Vlorë, 14 qershor 2018:
Evis ÇELO (Ph.D)
MSc. Albert HABAZAJ
Harikla BEDULI
Department of Foreign Languages
Central Library “Nermin Vlora Falaschi”,
University “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA
e-mail:[email protected]
e-mail: [email protected]
email: [email protected]
Abstrakt:
Në këtë punim do të synojmë të ndjekim udhëtimin e shëndetshëm të librit të shtypur, librit digjital dhe bibliotekës për tek lexuesit (përdoruesit) në miqësi e harmoni korrekte për vendin dhe rolin e dy formave librore në funksion të lexuesit për dobinë e tij dhe zhvillimin e shoqërisë sonë. Do të paraqesim këndvështrimin tonë për raportin midis librit manual dhe atij digjital, në rrafshin e sfidave sociokulturore të tyre, me përparësitë dhe rreziqet e secilit, në funksion të dobishmërisë ndaj individit dhe shoqërisë. Historikisht njihet varianti tradicional i botimit të librit, për të cilin përdoren termat: libri manual, i shtypshkruar, i printuar apo hard copy. Sidomos mbas viteve 1990, zhvillimet teknologjike kanë nxjerrë në skenë dhe variantin e dytë të publikimit të librit, që paraqitet në llojin burime në vazhdim, për të cilin përdoren termat: libri digjital, elektronik, on line, e-book. Dy variantet tekstore të librit, në prezantimin para publikut shikohen si dy pole, që kërkojnë dominim ndërkombëtar, që, nëse shprehemi me gjuhë metaforike, na kutojnë “Luftën e ftohtë” midis dy superfuqive shkronjore. Në këtë kuadër, libri i shtypshkruar shfaqet si përfaqësues i botës reale, ndërsa libri elektronik si pinjoll i botës digjitale. Cili është në modë? Kujt varianti i përket ardhmëria me vazhdimësinë komunikative me publikun, me dobitë dhe dëmet sociale përkatëse? Këto çështje dhe të tjera pika në shërbim të informacionit të shëndetshëm kulturor e përparues për publikun do të dalin sadopak në këtë material. Menduam ta trajtojmë këtë temë vertikalisht ngushtë, edhe për arsyet e disa shqetësimeve që shfaqen në shoqërinë e sotme, tek njerëzit e leximit dhe shkrimit. Duke parë tendencat e zhvillimeve të vrullshme që përjetojmë, duke vëzhguar raportet e librit të shtypur me librin elektronik, gjykuam të ravijëzojmë përparësitë, mangësitë e njërit apo tjetër model, por gjithsesi për të qenë të dobishme për formimin qytetar dhe kulturor të shoqërisë.
Fjalë kyçe: historia e librit, libri elektronik, libri i printuar, përparësitë, sfidat, marrëdhëniet e tekstit me lexuesin
Abstract:
In this paper we will present an overview of the relationship between hard copy and e-book in the field of their socio-cultural challenges including their respective advantages and disadvantages, as a useful function of the individual and the society. It is historically known, the traditional book publishing version is, for which terms are used: manual, published, printed or hard copy.
Especially after the 1990s, hi-tech developments have produced the second version of the book’s publication, which is presented as a continuous source for which terms are used: digital, electronic, on-line, e-book. In terms of the audience the two books version are seen as two poles that require international domination, and if we may express metaphorically they remind us of “The Cold War” between two literal superpowers.
In this context, the printed book appears as a representative of the real world, while the electronic book as aprogeny of the digital world. And the question comes is; but which of them is on fashion? Which of them belong to the future as the most communicative futuristic audience with relevant social benefits and irrelevant ones?
These issues and other points on the behalf of cultural and progressive information to the public will come to fruition in this material. We thought we would treat this topic based in such concerns that appear in today’s society, to the readers and writers. Based on the tendencies of the rapid developments that we experience, by observing reports of hard copy/printed book with the e-book, we outline the advantages and disadvantages of the first and second version, by the goal to be useful for the civic and cultural education of the society.
Keywords: book history, e-book, printed book, advantages, challenges, text-to-speech relationship with the reader
Hyrje
Është një shprehje e artë e urtësisë Botërore: “Librat mbledhin margaritarët e mendimit dhe ua japin njerëzve” [Ajbek]. Ndërkohë, shekulli XXI, që po jetojmë është cilësuar si shekull i teknologjisë së informacionit universal. Duket sikur teknologjia po sfidon vlerat njerëzore. Gjasat janë që kjo situatë po vë në dilemë të nesërmen e librit të shtypur e të lidhur. Kur mendon, që këtë gjendje të vështirë po e përjeton libri manual, një nga ushqimet më të shëndetshme të trurit, nuk ka se si të mos shprehësh gjykimin për këtë çështje ekzistente, sa madhore aq të prekshme. Çdo ditë që ndeshemi me problematikat në fushën e edukimit akademik dhe shërbimeve ndaj studentëve, ne jemi në kontakt me librin e shtypur dhe me burimet elektronike. Jo vetëm përdoruesit e dy varianteve librorë, por edhe studiuesit shfaqin mendime të ndryshme, që shpesh herë, në vend të kthjellojnë vizionin e të interesuarve, e turbullojnë atë më keq e pa motiv. Duket që kemi të bëjmë më shumë se me një debat ftues, sfidues. Librit të printuar duan t’i veshin kostumin e brezit të vjetër – “i humbur”, ndërsa libri online shfaqet si përfaqësues i brezit të ri – “fitimtar”. Për rëndësinë e librit tradicional kanë folur e janë shprehur autoritete shkencore e letrare, shqiptarë e të huaj. Pa u kthyer shumë në paskohë, ndër autorët e huaj mund të përmendim emra si Albert Ajshtajn, Karl Grimberg, Milan Kundera, Aleksandër Stipçeviq, Umberto Eco etj.; ndër ata shqiptarë, po veçojmë emrat e shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli, dhe studiueses së re Rovena Vata, një profil serioz në fushën e studimeve albanologjike. Si duhet ta shikojmë tani librin tradicional? Po librin elektronik? Veç e veç?! Në luftë me njëri-tjetrin?! Apo mos duhen trajtuar si miq të mirë, në harmoni me njëri-tjetrin, ku secili ka vendin e vetë, që i takon me meritë e natyrshëm në dobi të shoqërisë?! Do të përpiqemi të jemi, sa më shumë objektiv në përgjigjet e këtyre pyetjeve, sipas këndvështrimit tonë, për të cilat na kanë ndihmuar edhe mendimet e idetë e autorëve të sipërpërmendur mbi rëndësinë e librit në edukimin dhe formimin e njeriut real të kësaj shoqërie njerëzore që jetojmë. Po kështu do të shikojmë sfidat që e presin librin real nga bota e qelqit, me njeriun digjital dhe informacionin e vrullshëm, të pandalshëm e të pakontrollueshëm dot që zbrazim “non stop” nëpërmjet aplikacioneve që na dhuron teknologjia e informacionit.
1. Mbi historinë e vjetër të librit tradicional. Sumerët
Jo thjeshtë për kërshëri apo për kulturë diturore, e quajmë me vend të dimë mbi rrënjët, burimet dhe fillimet e shfaqjes, zhvillimit e shkëlqimit të librit, para se të trajtojmë konkurencën e sotme nga mjete të tjera më të sofistikuara, më të shpejta e më të lehta në përdorim, si dhe sfidat e modernitetit që jetojmë. Nëse shikojmë në retrospektivë udhëtimin e librit nëpër rrjedhat e kohës, do të njihemi me historinë e qytetërimeve që ka kaluar njerëzimi gjatë 6000 vjetëve të fundit. Piketat e para shkrimore na orientojnë të futemi në kulturat e lashta të Lindjes së Mesme, te sumerët, të cilët supozohet se, në gjysmën e dytë të mijëvjeçarit V para erës së re a ndoshta edhe më herët kanë zbritur nga veriu, nga zona e detit Kaspik, dhe kanë zënë pjesën jugore të luginës pjellore ndërmjet lumenjve Tigër e Eufrat. Kërkimet e studiuesve të fushës kanë arritur të japin përgjigje mbi ditëlindjen e librit tradicional dhe miqësinë e tij jetike me bibliotekat. Qytetërimi i tyre shkëlqeu dhe frymëzoi si model qytetërimet e mëvonshme të mëdha në Lindjen e Mesme. Nga mbarimi i mijëvjeçarit III humbasin pavarësinë politike dhe zhduken nga skena historike. Sipas Stipçeviqit, arkeolog dhe bibliofil i përkushtuar, “vetë emri i sumerëve do të fundoset në harresë dhe nuk do të përmendet më përderisa para arkeologëve të shastisur të shekullit XIX dalin në dritë qytetet sumere, sistemet e ujitjes, tempujt gjigandë dhe mijëra rrasa argjili të shkruara me shkrim piktopografik e kunjor”1. Për sumerët sot dimë shumë. Shkenca u ka kthyer të gjitha prioritetet dhe i ka dhënë këtij populli shumë të lashtë vend nderi në historinë e kulturës botërore. Ndër prioritetet e shumta bëjnë pjesë shkrimi, librat dhe bibliotekat e para. Studimet vërejnë, se përsa i përket shkrimit, ende nuk dihet me siguri, nëse, pikërisht, sumerët kanë qenë të parët të cilët e kanë përsosur sistemin për paraqitjen grafike të mendimit. Megjithatë, ky supozim konsiderohet më i pranueshëm. Përmendoret më të vjetra të ruajtura të shkrimit sumer janë rrasa të vogla argjile me radhë piktogramesh të gdhendura, që datohen në mesin e mijëvjeçarit IV p.e.s. Gjithashtu, mendohet se sumerët edhe më herët të kenë shkruar me një shkrim të tillë rudimentar mbi materiale organike, që janë kalbur e zhdukur. Është e mundur, po ashtu, që sumerët idenë e shkrimit, si mjet komunikimi ta kenë marrë nga ndonjë popull tjetër akoma të paidentifikuar.
1.2 Sistemi i shkrimit në libër sipas Sumerëve
Në muzeun e Luvrit, Paris ruhet dhe ekspozohet shkrimi më i vjetër sumer, ndërkohë më i vjetri në botë në pllakë balte me shkrim piktografik, që i përket fundit të mijëvjeçarit IV p.e.s. Në qytetin Uruk (Erekun biblik) janë zbuluar disa qindra rrasa argjile të shkruara me shkrim piktografik, që datohen nga mesi i mijëvjeçarit IV p.e.s. në atë kohë sumerët përdornin rreth 2000 shenja (piktograme). Studiuesit besojnë se sistemi i shkrimit që përdorej në fillim në Mesopotami, ishte piktografik, ku një shënjë, simbol ose një vizatim përfaqësonte një fjalë ose një ide. Për shembull, shenja që tregonte kaun, ngjante me kokën e një kau.
Kështu që në mijëvjeçarin II p.e.s. do të mbesin gjithsej 500-600. Pamja e shkrimit sumer, me kalimin e kohës, do të ndryshojë esencialisht skicat fillestare nga faza piktografike do të shndërrohen në shenja të skematizuara, të cilat shpesh do t’i ngjajnë shumë pak bazës nga e cila janë zhvilluar. Ky evolucion i morfologjisë së shenjave u mundësua edhe nga mënyra e re e shkrimit të këtyre shenjave mbi argjilën e butë me anë lapsash të mprehur prej kallami, druri ose të ndonjë materiali tjetër, të cilët mbi argjilë linin shenja të gjata në formë trekëndëshi që i ngjasonin kunjit (shkrimit kuneiform). Sumerët shkrimin e kanë zhvilluar nga nevoja e përditshme për të regjistruar mallin ose kafshët, të cilat individë të ndryshëm ishin të detyruar t’ua dorëzonin tempujve ose nëpunësve lokalë, e kështu me radhë. Edhe më vonë, në kohën e lulëzimit të perandorisë babilonase e asiriane, si edhe në shumë zona të Lindjes së Mesme, shkrimi, në radhë të parë, shërbente për qëllime utilitare. Madje, rreth 95% të të gjitha teksteve të zbuluara deri më sot, të shkruara në rrasat e argjilës, mbi gur ose në ndonjë material tjetër, kanë përmbajtje afariste, shtetërore ose administrative. Për historinë politike e ekonomike të nejrëzimit këto tekste kanë vlerë të çmueshme, mirëpo për historinë e kulturës rëndësi më të madhe kanë rrasat me përmbajtje historike, letrare, juridike, mitologjike, astronomike, veterinare e me përmbajtje të ngjashme. Leximi këtyre rrasave (shpesh në fragmente e me dëmtime të rënda rezultoi me njohuri vërtet të papritura. U tregua se sumerët kishin një letërsi të pasur e të larmishme; njihnin bazat e shumë shkencave natyrore dhe se kishin pasur një mitologji shumë të pasur, me të cilën ndeshen motive të cilat, në shekujt e mijëvjeçarit të mëvoshëm, do të bëhen pronë e të gjithë popujve në Lindjen e Mesme. Disa prej tyre do t’u qëndrojnë të gjitha ndryshimeve historike e do të arrijnë deri në ditët e sotme. Në rrënojat e qytetit Nipur, qendër religjioze e kulturore e sumerëve janë zbuluar shumë rrasa argjile si edhe punishte e shkolla shkrimi të ruajtura mirë. Në të dy anët e rrasës është regjistri i gjashtëdhjetë e dy veprave me përmbajtje të ndryshme, prej të cilave tremëdhjetë të fundit i takojnë grupit “urtësitë”. Ruhen në Muzeun Universitar të Filadelfias (Pensilvani, SHBA), pllaka balte sumere (mijëvjeçari II p.e.s.), me tekstin e legjendës më të vjetër për krijimin e njeriut.
Eksperti i njohur amerikan për historinë e kulturës sumere S. N. Kramer, tekstin e rrasës në Muzeumit të Filadelfias e identifikoi si katalog biblioteke. Kjo pllakë, ku janë rregjistruar 62 veprat letrare (datohet rreth vitit 2000 p.e.s.), njihet si katalogu më i vjetër bibliotekar në botë. Shkruesit sumerë kanë shkuar një numër shumë të madh tekstesh me përmbajtje të ndryshme e me një numër të madh kopjesh. Disa tregime popullore; ai për personazhin e pafat Gilgameshin, janë ruajtur në një numër shumë të madh ekzemplarëshe variantesh. Atë e kanë përshkruar më së pari sumerët, e pastaj edhe shumë popuj të tjerë. Mirëpo shkruesit sumerë nuk kanë shkruar vetëm veprat letrare e mitologjike, por edhe fjalorë, tekste veterinarie, matematikore e tekste të tjera, në të cilat njeriu i atëhershëm i fiksonte arritjetet e veta shkencore e teknologjike.
Sumerët janë të parët të cilët këto arritje i kanë shënuar me një qëllim të qartë – për t’i ruajtur për brezat e ardhshme. Me fjalë të tjera, SUMERËT librit i kanë caktuar rolin, të cilin do ta ruajë deri më sot – që të jetë ruajtës i arritjeve intelektuale e teknologjike të njeriut.
2. Udhëtimi i librit përgjatë shekujve
Nuk kemi qëllim të ecim nëpër faqet e historisë së njerëzimit, nga mesi i mijëvjeçarit III, zhduken ngadalë nga arena historike, dhe, në gërmadhat e shtetit sumer e kulturës së tyre, do të zhvillohet shteti i fuqishëm i Babilonisë. “Epi i Gilgameshit” njihet si vepra më e vjetër letrare e shkruar dhe e zbuluar deri më sot”2, mbi 4000 vjet e lashtë.
Epi konsiderohet më se 900 vjet më i vjetër se “Iliada”, ndërsa më se 200 vjet më i vjetër se poezitë e vedave indiane (urtësitë, tekstet e shenjta Hindu). Nuk dihet, i përket traditës letrare gojore apo prej fillimit i takoi letërsisë së shkruar, sepse janë shfaqur mendime që kemi të bëjmë me një tekst libror me autor (një herë del emri Sin-leqe-unnini, që do të thotë: “Zot, pranoje lutjen time!”, një herë thuhet se një prift e ka shënuar nga tradita letrare letrare dhe i ka dhënë formën, në të cilën u zbulua epi). I shkruar në pllaka të argjilit me kunja (shkrim kuneiform), epi qëndroi 2500 vjet i mbuluar nën dhé. Ky libër është i pranueshëm ndër lexuesit e kualifikuar edhe sot sepse rrok temën universale – luftën kundër së keqes, si duket një shqetësim jetik, shfaqur qysh me fillimtarinë njerëzore mbi këtë planet.
Kjo kuptimësi vjen lexuesit shqiptar me vargun njëmbëdhjetërrokësh, vargu më madhështor me të cilin kanë ardhur në shqip edhe kryeveprat e letërsisë botërore si “Iliada” e “Odiseja” të Homerit, “Eneida” (pjesërisht) e Virgjilit, “Komedia hyjnore” e Dante Aligierit.
Qenë nevojat praktike ato që përcaktuan lindjen e shkencës në Egjiptin e lashtë, sidomos matematikën, astronominë e mjekësinë. Sipas Grimbergut, historian suedez, Herodoti e quan Egjiptin “një dhuratë të Nilit”. Të njëjtën gjë mund të themi për Babiloninë: një dhuratë e lumenjve binjakë, Tigrit dhe Eufratit”3. Kujtojmë që literatura assiro-babilonase e arriti kulmin me disa psallme, që në origjinë janë këngë vaji, të zbukuruara në Bibliotekën e Assurbanipalit.
Kultura e Egjeut me Mikenën e praruar, legjendën e Tezeut dhe labirinthit, periudhën heladike, me grekët në epokën legjendare, kulturën e Kretës, Peloponezit, me Homerin dhe çështjen homerike, me Arkimedin, Pitagorën, Aristotelin (i njohur për bibliotekën e tij, më të famshme e kohës), Herodotin e Thuqididin, në Shekullin e Artë të Perikliut (greq.: i rrethuar nga lavdia), (shek.V.p.e.s.) me letërsinë e madhe të tragjedive të Eskilit, Sofokliut e Euripidit, komedive të Aristofanit, me moshën e parë të artë të shkencave me Sokratin, Platonin, Hipokratin realizojnë Kohën e Artë të Athinës dhe i japin shkëlqim antikitetit, fakt i lartë që dëshmohet nga librat e shkruar, ardhur deri tek ne. Spartanët njihen si një nga popujt më konservatorë që njeh historia.
Kultura kineze, me veprat klasike të Lao Ceu e Konfucin, me shpikjet e mëdha, me Ming, që pruri epokën e artë të mjekësisë kineze (shek. XIV-VII p.e.s.), me artet e letërsinë e tyre apo dhe letërsia e arti hindu, zë një vend të veçantë në qytetërimin botëror4…
Format qeverisëse ndryshojnë me prirje demokratizuese, nga monarkia në republikë aristokratike dhe nga republika aristokratike në republikë demokratike janë shembulli më i mirë i dobisë qytetare që sjellin reformat e mëdha që ideuan njerëzit ditur e të mëdhenj me vizion që sfidon mijëravjeçarët. Përdoret dhe sot si aksiomë që Romakët e pushtuan ushtarakisht Greqinë, Greqia e pushtoi Romën nga ana kulturore. Romakët e zhvilluan atë më tej. Një minierë ari të vërtetë në historinë e librit e qytetërimit antik përbëjnë Virgjili, Seneka e Luciani. Lukiani është quajtur Volteri i Lashtësisë. Lukreci na ka dhënë veprën “De natura Rerum” (“Rreth natyrës së gjërave”. Plutarku na ka sjellë “Jetë paralele” me jetë njerëzish të shquar të antikitetit.
Në shek. XVIII p.e.s, babilonasit zhvillojnë një prodhimtari të fuqishme librash; për këtë arsye arkeologu gjerman R. Koldevej, i cili e gërmoi kryeqytetin e tyre, Babilonin, i quajti grafomanë. Llogaritet se, deri më tash, me gërmime janë nxjerrë më shumë se 600.000 rrasa argjile babilonase me përmbajtje ndër më të ndryshmet. Rrasat, sikurse në kohët sumere, shkruheshin e kopjoheshin në punishtet e shkrimit; kurse ruheshin nëpër biblioteka-arkiva të cilat gjendeshin nëpër tempujt ose shtëpitë e sunduesve. Biblioteka të tilla, me dhjetra mijëra rrasa, janë zbuluar në qytetet Kish, Sipar, biblioteka shtetërore në Ebla, në Ugarit dhe qendra të tjera kulturore babiblonase. Thuhet se arkeologëve u ra kazma në mjaltë në ekspeditën e vitit 1929, gjatë gërmimeve e zbulimeve në Ugarit. Libri vijon udhëtimin antik me fenikasit në 22 shenja për të shkruar bashkëtingëlloret, se për zanoret ende nuk kishin bërë shenja. Do të ishin grekët ata që, shkrimin fenikas do ta plotësonin edhe me shenja për zanoret për t’ia përshatur nevojave të veta. Alfabetin e fenikasve, pas grekëve të vjetër, e morën edhe shumë popuj të tjerë. Fenikasit luajtën rol të rëndësishëm edhe si tregtarë të papirusit (një lloj kallami që rritet në vendet e nxehta, zakonisht buzë lumenjve, me gjethe të holla që dalin pranë rrënjës dhe me kërcell të gjatë trekëndësh, prej të cilit në lashtësi bënin letër dhe sende të tjera. Njihen papiruset egjiptiane me fletën e hollë e prerë nga kërcejtë e kësaj bime dhe e përpunuar, që përdorej nga egjiptianët dhe nga popujt e tjerë të lashtë si letër për të shkruar. Papiruse quhen dhe dorëshkrime a libra të vjetër, për të cilët janë përdorur fletë të tilla). Që nga shek. XI ata e blejnë papirusin në Egjipt e ua shesin popujve të tjerë. Papirusi, të cilin grekët e blenin prej fenikasve, më së shumti kalonte nëpër qytetin Biblos dhe kjo është arsyeja që ata, së pari papirusin, e pastaj edhe librin e quajtën biblos, sipas këtij qyteti fenikas. Udhëtimi libror ka një stacion të fuqishëm në Jerusalem tek çifutët (hebrenjtë) me librat e tyre të shenjtë (“Libri i Shenjtë”, “Libri biblik i profetit”, “Dhiata e vjetër”), shkruar në rule pergamenesh, ruajtur kohërash në enë balte të pjekura. Evolucioni i mjeteve shkrimore të antikitetit kalon nga argjila tek pergamena, lëkurë kafshësh (dhie, keci, qengji etj.) që përpunohej posaçërisht dhe përdorej për të shkruar në të (para se të shpikej letra). Pergamenë ishte një lëkurë e tillë me shkrimet mbi të; dokument a libër i shkruar në këtë lëkurë. Të vjetrit shkruanin në pergamenë, sepse nuk përshkohej nga uji, ndaj kishte vlerë dhe lëkurë e tillë përpunohej e përdorej për të lidhur libra. Për t’i shkruar librat e shenjtë çifutët përdorën vetëm lëkurën, respektivisht pergamenën. Për tekstet profane ata kanë përdorur edhe materiale të tjera: qeramikë, tabela dylli, papirus, pllaka bakri etj. Deri në fund të antikitetit, librat çifutë kanë formën e rulit, por në shek.V e.s ata marrin formën e kodeksit. Sipas Stipçeviqit, në një tekst lexojmë: “Njeriu është i vdekur, kufoma e tij është pluhur, të gjithë bashkëkohësit e tij janë nën dhe. Libri, ndërkaq, është ai që kujtimin e tij e bart tutje gojë pas goje. Shkrimi është më i dobishëm se shtëpia e ndërtuar, kishëza në Perëndim, se kështjella e fortë, se përmendorja në tempull”5. Bota helenistike kishte qendër të rëndësishme të veprimtarisë shkencore letrare bibliotekën e Aleksandrisë. Në Mesjetën europiane, në përdorim ishin tri lloje të materialit të shkrimit: pergamena, papirusi e letra. Edhe kjo periudhë trashëgon nga antikiteti peshën specifike e magjike të librit; e ngre librin nga statusi i burimit të informacionit në lartësinë si objekt kulti, me ilustrime si mjet komunikimi, me kaligrafi stolisëse. Me skriptoriumet laike, libri i braktis përfundimisht hapësirat e mbyllura të manastireve dhe nis marshin e vet të madh drejt qendrave të reja të forcës ekonomike e politike; drejt qyteteve. Në shek. VIII, arabët nisin prodhojnë një material të ri, letrën, që shpejt do të hedhë në hije të gjithë materialet e tjera të shkrimit. Letra u paraqit në Europë së pari si mall tregtar, që vinte nga Damasku përmes Kostandinopojës dhe nga Afrika Veriore përmes Siçilisë. Shekujt XIV-XV, dy probleme themelore nxorri skena e kohës, me të cilën nis epoka e librit të shtypur. Çështja e parë ishte gjetja e materialit të ri, më të lirë, më të thjeshtë, më të shpejtë të shkrimit, e cila teknologjikisht ishte zgjidhur me depërtimin e letrës nga vendet islamike në Europë. Çështja tjetër ishte si të shpejtohej teknologjia për shumëzimin e librit. Shumëzimin mekanik të librave e zgjidhi me sukses, nga mesi i shek. XV, gjermani Johan Gutenberg nga Mainci. Tipografi gjerman Johannes Gensflajsh [Gutenberg] (rreth v.1400 [1397]-1468) “ka hyrë në histori si i pari në Perëndim që shtypi duke përdorur shkronja tipografike të lëvizshme; krijoi derdhjen me kallëpe të shkronjës dhe qe i pari që përdori presë. Deri aty nga viti 1455 kishte nxjerrë atë që u quajt Bibla e Gutenbergut, libri i parë i shtypur me shkronja të lëvizshme dhe libri më i vjetër ende ekzistues në Perëndim”6.
3. Libri i shtypur si mjet i përhapjes së informacionit
Në shekujt XV-XVI, libri i shtypur, shërben si mjet i ri për përhapjen e informacionit të duhur, të plotë, të nevojshëm e të dobishëm. Libri i shtypur u bë nxitës i fuqishëm e i pashmangshëm i zhvillimit shkencor dhe i proceseve shoqërore shumë të rëndësishme. Fillon shfrytëzimi i librit për qëllime propagandistike, shypen libra për popull, romanet popullarizues, kalendarët, almanakët, libra të lirë me literaturë të pëlqyeshme didaktike dhe argëtuese. Rritet vijueshëm tirazhi i librave të shtypur, saqë arrin kulmin e derisotëm, në 220 milionë ekzemplarë me librin “Katalogu i IKEA-s” (bot.1:1951), i autorit Ingvar Kamprad, biznesmen i pasur suedez (1926-2018), me historitë e bujshme të kompanisë së tij, parë nga kritika si një roman i mobiluar që përshkruan kënaqësitë e vogla të përditshëmërisë e vlerësuar si libri më i lexuar në botë pas Biblës. Bibla, libri i shenjtë i krishtërimit, ka dy pjesë: shkrimet hebreje që quhen Dhiata e Vjetër dhe shkrimet e veçanta për të krishterët që quhen Dhiata e Re. Dhiata e Vjetër përmban 39 libra dhe mendohet që përmbajtja përfundimtare e tekstit të saj të jetë miratuar rreth viteve 100 e. r. Dhiata e Re përmban 27 libra. Bibla në fillim është shkruar në hebraisht, aramaisht dhe greqisht. Përkthimi i parë i gjithë librit ka qenë Vulgata (405 e.r) prej Shën Jeronimit. Sot ka përkthime të Biblës ose të pjesëve të saj në mbi 1760 gjuhë. Kurani përbëhet nga shkrimet e shenjta të Islamit. Myslimanët besojnë se Kurani është fjala dhe vullneti Zotit, ashtu si i është zbuluar të dërguarit të tij Muhamed (570-632) nëpërmjet engjëllit Xhebrail ose Gabriel në periudhën e viteve 610-’32. Është shkruar në arabishten klasike, përbëhet prej 114 suresh (kapitujsh) me gjatësi të ndryshme, ku çdo sure është e përbërë nga një numër ajetesh (zakonisht të përkthyera si vargje, për arsye se kanë asonanca, ndonëse Kurani është vepër në prozë.
Libri më i madh në botë që është botuar në Tuluzë të Francës peshon 8 tonë, ndërsa përmasat e tij janë gjigante 3×4 metra që përmban biografi të njerëzve të mëdhenj, francez, tregime etj. Nuk mund ta quajmë mungesë modestie, faktin se edhe Shqipëria ka kontributin e saj të përfillshëm në Kujtesën e Botës, sidomos me dy kodikët e purpurt të Beratit, të cilët janë regjistruar si pjesë e programit “Memoire du monde” të UNESCO- në vitin 2005. Në regjistrin e programit “Kujtesa e Botës” (“World Memory”) përfshihen objektet e rralla, reliktet, visaret, ku futen dhe librat, si vlera të trashëgimisë kulturore, ndër to dhe kodikët e Shqipërisë; falë kontributit intelektual e serioz të studiuesit Shaban Sinani me dy botimet e tij të nivelit akademik “Beratinus”7, ku trajtohen dhe kodikët “Beratunis 1” dhe “Beratunis 2” dhe studimin monografik “Kodikët e Shqipërisë në “Kujtesën e Botës”8. Këto libra janë një ndihmesë e dukshme e autorit në fushën e shkencave etno-kulturore, të antropologjisë kulturore e, më ngushtë, të antropologjisë religjoze. “Kodiku i Purpurt i Beratit” është dorëshkrimi më i vjetër original që ruhet në Shqipëri dhe një nga më të vjetrit në botë, mesi i shek.VI.
Për Shqipërinë, cila vepër shënohet e para? Studimet e derisotme thonë se libri i parë në shqip është “Meshari” i Gjon Buzukut i vitit 1555. Librit nuk i dihet titulli i vërtetë, sepse faqja e parë është grisur, por është quajtur “Meshari”, sepse përmban pjesë të përkthyera nga Bibla. Ama ky libër nuk është dokumenti i parë në shqip. Është “Formula e pagëzimit” dokumenti i parë që daton në vitin 1462 dhe është një fjali e vetme në shqip, në mes të një letre në latinisht, që kryepeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli, u shkruan klerikëve të Matit. Fjalia është: “Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit” (Unë të pagëzoj në emër të Atit, Birit, Shpirtit të Shenjtë)9. Ndërkohë, gjuha shqipe shkruhej me disa alfabete, si ai latin, grek, arab. Shkrimi me alfabet latin u vendos vetëm në vitin 1908, në Kongresin e Manastirit.
Me kalimin e kohës u zhvilluan dy lloje shkrimesh të tjera, ai kuneiform dhe hieroglif. Hieroglifët përdoreshin në Egjiptin e lashtë, ku jo të gjithë dinin të shkruanin e të lexonin. Vetëm njerëzit e pasur dinin shkrim e këndim. Ata punësonin njerëz që quheshin skribë. Skribët dinin të shkruanin në mënyrë të përsosur dhe dinin përmendësh të gjithë hieroglifët. Kjo nuk ishte një punë e thjeshtë, duke qenë se çdo send apo ide kishte një hieroglif të veçantë. Skribët shkruanin në letra të quajturapapiruse ose në muret e tempujve apo ndërtesave të tjera të rëndësishme. Shkrimi kuneiform përdorej nga sumerët e lashtë. Ata kishin një shkrim shumë të zhvilluar dhe madje kishin edhe letërsinë e tyre. Një nga tekstet që ka ardhur i plotë në ditët e sotme në shkrimin kuneiform është edhe “Epi i Gilgameshit”. Shkrimi ideografik mbijeton ende sot në Kinë, ku ende përdoren ideograma për të shkruar. Shkrimi që përdorim ne sot është ai me alfabet latin. Ky shkrim lindi në Romën e lashtë dhe u përshtat nga alfabeti grek dhe fenikas. E merrni dot me mend sa shumë kohë ka që shkruhet me këtë alfabet? Në fillim ai shkruhej si hieroglifët, në pllaka guri, pastaj nisi të shkruhej në pergamena. Librat siç i kemi ne sot nisën të shkruheshin vetëm në mesjetë. Meqë atëherë nuk kishte shtypshkronja, ato shkruheshin me dorë nga murgjit. Shtypshkrimi u shpik në Kinë (si thuajse çdo gjë tjetër). Aty u shpik edhe letra dhe boja e shkrimit dhe më vonë, në shekullin VII të erës sonë, u shpik makina e shkrimit. Ajo u soll në Europë në 1438 nga gjermani Johan Gutenbergu. Libri i parë i shtypur ishte “Bibla”, në vitin 1454. Zbulimet e mëdha gjeografike, kërkimet shkencore gjatë periudhës së reformës me astronomë si Kopernikun, si Tiho Brahe e Johan Kepler, kozmologë e filozofë si Xhiordano Brunon, fizikanë si Galileo Galileu, me shekullin e artë të Letërsisë në Europën Jugore të Servantesit për “Don Kishotin”, të Shekspirit për tragjeditë, komeditë e tingëllimat (154 sonete) ndërtuar lartësisht me mjete shprehëse aq të bukura artistikisht, me iluministët francezë Rusoi e Volteri, me Hygoin e “Të Mjerëve” e Gëten e “Faustit”, me Tolstoin e romanit epope në katër vëllime “Lufta dhe paqja” e pse jo deri tek Kadareja ynë i “Gjeneralit”, “Kronikës në gur” , “Kështjellës” etj. Njerëzit thonë atë që ndjejnë dhe përjetojën. Udhëtimi i librit nuk ka qenë i lehtë, dhe përditë e më shumë bëhet më i vështirë deri në tronditje. Megjithë persekucionin e pashembullt, përsëri libri me nivel të lartë tekniko-shkencor, artistik apo profesional, në të dhjetë fushat e diturisë që njihen deri më sot, është ngritur dhe ka vijuar udhëtimin e frytshëm drejt lexuesit me dinjitet. Libri i shypur elitar edukon njeriun për një jetë më të mirë, më të bukur, më të përparuar. Ai ka qenë dhe është para sfidave të pamerituara nga libri i rëndomtë, që shpesh herë shfaqet si bestseller (të shitur më shumë). Librat i paraqiten lexuesit në tre rrafshe: a) si letërsi e mirëfilltë artistike, që shquan për nivel të lartë artistik edhe estetik, b) letërsi shkencore, ku klasifikohen botimet e nivelit akademik, monografitë shkencore të të dhjetë fushave të dijes, c) si dhe letërsi argëtuese, zbavitëse, ku futen librat e thjeshtë, “pupulistë”, jo rrallë herë të rëndomtë, pse jo dhe keqedukativë në kontekst, por ngaqë, abuzohet me lirinë pafre të fjalës e mungon censura e duhur profesionale shkencore apo dhe autocensura e ndershme, nuk i ndalojmë dot dyndjet e shtypura në letër në formë libri, paçka se nuk kanë vlera artistike, shkencore, estetike apo edukative morale. Jo pak herë botohet antivlera se tundet “paraja” dhe vlera hesht, nuk ka mundësi t’i paraqitet lexuesit. Numri Standard Ndërkombëtar i Librit (ISBN) si standard i Organizatës Ndërkombëtare për Standardizim (ISO) ka dobinë se është pranuar qysh në nëntor 1966 në Konferencën e Tretë Ndërkombëtare të Berlinit për Hulumtimin e tregut të librit dhe racionalizimit në tregun e librit si identifikues unik ndërkombëtar për botimet monografike. Orientimi i specialistëve të librit apo dhe i lexuesve të kulturuar, që quhen jo thjesht simbolikisht “Miq të librit” është shumë i nevojshëm për lexuesin e nivelit fillestar apo mesatar. Tërthorazi, mund të quhet një veprimtari librare, që bëhet me vullnetarizëm për solidaritet human, e cila nëse nuk realizohet nga njerëzit më të ditur në raport me të tjerët më minorë në kulturim, sjell pasoja negative për individin dhe, vetvetiu, për vetë shoqërinë. Lexuesi i paorientuar çoroditet, merr librin e dobët dhe krijon përshtypje të keqe për librin në tërësi, që siç thotë një fjalë e urtë: “Me barin e thatë digjet dhe i njomi”. Ndërsa libri i mirë të farkëton dhuntinë më të lartë dhe më fisnike të njeriut-inteligjencën në dobi të të mirave materiale dhe jomateriale për vete dhe komunitetin pjesëmarrës. Është e dëmshme të mashtrosh me gjithfarëlloj gërmash të mbledhura nëpër vargje apo në formë të lirë e t’i lidhësh për libër.
4. Libri manual (offline) apo ai digjital (online)?!
Edhe nga që janë të njohura tashmë, nuk mendojmë që të trajtojmë hollësisht dobitë e shumta që marrim me një shpejtësi marramendëse nga libri online. Nuk mund të anashkalojmë dëmet jo të pakta, kur nuk dimë ç’të thithim nga burimi i pashtershëm i informacionit elektronik. Është një objektiv shumë i rëndësishëm dhe detyrë me përgjegjësi profesionale, institucionale e qytetare dixhitalizimi i librit dhe përshtatja konstruktive bashkëkohore e shtëpisë së tij-bibliotekës online. Jetojmë në epokën konsumiste post-moderne dhe si duket, koha vrapon si gjithmonë, por ne tani e ndjejmë më tepër, sepse e përjetojmë më konkretisht, më shpejt, më funksionalisht. Njeriu që merret me punë s’ka kohë të qeshë me veten. Inteligjenca artificiale shpesh herë po e kalon njeriun edhe në realitetin virtual. Përgatiten e përditësohen sisteme informatike të modeluara për të lexuar tekste në kohë të shpejtë. Por, njeriu që s’punon ka dy apo tre celularë dhe kushedi sa posta elektronike. Portale pa fund online të ofrojnë gjithshka, të mirë e të keqe, të lejuar e të ndaluar, letërsi dhe antiletërsi deri në pornografi të tejskajshme, të cilën, me një të kaluar të gishtin e prekje të ekranit mund ta klikojnë edhe minorenët. Përdoruesi i aparatit elektronik, nëpërmjet klikimeve në qelq, krijon qindra e mijëra miq virtualë, fare të panjohur, të paparë kund, dhe jo pak herë bën dhe “bumerang” nga këta “friends”, që jo pakëve s’u dihej lloj e sorollopi e ç’specie përfaqësojnë, që bëjnë kritikun, letrarin, specialistin, ekspertin, shkencëtarin dhe të gufosin me asnjëgjërat e tyre shkencore, mësimore e letrare. Miqësia celulareske është virtuale, miqësi e akuariumit qelqor, as nuk ndihet, as nuk preket, as nuk shijohet. Marrëdhëniet njerëzore kanë ndryshuar, por nuk dëshirojmë të deformohen deri në shpërfytyrim gjenetik. Qarkullon një shprehje këto kohë: “Celulari të afron me ata që ke larg dhe të largon me ata që ke afër”. Kjo, fatkeqësisht, është e vërtetë. Jo rrallë herë informacionit digjital i mungon saktësia matematike e informacionit letrar, mësimor apo shkencor. Pa u hallakatur gjetkë, po të klikojmë edhe tek faqja Wikipedia, që është një enciklopedi e lirë falas online, në mbarë botën, krijuar dhe redaktuar ndoshta dhe vullnetarisht merr informacion të cunguar, shpesh herë jo të besueshëm e referencial. Janë enciklopetë e botës, të Francës, Rusisë, Amerikës, të shteteve të ndryshme të saj, përfshi dhe tri enciklopeditë e deritanishme të Shqipërisë, botuar nga Akademia e Shkencave, ku gjen informacionin e përgjithshëm, të duhur, të besueshëm, saktësisht të plotë. Studiuesja Rovena Vata thekson se të lexuarit ka qenë dhe është për çdo lloj moshe, burim i dijes, i ndriçimit të mendjes dhe kënaqësisë shpirtërore, dhe pëmend Albert Ajnshtajnin ka thënë: “Druhem se do vijë dita kur teknologjia do të tejkalojë ndërveprimin tonë njerëzor. Bota do ketë një gjeneratë idiotësh”10.
Nga interneti merret informacioni i gatshëm, ai për të cilin të tjerët kanë lënë edhe sytë. Interneti të jep informacin të vogël, të shkurtër për çastin. Ndëkohë jetëgjatësia e kujtesës online është afatshkurtër, materiali i shfrytëzueshëm i ftohtë, është i paruajtëshm, vizual, pamor, jo i shkruar. Nuk ndihet kënaqësia që të jep libri i shtypur në letër. Nuk vjen njësoj Homeri me “Iliadën” e “Odisenë”, Virgjili me “Eneidën”, Dantja i “Komedisë Hyjnore” apo Balzaku i “Komedisë Njerëzore”, rubairet e Kajamit e lirikat e Saadiut si në librin e shtypur dhe atë online. Në Itali kemi patur fatin të blejmë Danten, një botim luksoz në formë e në përmbajtje, realizuar mjeshtërisht nga mendjeartët e “Nardini Editori” në 902 faqe, 27×20 cm. Nuk bëhet dy herë ai botim. Po Kadareja realizuar aq bukur nga Shtëpia Botuese “Onufri” në 20 vëllime a na vjen më rëndë, bukur, hijshëm, që të mbush syrin e shpirtin?! Jo çdo përdorues i mjeteve elektronike mund t’i gjejë këto thesare të letërsisë botërore. Atëhere, ç’duhet bërë? Për të rregulluar këto raporte janë bibliotekat, që me specialistët e fushave përkatëse realizojnë miqësinë e ngrohtë libër-lexues, janë pedagogët duhet të nxisin brezat nëpërmjet edukimit, jo vetëm brenda auditorëve.
Nga statistikat në botë, krahasuar me nivelin e lexuesve amerikanë e të disa vendeve të industrializuara dhe një statistikë e nxjerrë nga studentët e Departamentit të Gjuhëve të Huaja për përqindjen e leximit hard copy dhe e-book rezultojnë të dhënat si më poshtë:
In total, 34% of Americans have either read an e-book or listened to an audio book in the last year, but relatively few Americans read books in these digital formats to the exclusion of print books. More than one-quarter (29%) of Americans read books in both print and digital (which includes e-books and audio books). Some 39% read print books but did not read books in any digital formats, while just 6% read digital books but not print books. Relatively few Americans are “digital-only” book readers regardless of their demographic characteristics. However, some demographic groups are slightly more likely than others to do all of their reading in digital format. There is relatively also a big amount of people who read no books, this group consists of 26%.
Njerëzit që nuk kanë lexuar kurrë NJË LIBËR. The Netherlands and South Korea have the highest percentage of their online population who report never reading books, standing at 16% each. In South Korea, this is fairly evenly divided between men and women, but in Netherlands it is lead by men with 23% never reading books compared to just 9 % of women. The countries with the proportion of those who never read books are Belgium 14% Canada France and japan all 11%.
Statistic Albanian readers in 2017 and 2018 with Albanian Students in Vlora University, Department of Foreign Languages (students’ representative Irini Malo, Jolanda Goxhaj, Pamela Hasani)
The statistic shows the average number of books consumers read per year in 2017. During the survey, 20percent of respondents stated that they read up to 10 books on average per year. The highest proportion of respondents, 41 percent in total, stated that they read more than 10 books a year. The most avid book readers were those aged 60 and older, as 43 percent of respondents in this age category stated that they read more than 15 books per year. During a worldwide survey among internet users in 17 countries, 30 percent of respondents stated that they read every day or most days. In contrast, just six percent stated that they never read books.
E quajmë me vend të shtrojmë një pyetje shqetësuese, gati retorike: Njeriu duhet të jetë në shërbim të teknologjisë apo teknologjia në shërbim të njeriut? Konsumimi ekstermal robotik e pakufi i gjithshkaje që na del përpara në qelq nga “Google” mund të na çojë drejt çshpirtëzimit. Keni vënë re, që kur ndihemi të stresuar dhe marrim në dorë një libër të mirë, leximi mund të na sjellë qetësim më shumë se sa një pilulë gjumi? Duket si një luftë e hapur për interesa të mëdha midis librit me tekst në letër, që quhet eksperiencë fizike dhe librit në qelq, librit elektronik që është multimedial. Duket sikur shtypshkronjat, fotokopjet, industria e letrës dhe kartonit do të mpaken e mbyllen, sepse letra kalon në digjital dhe kjo tronditje ekonomike do të humbasë lidhjen e natyrshme dhe aq të bukur mes librit, shkronjave, letrës dhe lexuesit. Është përparësi e librit online që ofron komodite. Brenda pak sekondash mund të blesh një libër në çdo gjuhë dhe ta kesh në tabletin apo komjuterin tënd. Ky “bum” është fakt i pamohueshëm dhe duket si tendencë, ndoshta segmentare në kohë, pasi duket se vetë lexuesi i specializuar kërkon rikthim tek libri apo te revistat e buletinet shkencore, apo dhe ato profesionale – teknike e artistiko -kulturore në letër. Për një çast, po masim forcat e dy palëve “ndërluftuese në front” për të llogaritur raportin e forcave, që të vendosim ekuilibrat, sepse synimi ynë nuk është lufta, por paqja në harmoni përparuese e palëve për shërbimin tonë funksional:
Advantages & Disadvantages of offline and online books points FITUES winner
1- Librat e shtypur janë të identifikuar e çertifikuar sipas Standardit Ndërkombëtar me ISBS (revistat me ISSN) përkatëse. Libri elektronik nuk e ka këtë vlerë besueshmërie tekstore.
(1 pikë për librin offline, hardcopy). hardcopy
2- Librin e shtypur e lexojnë pak njerëz në hapësira të kufizuara të caktuara. Librin elektronik ka lexues të shumtë, ndoshta të panumërueshëm dot saktësisht. Ai është shpejtësisht i ndërkombëtarizueshëm. Këtë e realizon lehtësisht nëpërmjet rrjeteve sociale, me mediat, burimet e vazhduara, online. Si për çdo mall konsumi, edhe për këtë çështje reklama, publiciteti i mallit, paçka se ç’përmban “thesi brenda” e ka bërë masivisht efektin që synon.
(1 pikë për librin google-ist online, në qelq). e-book
3- Në se ndjehemi të stresuar, për një arsye a një tjetër, dhe hapim një libër të mirë, do të ndjejmë që leximi mund të sjellë qetësim më shumë se një pilulë. Një libër i mirë është një mik i mirë dhe një mjek i mirë.
(1 pikë për librin offline, hardcopy). hardcopy
4- Në se kemi nevojë të një titull të x autori në Irlandë, apo në Indi, për pak sekonda me një të kaluar të gishtit mbi tastierë na shfaqet në desktop informacioni i kërkuar shkronjor. (1 pikë shkon për librin online).
(1 pikë për librin google-ist online, në qelq). e-book
5- Teknologjia e informacionit e përparuar që na ofrohet do të sillte dobi po të mirëpërdorej nga ne, jo të shpërdorohej, të keqpërdorohej, sepse është kryevlerë e kohës, e këtij shekulli, mjet i fuqishmë për një të ardhme më të bukur
(1 pikë për librin google-ist online, në qelq). e-book
6- Informacioni digjital që thithim nga burimet elektronike të jetë në funksionin tonë, ta zotërojmë ne atë, jo të na rrëmbejë ai ne. Kjo formë informimi mos të jetë thjesht për të vrarë kohën. Ja një rast ndër të shumtët e zakonshmërisë njerëzore. Jo vetëm fëmijët e vegjël, por edhe të rritur, djem e vajza, burra e gra, ndoshta edhe me shkollëra, pra të inteletualuar. Përqëndrim. Gishti në ikonën e googl-it. Klik ku do. Sytë në qelq. Shfaqet x revistë dhe ti shikon vetëm figurat me ngjyra magjepse, pa u futur fare tek përmbajtja.
(1 pikë për librin google-ist online, në qelq). e-book
7- Disa studiues thonë që libri i shtypur është i pazvendësueshëm, disa thonë që ka dalë nga moda. Shkrimi i një dokumenti me dorë ka tjetër shije, bukurshkrimi. Kujtojmë bukurshkrimin e mësuesit (fëmijët kl.I, nëse nuk shkruajnë në fletore, nuk do të shkruajnë dot në Tablet apo kompjuteri.
Librin e printuar nuk e prodhon dot kushdo, por specialisti i fushës, personi konkret që është përgatitur sipas parametrave dhe standardeve të nevojshme.
Librin digjital e bën dhe “gjithologu”, me disa njohuri bazike, ai që di pak nga shumë fusha dhe asgjë nga fusha e caktuar, nga i cili, në fund të fundit, shoqëria nuk ka asnjë interes, asnjë dobi e s’mund të presë diçka të dobishme.
(1 pikë për librin offline, hardcopy). hardcopy
8- Aksesi në internet (libri online) me rrjetet sociale, facebook, twitter etj. janë ura komunikimi të lehta e pa mundim me miqtë, këshillohet, që mund të të merren edhe me sportivitet, për zbavitje e argëtim. (1 pikë për librin google-ist online, në qelq). e-book
9- Libri i shtypur (offline) ka dritë, është i hijshëm, ndjen jetën me të gjitha ngjyrat e saj, jetë që të duket se e prek, e shijon, ka sipërfaqe të lëmuar, ka gjallëri, gëzimtari, dramacitet, lëvizje në shkronja të shtypura. Libri i printuar është urë komunikimi e sigurtë me dijen për zhvillim, përmirësim e përparim.
= = Hardcopy & e-book
10- Librin e shtypur mund ta lexosh edhe me një qiri kur ikin dritat, ndërsa librin on-line nuk mundesh. (Specifik për aktualitetin shqiptar ky ngërç, sepse bota e ka zgjidhur me kohë këtë problem). (1 pikë për librin offline, hardcopy). hardcopy).
In total 6 to 5 , by which the eqaulity 1 to 1, the winner is on line reading or e-books!
Që bota mos të jetë një “gjeneratë idiotësh”, nuk ka përse të zhvillohet një luftë e ftohtë midis dy “superfuqive”, midis formës klasike dhe asaj moderne të librit, por të vijojë tradita e ardhur që nga antikiteti, të merren vlerat më të larta, avantazhet e librit të shypur hard copy dhe politikat e ditës duket se nuk favorizojnë librin e printuar por atë e-book. Ne dakordësohemi me ata studiues që propozojnë se duhet të bëjmë një lloj marrëveshje, një ndërthurje harmonike midis librit dhe e-book, duke pasur si burim parësor informacionin dituror e letraro – artistik, te librin tradicional, të shtypurin. Gjithsesi, këto dy burime informacioni duhet t’i shfrytëzojmë me respekt, në raport korrekt, kur duhet tradicionali përdorim atë dhe, kur vlen interneti, posta elektronike, shfrytëzojmë elektronikun, sidomos kur bëhet fjalë për punime shkencore.
Përfundime
Përfundimisht, mund të themi se studiuesit i japin të dy variantet e fatit të librit: edhe pozitivin, edhe atë negativ, por as eksperti më i specializuar nuk mund të parashikojë se çdo të ndodhë me librin në të ardhmen. Pyetjet e para që të vijnë ndër mend janë: përbën lajm pozitiv futja dhe intregrimi i librit online në shoqërinë e konsumit apo është lajm frymëzues? Në fund të fundit, a rrezikohen vende pune? Logjika jonë thotë se jo, për arsye se aftësimi i thelluar dhe i vijueshëm i punëtorëve të mirë të letrës dhe të qelqit, realizon me kompetencë profesionale e shkencore harmoninë e formës klasike me formën moderne të librit, realizon miqësinë e shëndetshme e jetëgjatë të dy formave librore: offline dhe online.
Pra ky konsumim robotik i gjithfarlloj letërsie të pakontrolluar e pa kufi, deri tek literatura pornografike që na shfaqet në qelq, mund të shpjerë drejt çshpirtëzimit e më keq, nëse bie në dorë të diletantëve e vogëlushëve në degjenerim të racës njerëzore, që shkakton dhe deformime të pariparueshme gjenetike. Na gufosën “gjithologët” e internetit, që, kur vjen puna për ballafaqime konkrete, nuk janë zotër të anjë zëri të veçantë. Gjykojmë me vend që teknologjia duhet të jetë në shërbim të njeriut dhe jo njeriu në shërbim të teknologjisë.
Në fund të këtij punimi, si nderim për librin e bukur, të mirë e të dobishëm dëshirojmë të përmendim Dritëro Agollin, i cili në vitin 1983 ka shkruar poezinë “Kur të jesh mërzitur shumë”, e cila është bërë aq e njohur dhe “Hit”, sepse është ndërtuar shumë bukur, ka tharm filozofik, mbështetur mbi realitetin jetësor dhe thurur e art, siç dinte Mjeshtri. Po citojmë dy strofat e fundit e poezisë: “Po kur të jesh mërzitur shumë/ Në raft të librave kërkomë,/ Atje do jem i fshehur unë,/ Në ndonjë fjalë e ndonjë shkronjë./ Mjafton që librin pak ta heqësh/ Dhe unë do zbres, do vij pas teje;/ Ti si dikur me mall do qeshësh,/ Si një blerim pas një rrëkeje”11. Libri është në funksion të njeriut, në shërbim të tij, për dobinë e tij, jo vetëm për kënaqësitë artistike e estetike, por për edukimin e tij, për kulturën dhe qyetërimin. Edhe tek poezia e Dritëroit, libri vjen si përjetësi e jetës së shkruar. Sipas kritikut Bashkim Kuçuku, “përjetësia përftohet nëpërmjet “ringjalljes” apo nëpërmjet pavdekësisë, të simbolizuar në “trajtën e ngrirë” të veprës krijuese, të bëmave historike, të kujtesës e dhimbjes të të gjallëve për të ndjerët. Prandaj, kur e shoqja të jetë mërzitur shumë dhe të ketë mall për bashkëshortin poet, të larguar si të tjerët (“Kur të jesh mërzitur shumë” – një perlë tjetër agolliane), do ta gjejë atë në shkronjat e librave, pasi udhëve s’do të ndihet kolla e tij e thatë”12. Mesazhet e miqësisë së shëndetshme të trekëndëshit dritëbërës libër i shtypur, libër digjital dhe bibliotekë janë të dobishme për vlerat përkatëse e reciproke që kanë, kur përcillen tek përdoruesi i duhur, sidomos tek brezi i ri, nxënësit dhe studentët, të cilët do të ndërtojnë, rindërtojnë apo do të ruajnë, pasurojnë e stolisin të ardhmen më mirë, dobishëm e më bukur.
________________________
1) Stipçeviq, Aleksandër; “Historia e librit”, Tiranë, Toena, 2000, f. 5.
2) “Epi i Gilgameshit”, përkth. nga gjerm. Anton Berisha, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1990, f. 125.
3) Grimberg, Karl: “Historia botërore dhe qytetërimi”, 1; përkth. Balil Gjini, Tiranë, Uegen, 2003, f. 127.
4) Grimberg, Karl: “Historia botërore dhe qytetërimi”, 3; përkth. Pëllumb Nako, Tiranë, Uegen, 2003, f. 281-311.
5) Stipçeviq, Aleksandër: vep.e cit. f. 34.
6) “Enciklopedia e përgjithshme e Oksfordit”, përkth. Abdurrahman Myftiu, etj. Tiranë, Instituti i Dialogut dhe i Komunikimit, 2006, f. 435
7 ) Sinani, Shaban: “Beratinus”, Tiranë, Argeta-LMG, 2004, 451 f., me il. me ngjyra.
8 ) Sinani, Shaban: “Kodikët e Shqipërisë në “Kujtesën e Botës”, Tiranë, Akademika e Shkencave të Shqipërisë, 2010, 690 f., me il. me ngjyr