Tetovë, 19 korrik 2018: Shumë qarqe politike dhe intelektuale në shtetet fqinje të Maqedonisë, si në Serbi, Bullgari dhe Greqi, ka shumë vite që flasin, shkruajnë dhe trumbetojnë për disa fakte historike, për realitetin e sotëm dhe të ardhmen e Maqedonisë, duke e trajtuar këtë çështje secila palë sipas interesave të veta. Kështu, pjesëtarët e këtyre qarqeve dhe përkrahësit e këtyre ideve të vjetruara ende vazhdojnë të mendojnë me logjikën e shek. XIX dhe të fillim shek. XX, kur u krijuan shtetet e tyre të pavarura, pas shumë betejave të përgjakshme, por synimet për pushtimin e territoreve të popujve fqinj të tyre dhe tendencat për dominim mbi popujt tjerë nuk i ndërprenë asnjëherë.
Popujve ballkanikë, të detyruar nga rrethanat historike të jetojnë në fqinjësi me njëri-tjetrin, pas rënies së Perandorisë Osmane, siç duket nuk u mjaftoi liria dhe mëvetësia e tyre, as hapësira e jetesës. Dy luftat ballkanike dhe dy luftat botërore, përveç që u shkaktuan viktima të mëdha në njerëz dhe shkatërrime, këtyre shteteve të vogla ballkanike nuk u sollën asgjë të re, të mirë e të domishme. Nga të gjithë popujt tjerë ballkanikë, shqiptarët më së voni e fituan lirinë dhe pavarësinë e shtetit të tyre kombëtar, edhe pse më gjatë dhe më shumë se gjithë të tjerët u përgjakën nëpër beteja dhe kryengritje kundër sundimit pesëshekullor të Perandorisë Osmane, e cila u qeveris gati sa nga turqit edhe nga vetë shqiptarët. Ky paradoks i botës shqiptare nxiti më vonë hakmarrje të madhe nga popujt fqinj, pas rënies së kësaj perandorie, duke u vërsulur të gjithë njëherësh dhe në të katër anët t’i copëtojnë dhe ndajnë mes vete tokat shqiptare, si dhe ta pamundësojnë ruajtjen e shtetit të tyre të pavarur, edhe ashtu të gjymtë e të cunguar, të cilin mezi e krijuan shqiptarët në më pak se 1/3 e territoreve të veta etnike, siç kanë qenë para Marrëveshes së Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit, më 1878.
Moszgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare, me pasoja dje, sot e në të ardhmen
Sidoqoftë, as pas pavarësimit të Shqipërisë nuk u ndalën zullumet dhe synimet armiqësore të shteteve fqinje, sidomos të Serbisë dhe Greqisë, në pamundësi të zhbërjes së Shtetit Shqiptar, së paku ta mbajnë atë nën trysni dhe izolim dhe përmes formave të ndryshme ta pengojnë ngritjen, zhvillimin dhe përparimin e tij. Urrejtja e papërmbajtur dhe diskriminimi i hapur ndaj shqiptarëve, terrori dhe gjenocidi i mëvonshëm i regjimeve shoviniste të shteteve nën të cilat mbetën pjesët e territoreve shqiptare nën ish Jugosllavi dhe nën Greqi, për mbi gjysmë shekulli gati sa nuk e shuan ëndrrën për liri, çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve në një shtet të përbashkët, siç e projektuan arkitektët e mëdhenj të Rilindjes Kombëtare.
Mbi gjysma e popullit shqiptar e mbetur nën regjimet e huaja, nën ish Jugosllavi dhe nën Greqi, që nga viti 1913 deri më 1990, e përjetoi dhunën më të tmerrshme, përndjekjet, vrasjet, torturat, burgosjet, shpërnguljet me dhunë, plaçkitjet dhe akulturimin sistematik të shqiptarëve, pa u lënë as mundësinë më të vogël për vetëmbrojtjen e qenies së tyre. Të lënë në këtë gjendje të mjerueshme dhe në mëshirën e fatit, shqiptarët sikur iu nënshtruan në mënyrë të dhunshme një komploti të madh ndërkombëtar për asimilimin dhe katandisjen e tyre nëpër botë, siç nuk kishte ngjarë me asnjë populli tjetër gjatë historisë.
Një Evropë totalisht e heshtuar gjatë asaj kohe dhe një shtet i vogël shqiptar, i dobët ekonomikisht dhe i izoluar ndërkombëtarisht, nuk jepte shpresë për shpëtimin e shqiptarëve nga ky ferr edhe për një kohë të gjatë. Por, ëndrra për liri e çlirim kombëtar dhe rezistenca ndaj regjimeve të huaja okupatore nuk u shua asnjëherë ndër shqiptarët në trojet e veta etnike, sidomos mes inteligjencies përparimtare dhe familjeve me tradita atdhetare, të cilat vazhdimisht e ngritën zërin e protestës para opinionit ndërkombëtar të shurdhër deri vonë.
As përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe fillimi i proceseve demokratike në vendet e ish bllokut socilaist, dhe sidomos shpërbërja e ish Federatës Jugosllave, sërish shqiptarët nuk i gjeti të mobilizuar sa duhet, të fortë dhe të aftë për t’i realizuar synimet e veta historike, për rikthimin e asaj që kishin humbur nga viti 1878, 1913, 1945 e deri më 1990.
Me shumë mund dhe sakrifica të disa gjeneratave, shqiptarët më në në fund arritën përmes Luftës Çlirimtare dhe me ndihmën e pakursyer të SHBA, Gjermanisë dhe disa shteteve të tjera aleate nga BE, ta çlirojnë Kosovën, por jo edhe pjesët tjera të mbetura më herët nën ish Jugosllavi, tani nën Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi. Kështu, ndër çështjet më të mëdha të pazgjidhura mbeti çështja e shqiptarëve në Maqedoni, e cila si republikë ish jugosllave e shpalli pavarësinë e saj në rrethanat më të paforshme për popullin shqiptar, në vitin 1991. Përpjekjet e vazhdueshme të popullit shqiptar në Maqedoni vazhduan edhe më tej, por me shumë pak sukses, sa për ta ruajtur identitetin, disa vlera të venitura të kulturës, gjuhën, arsimin në gjuhën amtare dhe ato pak tradita kombëtare, të cilat ia kishte zbehut regjimi kominist jugosllav deri në shpërfaqje.
Ndarja e fatit me të tjerët, në rrethana ballkanike të gjitha palët i ngulfat
Përkrah popullit sllav të Maqedonisë, i cili gjithashtu është përpjekur afër një shekull për krijimin e identitetit të tij kombëtar të veçantë, përballë synimeve pushtuese dhe asimiluese të shteteve fqinje, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë, të cilat ia mohonin atë, bashkë me historinë, kulturën, gjuhën dhe veçoritë tjera kombëtare e fetare, edhe shqiptarët në Maqedoni do të futen padashje në këtë labirint, mes lëmshit ballkanik të ngatërruar ndër shekuj, të mbetur në një shtet të përbashkët me maqedonasit.
Nën ndikimet e interesave të jashtme dhe reaksionin e brendshëm në radhët e të dy popujve, nuk u arrit të hapet asnjë perspektivë e re gjatë 27 vjet demokracie as në shtetin e pavarur të Maqedonisë. Edhe lufta e armatosur e vitit 2001, mes kryengritësve shqiptarë dhe pushtetit tepër diskriminues ndaj shqiptarëve, as Marrëveshja e Ohrit e arritur pas ndërprerjes së këtij konflikti, edhe pse me garanci ndërkombëtare, nuk i arriti objektivat e prituara dhe as doli e mjaftueshme për hapjen e perspektivave të reja për shtetin e brishtë të Maqedonisë.
Në anën tjetër, pushteti i dobët i Shqipërisë, i kapur nga agjenturat e huaja, bandat kriminele dhe mafia, si edhe pushteti i ri i Kosovës së sapoçliruar nga okupimi serb, me plot halle e ngatërresa të bendshme të saj, nuk arritën sa duhet të kujdesen dhe ndihmojnë në orientimin e lëvizjes politike për ngritjen dhe përparimin e popullit shqiptar në Maqedoni, siç e kërkonin rrethanat e reja në të cilat kaluan shqiptarët në Maqedoni gjatë tri dekadave të fundit.
Mes dëshirave dhe mundësive, mbetet vetëm durimi dhe shpresa
Mes dëshirave dhe mundësive, disa qarqe politike dhe intelektuale, brenda dhe jashtë vendit, nuk kanë qenë në gjendje ta vlerësojnë drejtë situatën, rrethanat e brendshme dhe ndërkombëtare, pozitën gjeopolitike dhe gjeostrategjike të vendit dhe rajonit, me këtë edhe ta vlerësojnë e projektojnë drejtë se çka duhet të bëjnë shqiptarët në Maqedoni dhe nga duhet të shkojnë, për sigurimin e të ardhemes së tyre më të mirë, në liri, barazi dhe progres shoqëror, si çdo popull tjetër i qytetëruar në botën e sotme.
Nën ndikimin e propagandës së shteteve fqinje, me synime të hapura ndaj Maqedonisë, disa qarqe politike dhe intelektuale në Serbi vazhdimisht kanë trumbetuar se Maqedonia, ose një pjesë e saj, pas shpërbërjes së ish federatës jugosllave, duhej t’i takojë asaj, siç ka qenë dikur „Banovina e Vardarit“ apo banovina e „Serbisë Jugore” nën ish Mbretërinë e Jugosllavisë; edhe disa qarqe politike dhe intelektuale në Bullgari kanë përhapur vazhdimisht propagandë kundër Maqedonisë, se ajo duhet të jetë shteti i dytë bullgar, më vonë duke propozuar që emri i ri i shtetit të Maqedonisë për zgjidhjen e kontestit me Greqinë, duhej të ishte „Bullgaria Jugperëndimore”; kurse Greqia në anën tjetër, në pamundësi për sigurimin e përkrahjes për ndarjen e Maqedonisë mes shteteve fqinje, sipas planit Micotakis-Millosheviq të vitit 1992, ngriti kontestin për emrin e shtetit të Maqedonisë, me pretendime që së paku ta eliminojë nga skena politike dhe historike emrin Maqedoni, me këtë duke e mohuar edhe ekzistencën e popullit me këtë emër, meqë në territorin e shtetit të saj aktual ndodhet rajoni administrativ me po këtë emër, i ndarë me Marrëveshjen e Bukureshtit të vitit 1913, si njëra nga tri pjesët e rajonit gjeografik me emrin Maqedoni, të njohur nga lashtësia e hershme. Pala greke dhe as fqinjët tjerë sllav-ortodoksë, asnjëherë nuk e kanë përmendur se emri i Maqedonisë më së paku mund të lidhet me banorët e saj sllavë të ardhur pas shek.VII të erës së re, në krahasim me shqiptarët autoktonë në Maqedoni.
Kështu, edhe disa qarqe politike dhe intelektuale shqiptare, duke mos i vlerësuar siç duhet rrethanat historike dhe aktuale, kanë kërkuar gjatë kësaj periudhe që Maqedonia të emërtohet si „Iliro-Maqedoni“, „Albano-Maqedoni“, „Shqipëri Lindore“, ose të krijohet një shtet i pavarur shqiptar në pjesën perëndimore të Maqedinisë me emrin „Republika e Iliridës“, nën një federatë ose konfederatë të përbashkët me pjesën tjetër lindore të Maqedonisë të banuar me shumicë sllave, duke pasur parasysh të kaluarën hirtorike, autoktoninë e shqiptarëve në këtë krahinë të dikurshme ilire, si dhe numrin e shqiptarëve të cilët jetojnë në vazhdimësi historike dhe gjeografike në trojet e veta etnike në Maqedoni. Ndër shqiptarët vazhdimisht ka pasur edhe zëra për bashkim kombëtar të gjithë shqiptarëve të rajonit në një shtet të përbashkët kombëtar, në Shqipërinë Etnike (të quajtur nga të tjerët Shqipëri e Madhe), ku do të përfshiheshin edhe territoret ku aktualisht banojnë me shumicë shqiptarët në Maqedoni. Ndërsa drejtuesit e politikës shqiptare në këtë shtet, për 27 vjet me radhë, asnjëherë nuk janë mbështetur në kërkesat e drejta dhe të ligjshme të popullit shqiptar vendës, në drejtim të sigurimit të zgjidhjes së pranueshme, që edhe shqiptarët të jenë popull shtetformues, si element konstituiv i shtetit të përbashkët dhe plotësisht i barabartë sipas kushtetutës me popullin maqedonas.
Mes synimeve mbi Maqedoninë, emërtimin e saj eventual si „Bullgari Jugperëndimore“, „Serbi Jugore“, apo „Shqipëri Lindore“, faktori ndërkombëtar krijoi një mundësi të re për pajtim e të gjitha palëve, përmes Marrëveshjes së Prespës (2018), mes Greqisë dhe Maqedonisë, kështu duke ia hapur këtij shteti rrugët e integrimit në NATO dhe BE, përkatësisht përfshirjen në bashkësinë e shteteve të Ballkanit Perëndimor, bashkë me Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën.
Se kush dhe sa ka pasur të drejtë, kush sa është munduar për një zgjidhje të drejtë në interes të barazisë së të gjithë popujve që jetojnë në këtë shtet, për hapjen e prespektivave të reja evropiane dhe euroatlantike të këtij shteti dhe ardhmërinë e qytetarëve të tij, sidomos për shqiptarët dhe maqedonasit si dy popujt shumicë, këtë do ta dëshmojë e ardhmja jo e largët dhe historia.
Perspektiva evropiane dhe evroatlantike e Maqedonisë, pa alternativë tjetër
Pas shumë përpjekjeve të foktorit ndërkombëtar për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme, jo plotësisht të drejtë por me kompromise të detyrueshme për popullin vendës dhe shtetet fqinje, më në fund u arrit marrëveshja mes Greqisë dhe Maqedonisë për ndryshimin e emrit të Republikës ish jugosllave të Maqedonië në Republika e Maqedonisë Veriore, me këtë edhe u hapën perspektiva të reja për integrimin e këtij vendi në struktuar globale evropiane dhe euroatlantike, NATO dhe BE, si mundësi e vetme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon, si dhe për sigurimin e të ardhmes së këtij shteti, i cili pritet të krijojë shansin e ri për të gjithë qytetarët e vendit, pa dallim të përkatësisë etnike, gjuhësore, fetare dhe çdo përkatësie tjetër. Me këtë u kriju një shans i ri me mundësi të barabarta për të gjithë, për tejkalimin e dallimeve, kacafytjeve dhe përplasjeve të derisotme, në betejën e pakuptimtë për dominimin e një populli mbi të tjerët.
Rrugët janë të hapura dhe historinë e kemi përpara. Atë që do të mbjellim sot për të ardhmen tonë, atë edhe do ta korrin gjenetarat e ardhëshme. Uroj të mos na mallkojë historia dhe ata që do të lindin pas nesh, për atë që kemi mundur dhe nuk e kemi bërë deri më sot!