(Pashtriku.org, 23. 10. 2012) – Edhe sot, Lëvizja “Vetëvendosje” ka protestuar në Prishtinë, me moton “Bashkim me Shqipërinë, jo pazare me Serbinë”. Ata kanë protestuar kundër dhunës dhe brutalitetit policor të drejtuar në Hashim Thaçi, dhe kërkuan lirimin e aktivistëve të arrestuar një ditë më parë. Lëvizja VV, përmes një komunikate ka përshkruar zhvillimin e kësaj proteste, e cila ka përfunduar e qetë.
“Të martën, në datën 23 tetor, në orën 11:00, mbi 1000 qytetarë u mblodhën në protestë në sheshin Nëna Terezë, pranë monumentit të Skënderbeut. Kjo protestë u thirr një ditë më parë nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, si reagim qytetar e demokratik ndaj dhunës së shfrenuar policore e cila u ushtrua vetëm një ditë më parë prej strukturave të policisë që po mbrojnë kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, nga populli i Kosovës.” – thuhet në komunikatë. Në këtë protestë qytetarëve ju drejtuan Ismajl Kurteshi, Rexhep Selimi, Visar Ymeri, Albin Kurti, Alexandra Channer, Liburn Aliu, Dardan Sejdiu dhe Albana Gashi. Në fund të protestës u vendosën në grilat e rrethojës së Qeverisë së Kosovës fanellat me emrat e 63 aktivistëve dhe qytetarëve të arrestuar që po mbahen në burg.
…………………………………………..
Alexandra Channer gjatë fjalës së saj tha, se “Është nder, por dhe keqardhje e pikëllim i madh, që ju kërkoj që të bashkohemi sot në një lutje për jetën e një zonje gjermane. Irisi ka vizituar Sheshin Nënë Tereza dje, dhe papritmas e ka gjetur veten në mes të një prej intervenimeve të shumta të njësisë speciale. Ajo është sjellë në spital pa shenje jetë dhe tash gjendet në komë. Në këtë shesh, dhe në Kosovë, ne ju takojmë feve ose besimeve të ndryshme, por ju ftojmë të gjithëve tash që të bashkohemi në një lutje për Irisin. Ne lutemi sot që Irisi të gjejë forcën e shpirtit dhe trupit të saj që të këtë një shërim të shpejtë dhe të plotë. Gjithashtu, lutemi që familjarët e Irisit, në Kosovë dhe në Gjermani, në këto momente shumë të vështira, të mbahen të fortë.”
Dhuna e ditës së hënë ishte dhunë ë një shteti policor, që ia vë çizmen në grykë demokracisë dhe lirive politike e njerëzore të qytetarit. Kjo dhunë e pati një motiv, dhe ai motiv është frika e pasiguria e Hashim Thaçit, i cili për të ruajtur pushtetin personal është duke bërë pazare me pasardhësin e Milosheviqit, antishqiptarin e zëshëm, kryeministrin aktual të Serbisë, Ivica Daçiq, si dhe duke shitur me shpejtësi e tinëz gjithçka publike në Kosovë.
Gjatë protestave të së hënës u arrestuan 63 aktivistë e qytetarë, u rrahën dhjetëra prej tyre, edhe pse e vetmja gjë që ata kërkonin ishte të protestonin paqësisht në hyrjet e qeverisë, kundër bisedimeve kriminale të Hashim Thaçit me Ivica Daçiqin.
Kjo ishte arsyeja pse edhe të martën, qytetarët protestuan për dy orë, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të protestuesve të arrestuar, duke kërkuar vënien para përgjegjësisë të cilitdo polic që ka ushtruar dhunë, por duke kërkuar edhe përgjegjësinë politike të atyre që kanë dhënë urdhrat për këtë brutalitet të papranueshëm, duke filluar që nga shefi i forcave speciale, Amir Gërguri, Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, dhe vetë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili buzëqeshjen që ia dha Ivica Daçiqit, e shndërroi në ngërdheshje para kamerave duke justifikuar dhunën. Në njërën anë e pamë fytyrën e gjakosur e të mavijosur të deputetit Liburn Aliu pasi që u rrah nga policia speciale dhe në anën tjetër fytyrën e qeshur të kryeministrit Thaçit nga takimi me kriminelin Daçiq.
Mirëpo dhuna ende nuk ka ndalur, ajo vazhdon në ambientet e stacioneve policore, ku siç kemi mësuar, disa prej aktivistëve tanë janë rrahur e janë keqtrajtuar fizikisht dhe moralisht. Ne mendojmë se arsyeja për moslirimin e aktivistëve është pikërisht kjo, pasi policia nuk dëshiron të informohet publiku mbi gjendjen e rëndë të aktivistëve.
Aktivistët thonë se do t’i mbajnë 48 orë pa kurrfarë motivi ligjor, edhe pse i arrestuan pa arsye, edhe pse nuk ishin të rrezikshëm. Policia sadiste po përpiqet t’i bëjë sa më pak të dukshme gjurmët e veta – ajo nuk ka dashur t’i lirojë aktivistët që dje, me lëndimet e freskëta nga rrahjet në stacion policor.
Në disa prej stacioneve të policisë nuk është lejuar të vizitohen të arrestuarit, madje as t’u çohen atyre veshmbathje dhe mjekime të domosdoshme për gjendjen dhe integritetin fizik të gjithsecilit, ndërkohë që policia gjer më tash nuk ka ofruar asnjë raportim individual.
Duke i njohur përmasat brutale të këtij kryeministri, që erdhi në pushtet përmes vjedhjes masive të votave dhe po rri në pushtet përmes pazareve dhe shitjeve masive që po i bën territorit dhe pasurive të Kosovës, ne jemi të ndërgjegjshëm që protesta ndaj dhunës brutale dhe shtetit policor nuk ka për të qenë aktiviteti ynë i fundit i kësaj natyre. Synimi ynë nuk ka qenë kurrë që ta shkatërrojmë shtetin, por ta bëjmë atë demokraci dhe republikë. Synimi ynë nuk është ta vjedhim popullin, por t’ia ruajmë pasurinë nga bastisja. Synimi ynë nuk është ta përdorim shtetin për shtypje të popullit, por t’i japim qytetarëve një sistem funksional, ku ekziston një standard i vetëm për drejtësinë që prej kohësh nuk e kanë.
Për të mbërritur këtë synim, Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje gjithë qytetarëve që na u bashkëngjitën sot në protestë, si edhe atyre që nuk mundën të vinin për arsye të ndryshme, e që gjithsesi e ndjejnë nevojën për ndryshim, të shkojnë në zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në qytetet e tyre, të bëhen pjesë e organizimit, të na ndihmojnë që të kemi një program qeverisës sa më të mirë e sa më të drejtë në të gjitha fushat, të na ndihmojnë që të ecim përpara në betejën tonë për një Kosovë sovrane e të zhvilluar, për një Kosovë shtet të së drejtës dhe një Kosovë të mirëqenies sociale për të gjithë qytetarët.” – përfundon komunikata e Lëvizjes VV.