VIOLETA PIRRAKU BAJRAKTARI: NE TË TRE – NJË HISTORI E TRE TË RINJVE

Prishtinë, 03. 10. 2014: 1. HYRJE – “Koha zbulon gjërat, situatat, të vërtetën, por mbi të gjitha njerëzit”. Romani “Ne të tre” është një histori fati e tre të rinjve që jeta i ndan për t’u takuar pas dhjetë vitesh. Tani, që vendosa të marrë pjesë në këtë simpozium, romanin “Ne të tre” e lexova me tjetër qasje. Jam përpjekur të kuptojë të pa thënat në mes rreshtash, të hyjë në botën e personazheve dhe të veprojë me ta. Ngjarja e shtjelluar në vepër kalon nga një narrator, që në kapitullin e parë është në vetën e parë dhe vazhdon në narratorin që është personazh Fredi, për t’u kthyer nga fundi prapë te narratori në vetën e parë. Duke lexuar tekste një nga një, kapituj, shkrime kronike që mbanin data e veprime, pjesë ditari, kisha dilemë nëse po lexoja tregime, novela, ditar personal apo roman?
– Cilat janë rrethanat shoqërore dhe politike të kohës kur është shkruar romani?
– Sa ka autobiografi te kjo vepër?
– Cila është zgjidhja që tregohet në roman?

Si është realizuar ajo dhe shumë pyetje të tjera më kanë kthyer mbrapa në kohë.
Si fëmijë kam përjetuar të zezat e sistemeve politike këndej kufirit me prind të burgosur politik, por për fatin e mirë jo si të Fredit dhe fundit të tij.
Demagogjia, koha, ngjarja, fëmijëria, shkollimi, studimet, puna, përjashtimi nga puna i protagonistëve të romanit në njërën anë dhe korrupsioni, spiunimi, vëzhgimet dhe montimet me letra anonime nga ana tjetër janë veprime të njohura të instaluesve të atij sistemi politik, para të cilit bie viktimë heroi kryesor i veprës Fredi Simaku dhe inxhinierja Ina…!

– Shkrimtari Fatos kongoli – 

Vepra është shkruar nga Fatos Kongoli: prozator, redaktor dhe matematikan shqiptar. Kongoli ka qenë bir po ashtu i një të dënuari politik. Ai është një nga tre shqiptarët që mori çmimin më të lartë kombëtar të Francës, “Kalorës i Legjionit të Nderit”. Këtë titull e kanë marrë deri tani vetëm tre shqiptarë, Ismail Kadare, Jusuf Vrioni dhe Fatos Kongoli. Nga intervistat e Kongolit, ai deklarohet se gati në të gjitha veprat e tij ka elemente autobiografike: “Nuk ka asnjë libër ku nuk ndodhem unë”, thotë ai. (1)
Romani “Ne të tre” ka një titull simbolik. Ky numër përfaqëson tre protagonistë kryesorë në tri pjesët e romanit dhe në tri forma të narracionit që shtrihen në XXI kapituj sa ka libri.
Prezantimi i ngjarjes bëhet me anë të ligjërimit të kulluar sa të Mirit, sa të Fredit dhe Inës në anën tjetër.
2. SHOQËRI E NDARË
“Një femër di të presë, të kuptojë, të justifikojë. Por di gjithashtu edhe kur është koha të heqë dorë nga gjithçka. Gruaja di të mbijetojë!”
Romani “Ne të tre” është shkruar brenda një periudhe të shkurtë prej një viti. Veprimet në roman fillojnë nga fëmijëria, lojërat mësimet, vazhdojnë me studimet, punën, dashurinë, martesën etj. Në secilën nga këto ngjarje kemi një marrëdhënie të autorit me format e ndryshme të narracionit.
Narratori te kapitulli i parë na njeh me mikun e tij Fredi Simaku që kishte ardhur për ta takuar, pas dhjetë vitesh sipas marrëveshjes. Me vete kishte sjellë një foto ku ndodheshin të tre, bashkë me Inën, “e fejuara” e Fredit dhe mbishkrimin për tu takuar sërish.
Fjala e dhënë është, ideja që i prinë dhe përmbyllë veprën. Ngjarjet, zhvillohen me një kronologji kohore të përcjellë me data, vite dhe pjesë ditari. Ina është ajo që i nis dhe i përfundon veprimet në roman.
Në fillim të romanit njihemi me veprimet që ndodhin nga fundi i romanit. Këtë mënyrë shkrimi e gjejmë te shkrimtarët e rrallë. Në fillim kuptojmë pasojat pastaj shkakun (arsyen), në rastin tonë idenë për të bashkuar dy të rinj të ndarë padrejtësisht për shkak të paragjykimeve ideologjike. Një fat të tillë e patën shumë të rinj andej e këndej kufirit. Fatos Kongoli me këtë roman bëri jehonë më të madhe në Kosovë se sa në Shqipëri. Ky ishte një paradoks i kohës dhe i një shtrese kinse intelektuale të lidhur mish për thoi me pushtetin.
Ina, protagoniste kryesore e romanit dëshmon se: “ edhe perandorët më të mëdhenj e kishin kuptuar, se pushtimi i zemrave është më i vështirë se ai i kështjellave!”
Ina, i ngjan Olombisë, e Olombia, Dilocës, Dilës, veçse këtyre të fundit, fatin, ua përcakton: kodi, familja ndërsa Inës; po këta faktorë, plus: ideologjia, shteti, intriga.
Ina është një vajzë e butë e dashur e edukuar. Kultura e saj keqkuptohet nga e ëma dhe anëtarët tjerë të familjes. Për të ëmën, ajo është e vogël, tekanjoze, e papjekur, e paditur dhe e pavendosur. Për dallim nga e ëma që është një grua kukull, aktore rolesh nga më të ndryshmet, e padashur, e cila të bënë të mendosh nëse mund të jetë apo jo, një nënë e tillë?!
Një nënë, që imiton jetën e salloneve mondane, që përbuz e fyen, që urren e xhelozon fëmijët, që fut intriga në shtëpi, që mban pushtetin mbi të gjithë, ka lindur një vajzë që është edukuar “mbrapsht”. Inës i është shkelur e drejta për të jetuar, e drejta për të vendosur për jetën e vet.
Asaj, i thyhet guximi!
Asaj, i është thyer besimi!
Mbështetjen e vetme Ina, e ka në ditarin e saj. Ajo flet, i qan hallet dhe në fund vendos të gjejë zgjidhjen që e pati në dorë disa herë, por nuk e shfrytëzoi. Si duket fati po tallej me te, apo i duhej një force më e madhe e dashurisë për të bërë zgjidhjen.

Nga kapitulli i dytë e tutje Kongoli e ndërton tekstin në copa të vogla narrative duke mbajtur afër teknikën shkak- pasojë. Ai e shpërndanë fabulën duke krijuar një “rrjetë merimange” të cilën e ndërton duke krijuar role, me Mirin, Fredin dhe Inën dhe duke u bërë zëdhënës i tyre.
Kongoli krijon tekste brenda teksteve duke na njohur me fëmijërinë e Mirit, me prindërit intelektualë dhe artistë. Nënën artiste të muzikës dhe dëshirën për t’iu futur në shpirt këtë ndjenjë e art fëmijëve. Atyre u mungonte kjo, realisht. Dukja e saj, e re nga pamja, e bukur nga dukja, djalit nuk i pëlqente dhe aq……Nuk e di nëse vlen kjo vetëm për djemtë apo edhe për vajzat nëpër familje?
Titulli i veprës simbolizon, tre protagonistët, që mund të krijojnë treshe të tjera: Ylli është vëllau i Inës, i llastuari i nënës. Ina, e shkelura e shtëpisë dhe i ati, Nevzati, një burrë pa autoritet e nën autoritetin e gruas të quajtur Drita, një nënë e zhurmshme që kërkon një studim psikologjik të karakterit dhe të personalitetit. Ajo e ndërron ‘rolin’ e nënës, ajo e ndërron edhe personalitetin para dy fëmijëve të saj. Tjetër është me Yllin, një mjek dallkauk dhe tjetër më Inën, e “papjekur” apo, si të tillë e sheh ajo.
Kjo është për t’u dhimbsur…… ! Kush e bëri të tillë, Inën dhe Dritën dhe a ka Drita të tilla sot, janë pyetje të hapura që lënë të nënkuptohen nga teksti e konteksti në vazhdim të romanit?!
Në romanin “Ne të tre”, Ina na jep informacione për jetën familjare, studentore, punën, fakte e dëshmi politike. Protokolli familjar, vizitat familjare, rregullimi i ambienteve shtëpiake sa për sy të mysafirëve, lozja e roleve me fëmijë artistë për violinë e pa talent për te, bëjnë situata komike të para me syrin e fëmijëve. Të gjitha këto, Ina, nuk është në gjendje t’i kuptojë ashtu siç nuk i kuptoi djaloshi i “Kronikës në gurë”.
Në shkrimet në vazhdim të Inës, ne njihemi me fatin e Fredit i rritur nën kujdesin e familjarëve të së ëmës pasi ajo kishte vdekur e thyer shpirtërisht nga zënkat bashkëshortore. Momentet e jetës së të ëmës me të atin dhe problemet nuk shpjegohen sa duhet. Një e dijmë, se ky qift ishte ndarë për qëllime ideologjie. Nëse i ati vazhdoi të pinte e të dehej me gruan tjetër dhe jetoi me dy fëmijë të tjerë nga martesa e dytë, atëherë shtrohet pyetja çfarë pati e ëma e Fredit?…
Fatos Kongoli si shumë shkrimtarë të tjerë e kishte shprehi t’i përpunonte romanet e tij. Romanin që po e komentoj e botoi në fillim duke e shkarkuar një pjesë të madhe të tekstit. Kjo më bën të mendoj se ka pasur tekste të tjera që janë larguar. Unë e pata në dorë botimin e dytë të “Ne të tre”.
2.1. RRËFIMI PËR NGJARJEN
Hap pas hapi ne njihemi me peripecitë jetësore të Inës dhe Fredi Simakut, mbështetjen e Xha Brahos , të cilin e pati si baba, studimet në Fakultetin ekonomik në Tiranë ; vitin më të mirë të jetës së tij, puna në kantiere dhe dashurinë, që i ndryshoi jetën.
Ina e ndjeu afërsinë me Fredin që nga takimi i parë. Ajo e ftoi në shtëpi, në vizitat në familjen e saj, në drekat monotone sa për sy e faqe, për të imituar shoqërinë e lartë, para djalit që do të bëhej “armik” dhe dhëndër i tyre.
Fati i Inës merr frymë nga absurdi i kohës. Ky fat, bëhet edhe më tragjik, kur asaj, i ofrohen raste martese nga nënë Drita, ku ajo mbetet pa përgjigje “ e heshtur si mumje”! (2)
Ina dhe Drita janë dy femra të kundërta më gjithçka, por janë të afërta me gjak. Ato janë nënë e bijë. E para është nënë që krijon mjedis të egër familjar dhe e dyta është Ina, që në fillim duket e dobët para një pushteti të madh familjar e shtetëror. Ina është komplekse, por në fund bën sakrifica të mëdha. Ajo ngrihet si vullkan dhe shpërthen para një jete të skicuar nga dikush tjetër.
Ajo do, dhe në fund bëhet kreatore e ëndrrës së ndrydhur me vite.
3. NJË HAP PARA E DY MBRAPA
Emërtimet e tre nënkapitujve të këtij shkrimi nuk janë të autorit. Pavarësisht si ecet, “aty” u bënë tre hapa, mirëpo jeta e Fredit kishte ngecur aty ku e kishte lënë Ina, duke e përjashtuar nga jeta. Por a mundi të përjashtojë kujtimet dhe momentet drithëruese të zemrës të krijuar nga një bir fshatari i regjur nga koha e i thyer nga ajo që iu “servir” pa e merituar.
Dredhia e bërë nga Ylli, si revansh hakmarrjeje për Fredin i kushtoi shtrenjtë. Mjaftoi një kritikë dhe kërkesë e Fredit, që Ylli si mjek të mos u merrte para pacientëve për ti operuar të bëhet shkas për një dyluftim. E gjitha nuk merr fund këtu!
Ofendime rrebeshe, një lumë etiketimesh krijojnë një dosje kundër Fredit të pathyeshëm. Ai qëndroi si lis i papërkulur, atë ditë që po i mbyllej dera e po çahej zemra.
Në këtë roman vërehet prirja për t’u marrë me “jetët e vogla” njerëzore. (3)
Momentet e takimit me Inën nga narratori janë dhënë në këtë formë: “Fredi e la gotën mbi tryezë. Ina u përkul nga Berti, se ç’i tha pastaj si të mos kishte ndodhur asgjë, vazhdoi bisedën e ndërprerë më Iglin. Një bisedë e zakonshme dhe kurrkush s’mori vesh ç’u bë..” (4)
Kjo është fazë që do t’i ndihmojë zgjidhjes. Ina shkoi në shtëpi të Bertit por nuk vuri gjumë në sy. Sonja, gruaja e Bertit, vërejti se Ina mbante një bllok. Ky ishte ditar. Të nesërmen kur Ina po nisej për në shtëpi Sonja i fshehu ditarin. E lexoi edhe pse ndihej fajtore dhe në fund kërkoi nga Miri për të bërë zgjidhjen.
Nga teksti i ditarit e gjejmë një Inë që është penduar për gjithçka. Një Inë që ka zbuluar se personaliteti i saj është përdhosur në rend të parë nga e ëma e vëllai. Një Inë që ka një baba qyqar e paguxim. Një dashuri që nuk është shuar as dhjetë vite pas. Ajo ka jetuar brenda saj.
Fundin e subjektit të romanit e kisha të qartë. Pamja e pikturuar aq bukur nga autori më krijoi imazh të gruas së fortë. Edhe këtu si statuja të ngrira kishin mbetur Të Tre: Miri, Ina e Fredi si dhe Nevzati, Drita e Ylli.
Ajo e la në prag të derës të kaluarën, dhe vazhdoi rrugëtimin për të ardhmen, derisa Miri ia arriti qëllimit.
4. PËRFUNDIMI
Kthimi i Fredit dhe “ largimi” i Inës në romanin “Ne të tre” tregon më së miri se: ”dikush kthehet për të përqafuar, dikush kthehet për të lënduar, dikush kthehet për të thënë gjëra që i kanë mbetur pa thënë, dikush kthehet për të kërkuar falje…..pra, askush nuk largohet përgjithmonë”.
– Autorja është profesoreshë në shkollën e agrobiznesit dhe teknologjisë në Prishtinë.
______________
1. http://www.toena.com.al (faqe e hapur më, 20.05.2013)
2. Kongoli Fatos, Ne të tre, Rilindja, Prishtinë,1989, f.50
3. http://www.toena.com.al (faqe e hapur më, 20.05.2013)
4. Kongoli Fatos, Ne të tre, Rilindja, Prishtinë,1989, f.193

***
– Kumtesë e mbajtur në Simpoziumin e Dytë Interancional, me temën: “Figura e femrës në roman”, të organizuar në ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë – nga Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptarë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura