MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA – DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (75)

Pashtriku, 26 shtator 2020: 8.1.15 Pjesë nga artikulli “Populli shqiptar në Jugosllavi asnjëherë nuk vendosi për fatin e tij”, botuar te “Liria”
“…Çështja e kufijve të Shqipërisë u shtrua edhe me 1919 në Konferencën e Paqes në Paris ( “Paqja e Versajës “), e cila filloi punimet më 18 janar të atij viti. Kjo konferencë ne vend që t’i rishikonte vendimet e padrejta të konferencave dhe traktateve të mëparshme, rikonfirmoi ato, bile edhe mori vendime për një copëtim të ri të Shqipërisë. Planet djallëzore të Konferencës së Paqes për copëtimin e Atdheut tonë i hodhi poshtë populli shqiptar nëpërmjet Kongresit të Lushnjës të vitit 1920. Ky kongres shpallte se shqiptarët ishin të gatshëm të bënin të gjitha sakrificat dhe të derdhnin edhe pikën e fundit të gjakut kundër çdo vendimi që vinte në rrezik tërësinë tokësore dhe pavarësinë e atdheut. Më tutje ky kongres shpallte se ‘shqiptarët dinë të vdesin për të mos shkuar nga njëra dorë te tjetra’ si tufë delesh e të bëhen plaçkë e atyre që drejtojnë sot diplomacinë e Evropës.’ Megjithëkëtë, në një konferencë të mëvonshme të ambasadorëve të organizuar nga fuqitë imperialiste, në vitin 1921, u mor edhe një vendim që i shkëpuste Atdheut një pjesë të krahinës së Lumës, Hasit dhe Gollobordës. Në një protestë të kohës thuhej: ‘Mjerisht, po bahet e treta here që thika e ftohtë e diplomacisë po pret në mish të gjallë të atdheut tonë e që po na këputen vise të çmueshme, të cilat, nga çdo pikëpamje që të vështrohen, nuk mund t’i mohohen kurrsesi Shqipnisë, kështu që të ndamit e tyre prej trupit të saj formon patjetër një padrejtësi të hapët‘.
Edhe më vonë politika pushtuese e qarqeve shoviniste të Serbisë ndaj Shqipërisë nuk pushoi asnjëherë. Është i njohur intervenimi jugosllav i vitit 1924, për përmbysjen e qeverisë demokratike të Fan Nolit dhe kthimin në pushtet të satrapit Ahmet Zogu. ‘Kthesa kundërrevolucionare e Ahmet Zogut në Shqipëri, shkruante asokohe Gjegj Dimitrov, e kryer me ndihmën e Jugosllavisë dhe me forcat e saj të armatosura, zgjeroi frontin e reaksionit ballkanik deri në Detin Adriatik …’
…Kjo gjendje, para së gjithash, ishte pasojë e politikës shtypëse dhe shfrytëzuese të borgjezisë serbe-malazeze. Duke bërë plane të poshtra jo vetëm për shfrytëzimin e tyre, por edhe për asimilimin dhe dëbimin e popullit shqiptar, Nikolla Pashiqi planifikonte që për 20-30 vjet popullin shqiptar ta asimilojë në pikëpamje kulturore e kombëtare. Sipas tij, ‘shkrirja e këtyre viseve në Serbi duhej të kryhej në mënyrë të plotë siç janë shkrirë pas 1878-s Nishi, Leskovci dhe Vranja’. Duke zbatuar planet e saj qeveria shoviniste jugosllave shpërnguli për Turqi dhe vende të tjera me qindra mijëra shqiptarë, e në vend të tyre solli kolonistë të elementit sllav.
Por, politika e këtillë shoviniste s’mbetet pa rezistencë e kundërshtim të organizuar të popullit shqiptar. Lufta e shqiptarëve duhej t’u shërbente qarqeve serbe si mësim ‘se janë vjetruar metodat e Miloshit të vitit 1883 dhe ato të Ristiçit të viteve 1878 -1879 për Maqedoninë dhe Kosovën’.
Ndërkohë, krahinat shqiptare në Mbretërinë jugosllave, ishin përfshirë prej kohësh nga veprimet dhe luftimet e çetave kryengritëse (komitëve), të cilat sulmonin njësi dhe reparte të ushtrisë e të policisë armike …
…Në kundërshtim me borgjezinë shoviniste serbe, e cila kishte aspirata të vazhdueshme dhe përpiqej me të gjitha forcat për të aneksuar sa më shumë territore shqiptare, Partia Socialdemokrate e Serbisë mbajti qëndrim afirmativ ndaj luftës së popullit shqiptar për liri dhe bashkim kombëtar. Udhëheqësi i kësaj partie, D. Tucoviç, ishte kundër aneksimit të Kosovës nga Serbia dhe e dënoi borgjezinë serbomadhe për ndërmarrjet pushtuese në krahinat shqiptare .
Edhe Partia Komuniste e Jugosllavisë, më vonë, mbajti gjithashtu qëndrim pozitiv ndaj të drejtës së popullit shqiptar në Jugosllavi për vetëvendosje. Në Konferencën e saj të 3 –të ajo dënoi borgjezinë serbe për ‘politikën pushtuese dhe koloniale në Maqedoni dhe kundër Shqipërisë’. Ajo kërkoi që ‘t’i njihet çdo populli e drejta e sovraniteti në caktimin e marrëdhënieve të veta, prandaj edhe e drejta e shkëputjes së lirë dhe e formimit të shteteve të tyre, respektivisht bashkimit me shtetet e tyre amë’. Nga ana tjetër, Kongresi i 4-t i PKJ–së, mes të tjerash, thërret klasën punëtore jugosllave që ‘ta ndihmojë nga të gjitha anët luftën e popullit shqiptar të copëtuar dhe të shtypur, për një Shqipëri të pavarur dhe të unjisuar (“Kosova“ 2, 1973)
‘Gjatë LNÇ-së, shqiptarët në Jugosllavi kanë pasur trajtim të njëjtë në çdo pikëpamje, e edhe sa i përket të drejtës për vetëvendosje, sikur të gjithë popujt e Jugosllavisë ‘( “Kosova“ 2, 1973 ).
Lidhur me çështjen e vetëvendosjes së kombeve, në një artikull programatik në gazetën “Proleter“ nr. 16, 1942, vetë Titua shkruante se ‘çështja e Maqedonisë, çështja e Kosovës dhe Metohisë, çështja e Malit të Zi, çështja e Serbisë, e Kroacisë, çështja e Sllovenisë, çështja e Bosnjës e Hercegovinës do të zgjidhen lehtë, duke i kënaqur të gjithë’
Gjatë luftës, duke folur për çështjen e vetëvendosjes së kombeve të veçanta pas çlirimit, Titua deklaron: ’Populli maqedonas ka të drejtë të vetëvendosë, madje edhe të shkëputet…Por, populli maqedonas, sovran në të drejtat e veta, ka të drejtë edhe të bashkohet në bashkësinë federative të popujve të tjerë …Në mënyrë të ngjashme duhet shtruar edh çështja e Kosovës dhe Metohisë “. (Letër e Titos dërguar V. Tempos, 1943) “
8.1.16 Pjesë nga letrat e hapura të Kadri Zekës drejtuar mërgatës
“Vëllezër dhe motra”: “ Tragjedia që po përjeton sot Kosova do të mbetet e paharruar në historinë e lavdishme shumëshekullore të popullit tonë… Kjo gjendje e mjeruar e Kosovës nuk është pasojë e mungesës së pasurive të saj natyrore e as e mungesës së krahut të vyeshëm të punës. Ajo është rrjedhim i drejtpërdrejtë i trajtimit kolonialist të Kosovë, diskriminimit që i bëhet asaj dhe ligjeve të xhunglës që sundojnë në Jugosllavi. Ajo disponon 64 për qind të rezervave të thëngjill-linjitit në Jugosllavi, 67 për qind të mineraleve të plumbit e të zinkut, 24 për qind të hekurnikelit. Ajo prodhon miliarda kilovatë energji elektrike e miliona tonë xehe të ndryshme. Kosova prodhon 93 për qind të të gjithë argjendit në Jugosllavi, e të mos flasim për fushat e gjera, për lumenjtë dhe malet e pasura të Kosovës…
…Politikën antishqiptare, titistët filluan ta venin në zbatim qysh gjatë Luftës së Dytë Botërore. Atëherë ata propagandonin nga njëra anë miqësinë dhe krijimin e frontit të përbashkët antifashist, kurse nga ana tjetër, në prapaskenë organizonin masakra të tmerrshme e masive. Brez pas brezi populli ynë do të kujtojë me urrejtje të papërmbajtur masakrën e Drenicës të vitit 1945, kur divizionet jugosllave e rrethuan zonën e çliruar të Drenicës dhe nën pretekstin e spastrimeve, masakruan mbi 30 mijë burra, gra e fëmijë shqiptarë. Në këtë rrugë të krimeve, ata zhdukën mbi 2000 shqiptarë të Mitrovicës, më se 1000 në Gjilan, si dhe organizuan vrasjen pas shpine të mijëra partizanëve kosovarë. Ata vetëm në Goricë të Triestes mbytën me gaze helmuese mbi 2000 djem shqiptarë nga Maqedonia. Revizionistët titistë janë përgjegjës për masakrën e Ulqinit e të Tivarit, ku në mënyrë më mizore u zhdukën njësi të tëra partizanësh kosovarë. Ata janë përgjegjës për zhdukjen e mijëra shqiptarëve në kampet e përqendrimit të Prishtinës, Mitrovicës, Preshevës, Tetovës, Shkupit etj. Vetëm gjatë vitit 1945, divizionet e ushtrisë jugosllave, të udhëhequra nga shtabi i PKJ-së, u sulën drejt tokave tona dhe vranë e prenë mbi 40 mijë shqiptarë. Populli ynë kurrë nuk do ta harrojë trishtimin e dimrit të vitit 1956, kur në të ashtuquajturin aksion famëkeq të armëve u vranë, u rrahën, u gjymtuan e u poshtëruan dhjetëra mijëra burra kosovarë. Vëllezërit e baballarët tanë ende lëngojnë nga plagët e këtij terrori të pashpirt. Populli ynë nuk do ta harrojë dhunën që ka ushtruar mbi të dekada me radhë UDB-ja fashiste e Rankoviqit. Revizionistët titistë dhe tradhtarët shqiptarë kanë përgjegjësi të madhe për arrestimet e burgosjet në masë, që viteve të fundit kanë shpërthyer si asnjëherë më parë…
Demonstrata e 11 marsit ishte paralajmërim i një furtune të madhe pezmi, që në zemrat e kosovarëve është grumbulluar dekada me radhë. Ajo u shoqërua me demonstrata të tjera të mëdha popullore si në Prishtinë ashtu edhe në qytete të tjera të Kosovës. Kulmi i revoltës popullore u shpreh në demonstratën e 26 marsit në Prishtinë, e cila më 1 dhe 2 prill u shndërrua në kryengritje popullore…
Sot populli ynë, i bashkuar si çdo herë në momentet e rëndësishme historike, njëzëri kërkon të drejtat e tij të ligjshme:
Republikën e Kosovës, me të gjitha tokat shqiptare në Jugosllavi;
Të drejtën e popullit tonë për vetëvendosje deri në shkëputje;
Lirimin pa kusht të të gjithë të burgosurve politikë shqiptarë dhe kthimin në Kosovë të burgosurve të tjerë;
Të mos plaçkiten pasuritë e Kosovës nga republikat jugosllave, por ato t’i shfrytëzojë Kosova për zhvillimin e përparimin e vet;
Të drejtën e kremtimit të festave kombëtare dhe të përdorimit të flamurit kombëtar nga të gjithë shqiptarët në Jugosllavi;
Kushte më të mira pune dhe jetese për nxënësit e studentët kosovarë, trajtimin e barabartë të tyre me studentët e universiteteve të tjera të Jugosllavisë;
Sigurimin e punës për të papunët dhe inkuadrimin e mërgimtarëve në vendlindje;
Lirinë e fjalës e të shtypit;
Pezullimin e vendimit për shtetrrethimin dhe orën policore në Kosovë;
Tërheqjen e të gjitha forcave policore e ushtarake të sjella nga jashtë;
Autorët e krimeve të shëmtuara të nxirren para gjyqit të popullit për të marrë dënimin e merituar.
Për këto kërkesa ka luftuar, lufton e do të luftojë populli ynë. Për to sot po derdhet gjaku si lumë dhe nuk ka forcë në botë që do ta ndalë hovin e luftës sonë të drejtë deri në realizimin e të gjitha aspiratave tona të ligjshme. Përderisa të mos realizohen të drejtat tona, populli ynë do ta vazhdojë edhe më me furi luftën. Ai do të përdorë të gjitha mjetet e format e luftës, që e gjen të nevojshme. Këto të drejta nuk i kërkojmë si dhuratë as si lëmoshë, por si të drejtat tona që na janë rrëmbyer e mohuar nga shovinistët jugosllavë…
Vëllezër e motra,
Sot e gjithë Kosova jonë e shtrenjtë është në rrethim, e shndërruar në llogore lufte. Me tankun dhe bajonetën e ushtarit pushtues, armiku po mundohet ta mbysë në gjak popullin tonë heroik, rininë tonë revolucionare. Çastet e vështira që po kalon atdheu ynë dhe rreziqet që i turrën atij, e bëjnë edhe më urgjent bashkimin e të gjithë shqiptarëve të ndershëm e patriotë. Pra, në këto momente të vështira, vetëm forca e unitetit tonë mund ta shpëtojë tokën mëmë nga kthetrat e përgjakshme të armiqve. “Liria” u bën thirrje të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen, të bashkojmë grushtet e zemrat tona në këtë luftë të shenjtë, që ta çojmë në vend amanetin e të parëve tanë…”. Kadri Zeka në një rast tjetër shkruante: “Të hutuar përballë qëndresës së pashoqe shqiptare, shovinistët e kanë humbur fare kokën dhe gjithë punën e kanë çuar në një qorrsokak nga i cili e kanë vështirë të dalin. Çdo masë që po ndërmarrin ata kundër shqiptarëve të revoltuar, në vend që ta qetësojë e frikësojë, po e pezmaton dhe po e trimëron edhe më shumë popullin tonë të robëruar. Tani edhe vetë jugosllavët janë bindur se, ose duhet t’ua plotësojnë të gjitha kërkesat shqiptarëve, ose do të detyrohen të mbajnë vazhdimisht në Kosovë në gjendje gatishmërie policinë dhe ushtrinë e shumtë jugosllave. Mirëpo tërbimi ua ka errur sytë dhe ata sot nuk po janë në gjendje të zbatojnë mjetet e urtisë dhe gjakftohtësisë së domosdoshme, por vetëm forcën e armës dhe të demagogjisë…Të gjithë ata njerëz të mashtruar e të frikësuar, por që ende nuk janë të zhytur në krime ndaj popullit, i ftojmë të braktisin rrugën e tyre të pakrye, të kthejnë mbrapshtë me trimërinë e njohur shqiptare urdhrat e UDB-së e të përfaqësive diplomatike jugosllave në Perëndim. Le t’i kthehen sa më parë nevojës së atdheut e të popullit që i lindi e i rriti me njëqind mundime. Ndryshe, kur të fillojë me goditje dora hakmarrëse e popullit, do të jetë i humbur ai shqiptar që ka braktisur interesat e popullit, ai shqiptar, që për interesa të imta e të fëlliqura vazhdon t’i shërbejë armikut të egër shovinist, edhe pas ngjarjeve tragjike të kësaj pranvere në Kosovë”. Ose: “Skamja dhe mjerimi i madh, papunësia e presionet që ushtron pushteti, kushtëzuan që kurbeti për popullin tonë të bëhet një fenomen masiv…
Kurbeti është një plagë e vjetër e popullit tonë. Për të tregohen rrëfimet më rrëqethëse e këndohen këngët më të trishtuara.
Bashkatdhetarë të shtrenjtë,
Atdheu ynë i përbashkët, Kosova jonë e dashur po përjeton momente shumë të vështira. Çetnikët serbë u vërsulën me tërbim drejt Kosovës. U dyndën këtu dhjetëra mijëra policë e ushtarë të rinj. Ata shuan me gjak demonstratat paqësore të popullit tonë, e kthyen në kasaphanë të tmerrshme Kosovën tonë të dashur, shtinë me tanke e mitraloza mbi vëllezërit e motrat tona të pambrojtura, vranë e plagosën shumë bija e bij nga më të mirët e popullit, burgosën e arrestuan me mijëra të tjerë dhe po ushtrojnë tortura shtazarake mbi ta. Masa të shumta antishqiptare po ndërmerren në çdo fushë. Shovinistët jugosllavë kanë ndërmarrë një fushatë të gjerë shpifjesh e akuzash kundër popullit tonë dhe kundër historisë së tij të lavdishme. Po sulmohen e po fyhen heronjtë dhe simbolet tona kombëtare, kultura e traditat tona, po bëhen përpjekje për të na rrëmbyer edhe ato pak të drejta që i kishim fituar me gjak pas vitit 1968.
Këtë vit u mbyll para kohe Universiteti i Kosovës e po kurdisen plane edhe për shkapërderdhjen e tij të plotë. U anuluan të gjitha marrëveshjet me Shqipërinë në fushën e artit, shkencës, kulturës dhe arsimit. Është vendosur të ndryshohen e sakatohen tekstet shkollore të historisë e të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Shqiptarët rrihen e dënohen vetëm pse mbajnë një distinktiv a një plis të bardhë. Në të ashtuquajturin ‘proces të diferencimit’, janë larguar nga puna shumë profesorë të Universitetit e shumë mësimdhënës të shkollave të mesme dhe të atyre fillore. Janë hedhur në rrugë qindra punëtorë të ndërmarrjeve pse kanë marrë pjesë në greva e demonstrata, apo pse nuk i kanë dënuar ato.
Të gjitha këto masa të tipit fashist nuk e ligështojnë as e nënshtrojnë popullin tonë po përkundrazi, e kanë forcuar atë edhe më shumë. I bashkuar si kurrë më parë, ai po qëndron kryelartë para xhelatëve titistë dhe është i vendosur e këmbëngulës në realizimin e kërkesave të veta të drejta. Në mbledhjet që po organizon armiku për të dënuar demonstruesit, populli po e shpreh revoltën e urrejtjen e tij të papërmbajtur kundër këtyre dënimeve dhe pushtetit antipopullor. Kjo rezistencë e mrekullishme e ky unitet i paparë i popullit tonë, jo vetëm që po shprehet në tubimet e kolektiveve punonjëse dhe të atyre të lagjeve, por ka dalë sheshit edhe në ato organizata që kanë qenë leva të titizmit, duke filluar që nga organizata e Lidhjes së Komunistëve’, ku janë përjashtuar qindra anëtarë e janë shpërndarë dhjetëra organizata bazë, e deri te organizata e rinisë dhe ajo e Lidhjes Socialiste. Armiku është detyruar ta pohojë me gojën e vet se i kanë dalë telashe serioze edhe në organizatën e oficerëve rezervë dhe në atë të Lidhjes së Luftëtarëve, nga radhët e të cilave janë përjashtuar dhjetëra anëtare. Bile, rezistencë po behet edhe në radhët e policisë kosovare…
Të luftoni pareshtur e me të gjitha format, deri sa të realizohen të gjitha të drejtat e popullit tonë;
Të kundërshtoni me forcë dhunën e terrorin e pashoq që po ushtron regjimi mbi popullin dhe rininë tonë;
Të forconi pareshtur unitetin luftarak të radhëve tuaja;
Të përkrahni e të ndihmoni me të gjitha mundësitë bashkatdhetarët që keni në Kosovë;
Të zbuloni dhe demaskoni pa mëshirë ata elementë të shitur që bëjnë punën e armikut, që mbjellin panik e konfuzion në radhët tua ja që bëjnë punën, e agjentëve të fëlliqur, duke ju denoncuar juve te armiku;
Të kërkoni me këmbëngulje që t’ju sigurohet puna në vendlindje;
Të sabotoni ato të ashtuquajtura “klube jugosllave të punëtorëve“, që janë shndërruar në çerdhe të rrezikshme antishqiptare, e në vend të tyre të formoni klubet dhe shoqëritë tuaja të pavarura kulturore e artistike dhe sportive;
Të mos mashtroheni nga demagogjia e premtimeve boshe të armikut, të mos u besoni shpifjeve e trillimeve të shumta të tij;
Mos lejoni që të humbni gjuhën, kulturën e traditat tona të mira.
Demonstratat e grevat masive që kanë përfshirë mbarë Kosovën, armiku po mundohet t’i paraqesë në sy të botës si vepër të ‘nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë’. Në fakt ato janë vepër e popullit dhe rezultojnë drejtpërdrejt nga politika antishqiptare që ka ndjekur regjimi për 40 vjet me radhë. Ato janë rezultat i shtypjes dhe shfrytëzimit të egër të masave punonjëse, i pozitës koloniale të Kosovës dhe i vendosjes së marrëdhënieve kapitaliste në të gjitha fushat e jetës. Ato janë rezultat i ashpërsimit në kulm të të gjitha kontradiktave dhe i skamjes e mjerimit të papërshkrueshëm, në të cilin e kanë katandisur titistët popullin tonë. Përvoja e gjatë historike e luftarake e kanë mësuar popullin tonë se të drejtat e liritë nuk t’i fal kush, por ato fitohen vetëm në rrugën revolucionare”.
VIJON …
_____________
MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA – DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (74)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10551

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura