Zylfi Tola vjen para nesh me një libër për veten dhe shokët e tij

Zylfi Tola vjen para nesh me një libër për veten dhe shokët e tij

Zylfi Tola vjen para nesh me një libër për veten dhe shokët e tij, ashtu siç vetëm ai mund të vijë!

Nga Vera Istrefaj

Pak ditë më parë u promovua libri “Rrugëtim mes sfidash” i autorit dhe publicistit të njohur, Zylfi Tola. Ky libër është shkruar nga autori si ekstrakt i ngjarjeve, përjetimeve, kujtimeve dhe perceptimeve gjatë shtatë dekadave të jetës së tij.

Nisin ato që nga vegjëlia, mosha shkollore kur shkonte bari me dele, vargëzohen njëra pas tjetrës ngjarjet deri në vitin 2017, duke ardhur si një lum i qetë e i thellë ngjarjesh, ndjenjash, vlerësimesh e kujtimesh, të cilat përjetësojnë gjithçka në kujtesën njerëzore.

Ky lum vjen sa natyrshëm, aq dhe mistik, gjithmonë rrjedhës së tij, ashtu si dhe Zylfiu  mes shokëve,  i  veçantë e i zakonshëm njëherësh.

Mbi të gjitha, libri “fle” si një foshnje plot jetë,  aty  ku ka nisur udhëtimin  djaloshi,  nga Buzëmadhja. Ngjarjet e rrëfimeve nuk kanë kronologji, janë hedhur në botim siç i ka pëlqyer Zylfiut, pa drojën nga “këshilla/orientime redaktori”. Përzgjedhja është bërë me një merak “zejtari” për çdo ngjarje e kujtim, duke ndërtuar edhe një folezë për rrëfenjëzat. 

“ Vocërraku” i fshatit të largët rend lëndinave të jetës, sfidave të saj, të cilat furishëm endësojnë faqet e librit. Heronjtë dhe perzonazhet e librit janë shokët e fëmijërisë, barinjtë e vegjël në stanet ku ruanin delet, nën rigën e shiut, veshur me mantelin e dëbortë, rrethuar nga ujqër e gjarpërinj.

Aq natyrshëm, fëmijëror e analitik njëherësh vjen rrëfimi i Zylfiut për ngjarjen kur gjarpëri u ka hyrë në anxhajkun (strajcën/torbën) e bukës dhe ata kanë mbetur të uritur. Përdorimi i fjalëve sipas të folurës krahinore është një pasuri e vërtetë, jo vetëm për lemin artistik, por edhe për lëmin studimor. Pazgjishmërisht vjen rrëfimi i tij mes vetes dhe shokëve.

Në çdo tregim apo rrëfenjëz shpalos diçka të veçantë, një nyje, një lidhëz jo të zakoshme. Episodet, të rrëfyerit me zigzake, sjellin të qeshura, ashtu si është Zylfiu në përditshmëri, me shpirt e zemër gazmore, plot inteligjencë e humor. Tregimet e tij të shkurtra i ka spërkatur me humor origjinal, duke i bërë kaq specifike.  Perzonazhet janë reale, të të gjitha profesioneve: titullarë shteti, lektorë, pleq shpatullkërrusur me mantel nostalgjie, sportistë, gazetarë, malësorë të thjeshtë.  

Mes tyre ka dhe burra me emër si Tahir Zeneli, Molla Jashari, Xheladin Hakiku, përkatësisht nga Kalisi, Grykë-Caja dhe Arrni. Shumë të tjerë janë si gurë xhevahiri mes faqeve të librit.  Zylfiu ka njohur nga afër edhe titullarë shteti, të cilët  kanë punuar në Kukës, kuadro me emër si Shaban Sula, Latif Shehu, Tahir Minxhozi, Lefter Goga, Sulemajn Bushati, Islam Subashi, Ali Doci,  Nexhip Visha,  Mehmet Cenaj,  Selim Shehu, Rakip Balla, Xhavit Lashi, Muharrem Mezini, Nikollë Brozi.

Punoi me ta në kohë të vështira, por kohë që kërkonin kurajo.  Ishin burra, fjala e të cilëve kishte peshë mendimi.  Detyrat e ndryshme shoqërore që ka kryer Zylfiu kanë mundësuar njohjen e bashkëpunimin e afërt me këta njerëz dhe padyshim, kanë lënë ndikimin e tyre mbresor. Mësimdhënia fillestare në çajën pranë Korabit madhështor, skaliti karakterin e Zylfiut. Sfida më vete kanë qenë ato që ka kaluar si gazetar e drejtues sporti, duke “imponuar suksesshëm” nevojën e përkushtimin në shkeljen e shumë zonave në terren të të gjithë rajonit Kukës, Has, Fan etj. 

Shoqëruesi dhe zëdhënësi i sportistëve në çdo cep të Shqipërisë, bart mbi vete kujtime, ndjesi, informacion për futbollin, mundjen, qitjen, spartakiadat sportive.

Është “atleti shpirtëror“ që ka realizuar ecjen e tij të “zylfiniane” në bulevardet e Parisit, Brukselit, Sarajevës, Stambollit, Romës, Milanos, Shkupit, Tetovës etj. Rituali i  kafesë në Amsterdam me djaloshin që kishte origjinë arbëreshe është përshkruar në një tregim të shkurtër.

Në tregimet e Zylfiut vallëzojnë vajzat fustanshkurtra te kulla EIFEL, lartësojnë hijshëm malet e Plovdivit në Bullgari, është përjetësuar Hasija shamibukur që shpalos fisnikërinë e saj në Stamboll.

Ngjarjet vërshojnë sfidave në Peshkopi, në Çorovodë spikat gjyqtari  Ekrem dhe si qershi mbi tortë  përshkruan arrestimin në Hotel “Peza” Tiranë për kampionin e mundjes Lufti Mecka, të cilin  e puthën vajzat e “Partizanit”

Duke shfletuar faqe për faqe librin, njëfrymshëm shpalosen plot 250 ngjarje. 

Një vend të rëndësishëm në libër zë përshkrimi i vendjlindjes së autorit, pikërisht katundi Buzëmadhe.

Peisazhet natyrore ku dominojnë malet, stanet, lumi që zbret nga bjeshkët, dëllinjat, tufa e deleve rudë, qingjat, arat me patate e fasule, boronicat, paraqiten magjishëm. Kujtimet për rrezimin dhe “vdekjen” e kalit, kur ujku i ka “prerë” delet në prezencë të tij, kur xhamadanin (mitanin) ia ka vjedhur dhelpra, vërshojnë së bashku me kujtimet për  malësorët e vendlindjes, që janë të shumtë, nga  çdo familje.  I përmend me mall e shumë prej tyre i cilëson për besën, mbajtjen e fjalës dhe trimërinë. Këto tregime i bëjnë edhe më interesante fotografitë e shumta

 Një tablo e realizuar me penelata të zëshme paraqitet rrugëtimi i Zylfiut mes sfidave.   Libri përmbyllet me epilogun për Hasijen, të cilën e ka përcjellë në përjetësi. Kujtimet e jetës 57-vjeçare bashkëshortore përkulen me dhimbje e nderim para vendimmarjes së saj për të jetuar në male, në Buzëmadhen e largët krah Zylfit përjetësisht djaloshar.

Këto kujtime vijnë si elegji malli e dhimbjeje dhe qëndrojnë krenarisht në qënien e Zylfiut. Aq bukur përshkruan Zylfiu kohët, ngjarjet, personazhet dhe përjetimet, sa të duken se kanë ndodhur vetëm dje dhe jo në një kohë të largët.

Lexuesi i zellshëm, nëse ka fatin të zotërojë dhe njohjen e Zylfiut, do të përjetojë një udhëtim fantastik jetësor, të cilin e bëjnë edhe më tërheqës kapërcimet e sfidave.

Duke i uruar Zylfi Tolës vetëm suksese,

Vera Istrefaj

Kryetare e Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve-Dega Kukës

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura