Itali, 11 shkurt 2018: Gjatë këtyre dy-tre muajve, me rastin e angazhimit të dy qeverive të shteteve, të Shqipërisë dhe të Greqisë, për të arritur marrëveshje për zgjidhjen e problemeve të trashëguara mes tyre, janë hedhur në tregun mediatik mendime të shumta. Shumica e mendimeve dhe komenteve janë të pabazuara, janë jashtë tryezave të caktuara për sheshimin dhe zgjidhjen e tyre, sikundër janë hedhur tek-tuk mendime të “kursyera” se për ç’farë po negociohet edhe nga personat zyrtarë të niveleve të caktuara.
Në shkrimin e sotëm, do të përqëndrohemi kryesisht në analizën e deklarimeve të bëra nga protagonistët kryesorë të takimit “Kretë- Korçë”, mbajtur në muajin nëntor të vitit 2017 dhe në janar të këtij viti. Shkarazi do të ndalemi edhe në ndonjë mendim nga persona jashtë tryezës zyrtare.
Mbështetur në informimet e shtypit të përditshëm shqiptar, do të risjellim në vemendje të lexuesit, deklarimet e protagonistave kryesorë të takimit të shumë pritur. Kjo, si një ndihmesë në arritjen e sheshimeve dhe mundësitë e zgjidhjeve të problemeve mes dy shteteve të ndodhura gjatë 70 viteve, duke u fokusuar në çështjen më të rëndësishme dhe më të dhimshme të kombit shqiptar, “Çështja Çame”. Çështje ku bisedimet duhet të përqëndrohen për zgjidhjen e dy fazave të veçanta të saj:
1) Periudha 1913-1943 përbën “Çështjen Çame”, ku shteti grek nuk ka pranuar për zbatim asnjë Konventë apo ligj Ndërkombëtar për banorët e atij rajoni (si të krishterëve dhe myslimanëve).
2) Periudha maj-qershor 1944 deri në mars 1945 përbën “Çështjen e genocidit grek ndaj çamëve myslimanë”, ku shteti grek akuzohet për genocid ndaj një komuniteti të tërë dhe që sipas ligjeve ndërkombëtare, duhet që ai veprim të dënohet si “krim ndaj njerëzimit”.
Ngjarjet tragjike që kanë shoqëruar komunitetin shqiptar të Çamërisë dhe që janë specifike, të veçanta të atij komuniteti, kanë filluar nga periudha e përfshirjes së rajonit të tyre në shtetin Grek. Kalim i realizuar nga vendimet e mbledhjes së Fuqive të Mëdha, të mbajtur nga data 17 dhjetor 1912 në Londër, të cilat diskutuan për fatin e Shqipërisë. Më 29/07/ 1913 u mor vendimi që Shqipëria të shpallej principatë autonome, sovrane e trashëgueshme nën garancinë e Fuqive të Mëdha. Kufijtë, pas shumë diskutimesh u caktuan, por lanë jashtë shtetit Shqiptar, Kosovën dhe Çamërinë .
Le të njihemi me deklarimet e “kursyera” të protagonistëve kryesorë lidhur pikërisht me qendrimin ndaj çështjes çame, e cila prej 74 vitesh mbetet një plagë, jo vetëm e pa shërueshme, por për fatin e keq nuk është pranuar as për trajtim si pacient nga të dy shtetet dhe as nga ndërkombëtarët.
– A ka ardhur koha që ky pacient, i domosdoshëm për kurim, por që është lënë jashtë vemendjes për 7 dekada, do të jetë pjesë e axhendës së takimit dhe a do ketë të drejtën që të njihet si objekt shoqëror i ndonjë prej këtyre dy popujve, apo, siç thotë shqiptari kandidat për nobelist, ky komunitet ka “shënjë” që e bën të mbetet “jashtë” tyre?! Pra, një komunitet që dora mizore e historisë e detyroi të mbetet pa vendin e tij, duhet të mbetet jetim ndër breza? Apo edhe “Zoti” nguron ti japë dorën e dashurisë këtij jetimi?. A po do të mbetet edhe mbas këtyre angazhimeve si specie e “padëshiruar”? Sigurisht që jo. Pavarësisht tradhëtive, inferioritetit, paaftësive diplomatike, niveleve të njohjes dhe ndërgjegjshmërisë, të ndodhura deri sot!.
Për këtë le të ndjekim disa nga deklarimet e bëra këto ditë, para se të përfundojë nënëshkrimi i “Partneritetit të strategjisë” mes dy shteteve.
● Në gazetën “Dita”, 29 janar 2018, ora 17:12, shkruhet:
Sipas deklaratës së ministrit të jashtëm grek Nikos Kotzias, se pas takimeve që zhvilloi me homologun e tij shqiptar, nuk kishin diskutuar për çështjen çame, pasi ajo nuk ishte pjesë e axhendës, vjen reagimi i kryediplomatit shqiptar. Bushati në “Studio e hapur” në “News24”, u shpreh:“Kur thonë që për ne nuk ekziston si çështje, kanë merak apo frikë të pajustifikuar për pretendime territoriale që nuk ekzistojnë për çështjen çame: Ne edhe në dokumete mes dy palëve e kemi konsideruar si çështje të të drejtave të njeriut”. Më tej Bushati vijoi:“Keni dhe një ministër përball dhe një komision, (komisioneri Hahn) dhe ai konfirmoi se palët kanë referuar një dokument që është se të dyja palët këtë çështja ia kanë bërë të ditur edhe KE. Edhe po të lexosh deklaratën e ministrisë së jashtme greke më tepër shpreh mendimin e vet”. Sigurisht, por këto janë të kaluara, interesimi është trajtimi ose jo në takimet dypaëshe!
Deri dje, drejtues shteti, politikanë, deputetë, analistë, gazetarë dhe qytetarë të ndryshëm (të fisit çam ose jo) në të dy anët e kufinjëve, bënin “be” dhe “rrufe”, se Ligji i Luftës i Greqisë ndaj Shqipërisë nuk mund të hiqej sepse do të kishte pasoja lidhur me problemin çam në tërësinë e tij. Sot, sikur të mos kishte asgjë të thënë, deklarohet se heqja e këtij Ligji, nuk ka efekte lidhur me pronat e çamëve. Një kthesë e fortë, në prag të heqjes së Ligjit të Luftës.
Pak vëmëndje: Në vitin 1986, ish Kryeministri Grek Andrea Papandreas shprehej: “Heqja e Ligjit të Luftës do kishte pasoja vepruese për çamët myslimanë dhe gjithë atyre që synojnë rivendosje të mundshm në Greqi. Qeveria jonë nuk ka asnjë gadishmëri që të bëjë tërheqjen më të vogël në këtë çështje”!.
Sot, më 29.01.2018, sipas gazetës Shqiptare, Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, u shpreh optimist se shumë shpejt ligji i luftës me Greqinë do të shfuqizohet. Në një intervistë në ‘News24’, Bushati theksoi se nga heqja e ligjit të luftës tre kategori që iu janë konfiskuar pronat gjatë viteve 40 nga Greqia, do të kenë ‘benefitet’ e tyre. Kryediplomati shqiptar tha se kategoritë që përfitojnë nga shfyqizimi i ligjit janë: shtetasit shqiptarë që u janë sekuestruar pronat në vitet 40, pronat e shtetasve shqiptarë me kombësi greke dhe pronat e shtetit shqiptar, shkruan ‘BalkanWeb’.
“Ne kemi rënë dakord në princip për mënyrën se si do të shkohet drejt heqjes ligjit të luftës. Sa i takon pasojave të ligjit të luftës ska nevojë për komente. Për pasoja ligjore më lejoni që të jem i qartë, bëhet fjalë për tre kategori. Në këtë pikë ka pasur në disa raste mungesë informacioni dhe spekulime. Bëhet fjalë për tre kategori, me vendosjen e ligjit të luftës u vendosën nën sekuestro prona të shqiptarëve, prona të shtetasve shqiptarë me kombësi greke dhe prona të shtetit shqiptar. Që pritet të përfitojnë nga shfuqizimi i ligjit të luftës. Kemi bërë edhe konsulta me ekspertë për të gjitha pengesat ligjore. Por meqë ka pasur një spekulim të dytë, heqja e ligjit të luftës ska lidhje me pronat që pretendon komuniteti çam. Ligji i luftës është vendosur në vitin‘40, ndërkohë konfiskimi i pronave të çamëve kanë ndodhur në vitin’46. Nëse sot abrogohet ligji luftës, çdo shqiptar dhe ato të shtetit shqiptar, kanë të drejtën që të kërkojnë pronën dhe gëzimin e saj. Sbesoj se do ketë veprime prapavepruese ky ligj… “Komunitetit çam si (nuk i- FD) lind e drejta pasi nisi më vonë konfiskimi i pronave të tyre. Këta shtetas nuk lejoheshin të hynin në territorin grek”, tha Bushati.
Besoj lexuesi e kupton se çekani, për të dyja “kovaçhanat” rreh tek “asgjësimi” i kërkesave të komunitetit çam mysliman, për pronat dhe prehjen në vendin e të parëve. Paradokse!
Me një kujdes të veçantë, qofsha i gabuar, mënyra e të shprehurit:“heqja e ligjit të luftës ska lidhje me pronat që pretendon komuniteti çam”, na lë të kuptohet se z. Bushati, në të njëjtin moment gëzohet që nga heqja e ligjit do përfitojnë tre kategori (dhe vërtet ashtu gëzohemi të gjithë), por nga ana tjetër, optimizmi për këtë arritje, arrin të reflektojë negativisht se çamët nuk paskan të drejta për pretendime. Askush nuk mund të vërë në dyshim pronësinë e tokave dhe pasuritë e çamëve në Çamëri, Duhet ta kuptohet prej të gjithëve se çamët nuk flasin për pretendime të pronave të tyre, por ata kërkojnë të drejtën mbi pronat, sepse u janë rrëmbyer, u janë grabitur forcërisht nga shteti fqinj, në kundërshtim me të gjitha Konventat dhe Ligjet Ndërkombëtare. Prandaj z. Bushati nuk duhet të ndjehet i plotësuar, përderisa të arrijë mirëkuptim me bashkë pjesëmarrësit në tryezë. Një notar i mirë, di ti përshkojë të dyja anët e lumit!.
Ministri shqiptar, deklaron se komuniteti çam, nuk përfiton nga heqja e Ligjit të Luftës, por nuk ndalet për të treguar se kush është ligji që e privon atë komunitet (detyrim kushtetues për mbrojtjen e nënshtetasve shqiptarë) nga e drejta për të jetuar dhe gëzuar jetën në vendin e tij autokton.
Ndofta na duhet të mos nxitohemi dhe të shpresojmë se do të diskutohet dhe gjindet edhe ligji që do u njohë edhe nënshtetasve shqiptarë, çamëve, të drejtat e mohuara arbitrarisht.
● Në Gazetën “Shqip”, datë 29 janar 2018, Presidenti i Greqisë Prokopis Pavlopoulos ka deklaruar: “Mbështesim perspektivën europiane të Shqipërisë mike. Megjithatë, kjo perspektivë varet nga respektimi i plotë i së Drejtës Ndërkombëtare dhe asaj Europiane, në veçanti nga respektimi i të drejtave themelore të njeriut dhe sidomos nga të drejtat e pakicave dhe e drejta për pronën”, tha Prokopis Pavlopoulos, president i Greqisë.
Vihet re dukshëm edhe kontrasti i madh mes dy shteteve. Pikërisht kur dy qeveritë po bëjnë përpjekje për të gjetur konsensus në zgjidhjen e probleme dy palëshe, presidenti grek hedh në shesh mbrojtjen e minoriteti grek në Shqipëri dhe e kushtëzon me veton greke në BE. Pala shqiptare mban qendrim gjoja parimor, ose tregohet “më katolik se Papa” dhe nxitohet të deklarojë se çamët nuk përfitojnë të drejta nga heqja e ligjit të luftës dhe se ata nuk janë lejuar të lëvizin në vendin e tyre. Kush nuk i ka lejuar? Vallë edhe mos lëvizja ka qenë për faj të tyre?
Deri dje, për mos heqjen e ligjit të luftës, fajtorë ishin ose i etiketonin çamët; ndërsa sot, siç po deklarohet, kur jemi në prag të heqjes së atij ligji, nuk paskan qenë çamët pengesë, por ata nuk përfitojnë asgjë nga heqja e tij!. Qendrime politike, diplomatike qesharake, aspak dinjitet njerëzor.
Mos njohja e “Ç ështjes Çame” nga pala greke, ndofta vjen si rrjedhojë që çamët myslimanë, me rezidencë në Republikën e Shqipërisë, janë nënshtetas shqiptarë nga viti 1953. Prandaj për palën greke nuk njihen me emrin çamë dhe si rrjedhojë nuk ekzistojnë si çamë, por shqiptarë. Siç konstatohet dhe më lart, rezulton se grekëve u pëlqen të lozin me fjalët, pa marrë parasysh se mungon llogjika dhe arësyetimi i tyre në përcaktimet e ngjarjeve apo fenomeneve. Nëse pala greke, dëshiron të luajë me fjalë, le të luaj, sepse politikanëve dhe pushtetarëve grekë u nevojiten lojrat e fjalëve për efekte politike të brendshme të tyre. Çamët i njohin këto prapësira, prandaj dhe nuk “dorëzohen” në kërkesat e tyre të drejta.
● Sipas Kryeministrit shqiptar Edi Rama:“Po arrijmë një marrëveshje historike”. Rama zbardh takimin me Tspiras.- January 29, 2018 10:30 (botim i gazetëes “Dita”).
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ashtu si homologu i tij grek, Aleksis Tsipras, ka deklaruar se Shqipëria dhe Greqia janë në prag të nënshkrimit të një dokumenti të ri partneriteti strategjik.
“Jemi një hap para me dialogun me Greqinë. Pajtohem me përshtypjen se momenti i nënshkrimit të një dokumenti të ri partneriteti strategjik Shqipëri-Greqi është shumë afër. Duhet të presim përfundimin e shkruar të këtij procesi dialogu dhe negociatash për një sërë temash që prekin harkun e 70 viteve, duke filluar nga ligji absurd i luftës, por edhe duke vazhduar me tema që për ne kanë qenë një rëndësi e veçantë si marrëveshja për kufirin detar apo garantimi i të drejtave të të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe posaçërisht të atyre që i përkasin komunitetit çam, për të pasur lëvizje të lirë dhe të papenguar nga historitë e të shkuarës dhe për të pasur akses të plotë ligjor lidhur me çdo pretendim sa i përket të drejtave të pronësisë………”, deklaroi Z. Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS.
● Si u njohëm me disa deklarime dy mënyrëshe të shprehjeve nga palët, ku vrehen dukshëm qendrimet e kujdesëshme, për të mos krijuar shqetësime në grupet e interesit nga të dyja anët e kufijve, na duhet të shprehemi me qendrimin tonë, kryesisht në mbarëvajtjen e mëtejshme të angazhimit dypalësh për njohjen dhe zgjidhjen e problemit çam, për të dyja fazat e tij, të cilat i shprehëm më sipër.
• Nëse çamët, që sot janë rezident dhe nënshtetas shqiptarë, nuk përfitojnë nga heqja e Ligjit të luftës, sepse janë çamë dhe sekustrimi i pronave paska ndodhur në vitin 1946, sipas deklarimit të z. Bushati, si analist më lindin tre pyetje:
a) Çamët nga viti 1953, janë bërë nënshtetas shqiptarë. Si nënështetas shqiptarë, a i përfitojnë të drejtat e tyre, sipas kategorive të më sipërme?. Në kategorinë e parë, sipas z. Bushati përfshihen:“shtetasit shqiptarë që u janë sekuestruar pronat në vitet ’40. Çamët janë nënshtetas shqiptarë nga viti 1953 dhe pronat u paskan sekuestruar në vitin 1946, pra ndodhen brenda hapësirës kohore të viteve ‘40.
b) Po çështja e genocidit grek ndaj çamëve myslimanë nga qeveritë nazi-fashiste të asaj kohe, a është, ose a do të jetë në tryezën e bisedimeve dy palëshe?
c) Po të drejtat e arvanitasve dhe të komunitetit çam të krishterë, banues në vendin e tyre autokton, a do të jenë në tryezën e bisedimeve për t’ju njohur e drejta si pakicë etnike, sikundër, siç u tha, ngren zërin presidenti grek për minoritetin grek në Shqipëri dhe që lidhet pa rezerva me të drejtën e vetos për në BE?.
– Ka ardhur koha që si politika dhe diplomacie greke të ndërrojnë taktikat dhe strategjitë e tyre, të njohin dhe ti zbatojnë Konventat dhe Ligjet Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të njohin pakicat etnike dhe fetare, si dhe të marrin kurajo për njohjen e gjenocidit të kryer ndaj çamëmëve myslimanë. Ndryshe ndodhemi përpara inferioritetit dhe pabarazisë në bisedime, si rrjedhojë nuk mund të ketë “partneriteti strategjik”.
Të gjitha këto qendrime, të cilat janë të diskutueshme dhe që deklarohen me shumë “kursim”, mirë bëhet që diskutohen edhe nga jashtë tryezës dy palëshe, siç janë mediat, analistët, opinionistët, komentuesit e ndryshëm, por kjo, “pala e tretë” (po i quaj kështu) si brenda vendit dhe jashtë duhet të jenë seriozë, të vërtetë dhe të pavarur në gjykimet e tyre. Pra, pala e tretë, le të luajë rrolin e shkuesit vetëm për bërje punë të mira, kështu ne arrijmë të ndihmojnë në përpjekjet që ekspertët e caktuar dhe protagonistët qeveritarë të jenë në kushte komode për të realizuar me sukses misionin e tyre historik. Mision i cili ka munguar prej 74 vitesh.
●●●
Pak nga histora tragjike e komunitetit shqiptar të Çamërisë.
● Persekutimi dhe masakrat greke ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe mospërfillja e çamëve nga ndërkombëtarët dhe Shqipëria e rregjimit komunist, konstatohen edhe me këto pak episode:
– Shkakun, pasojat dhe të vërtetat e masakrave të kryera ndaj çamëve myslimanë nga shteti Grek, po i sjell ndër jush me gojën e vetë kryemasakruesit, gjeneralit grek; i gjejmë tek të shprehurit e amanetit të shovinistit përbindësh ndaj shqiptarëve çamë, gjeneralit kolaboracionist Napoleon Zervës, i cili në prag të vdekjes së tij, ka thënë:“Vdes i qetë se bëra atë që doja. Pas lash rrëke gjaku, tym, blozë, gërmadha, ulurima fëmijësh, nuse dhe gra nudo, që futeshin në furrat e ndezura, që të mos pillnin më shqiptarë, burra të varur, shpuar me bajonetë, gjuha shqipe nuk do të flitet më në tokën helene. Kjo më kënaq mua, ashtu siç kënaq tërë shpirtrat helene!”. Këto ishin masakrat e grekëve ndaj çamëve.
– Ndërsa misionerët e forcave “Aleate” që ndodheshin prezent në kryerjen e atyre masakrave, mbas mbarimit të veprimeve makabre, një ndër përfaqësuesit e aleateve, koloneli Kris Voodhanse, shef i misionit ushtarak aleat, deklaronte: “Me inkurajimin e misionit ushtarak aleat, që unë drejtoja, Zerva dëboi çamët nga shtëpitë e tyre!”.
– Pas grabitjeve dhe gjenocidit, misionerëve aleatë, për të qetësuar shpirtrat e tyre, për qendrimin aspak korrekt ndaj tragjedisë mbi shqiptarët çamë, reflektuan duke shfaqur “keqardhje edhe kur çamët nga mosha 15-70 vjeç, të ngelur aty-këtu, kapeshin nga grekët dhe internoheshin në ishujt e Egjeut dhe i masakronin. Kur shefi i misionit amerikan në Shqipëri, 1945-1946, pa këto barbari u shpreh: “Në mars 1945, njësi të forcave të shpërndara të Zervasit, kryen një masakër ndaj çameve në zonën e Filatit dhe, praktikisht e pastruan atë nga shqiptarët çamë!”.
– Pas viteve 1953, kur Enver Hoxha hoqi nënshtetësinë greke dhe u dha çamëve nënshtetësinë shqiptare, erdhi edhe faza e ndrydhjes dhe e heshtjes së çamëve. Çamët detyroheshin të mos flisnin, të mos kërkonin të drejtat e tyre, se zemëronin grekun edhe punët e tyre, dhe se këndej e tutje ata ishin të sigurtë në dorën e partisë.
Kur Partia e Punës u a mohonte shqiptareve çamë nënshtetësinë greke, në kundërshtim me dëshirën e tyre, dhe u dha shtetësinë shqiptare, si çamët edhe shqiptarët (vendasit) humbën çdo liri. Çamëve, shtetësia shqiptare në bllok, u ligjërua me dekretin famëkeq “Dekret numër 1654, data 19 prill 1953”. “Mbi dhënien e nënshtetësisë shqiptare çamëve që banojnë në Republikën e Shqipërisë!”. Në atë dekret nuk u përmendej emri shqiptar, që do të thoshte se nuk ishin as të tillë, as ç’farë kombësi kishin! Nuk përmendej asgjë nga e kaluara tragjike e çamëve.
– Natyra dhe karakteri represiv i sigurimi të shtetit, në rregjimin komunist, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, përdorej nga udhëheqja e Partisë së Punës për të ruajtur pushtetin në duart e tyre. 58 vite më parë, në korrik të vitit 1960, është arrestuar dhe dënuar Teme Sejko dhe grupi i tij (në atë grup ishin të gjithë çamë), që sipas akt-aktakuzës kishin si qëllim shkaktimin e trazirave në vend, çka do shërbente si pretekst për ndërhyrjen e flotës së 6-të amerikane për të rrëzuar pushtetin popullor.
– Sipas “Peisazhi i fjalës”, datë 1 shtator 2012: “Vetë Enver Hoxha, në vitin 1982, thuhet të ketë deklaruar në një mbledhje të Byrosë Politike se procesi i Teme Sejkos dhe komploti për të cilin u akuzua ky oficer i lartë“është mbuluar me një mister dhe ngjan me një legjendë të çuditshme shumë të dyshimtë”. Në gjyqin kundër tij, në mars të vitit 1983, ish-ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu ka deklaruar se “Teme Sejkon e kanë vrarë aksidentalisht, duke e torturuar, pas vendimit të gjyqit që e dënonte me vdekje”.
– Sot, dihet se gjyqet ndaj këtyre grupeve sajoheshin në zyrat e sigurimit të shtetit, sipas situatave që krijoheshin brenda dhe jashtë vendit. Në vitin 1960 i erdhi radha e seleksionimit të intelektualëve çamë, që me merita kishin arritur në rangje të larta, veç kësaj duke dënuar intelektualët e komunitetit çam, arrihej trysnia dhe nënështrimi i gjithë atij komuniteti. Dihet ajo ngjarje krijoi atmosferë morale, ekonomike dhe sociale me pasoja shumë të rënda për komunitetin çam, duke u cilësuar të pa besë, armiq të partisë dhe popullit, mos mirënjohës etj.
Çamët u tkurrën, u mpinë, mbi ‘ta ra heshtja shumë vjeçare. Në Greqi ishin të “padëshiruar” sepse kishin ndërruar besimin fetar dhe ishin të etnisë shqptare. Në Shqipëri, sipas mentalitetit të diktaturës komuniste, ishin të “padëshiruar” sepse nuk e pëlqenin komunizmin dhe nënështrimin. Strategjia e udhëheqësve të Byros Politike u arrit. Më pas filluan grupe të tjera anti parti e tradhëtarë të atdheut, si ato të ushtrisë, naftës etj. deri tek vrasjet e tyre me njëri-tjetrin.
– Vitet e heshtjes ikën dhe ndodhën ngjarjet e mëdha të përmbysjes së rregjimit dikatorial. Për të përkujtuar masakrat dhe gjenocidin grek ndaj çamëve myslimanë, doli Dekreti i presidenti të Republikës së Shqipërisë, nr.7835, date 26.06.1994, “Dekretoj shpalljen e 27 qershorit kalendarin kombëtar, Dita e Gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek dhe ngritjen e një memoriali në Konispol”.
– Shekulli i tragjedive, masakrave dhe gjenocidit grek, perëndoi duke na krijuar besimin se shekulli XXI do të sillte mes të tjerash edhe reflektime ndaj marrëzive të trashëguara.
● Sipas gazetës Shqip të datës 25 Nëntor 2012.
Robert Elsie (Robert Elsie (29 qershor1950-2 tetor 2017) studiues gjerman i lindur në Kanada, i specializuar në letërsinë dhe folklorin shqiptar.
Studiuesi Robert, do të ndalej në krijimtarinë e tij të sukseshme edhe tek historia tragjike e komunitetit çam mysliman. Ja si e trajton z. Elsie:
“Që prej ngjarjeve tragjike të Luftës së Dytë Botërore kanë kaluar shumë dhjetëvjeçarë. Megjithatë, ndër çamët mbetet një ndjenjë padrejtësie dhe viktimizimi. Me gjithë marrëdhëniet shumë të mira midis Greqisë dhe Shqipërisë dhe me të gjitha marrëdhëniet përgjithësisht miqësore midis popullit grek dhe popullit shqiptar, është pikërisht kjo, arsyeja pse çështja çame nuk zhduket. Sot nuk ka pretendime serioze për ndryshimin e kufirit apo për kthimin e rajonit çam Shqipërisë. Pas një shekulli, kufiri i sotëm është botërisht i pranuar si realitet. Atëherë, çfarë duan çamët?
Pas Luftës së Dytë Botërore, çamëve iu mohua kolektivisht nënshtetësia greke. Humbën pronën dhe u dëbuan nga vendlindja e tyre. Atë që kërkojnë është njohja e padrejtësisë së kryer. Ata duan gjithashtu kthimin e pronës apo të paktën një kompensim për humbjet, dhe shumë prej tyre duan të kthehen në atdheun e tyre në Çamëri, pra kthimin e nënshtetësisë greke.
Pengesa kryesore në arritjen e këtyre qëllimeve modeste mbetet ligji grek i luftës i vitit 1940, i cili faktikisht është ende në fuqi. Për dhjetëvjeçarë me radhë, autoritetet greke kanë futur kokën si struci në rërë dhe kanë refuzuar të diskutonin problemet. Ata thjesht mohojnë ekzistencën e çështjes çame, madje edhe ekzistencën e një pakice shqiptare në Greqi.
Në një perspektivë afatgjatë, Europa duhet të kontribuojë në gjetjen e një zgjidhjeje të çështjes çame. Shpresoj se në të ardhmen, sipas shembullit të Europës Perëndimore, kufiri midis Greqisë dhe Shqipërisë do të fshihet dhe bëhet i padukshëm dhe se popujt e të dyja vendeve do të mund të vijnë dhe të shkojnë si duan, duke lënë pas hijet e së shkuarës”.
Ky ishte konkluzioni i studiuesit gjerman Rober Elsie.
Profecia e tij para 5 viteve, shpresohet të bëhet realitet me takimin e dy qeverive, ku pritet që në muajin prill të këtij viti, të nënëshkruhet “partneriteti strategjik“ midis dy vendeve tona.
Personalisht uroj më të mirën dhe jam i ndërgjegjshëm se, pavarësisht nga zelli për zgjidhje të plota dhe të menjëhershme për të gjitha problemet, ka vështirësi për arritje ideale. Takimit i urojmë të arrijë në zgjidhjen e sa më shumë problemeve, të tregohet urtësi dhe maturi, distancim nga deklarimet acaruese, të ngurta, mohuese. Shpresojmë se fryma konstruktive (që duhet të jetë), le të mbetet një synim i vazhdueshëm dhe me vullnet të plotë për të arritur një ditë tek zgjidhjet ideale.
I prirur për zgjidhjet më të mira, dhe për të ndihmuar sado pak në vullnetin e mirë dhe angazhimet serioze të dy kryeministrave, personalisht i kam përgëzuar, përshëndetur dhe falenderuar për organizimin e takimeve në nivel qeveritar, në sheshimin, ndreqjen dhe zgjidhjen e problemeve që kanë penguar në vazhdimësi marrëdhënieve miqësore mes dy shteteve dhe popujve tanë.
Urojmë sinqerisht arritje të sukseshme dhe në kushte të barabarta, në favor të të dy shteteve, atij Shqiptar dhe Grek.