetin e Tiranës, ku pas një sëmundje të rëndë ka vdekur në mars 1937.

6. Nuri Sojlliu, ka lindur në Strugë, në vitin 1872, në një familje me tradita të lashta atdhetare. Pas përfundimit të mësimeve fillestare, ka vazhduar shkollimin e mesëm për financa në Stamboll. Si i ri Nuri Sojlliu, është përfshirë në aktivitetet që i ka organizuar Lëvizja kombëtare. Ka bashkëpunuar me atdhetarë si: Dervish Himën, Ibrahim Temon, Hamdi Ohërin e Nexhip Dragën. Ka qenë njëri ndër themeluesit e Klubit “Bashkimi”, në qytetin e Strugës, njëkohësisht ka qenë edhe sekretar i atij Klubi. Ka qenë pjesëmarrës në Kuvendin kombëtar të Vlorës, më 28 nëntor 1912, si delegatë i Strugës. Ka vdekur në Strugë në vitin 1940.

7. Hamdi bej Ohëri, ka lindur në Ohër, më 4 shkurt 1872. Pas mësimeve të para që i ka mbaruar në vendlindje, ka kryer Akademinë ushtarake në Stamboll. Si nip i Ilias Pashë Dibrës, do të afrohet e do të bashkëpunon me atdhetarë të shquar si Naim Frashërin, Ibrahim Temon e Dervish Himën. Në Stamboll, është njohur si “nxënësi i përkëdhelur i Naim Frashërit.” Për shkak të aktivitetit të tij, do të dënohet disa herë nga autoritetet Osmane. Fillimisht është dënuar me 5 vite burg, ndërsa më vonë ndaj tij, shqiptohet edhe dënim me vdekje. Në Kuvendin kombëtar të Vlorës, ka qenë përfaqësues i Ohrit dhe Strugës. Ka vdekur më 24 nëntor 1938, në Tiranë.

8. Mustafa Baruti, ka lindur në Starovë, në vitin 1896. Pas përfundimit të mësimeve të para në vendlindje, ka vazhduar arsimimin e mesëm në Shkup. Ka qenë njëri ndër anëtarët e Klubit “Bashkimi”, të Manastirit. Ka bashkëpunuar me atdhetarë të njohur si Hamdi Ohërin, Hajdar Blloshmin, Murat Sojllin dhe Fehim Zavalanin. Në vitin 1912 me kërkesë të Hasan Prishtinës, ka organizuar kryengritjen në malësinë e Kurbinit. Ka marrë pjesë në Kuvendin kombëtar të Vlorës, si delegatë i Starovës dhe Ohërit. Edhe pas shpalljes së pavarësisë, ai ka vazhduar aktivitetet për çështjen kombëtare, duke marrë pjesë në Luftën e Vlorës dhe në shumë organizime e aktivitete të organizuara nga Lëvizja kombëtare.

9. Dervish Hima emri i vërtetë i të cilit është Ibrahim Mehmet Naxhi, ka lindur në Ohër, në vitin 1872. Mësimet e para i ka mbaruar në qytetin e lindjes, për të vazhduar me arsimimin e tij në qytetin e Selanikut, ndërsa në Stamboll ka mbaruar shkollën e mesme ushtarake dhe studimet e larta në “Gjylhane”, për mjekësi ushtarake. Dervish Hima si atdhetar i njohur ka kontribuar edhe në zhvillimin e arsimit e kulturës, ka botuar disa gazeta, e një numër të madh të shkrimeve në shtypin e asaj kohe. Ka marrë pjesë në disa prej Kongreseve më të rëndësishëm që i ka organizuar Lëvizja kombëtare. Dervish Hima ka qenë bashkëpunëtor i afërt me Ibrahim Temon, Hoxhë Kadriun, Murat Toptanin, Hamdi Ohërin, Ismail Qemalin e Hasan Prishtinën. Në nëntor 1912, është zgjedhur delegatë i Ohërit, në Kuvendin kombëtar të Vlorës. Aktivitetet e tija Dervish Hima në mbrojtjeje të shtetit shqiptar i ka vijuar me të gjithë kapacitetin e tij, deri në momentet e fundit të jetës së tij. Ka vdekur më 21 maj 1928, në Tiranë.
***
Pjesëmarrja e delegatëve nga të gjitha trojet shqiptare në Kuvendin e Vlorës, ka qenë një fitore e përbashkët e gjithë popullit shqiptar, për të gjitha forcat që kishin luftuar me pushkë e me penë për çlirimin kombëtar. Shpallja e pavarësisë është një fitore e madhe në luftën kundër sundimit osman dhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e Shqipërisë.
– Autori është Magjistër i Historisë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura