DR.MOIKOM ZEQO: TAKIMI I PAHARRUAR ME TOR HEJERDALLIN

Tiranë, 8 shkurt 2018: “Ju shqiptarët keni një pasuri arkeologjike të shkëlqyer, keni traditë kulturore. Mos e humbni shpresën. Unë besoj te e ardhmja e Shqipërisë”. – Tor Hejerdall (Thor Heyerdahl, 1914 – 2002)
Në Janar të këtij viti „National Geographic“ e Washington D.C. njoftoi se më 10 prill 1997 do të vinte në Amerikë shkencëtari dhe udhëtari i famshëm norvegjez Tor Hajerdall për një bisedë me rastin e 50-vjetorit të lundrimit me anijen prej papirusi të njohur me emrin „Kon Tiki“ në oqeanet midis kontinenteve, për të vërtetuar tezën se shumë më përpara se Kristofor Kolombi e Magelani, dhe me mjete primitive lundrimi, ka pasur lidhje midis kontinentit Amerikan, Afrikës, Azisë e bile Australisë.
Në prill 1947, kur Tor Hajerdalli qe 33 vjeç, nisi udhëtimin e tij me një guxim të pabesueshëm e triumfues. Ai e vërtetoi tezën e tij.

Ai botoi libra të jashtëzakonshëm që janë edhe të një shkencëtari të madh, po edhe të një shkrimtari të madh. Librat e tij janë përkthyer në 66 gjuhë të botës.
Një skulpturë gjigande nga ishulli i Pashkëve Hajerdalli e ka sjellur edhe në Washington D.C.
Lavdia e tij është në zenit.
Pavarësisht nga mosha prej patriarku prej 83 vitesh, Hajerdalli është i gjallë, veprues, kërkimtar i paepur. Norvegjia e ka shpallur hero, shumë akademi shkencore e universitete nga tërë bota e kanë bërë anëtar të tyre „Honoris causa“.
Para një viti Tor Hajerdalli me një kuriozitet të habitshëm erdhi të vizitonte Shqipërinë.
Në një mbrëmje në Durrës ime shoqe Lida, mbasi e kishte shoqëruar në Muzeun arkeologjik , dhe vajza ime Arnisa u takuan e ndenjën me Tor Hajerdallin e dolën në fotografi.
Arnisa i dhuroi librin e saj të parë poetik të porsabotuar. Arnisa është me fat: tani ka korrespondencë me Hajerdallin.
Vetëkuptohet që takimin me Hajerdallin në Washington D.C e prisnim me emocion të madh.
Interesi për ardhjen e Hajerdallit qe i jashtëzakonshëm – që prej dy muajsh qenë shitur biletat për të marrë pjesë në veprimtarinë e tij.
Në takim kishte shkencëtarë, personalitete të kulturës, studentë.
Tor Hajerdalli foli mbas shfaqjes së filmit kushtuar lundrimit legjendar me “Kon Tikin” ku ai cilësohej si një Odise modern i shekullit XX.
Ligjërata e Hajerdallit qe intelektualisht mbresëlënëse, plot ide të mëdha, humor njerëzor dhe modesti të vetëkuptueshme.
Ai paraqiti zbulimet e tij me anë të diapozitivave. Vuri në dukje se koncepti i piramidave si në Egjipt, në Babiloni etj. është i njëjtë me ato të zbuluara në Peru, në Guatemalë e tani së fundi edhe në Spanjë, e bile në Sardenja, çka tregon një komunikim ndërkontinental të këtij koncepti ndërtimor kultik.
Nuk është e rastësishme lindja e shkrimit në kontinentin amerikan që në shekullin e 12 para erës sonë, dhe në Evropë e Azi në shekullin e 16 para erës sonë, ose sistemi astronomik i njëjtë, ose skulpturat megalitike të përafërta.
“Planeti ynë është i vogël” – tha Hajerdalli.
Ai ka shkruar një libër të ri ku tregon se Amerika është zbuluar shumë shekuj më parë se nga Kolombi, nga fenikasit, vikingët – dihet që në Amerikë janë zbuluar gurë me shkrimin fenikas.
“Ky planet është shtëpia e vetme e popujve që janë vëllezër” – tha Hajerdalli. “Është një kulturë unike antropologjike me dallime të pjesshme, që nuk mohojnë të tërën”.
Mbas bisedës u takuam me Tor Hajerdallin.
Ai u kujtua në çast për takimin në Durrës me Lidën e Arnisën.
Unë e takoja për herë të parë.
– Jam një shkrimtar dhe arkeolog nga Shqipëria e vogël me tragjedi të mëdha, -i thashë.
Librat e tu të përkthyer në vendin tim kanë qenë tepër frymëzues për mua, për të bërë kërkime arkeologjike nën det e për t’i pasqyruar ato në pesë filma shkencorë – dokumentarë televizivë.
Ju lutem, ejani përsëri në Shqipëri – në Jug të Karaburunit, në Jon është Gjiri i Gramatës, me mijra mbishkrime e vizatime figurash njerëzore, stemash anijesh, amforash të skalitura në shkëmbej.
– “E di, e di, ma ktheu duke qeshur ngrohtësisht Hajerdalli.
Unë e di shumë mirë se Shqipëria ka një interes të madh për shkencën.
Ju shqiptarët keni një pasuri arkeologjike të shkëlqyer, keni traditë kulturore.
Mos e humbni shpresën.
Unë besoj te e ardhmja e Shqipërisë!“
I miri dhe i mrekullueshmi Hajerdall!
Padyshim që ai ishte në dijeni nga lajmet e mediave elektronike dhe shtypi botëror për situatën e llahtarshme të Shqipërisë.
Ndërsa shumë të tjerë janë nxituar t’i quajnë shqiptarët si njerëz “barbarë”, “primitivë”, “të pa kulturë”, Hajerdalli shprehet me dashuri e siguri të patundur, madje më jepte zemër edhe mua.
Mbasi na dha disa dedikasa në librat që mbanim në duar e dolëm në fotografi, u ndamë të mallëngjyer nga Hajerdalli, nga ky patriark madhështor, një nga më legjendarët e planetit që me dëshirën e tij e kish parë edhe Shqipërinë.
Në çastin e fundit të ndarjes unë e pyeta, se a do të vinte përsëri në Shqipëri.
Tor Hajerdalli më dëgjoi serioz, pastaj i ndritën sytë e duke tundur dorën e djathtë më tha me zërin e tij kaq intim për ne:
– Shpresoj të vij përsëri në Shqipëri! Mirupafshim!
– Mirëardhsh!
Washington D.C.
12 prill 199

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura