Pashtriku.org, 3 prill 2018:
Letër e hapur:
Kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë
Z. Talat Xhaferi
Kryeministrit të Maqedonisë
Z. Zoran Zaev
Lënda: Propozim për emrin e ri të Maqedonisë
I nderuar zoti kryetar i Parlamentit të Maqedonisë,
I nderuar zoti kryeministër i Maqedonisë,
Të nderuar zonja dhe zotërinjë deputetë të Parlamentit të Maqedonisë,
Shkup.
Jemi duke ndjekur me shqetësim debatin, që bëhet midis Maqedonisë dhe Greqisë për të ndryshuar emrin e Republikës së Maqedonisë. Me keqardhje vejmë re se grekët me çdo kusht duan të zhdukin emrin e Maqedonisë së lashtë dhe kështu të përvetësojnë të gjithë trashëgiminë historike dhe kulturore të saj.
Gjatë viteve 400 para erës së re dhe më pas, kur u ngrit mbretëria Maqedonase, në Ballkan ekzistonin edhe mbretëritë Ilire, Epirote dhe Thrake. Por në jug të Ballkanit, ende nuk kishte emër Greqi, që u fut pas pushtimit romak (pas viteve 168 p.e.s.), rajoni ishte nën ndikimin e qytet-shteteve të Thebës, Athinës, Spartës etj., dhe të perandorisë Persiane, që ndodhej në Anadoll. Më pas mbreti maqedon Filipi i II (359-336 p.e.s.) i pushtoi këto rajone, që vazhduan edhe nën mbretërinë e Aleksandrit të Madh. Shumica e shoqërisë në pjesën jugore të Ballkanit ishte popullsia pellazge. Fiset greke erdhën më vonë me kope bagëtish, që nuk kishin asnjë emër. Nuk dihet nga erdhën, sepse në vendin e origjinës nuk kanë lënë asnjë shenjë kulturore dhe asnjë nuk sollën në vendin e ri. Ata përbënin një pakicë në rajon, që në shumicë u vendos kundra Maqedonisë dhe gjatë luftrave të Aleksandrit të Madh, në anën e Persisë.
Prandaj grekët nuk kanë asnjë lidhje kulturore dhe gjuhësore me maqedonasit e lashtë dhe nuk duhet me presione të marrin trashëgimin e tyre. E gjithë trashëgimia historike dhe kulturore e Maqedonisë së lashtë i përket Maqedonisë.
PROPOZIMI PËR EMRIN
Duke u mbështetur në të dhënat e padiskutueshme historike dhe të autorëve të antikitetit, ne mbështesim mendimin, që Maqedonia e ka emrin e saj dhe të emërtohet ashtu sikundër thirrej në antikitet: Maqedonia Pellazge.
Po ju njohim shkurtimisht me dëshmitë e autorëve antikë për këtë problem.
Justini, (Përmbledhje e historisë së Filipit) të Pompei Trogut, Libri VII.
“Maqedonia quhej më parë Emathi, sipas emrit të Emathit, i cili qe i pari që dha shembull trimërie në këtë vend. Territori i saj rritej shumë ngadalë dhe kufijtë e saj ishin shumë të ngushtë. Populli quhej pellazg dhe krahina Botia. Por me kalimin e kohës, në saje të guximit të mbretërve dhe energjisë së popullit, Emathia, pasi nënshtroi në fillim fqinjët e saj, dhe më vonë shumë fise e popuj të tjerë, u zgjerua deri në kufijtë më të largët lindorë”.
Justini na e thotë qartë që popullsia ishte pellazge. Të thuash që popullsia ishte pellazge, do të thotë që popullsia nuk ishte helene/greke, sepse helenët dhe pellazgët ishin dy popullsi të ndryshme, i pranuar ky fakt jo vetëm nga autorët e antikitetit, por dhe prej institucioneve shkencore të kohëve moderne. Nga këto dy popullsi: pellazgët ishin vendas, autoktonë, ndërsa grekët janë të ardhur.
Vetëm kjo dëshmi e rrëzon pretendimin e Greqisë së sotme që e pretendon Maqedoninë antike si të sajën. Maqedonia ishte pellazge dhe pretendimi i parë që rrëzohet është ai i Greqisë së sotme që e mban peng Maqedoninë për ta futur në strukturat euro-atlantike.
Vijojmë tek dëshmia e dytë e autorëve të antikitetit. “Herodoti e emëron Maqedoninë Pellazgji dhe e konsideron Olimpin si kërthizën e pellazgëve” (Aleksandri i Madh, histori dhe rrëfenja, përktheu dhe përgatiti Llambro Ruci, Sh. B. Ombra GVG, Tiranë 2005, fq. 49).
Ja dhe Dëshmia e dytë, ajo e Herodotit, i cili dëshmon se Maqedonia nuk është helene. Të dy autorët e antikitetit na thonë të njëjtën gjë. Ata e përcaktojnë qartë dhe etninë e saj: Maqedonia i përket Pellazgjisë.
Është absurditet, që të ndërhysh kaq brutalisht mbi Maqedoninë dhe t`i mohosh asaj përfshirjen në BE dhe NATO, me preteksin se Maqedonia është helene dhe ky emër i përket Greqisë.
Po cilat kanë qenë lidhjet e Maqedonisë antike me popullsitë fqinje.
Straboni, Gjeografia, Fragmente nga libri VII
“Si tek maqedonasit edhe tek thesprotët dhe molosët plakat i quanin pelia dhe pleqtë pelii. Pra ata i quajnë peligonë njerëzit e nderuar, ashtu si tek lakonët dhe masaliotët pleqtë. Prej kësaj, sipas legjendës dhe ato që shërbejnë tek lisi i Dodonës i quajnë pelia”
Straboni na jep një dëshmi të rëndësishme se maqedonasit, si dhe molosët e thesprotët e Epirit kishin të njëjtën gjuhë. Të moshuarit apo pleqtë i emërtonin njësoj: peli. Po ta shohim me kujdes dëshminë e Strabonit burrat quheshin peli, kurse gratë pelia. Nëse do ta shohim nga ana gjuhësore këto janë dy emra të gjuhës shqipe. Shembull: plak-plaka, emri femëror ka dalë nga emri i gjinisë mashkullore, duke i shtuar mbaresën -a. Në antikitetet kemi: peli-pelia, ku emri femëror ka dalë nga emri i gjinisë mashkullore duke i shtuar mbaresën -a. Pa shtuar se emri plak-plaka është produkt i zhvillimit gjuhësor të emrave antikë peli-pelia. Shohim dhe një dëshmi tjetër të Strabonit.
Straboni, Gjeografia, Fragmente nga libri VII.
“Edhe gjithë viset gjer në Korkyrë disa bile i quajnë Maqedoni, për arsye siç thonë, se banorët e këtyre krahinave përdorin edhe të qethurit, edhe të folurën, edhe mantelin (klamydën), edhe gjëra të tjera në mënyrë të ngjashme”
Dëshmia e Strabonit është e qartë. Epiri dhe Maqedonia janë popuj të njëjtë. Epiri ishte pellazg, sepse aty ishte kryeqendra e gjithë Pellazgjisë, aty ishte Dodona. Si popull pellazg ata (mqedonasit dhe epirotët), kishin shumë gjëra të përbashkëta dhe konkretisht:
a) kishin të përbashkët gjuhën. Po gjuha është elementi më i rëndësishëm i identifikimit të një kombi.
b) Visheshin dhe qetheshin njësoj. Këtu kemi hyrë në një fushë të rëndësishme, që dëshmia e Strabonit mund të konkretizohet me dhjetëra shembuj të tjerë, sepse prerjet e monedhave dhe gjetjet arkeologjike, po të mblidhen dhe të krahasohen, do të na vërtetojnë, padyshim, dëshminë e Strabonit, megjithëse dëshmia e tij nuk ka nevojë të vërtetohet për shkak të saktësisë, që ai na ka dhënë në të gjithë veprën e tij.
c) Ka edhe gjëra të tjera në mënyrë të ngjashme. Kjo do të thotë se midis pellazgëve të Epirit dhe pellazgëve të Maqedonisë, të dy popujt që kishin dalë nga i njëjti trung, nuk i kishin humbur tiparet e përbashkëta. Dëshmitë e Strabonit, Herodotit dhe e Justinit na vërtetojnë se Maqedonia antike ka qenë pellazge dhe nuk ka pasur asnjë lidhje etnike me helenët/grekët, që kanë ardhë vonë në rajon.
Artur Vajgal, Aleksandri i Madh, Tiranë 2002, fq. 8.
“Oborri mbretëror maqedonas e fliste greqishten atike si gjuhë të dytë dhe duket se e flisnin dhe princat malësorë të Lynkestit”
Kjo dëshmi është e qartë se maqedonasit dhe grekët ishin dy popuj të ndryshëm. Maqedonasit si popull pellazg fliste pellazgjishten. Greqishtja ishte për ta gjuhë e dytë. Po këtu kemi një tjetër të dhënë, se edhe ilirët e Lynkestit e flisnin dhe ata si gjuhë të dytë greqishten antike. Po nëse Lynkestët ilirë do të ishin popull i ndryshëm nga maqedonasit, pra të flisnin tjetër gjuhë nga maqedonasit, atëherë lynkestët do ta flisnin gjuhën greke si gjuhë të tretë, sepse si gjuhë të dytë do të flisnin maqedonishten.
Artur Vajgal, Aleksandri i Madh, Tiranë 2002, fq. 38
“Veç nuk duhet të harrojmë se ai (Aleksandri i Madh), nuk ishte me prejardhje thjesht maqedonase. Olimpia u përkiste Molosëve të Epirit dhe nëna e Filipit ishte një grua shqiptare prej Lynkestit dhe njihej si ‘barbare’ ”.
Ja ku na dalin maqedonasit pellazgë dhe lynkestët ilirë të lidhur midis tyre jo vetëm nga gjuha, por dhe në lidhje të ngushta farefisnore. Maqedonasit dhe epirotët u përkisnin fisit të pellazgëve, ndaj Olimbia (emri i saj i vajzërisë ka qenë Myrtili) nuk është barbare për maqedonasit.
Gjuha maqedone e lashtë
Maqedonët e lashtë e kanë pas shkruar gjuhën e tyre dhe prej saj janë ruajtur disa mbishkrime, që e vërtetojnë këtë. Vitin e kaluar këto mbishkrime i studioi studiuesi nga Kosova Sh. Berisha. Ai në studimin “Mbishkrime të popujve të trungut pellazgjik (mbishkrime maqedone), Pashtriku.org. 16 tetor 2017) jep deshifrimin e disa mbishkrimeve si Stela e Pellës, mbishkrimin Athinais etj. Në këto mbishkrime vërtetohet shumë qartë, se gjuha e maqedonasve të lashtë, ka qenë gjuha që flasin dhe shkruajnë sot shqiptarët e Maqedonisë. Mbishkrimet e lashta dëshmojnë nga ana tjetër, se maqedonasit e lashtë kanë folur dhe shkruar gjuhën e tyre, krejtësisht të ndryshme nga gjuha greke.
Duke u mbështetur tek autorët e antikitetit, që e njihnin mirë Maqedoninë pellazge, historinë e popullit maqedonas dhe gjuhën e tyre, mendojmë se është plotësisht e argumentuar, që emri i Maqedonisë me qendër Shkupin të quhet Maqedonia pellazge, pasi nuk ka lidhje me emrin Maqedoni greke me qendër Selanikun, sepse helenizimi i Maqedonisë, që i përket sot Greqisë është proces shumë i vonshëm dhe nuk e ka prekur fare Maqedoninë me qendër Shkupin, ku gjuha që flitet aty është ajo shqiptare dhe maqedone. Mendojmë se emri i ri: Maqedonia Pellazge, e përcakton mjaft qartë identitetin e Maqedonisë me kryeqytet Shkupin.
Luftulla Peza,
Kujtim Mateli,
Liljana Peza
Qendra e Studimeve Pellazgjike
Tiranë-Prishtinë
Tiranë, më 12 mars 2018
————————————————————————————-
(Ilustrimet janë të pashtriku.org, 3 prill 2018)