ELIFE PODVORICA JASHARI: AKADEMI PËRKUJTIMORE NË 20 VJETORIN E EPOPESË SË FAMILJES JASHARI

Prishtinë, 7 mars 2018: 5, 6 dhe 7 Mars 1998! Ora e historisë shqiptare në tik-takun e saj heroik! Sikur në 2 Marsin (1444) e Kuvendit të Lezhës , kur Heroi ynë kombëtar i tuboi Princat shqiptar, dhe për 26 vjetë me radhë e tronditi gjithë Europën me trimërinë e tij të pashoqe, për të lënë gjurmët e tij të nderit e krenarisë për 600 vjetët e ardhshme, edhe në 5, 6 dhe 7 Marsin e 1998-ës, bota mbarë u rrënqethë nga një akt dhe një klithmë historike që doli nga thellësia e qenies shqiptare! Sakrifica e Adem Jasharit me gjithë Familjen e tij –Akti herorik i tij,”lëkundi diplomacinë botërore , dha kushtrimin e lirisë dhe bëri që zemra e shqiptarëve të rrihte fuqishëm, ashtu siç rrehu atë ditë, ashtu siç do të rrah përjetësisht”-siç u tha sonte në Akademinë Përkujtimore në nderim të Familjes Jashari dhe 20 vjetorit të Epopesë së Lavdishme të UÇK-së!
Muaji mars bashkë me aromën e tij pranverore, qeli shumë lule gjaku në trojet shqiptare ndër shekuj! Edhe në shekullin që sapo ia kthyem shpinën! Dhe ishin shumë lule të njoma! Ku ka më lule më të njomë se Blerina 7 vjeçe , të cilës fishekët me barot ia ndërprenë ninullën pranverore! Por, ninulla e pakënduar mori flatrat dhe pushtoi nënqiellin e Kosovës për tu bërë Kushtrim Lirie dhe për ta kënduar çdo shqiptar gjer në frymën e fundit të tij!
Ashtu siç bënë djemtë e UÇK-së , për ta vazhduar amanetin e Adem Jasharit deri në fund! Sepse, “sot e 20 vjet më parë , Komandanti Legjendar Adem Jashari, hapi një epokë të re-epokën e lavdishme të UÇK-së, epokën e lirisë, pavarësisë dhe bashkimit kombëtar” – Ishin këto fjalë që aq bukur dhe rrjedhshëm sonte i fliste Besa Çeku! Zëri i saj më ktheu njëzet vjet më herët! Atëherë kur shqiptarët kudo që ishin, të shpërndarë si zogjët e qyqes nëpër botë, përpiqeshin e organizoheshin deri në flijim, për çlirimin e Kosovës ! Për çdo mbrëmje, pafrymë dëgjonim lajmet shqip nga Zagrebi i Kroacisë ku Besa me atë zërin e saj të kumbueshëm e të qartë , na i dridhte zemrat në çdo frekuencë të zërit të saj, seç, po ndodhte për momentin në tokën e Kosovës së djegur me barot

 

Sonte, në Akademinë Përkujtimore të Komandantit Legjendar, kumboi edhe një zë tjetër! Ai i sopranos Arta Jashari, e cila në atë kohë, ishte një fëmijë 5 vjeç dhe jetonte larg nga gjyshërit e saj!Por, ngjarjet në Kosovë i ndiçte me shumë interesim dhe me atë trishtimin fëmijëror! Besën e kishte si një teze që shumë shpesh i afronte dashurinë e tezes dhe hallës sa herë që takoheshim! Atëherë diskutonim e mundoheshim që me aktivitete të ndryshme të organizoheshim e të ngrisnim zërin për të drejtat e shqiptarëve para botës!
Sonte ishin prap të dyjat bashkë në skenë! Besa që po udhëhiqte Akademinë, ndërsa Arta me zërin e saj të bukur, duke kënduar këngën e Arif Vladit ‘Jam Kosova e shqiptarisë’! Cilit shqiptar nuk i ishte rrënqethur trupi kur për herë të parë u dëgjua kjo këngë! Ishte si një hymn kombëtarë! Këndimi briliant i Arif Vladit, edhe sot , pas 20 vitesh, të ngjallë mornica nëpër trup! Artistët tanë, në vitet 90-ta , ishin si ambasadorë të kombit, për të ushqyer frymën kombëtare të popullit shqiptar në ngjalljen e tij historike!
Kënga e Ilir Shaqirit “Sërish vjen Marsi’, poashtu mori frymën e një hymni kombëtar dhe çdoherë sa herë ta dëgjosh, të ngjallë krenarinë pse jam shqiptar! Merita e shumë e shumë artistëve të tjerë , që patën guximin dhe kurrë nuk u ndalën andej e këtej kufirit, është e pamohueshme dhe e ka rëndësinë e saj të madhe, po aq sa pati përpjekja e procesit politik gjer në çlirimin e Kosovës!
Edhe këndimi i Artës sonte, ishte shumë emocionues, sepse po këndonte një vajzë e re që me veshjen e “Shotë Galicës”, kishte ardhur enkas nga studimet e saja në Berlin, për ta realizuar këngën “Jam Kosova e shqiptarisë”, në nderim të Komandantit Legjendar, Adem Jasharit. Në nderim të bashkëmoshatares Blerinë e Lirije, dhe gjithë fëmijëve të Jasharëve, të cilët gjer në çastin e tyre të fundit, kënduan këngën “Për Mëmëdhenë”, bashkë me babain Hamzë e Adem!
‘Mos u tutni”-ishte ngushëllimi i vetëm që mund të bënte Loke Zahidja , e cila gjer në frymën e saj të fundit u mundua ti mbante në gji katër nipërit e mbesat e bacës Rifat, shtatë nipërit e mbesat e bacës Hamzë dhe dy fëmijët e bacës Adem, të cilët një më herët a një më vonë, i mori vdekja nga predhat e paramilitarëve sërb !
Heeeej! Është dhimbje e thellë kjo ngjarje për çdo shqiptarë , andaj oj Europë , pavarësisht proceseve e planeve tua në Ballkan, mos shkil mbi gjakun e Jasharëve, se nuk duron kjo Tokë !
….. Populli shqiptar gjatë ecejakës së tij historike, pati shumë momente, ku vetëm një mrekulli çudibërëse i shpëtoi në ekzistencën e tij biologjike! Por, nuk i munguan shtyllat e tija me të cilat u mbajtë dhe u identifikua si komb shqiptar!

Sopranoja Arta Jashari

Një ndër këto shtylla në vitet 90-ta, ishte edhe një njeri , i cili mori bekimin e engjëjve, dhe me atë buzëqeshjen e tij fisnike , arriti ti pajtonte e ti bashkonte shqiptarët në një! Për ti bërë tok në organizimin e mëtutjeshëm për çlirimin e Kosovës! E kujt nuk do t’i kujtohet ajo buzëqeshja prej plaku të urtë-Anton Çeta!
Ndërsa, Epopeja e lavdishme e UÇK-së me në krye Komandantin Legjendar Adem Jasharin, është dhe do të mbetet një ndër shtyllat e arta të kombit shqiptar në ekzistencën e përjetshme të tij, duke edukuar gjeneratat e ardhshme shqiptare në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar në trojet e tij etnike!

Lavdi e përjetshme Baca Adem!
Lavdi e përjetshme gjithë Familjes Jashari!

Dirigjenti Baki Jashari dhe sopranoja Arta Jashari.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura