Durrës, 8 mars 2018: Po them “në Ditën e Mësuesit Shqiptar”, sepse 7 Marsi nuk është festë arsimore e popujvet të tjerë. Është, pra, ditë përkujtimore që lidhet vetëm me Gjuhën Shqipe dhe me arsimin shqip të shqiptarëvet. Prandaj dhe po ndalem dhe duhet të ndalemi të gjithë së bashku brenda Festës sonë, por edhe brenda hallit tonë.
Më duhet të pohoj se kjo Ditë, për mua si mësues (nuk po them “i dikurshëm”, sado që kam 25 vjet në pension), është një ditë e hidhur, mbushur me helmin e një keqardhjeje tepër sfilitëse.
Jo më larg se dje, mu në vigjilje të 7 Marsit, na u paraqit në media një monstër e arsimit tonë, një turpërues i të ndrituravet Motra Qirjazi, një përbaltës i të ndriturit Xhuvani, një shkelës mbi eshtrat e njoma të të ndriturit Migjeni dhe një zvetnues i krejt punës së mijëra dritëshpërndarësvet atdhedashës të Kombit tonë, njëfarë Ahmet Muçaj. Falsifikator dëftesash e diplomash! Një shëmti morale e pagëlltitshme!
Por nuk fillon as nuk mbaron me kaq pamja e zymtë e kësaj Dite të Shenjtë Shqiptare. Kur themi: falsifikator dëftesash e diplomash, është e qartë që aty s’kemi të bëjmë me njërin krah të shëmtisë morale. Shëmtia morale është aty e dyanshme: Është moralisht i kalbur, i dekompozuar, ai që i jep, gjegjësisht ai që i shet “diplomat” e “dëshmitë” që GJOJA filan njeri qenka “i arsimuar”, por, është i kalbur moralisht edhe ai që e pranon një dëshmi të rreme. Janë qindra GJOJA mësues që paguajnë para për lloj-lloj “diplomash” apo “dëshmi testimesh”, vetëm e vetëm për të fituar ose për të ruajtur një vend pune dhe ja ku na doli edhe pala e tretë moralisht e kalbur, ajo e zyrtarëvet!
Jo më larg se dje kish edhe një njoftim tjetër, tepër indinjues, nga Republika e Kosovës. Lajmi thoshte që edhe atje, në këta vitet e mbasçlirimit, u janë shpërndarë (lexo: shitur) njerëzvet qindra e mbase edhe mijëra “dëftesa shkollore” e ”diploma universitare” të rreme. (Prandaj dhe po i vë nën thonjëza.)
Dikujt mund të mos i duket gjendja aq alarmuese kur lexon a dëgjon shprehjet “dëftesë e rreme”, “diplomë e rreme”, “diplomë e falsifikuar”, por mjafton të thellohemi pak dhe do të kuptojmë që këtu kemi të bëjmë me vetë NJERIUN: Të rremë! Të falsifikuar!
Një mësues me diplomë të rreme është një mësues i rremë dhe një njeri i rremë.
Një jurist me diplomë të rreme është një jurist i rremë dhe një njeri i rremë.
Një inxhinier me diplomë të rreme është një inxhinier i rremë dhe një njeri i rremë.
Një mjek me diplomë të rreme është një mjek i rremë, por edhe një njeri i rremë.
A mendoni se ai mësues i rremë, ai jurist i rremë, ai inxhinier i rremë, ai mjek i rremë, nuk është njëkohësisht edhe një bashkëshort i rremë e një prind i rremë?!
Shtrohen kështu pyetjet:
Me të këtillë sistem shkollor kaq keq të infektuar, në çfarë shoqërie po jetojmë sot ne shqiptarët?
A po jetojmë në një shoqëri rrenash?
A është shoqëria e sotme shqiptare, filluar nga individi, familja e deri te partitë politike dhe administratat shtetërore, një shoqëri e falsifikuar?
A është, pra, shoqëria jonë e sotme, e mbuluar, e përmbytur nga falsifikimet?! Fatkeqësisht, është e tillë!
Nuk mburresh dot me një kryeministër!
Nuk mburresh dot me një president!
Nuk mburresh dot me një kryejurist!
Nuk mburresh dot me një kryemjek!
Janë strukur forcat pozitive të Kombit dhe nuk dalin dot në sipërfaqe! Janë tulatur, përpëliten nëpër fejzbuqe, forcat pozitive dhe nuk i japin dot Kombit tonin mbizotërues! Nuk i lejon ndotja morale, e fëlliqur që nga bangat e shkollës!
S’ka, more, mundësi të punojë mjeku i mirë! Nuk i jepet hapësirë veprimi, as morale, as materiale, shkencëtarit të mirëfilltë! Nuk e gjen dot veten në Atdheun e vet një sportist i talentuar! Politikani atdhetar nuk kandidon dot, sepse nuk e voton njeri! E, kur një politikan, i cili do t’u dilte zot Atdheut dhe Kombit, nuk fiton dot në votime, a nuk do të thotë kjo se shoqëria e sotme shqiptare, në të dy shtetet, është e krimbur?! (S’po flas për shqiptarët në katër shtetet e tjerë, se atje ka plagë edhe më të rënda.)
Të gjitha këto janë pasoja të një morali të turbulluar, i cili fatkeqësisht lidhet ngushtë, lidhet shumë ngushtë edhe me moralin e sotëm të mësuesvet.
Megjithse rrethi është vicioz, unë po e shikoj çështjen vetëm në hallkën e sitemit arsimor.
E dimë tashmë që, në të gjitha kohët, ai shtet apo institucion i huaj, që ka dashur ta mposhtë Kombin Shqiptar, është kapur në radhë të parë te shkollimi ynë në gjuhën tonë. Nuk kanë dashur që ne shqiptarët të kemi shkolla në gjuhën shqipe. Nuk na i kanë lejuar shkollat shqipe. Jemi i vetmi komb, të cilit ia kanë vrarë mësuesit, sikur ata të ishin oficerë të lartë të një ushtrie të pamposhtshme.
E tash mësuesit dhe profesorët tanë po vrasin veten, pa qenë nevoja të vriten prej të tjerësh. Një mësues që pranon diplomë të rreme për vete, e ka vrarë veten moralisht dhe profesionalisht qysh pa u bërë mësues. Një mësues që pranon të japë dëftesë të rreme, e vret veten (moralisht) aq herë sa firmos në të tilla „dëftesa“. Një mësues që u vë nxënësvet nota të pamerituara, duke u përlyer me gjithfarë ryshfetesh a privilegjesh, është tërë jetën i vrarë e i pakallur.
Plotësohen kështu, falë karakterit të paformuar të vetë shqiptarëvet, dëshira, synimi, strategjia e atyre që i patën vrarë: Petro Ninin, Papa Kriston, Shtjefën Gjeçovin, Ndrecë Ndue Gjokën dhe që i patën burgosur qindra pasuesit e tyre, sidomos në ato pjesë të Shqipërisë që i patën pushtuar sllavojugorët.
Duke vrarë apo duke burgosur mësuesit shqiptarë, shqiptarofobët ishin të bindur, me të drejtë, se në atë mënyrë do ta vrisnin Kombin Shqiptar, këtë komb nga më vitalët në botë. Ndërkaq, ta mbushësh popullin tënd me dëftesa e diploma të rreme, do të thotë të çosh në vend praktikisht strategjitë e të gjithë shqiptarofobëvet që ka prodhuar kjo botë ndonjëherë. Pra, do të thotë ta asgjësosh Kombin tënd me veprimet e tu të pamoralshëm.
Përfundimisht, në qoftë se duam ta nxjerrim Kombin Shqiptar nga bataku në të cilin ka rënë, midis tjerash edhe për fajin e atyre mësuesve e pedagogëve që e kanë keqpërdorur profesionin e vet, shoqërisë shqiptare i duhet doemos të bëjë një kthesë vendimtare në moralin e asaj që dikur ka qenë bërë traditë të quhej Armata e Punonjësvet të Arsimit.
Nuk është këtu fjala as për lloj-lloj reformash me natyrë kozmetike, as për ndërhyrje të pjesëshme kirurgjikale. Fjala është për t’u ulur seriozisht dhe për të folur seriozisht, pjekurisht dhe profesionalisht. Nëse e duam vërtet Kombin, të cilit i përkasim.
Gjokë Dabaj, Durrës – 7 Mars 2018.