Vjenë, 14 dhjetor 2017: (8 – 10 dhjetor 2017, Zagreb) – Organizuar nga Ministria e Diasporës dhe mbështetur nga trupi i mësuesve shqiptarë në Kroaci, shoqata e veprimtarë shqiptarë, u mbajt seminar ku morën pjesë mësues nga Austria, Greqia, Italia, Kroacia, Sllovenia, Gjermania dhe Zvicra. Punimet e seminarit u mbajtën në hotelin Phoenix në Velika Goricë, periferia e Zagrebit. Moderimi i programit shqip dhe kroatisht u bë nga mësuesi Mendu Imeri i shoqëruar nga znj.Leonoara Zenuni.
I pranishëm ishte dhe zëvendësministri në Ministrinë e Diasporës, Faruk Nura, i cili në fjalën e tij përshëndetëse mes tjerash tha: “Ministria e Diasporës ka një mesazh shumë konkret për ju, projekt – programet që organizoni me qëllim të ngritjen e vetëdijesimit rreth kulturës e gjuhës shqipe, ne do i mbështesim. Republika e Kosovës funksionon si shtet dhe ne do funksionojmë me një logjikë shtetërore.” Nga kjo ministri si organizatore ishte i pranishëm dhe drejtuesi i dikasterit për mësimin plotësues Ymer Avdiu, hartuesi dhe koordinatori në përpilimin e realizimin e programit të seminarit. Nga Ministria e Arsimit të Kosovës përshëndeti Nuhi Gashi. “Është e dhembshme që sot nga 50 % e shqiptarëve që jetojnë në diasporë të kemi vetëm diku rreth 1,5 % të fëmijëve të moshës së arsimit të detyrueshëm që ndjekin mësimin shqip. Modeli më i mirë në përkujdesjen kulturore e arsimore është shkolla.” Nga ambasada e Shqipërisë në Kroaci përshëndeti Ilir Qorrri: “Jam i nderuar që gjendem në mesin tuaj sepse kauza e juaja, njëra nga më e rëndësishme, gjuha shqipe të transmetohet brez pas brezi, ky është edhe qëllimi ynë i përbashkët. Me marrëveshjet e fundit mes dy shtet tona do mbështet më fuqishëm mësimi shqip në diasporë” Ifete Çeku, sekretare, përshëndeti në emër të Ambasadës së Kosovës në Kroaci: “Kam filluar karrierën time me mësuesinë dhe më lejoni të ju uroj nga zemra për përkushtimin tuaj, punën tuaj fisnike që bëni për ruajtjen e gjuhës amtare. Isha mësuese në periudhën e pushtimin të Kosovës nga pushteti kriminal serb i drejtuar nga krimineli Slobodan Millosheviqi, Dhe, vetëm ai që e ka ndier në lëkurën e vet përvojën e mësuesit në këto rrethana, e di se sa i rëndësishme është për një komb të mësuarit e gjuhës amtare”.
Seminari u cilësua nën patronatin e deputetes shqiptare në parlamentin e Kroacisë, Nermina Lekaj Përlaskaj e cila i përshëndeti pjesëmarrësit duku u dëshiruar sukës seminarit. “Ne folëm, sa e vlefshme është mësimi i gjuhës sonë me të cilën ne do ruajmë identitetin, traditën dhe kulturën tonë. Në takim me një deputet në parlamentin europian para disa ditësh, sugjerimi i tij ishte që t’i ruajmë vlerat madhështore, gjuhët e popujve të vegjël nga zhdukja. E përgëzova për mësimin e tij, por e pyeta: “Ku është përkujtesa ndaj çamëve në Greqi, gjuhës e kulturë së tyre si banorë autokton, pasi ai foli për vlera evropiane dhe përmendi atë vend. Ai nuk pati përgjigje”. Në hapje përshëndetën mësuesit; Hazir Mehmeti nga Austria, Vera Xhafa Haliti nga Sllovenia, Mustaf Krasniqi nga Gjermania, Merita Hida Ymeri nga Greqia, Hamzë Morina nga Zvicra, Rajmonda Popaj nga Italia, Florina Lumezi. nga Kroacia. Esat Qollaku, kryetar i Unioneve: “Ledhatimi i gjuhës shqipe na bënë krenar që jemi shqiptari, mësuesit janë më meritorët në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës sonë”. Nadica Zuzan, zëvendës kryetare e bashkisë (zhupan) së Zagrebit: “Në emër të Bashkisë së Zagrebit dhe emrin tim përzemërsisht i përshëndes mësuesit dhe zyrtarët e pranishëm. Uroj organizatoret që kanë zgjedhur Zagrebin si vend i seminarit ku jetojnë rreth tetëdhjetë mijë shqiptarë.” Prof.Dr. Maksimiliana Baranqiq, studiuese dhe veprimtare nga Zara e cila foli në gjuhën arbëreshe mes tjerash tha: “Zemra ime sonte është e plotë dhe është me ju.” Kryetari i Këshillit Shqiptar të Prefekturë së Zagrebit, Adem Zenuni: “Me vjen mirë që jemi mbledhur këtu në rrethin tonë ku kemi nevojë për mbështetje të mësimit shqip dhe aktivitetet tona kulturore.” Selim Mulliqi nga Trieshta.”Ju mësues jeni kalorës të shkronjave shqipe nëpër Evropë për të ruajtur identitetin dhe gjuhën shqipe. Ky rrugëtim i juaj do jetë i shënuar si detyrë e shenjtë shekujve.” Viktor Ramaja, nga Istra: “Nga Istra përshëndetje për ju që bëni shumë për gjuhën e bukur shqipe” Seminaristët i përshëndeti gjithashtu Snjezana Ruklic, nga shkolla fillore “Eugena Bumcic” në Velika Gorica.
Në pjesën kulturore, nxënësit shqiptar Anesa, Enisi, Kristi, Edisoni recituan vjersha të përgatitur nga mësuesja nikoqire, Melita Oreshkoviq. Ndërsa nga nxënësit e shkollës fillore “Eugena Bumcic” u dha një program artistik i bukur me motive nga të Turopoljes dhe nga Prigorja Shoqata Kulturore Duçeci. Aktori Leonard .Hamitaj doli me monologun e njohur “Plisi” i cili u prit me duartrokitje.
Në seancën e ditës së dytë me kumtesat e tij u paraqit Ymer Avdiu:”Rëndësia e shoqatave-këshillave të mësuesve dhe e bashkëpunimit rajonal për organizimin e mësimit plotësues në diasporë. Seminaret rajonale, përkundër vështirësive në organizimin e tyre, kanë rol me vlerë në këmbimin e përvojave, njohjeve dhe hulumtimit të mundësive në ngritjen e cilësisë së mësimit plotësues në diasporë. Ministria e Diasporës do përkrah fuqishëm projektet konkrete.
Nga vendoret, Nada Zidar-Bogadi, këshilltare dhe eksperte në Sektorin për pakicat në Ministrinë e Arsimit të Kroacisë mbajti ”Rregullativat e mësimit në gjuhën e pakicave në Kroaci”. Ajo shpjegoi si funksionon sistemi shkollor në Kroaci me theks gjuha e pakicave kombëtare. Organizimi ligjor sipas modeleve A, B dhe C ishte interesant dhe shembull edhe për vendet tjera. Prof. Andrija Kuric, këshilltar për mësimin e gjuhës sllovake (Osijek) doli me kumtesën e tij: ”Sllovakët dhe mësimi i gjuhës sllovake sipas modelit C” Ishte një temë me dobi të pasurimit të përvojës në angazhim se si duhet përpjekur për realizimin e kërkesave të komunitetit që përfaqëson.Prof.dr. Maksimiliana Barancic mbajti kumtesën prej praktikës së saj mësimore në mësimdhënien e arbërishtes në Zarë. ”Ora mësimore në gjuhën arbëreshe”. Ajo është autore e tekstit të rrallë sot “Teksti i të folurit arbërisht, arbërishte – kroatisht dhe kroatisht – arbërisht” Nuhi Gashi: “Formati ndërkulturor i orës mësimore. Deri te kompetencat përmes komplemenitaritetit didaktik/kurrikular” Një temë e gjerë në konceptin organizativ didaktik e pedagogjik, jo vetëm njëorëshe e cila u analizua në grupe pune. Vera Xhafa Haliti (Slo): ”Përvoja me vështirësitë e ambientimit të nxënësve dhe prindërve nga Kosova dhe Maqedonia në shkollat sllovene dhe shoqërinë sllovene”. Një temë nga realiteti i rrethit ku ajo jeton, me theks në kundërthëniet kulturore dhe niveli arsimor i prindërve të nxënësve në përgjithësi dhe problemet konkrete në veçanti. Nga Tirana u paraqit Blerta Avdia me kumtesën “Kur legjendat thërrasin në tokën mëmë”. Një temë përmbajtjesore në kontekstin mësimor, edukativ e kulturor. Hazir Mehmeti, mbajti temën nga praktika mësimore. “Përgatitja për orë mësimore heterogjene”. Pothuaj të gjitha klasat mësimore në diasporë janë heterogjene ku gravitojnë nxënës nga klasa e parë deri në të nëntën, andaj përgatitja dhe organizimi i orës mësimore do përgatitje të lartë nga ana e mësuesit. Miradije Berishaj mbajti kumtesën:”Roli i ekskursioneve mësimore njohëse në atdhe në ruajtjen e identiteti dhe lidhjen me atdheun e të parëve”. Një temë e ilustruar. Mësueset nga Greqia, Merita Hida-Ymeri dhe Eva Paloka paraqiten me temën nga ora praktike e mësimit, “Metodologji të mësimdhënies dhe teoritë e të nxënit. Orë e xhiruar, ndërthurja e roleve mësues nxënës” Një temë e kapshme nga praktika e begatë mësimore në rrethana specifike të klasës heterogjene. Për seminaristët ishte siguruar vizita në muzeun etnografik në Turopolje dhe koncerti festiv i Ditës së Kordinimit të Pakcave Etnike në Kroaci. Aty ishin të prezantuar dhe shqiptarët në zhanrin e muzikës klasike me dy këngë me motive arbëreshe nga Kalabria.
Ishte një seminar me vlerë, i organizuar në një ambient mikpritës. Mjerisht disa nga të lajmëruarit nuk morën pjesë edhe pse ishin pjesë e programit dhe rezervimeve nga organizatori. Na duhet të mësohemi ca, huqet e tekat personale të mos i bëjmë të dëmshme për organizimi tonë me aq sakrifica. Një e metë e madhe e të gjitha seminareve rajonale dhe atij vjetor në vendlindje që kumtesave nga praktika mësimore u jepet kohë e shkurtër dhe ç ’vlerësuese nga planifikuesit, kur dihet se ato janë brumi i asaj për çka thirret seminari.