Prishtinë, 22 shkurt 2018: “Nuk do të ketë ndryshime të territorit të tanishëm të Kosovës” . (Parimet udhëheqëse te Grupit të ontaktit)
Administrimi Ndërkombëtar në Kosovë (UNMIK-u) do të interesohet për ndërprerjen e status quos vetëm pas ngjarjeve të dhimbshme të 16, 17 e 18 marsit 2004, të cilat e hapën rrugën për të vlerësuar seriozisht gjendjen politike e të sigurisë në Kosovë. Për të vlerësuar e raportuar për këtë gjë u caktua Kai Eide, i cili edhe pse prezantoi një raport mjaft negativ për gjendjen në Kosovë, propozoi që t’i hapej rrugë zgjidhjes së statusit politik të Kosovës dhe kjo ishte e vetmja anë e mirë e atij raporti. Ky raport e shtyri Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së që të caktonte një emisar për t’i udhëhequr bisedimet serbo-shqiptare në Vjenë. Para se të fillonin bisedimet, Grupi i Kontaktit, në të cilin merrte pjesë edhe Rusia, i caktuan parimet bazë mbi të cilat do të zhvilloheshin bisedimet. Deklarata i kishte tri parime kryesore:
1. Nuk ka kthim para marsit të vitit 1999;
2. Nuk do të ketë ndryshim të kufijve, dhe
3. Kosova nuk mund të bashkohej me asnjë shtet, që do të thotë, nuk mund t’i bashkohet as Serbisë e as Shqipërisë.
Ndërsa teksti integral i këtij parafrazimi është në pikën e gjashtë të Deklaratës së Grupit të Kontaktit, ku thuhet:
6. “Zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të konsolidojë sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Në këtë mënyrë, kjo do të sigurojë që Kosova të mos kthehet në gjendjen e para marsit të vitit 1999. Çdo zgjidhje që është e njëanshme apo është rezultat i përdorimit të forcës nuk do të jetë e pranueshme. Nuk do të ketë ndryshime të territorit të tanishëm të Kosovës, që do të thotë nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe bashkim të Kosovës me ndonjë shtet tjetër apo me ndonjë pjesë të ndonjë shteti tjetër. Integriteti territorial dhe stabiliteti i brendshëm i fqinjëve rajonalë do të respektohet plotësisht”. (Parimet udhëheqëse te Grupit të kontaktit për zgjidhjen e statusit të Kosovës, 7 tetor 2005 (http//www.unosek.org/docref/2005-10-07_-_Contakt_Group_ _Ten_Guiding_principles _for_Ahtissari_-_albanian.pdf).
Kjo deklaratë u ka hapur rrugë Bisedimeve gati dyvjeçare të Vjenës, mes Beogradit e Prishtinës, nën udhëheqjen e emisarit special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Marti Ahtisarit. Dokumenti përfundimtar ishte dokument i kompromisit, pra nuk ishte vullnet i imponuar i asnjë pale, e më së paku i palës shqiptare (të Kosovës). I gjithë Dokumenti i Presidentit Ahtisari është ndërtuar në frymën e deklaratës që kemi në shqyrtim. Pjesë e dokumentit ishte edhe Rusia, si anëtare e GK-së dhe pjesëmarrëse aktive në të gjitha fazat e bisedimeve të Vjenës. Edhe në bisedimet e Vjenës si në ato të Rambujesë pala ruse e serbe i shtynë kërkesat e tyre në dokumentet përfundimtare dhe në fund nuk i pranuan rezultatet e bisedimeve. A do të përsëritet e njëjta gjë në bisedimet e Brukselit do ta tregojë e ardhmja ketë.
Kornizat që i vendosi Grupi i Kontaktit për Emisarin e Sekretarit të Përgjithshëm, Presidentin Finlandez Marti Ahtisari, ishin parapërgatitje si për propozimin që dha për Këshillin e Sigurimit për mbikëqyrjen e pavarësisë, ashtu edhe për pakon gjithëpërfshirëse të tij për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Raporti (letrën) që Presidenti Ahtisari ia dërgoi Presidentit të Këshillit të Sigurimit dhe Sekretarit të Përgjithshëm, më 26 mars 2007, përbënte një letër-propozim për statusin e ardhshëm të Kosovës dhe “Propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës”. Pas gati dy vjet negociatash të drejtpërdrejta, bisedimesh dypalëshe dhe konsultimesh të ekspertëve dhe pasi u pa që palët nuk mund të merren vesh për statusin e ardhshëm të Kosovës, pasi palët këmbëngulnin në qëndrimet e tyre: pala serbe për një autonomi dhe pala kosovare asgjë më pak se pavarësi. Pra, ishte e qartë se palët nuk do të arrinin ndonjë marrëveshje as për çështje thjesht praktike, edhe pse, ç’është e vërteta, ka mundur të arrihet vetëm një progres fare modest. Kësisoj, Marti Ahtisari e shfrytëzon mandatin e tij për të përcaktuar dinamikën si dhe kohëzgjatjen e bisedimeve, pasi ishte konsultuar edhe me Sekretarin e Përgjithshëm, gjithnjë duke e parë nivelin e bashkëpunimit mes palëve dhe situatën në vend, dhe pa mundësinë që palët me bisedime të arrinin te një marrëveshje e dakorduar. Duke u nisur nga kjo, ai kishte ardhur në përfundimin logjik se asnjë format shtesë i bisedimeve nuk mund t’i nxjerrë ato nga kjo rrugë qorre. Ndaj, Ahtisari ishte i bindur se zgjidhja e kësaj çështjeje duhet të ishte urgjente. Pasi ai ishte i bindur se duhej një zgjidhje urgjente, kishte ardhur në përfundim se tashmë kishte ardhur koha që të zgjidhej statusi i Kosovës. Ai do të thoshte: “Duke marrë me kujdes në konsideratë historinë e kohëve të fundit në Kosovë, realitetin e Kosovës sot dhe duke marrë parasysh negociatat me palët, unë kam ardhur në përfundim se i vetmi opsion i qëndrueshëm për Kosovën është pavarësia e mbikëqyrur për një periudhë fillestare nga bashkësia ndërkombëtare”. ( Mati Ahtisari: Propozimi për Presidentin e KS dhe Sekretarin e Përgjithshëm në OKB-së i 26 marsit 2007, dokumenti S/2007/168.) Pra, pasi Ahtisari ka analizuar raportet serbo-shqiptare, padrejtësitë e shumta që kishte shkaktuar regjimi serb i Beogradit, sidomos ai i Millosheviqit, krizën humanitare me të gjitha pasojat e saja, ndërhyrjen ndërkombëtare dhe administrimin ndërkombëtar në Kosovë, i cili edhe përkundër rezultateve evidente, më nuk mund të ndihmonte në zhvillimin politik që i duhej Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ahtisari konstaton se “ekonomia e dobët e Kosovës, shkurt, është burimi i jostabilitetit social dhe politik dhe rigjenerimi i saj nuk mund të arrihet nën statusin e administrimit ndërkombëtar. Zhvillimi ekonomik i Kosovës kërkon qartësinë dhe stabilitetin që mund të ofrojë vetëm pavarësia”. ( Po aty, pika 5).Ndërsa fjalia e parë e pikës 10 konfirmon se “pavarësia është opsioni i vetëm për një Kosovë stabile dhe ekonomikisht të qëndrueshme…”. ( Po aty, pika 9). Presidenti Ahtisari e mbyll propozimin e tij me konstatimin se me pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës fillimisht nga bashkësia ndërkombëtare (e cila është hequr formalisht më 10 shtator të vitit 2012), po merrte fund shpërbërja e Federatës Jugosllave. Kjo do të krijonte një kapitull të ri për rajonin, të cilit do t’i mundësojë më shumë “paqe, stabilitet dhe prosperitet për të gjithë”. (Po aty, pika 10). Dhe vërtet, pavarësia e Kosovës prodhoi më shumë paqe si për vete, ashtu dhe për rajonin në tërësi. Kështu, bisedimet që i udhëhoqi Marti Ahtisari, në mënyrë të pashmangshme çuan në propozimin e tij për Pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës, e cila u formalizua me shpalljen e saj, më 17 shkurt të vitit 2008, kur në Kuvendin e Kosovës u votua Deklarata e Pavarësisë nga 109 deputetë, përfshirë dhe Kryetarin e Kuvendit, të pasuar edhe nga Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës. Deklarata e Pavarësisë e parashihte “Republikën e Kosovës shtet të pavarur, sovran dhe demokratik”. (Po aty, pika 16). Konfirmimi u formalizua pas shpalljes së rezultatit të votimit nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Mënyra se si është shpallur pavarësia e Kosovës, e bën tepër të dallueshme nga akti i pavarësisë së Shqipërisë, i shpallur nga atdhetarët e trevave të ndryshme shqiptare, të udhëhequr nga Ismail Qemali. më 28 Nëntor 1912. Pa hezituar mund të them se Ismail Qemali i Pavarësisë se Kosovës ka qenë Komandanti Legjendar i UCK-së Adem Jashari. Edhe pse nuk ka munguar instruktimi primitiv për te krijuar një Ismajl Qemal të Kosovës dhe këtij teli i kanë renë e vazhdojnë ti bien disa media në Kosovë e Shqipëri.
Ndryshimet që ndodhën gjatë dhjetëvjetëshit të pranisë ndërkombëtare, të UNMIK-ut, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, shtruan nevojën e rikonfigurimit të pranisë së re ndërkombëtare, të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar (PCN) dhe të asaj evropiane (EULEX) në Kosovë. Ky rikonfigurim i ri sigurisht që nuk mund të funksiononte mbi bazën e pranisë së vjetër, sikur asgjë nuk ka ndodhur në Kosovë pas deklarimit të pavarësisë. Derisa UNMIK-u kishte ardhur për të përgatitur Kosovën për statusin e ardhshëm të saj, i cili është arritur tashmë më 17 shkurt 2008, PCN-ja dhe EULEX-i (Misioni Evropian për Politika të Sigurisë dhe të Mbrojtjes) erdhën mbi bazën e Dokumentit Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisari (anekset IX dhe X), (Dokumenti Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Përfundimtar të Kosovës) qëllimi i tyre ishte për të zbatuar Dokumentin Gjithëpërfshirës, përkatësisht për t’i ngritur kapacitetet e Qeverisë së Kosovës në tri fusha të rëndësishme (siguri, drejtësi dhe dogana). Të dy misionet (ai që po shkonte dhe ky që po vinte) patën qëllim të përbashkët për ta bërë të suksesshme, stabile, të sigurt dhe demokratike Kosovën, përkatësisht shtetin e Kosovës, pas deklarimit të pavarësisë. Sigurisht, praninë ndërkombëtare (UNMIK-un) dhe më pas Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar me Misionin Evropian të Sigurisë, nuk i kanë përcjellë vetëm sukseset, sepse ka pasur edhe shumë veprime të gabuara, ndërsa suksesi është gjithsesi: Republika e Kosovës – shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, i njohur ndërkombëtarisht nga mbi 106 vende, por jo ende i anëtarësuar në OKB. Më 3 shtator 2012, Grupi Drejtues Ndërkombëtar mori vendimin për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa më 10 shtator në Kuvendin e Kosovës u amendamentu Kushtetuta për heqjen e neneve të mbikëqyrjes së pavarësisë dhe gjithashtu u ndryshuan 21 ligje që lidhen me këtë proces, ndërsa EULEX-it iu vazhdua mandati edhe për një periudhë dyvjeçare. Prezenca e tij është edhe sot e gjithë ditën, por me kompetenca të kufizuara e pa ndonjë sukses për t’u shënuar. ( Marrë nga libri im, Pavarësi dhe personalitete, Buzuku, Prishtinë 2012)
Nga viti 2012 janë duke u zhvilluar bisedime në Bruksel në mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Bisedime me ndërmjetësimin e zonjës Eshton e tani ato bisedime udhëhiqen nga zonja Mogerini. Këto bisedime filluan si bisedime teknike (më pas u shndërruan në bisedime politike pa ndonjë konsensus nacional), për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, të udhëhequra në fillim nga Kryeministri Serb, Daçiq dhe ai i Kosovës z. Thaçi e më pas nga Kryeministri i Kosovës, Mustafa dhe ai i Serbisë, Vuciqi. Bisedimet me rezultate minore po vazhdojnë edhe në përvjetorin e dhjetë të pavarësisë e me gjasë do të vazhdojnë edhe pas këtij përvjetori jubilar. Bisedimet janë duke u vazhduar, por një normalizim substancial i marrëdhënieve Kosovë – Serbi ende ka shumë të panjohura e hijezime. Ndoshta një e arritur mund të konsiderohen zgjedhjet, por edhe ato e kanë sjell Serbinë në Kosovë përmes Listës Serbe.
Se fundi këto bisedimi ka shumë gjasa që nga qeveritë e ty vendeve të vazhdohet nga Kryetarët e dy vendeve, Kosovë – Serbi. Vazhdimi pa vendim të Kuvendit të Kosovës (si organ më i lartë) ose konsensus nacional, do të ishin të pa ligjshme për palën e Kosovës. Madje edhe rezultati do të ishte ky që ishte e është deri më tani. Të ecurit nëpër rrugën e njohur, nuk mund të jep rezultat të ri!