Pashtriku.org, 8 korrik 2018:
TAKIM I KRYEMINISTRIT BUKOSHI ME USHTARAKË SHQIPTARË (2)
Qëndrimi i ushtarakëve shqiptarë për luftën në Kosovë, ishte shumë i qartë: ata, siç thoshin vetë, ishin të gatshëm të hynin menjëherë në luftë, në Kosovë, dhe kërkonin prej Bukoshit t’i merrte përgjegjësitë që i takonin, si kryeministër, dhe të përkrahte luftën e tyre. Po aq i qartë ishte edhe qëndrimi i kryeministrit Bukoshi: ai, siç thoshte vetë, ishte në pritje të shihte “çka do të kemi pas zgjedhjeve“ dhe në pritje të “vendimeve politike“. Prej ushtarakëve shqiptarë, Bukoshi kërkonte që të vepronin në këtë vijë. Pra, qëndrimet dhe kërkesat e ndërsjella, të ushtarakëve shqiptarë dhe të kryeministrit Bukoshi, nuk përkonin në asnjë pikë dhe, në përfundim të takimit të Tiranës, më 18 Mars 1998, ato mbetën të pandryshuara, si në fillim të atij takimi.
***
Fjala e Bukoshit, sidomos pjesa e saj, se ai, si kryeministër, ishte në pritje të shihte se, siç tha vetë, “çka do të kemi pas zgjedhjeve“, që pritej të mbaheshin në atë vit, në Kosovë, dhe në pritje “të vendimeve politike“, shkaktoi pakënaqësi të madhe dhe reagime të forta, të ushtarakëve shqiptarë, në atë takim.
I pari reagoi ushtaraku Fuad Ramiqi: “Ju, si kryeministër dhe si qeveri, nuk i keni shfrytëzuar kompetencat që i keni. Politika ka dështuar. Lufta na është imponuar dhe ne duhet të mbrohemi. Nderi i ushtarakut nuk e lejon këtë gjendje që është krijuar në Kosovës. Ju duhet ta emëroni ministrin e Mbrojtjes. Kjo është zgjidhja. Në Kosovë është luftë. Duhet të merrni hapa vendimtarë dhe duhet ta merrni përgjegjësinë. Ne duhet ta mbrojmë popullin dhe atdheun. Ne nuk presim më. Unë do të rebelohem dhe do të jem në mbrojtje të popullit dhe të atdheut“, i tha Ramiqi Bukoshit.
Pa e përfunduar mirë fjalën Ramiqi, ndërhyri Naim Maloku. “Ne, si ushtarakë, nuk kemi propozim për ministër të Mbrojtjes. Ne nuk e kontestojmë askë. Unë nuk e njoh njeriun që e keni caktuar Ju, por ne nuk bëjmë asnjë pengesë“, i tha Maloku Bukoshit, në përpjekje për ta qetësuar gjendjen e acaruar në takim.
“Kjo po më pëlqen. Këtë qëndrim e vlerësoj“, ndërhyri në fjalën e Malokut, Bukoshi, tashmë më i qetë, dhe shtoi: “Jemi në një situatë absurde, deri në idiotizëm. Ne s’kemi bërë asgjë“. Dhe prapë e përsëriti, si refren, qëndrimin e tij, “Ne po presim vendimet politike“.
Naim Maloku, pastaj, në vazhdim të fjalës së tij, e zhvendosi debatin nga kritikat kundrejt Bukoshit dhe e orientoi në gjendjen e rëndë në Kosovë. “Në Kosovë“, tha ai, “nuk ka terrorizëm shqiptar, por terrorizëm shtetëror serb, mbi shqiptarët. Të drejtën për t’u mbrojtur, ne nuk ia kërkojmë më askujt. E kemi arsyen për të vepruar. Të drejtën që e kemi, me të gjitha konventat ndërkombëtare, duhet ta shfrytëzojmë“.
“Ky është edhe një presion më shumë, por tani është presion zyrtar, për të vepruar“, tha Bukoshi.
Fuad Ramiqi prapë kërkoi nga Bukoshi, si kryeministër, që ta merrte përgjegjësinë. “Nga përvojat e luftërave të tjera, Ju mund të veproni dhe duhet ta merrni përgjegjësinë. Neve do të na lehtësonit veprimet“, i tha Ramiqi Bukoshit.
“Ndoshta pas këtij takimi, do të vendosim…“, iu përgjegj Bukoshi Ramiqit, dhe, i vendosur, prapë e përsëriti qëndromin e tij “…por, po iu them, do t’i presim vendimet politike“.
Në takim, Bukoshit iu bënë edhe pyetje të drejtpërdrejta. Fadil Demiri pyeti: “Do me thënë, qëndrimi Juaj është me prit (!), po mjetet financiare, që po i japin mërgimtarët për UÇK-në, i ka faktori politik, apo qeveria?“. “Qeveria“, iu përgjigj shkurt Bukoshi.
“A jeni të informuar për angazhimin në Kosovë, të grupeve paramilitare serbe nga Bosnja dhe për gratë e fëmijët shqiptarë, që po mbahen peng prej tyre?“, e pyeti Maloku Bukoshin. “Po“… u përgjegj Bukoshi dhe shtoi…“por, nëse Ju keni të dhëna, do të ishte mirë t’i jepni me shkrim“.
“A e kuptoni gjendjen tonë, të oficerëve shqiptarë, tepër të rëndë, të qëndrojmë kështu, indiferentë ndaj masakrave që po ndodhin në Drenicë?“, e pyeti prapë Naim Maloku Bukoshin. “Mendoj po, por mbase, nuk e ndjejë, ashtu siç mund të mos e ndjeni as Ju, pozitën time“, tha Bukoshi.
Gatishmërinë e tyre për të hyrë në luftë, në Kosovë, e shprehën në takimin me Bukoshin edhe ushtarakët e tjerë shqiptarë.
“Ne jemi të gatshëm të vdesim për Kosovës“, i tha Xhafer Jashari Bukoshit. “Ne jemi në gjendje lufte. Ju shpesh keni thënë duhet ta kemi një adresë. Tani, ta kemi adresën!“, tha Nexhat Haziri.
Bislim Zyrapi e bëri një krahasim të asaj që po ndodhte në Kosovë, me atë që kishte ndodhur në Bosnje. “Kjo që po ndodhë sot në Drenicë, është si ajo që ka ndodhur në Bosnje. Zemra e Kosovës po merret. Morali është nën zero. Ndërkohë, opinioni ndërkombëtar do ta dënojë masakrën serbe në Drenicë. Edhe kriminelët serbë mund të dënohen, por serbët po e bëjnë punën e tyre, po i realizojnë planet e tyre. Në Kosovë po vijnë forca të reja serbe“, tha ai.
Zyrapi, pastaj, doli me një propozim: “Propozoj që eprorët tanë ushtarakë me përvojë të hyjnë në Drenicë, që të pengojnë invadimin serb në Kosovë, ndërsa eprorët e tjerë, që nuk e kanë përvojën e luftës, të përgatiten, sepse mund t’i kenë humbur aftësitë. Ju mund të mos delni publikisht, në përkrahjen tonë“, i tha ai, në fund, Bukoshit.
Eprori tjetër ushtarak, Halil Bicaj, e tregoi qëllimin e ardhjes së tij në Tiranë dhe shprehi gatishmërinë e tij për të hyrë në luftë: “Kam lindur shqiptar. Jashtë vendlindjes kam jetuar 14 vjet, i ndjekur. Kam kryer Shkollën ushtarake. Kam marrë pjesë në luftën e Bosnjes. Kam ardhë ta mbrojë nderin e vendit e të kombit. Tash jam në konfuzion. Kam turp të kthehem në Bosnje, në punë, në shtëpi. Fëmijët e Drenicës janë fëmijët e mi. Duhet ta ruajmë fytyrën. Unë diçka ju kam kuptuar. Presim instruksione të tjera. Unë i respektoj institucionet“, tha Bicaj.
Në fund, Fuad Ramiqi, i tha shkurt Bukoshit: “Kosova ka ushtarakë. Ne po hyjmë në Kosovë e Ju bëjeni politikën“.
Në përfundim të takimit, Bukoshi tha se i ka kuptuar shqetësimet e ushtarakëve dhe se propozimet e tyre do të shqyrtohen urgjentisht dhe seriozisht. Ai e përsëriti se, tashmë, ishte caktuar koordinatori dhe kërkoi prej ushtarakëve që të vepronin në këtë vijë. “S’po them se kemi bërë spektakël. Ne do të fillojmë nga ajo që është minimale. Varet prej jush. Nëse lajmërohen eprorët aktivë, do të ndërrojë gjendja në Kosovë. Konflikti i armatosur është i paevitueshëm. Faza e parë e Bosnjes, tashmë është në Kosovë. E kemi një shpresë, se faktori ndërkombëtarë ka reaguar më shpejtë dhe më fuqishëm se në Bosnje, por të mos bëjmë hop, pa e kapërcyer gardhin“, tha Bukoshi, në përmbyllje të takimit të tij me ushtarakët shqiptarë.
***
Pra, qëndrimi i ushtarakëve shqiptarë për luftën në Kosovë, ishte shumë i qartë: ata, siç thoshin vetë, ishin të gatshëm të hynin menjëherë në luftë, në Kosovë, dhe kërkonin prej Bukoshit t’i merrte përgjegjësitë që i takonin, si kryeministër, dhe të përkrahte luftën e tyre. Po aq i qartë ishte edhe qëndrimi i kryeministrit Bukoshi: ai, siç thoshte vetë, ishte në pritje të shihte “çka do të kemi pas zgjedhjeve“ dhe në pritje të “vendimeve politike“. Prej ushtarakëve shqiptarë, Bukoshi kërkonte që të vepronin në këtë vijë. Pra, qëndrimet dhe kërkesat e ndërsjella, të ushtarakëve shqiptarë dhe të kryeministrit Bukoshi, nuk përkonin në asnjë pikë dhe, në përfundim të takimit të Tiranës, më 18 Mars 1998, ato mbetën të pandryshuara, si në fillim të atij takimi.
(VAZHDON)
________________
SHEMSI REêICA: PËRBALLJET BRENDASHQIPTARE GJATË LUFTËS NË KOSOVË (I)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7825
***
SHEMSI REêICA: PËRBALLJET BRENDASHQIPTARE GJATË LUFTËS NË KOSOVË (II)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7826
***
SHEMSI REêICA: PËRBALLJET BRENDASHQIPTARE GJATË LUFTËS NË KOSOVË (III)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7827
***
SHEMSI REêICA: PËRBALLJET BRENDASHQIPTARE GJATË LUFTËS NË KOSOVË (IV)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7828
***
SHEMSI REêICA: PËRBALLJET BRENDASHQIPTARE GJATË LUFTËS NË KOSOVË (V)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7837
***
SHEMSI REêICA: PËRBALLJET BRENDASHQIPTARE GJATË LUFTËS NË KOSOVË (VI)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7841
***
SHEMSI REêICA: PËRBALLJET BRENDASHQIPTARE GJATË LUFTËS NË KOSOVË (VII)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7846
***
SHEMSI REêICA: PËRBALLJET BRENDASHQIPTARE GJATË LUFTËS NË KOSOVË (VIII)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7850