SHQIPTAR OSEKU: LETËR KOMANDANT AMIRIT, SHKELMUESIT TË NJË PROTESTUESI PAQËSOR

(Pashtriku.org, 25. 10. 2012) – Publicisti dhe shkrimtari ynë i njohur, Shqiptar Oseku, me qëndrim në Suedi, sot i ka shkruar një letër të hapur komandantit të Njësisë Speciale për Rajonin e Prishtinës, Amir Gërgurit (KPS: 4559, i lindur më 16. 03. 1973, numri personal: 1500992979). Një fotografi trishtuese e publikuar në rrjetin social Facebook, ku Amir komandanti shihet duke shkelmuar një protestues paqësor, është arsyeja që Shqiptarin e ka shtyrë t’i shkruaj këtë letër:
Letër për Amir Gërgurin, njëfarë komandanti i policisë, i identifikuar me foto duke shkelmuar një qytetar të shtrirë
Amir,
nuk më njeh, as nuk të njoh. Emrin tënd e gjeta në facebook, pranë fotografisë së një polici që shkelmonte një qytetar të shtrirë përtoke. Thuhej që ti je ai polici.
Kam menduar gjatë a të të shkruaj apo jo. Nëse je ai polici në fotografi, sigurisht ke bindje të mirë për veten. I shërben shtetit, nisem nga kjo së pari. E vë jetën në rrezik përditë me orar të parregullt që ta sfidon jetën familjare, me rrogë të ulët, befinicione të vogla, e kompenzime të pakta për familjarët në rast se të ndodh diçka. Armiqësohesh me kriminelë profesionistë, që mezi presin t’u biesh në dorë. Një burrë si ti, me këtë imazh mendor të vetvetes, them se është goxha imun ndaj kritikës prej rrethit.

Komandanti i Njësisë Speciale për Rajonin e Prishtinës, Amir Gërgurit (KPS: 4559, i lindur më 16. 03. 1973, numri personal: 1500992979).

…………………………………………………………

Ndoshta edhe personi që e shkelmon aty në fotografi – gjithnjë nëse ti je ai polic që po e shkelmon qytetarin – në mendjen tënde, e meritonte një shkelm a dy. Ndoshta hodhi gur kundër teje, ndoshta ta ktheu mbrapsht kanistrën e lotësjellësit. Ndoshta të shau. Kushedi, ndoshta edhe të goditi, për të ikur. Njërëzit e dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara.
Puna është se, për mua e për tjerët që e shikojmë atë fotografi, ti del i keqi aty. Sepse ti e ke uniformën. Sepse ai është i shtrirë. Sepse ti me uniformë e shkelmon një qytetar të shtrirë.
Ti e di, natyrisht, që kjo është vepër penale. Në një shtet ligjor, ti për këtë shkelm do të ndiqeshe penalisht, për abuzim të detyrës zyrtare. Dua që të mendosh vetë, se çka do të thotë për uniformën tënde, e për shtetin që ti e mbron, fakti që ty askush nuk të ndjek penalisht.
Edhe më keq është, kur t’i mendosh pasojat morale të shkelmit tënd. E kam fjalën për veten tënde, Amir. Çka i bën moralit tënd, si oficer e si njeri, ai shkelm.
Si oficer karriere, ai shkelm të korrupton. Ti mund ta gjesh një justifikim kuaziprofesional para një paneli hetues – shpresoj që vjen puna deri aty – se pse u desh ta shkelmoje një qytetar të shtrirë, por e vërteta që di ti vetë është se ai shkelm ishte gabim profesional. Kur nis të justifikosh gabime profesionale, ka nisur korruptimi yt si profesionist. Aty e tutje, ti i shposton vlerat profesionale ngapak, meqë e di që nuk je i pastër vetë. Je më i prirur t’i thuash mutit mashallah në radhët e kolegëve. Ta mbyllësh një sy. Dhe sa herë që e bën këtë, e fshin ngapak atë vijën morale që të ndan ty prej kriminelëve të karrierës.
Kjo ka pasoja edhe për ty si njeri, Amir. Ndoshta eprorët e kolegët tu janë njësoj si ti: por ti do të ndihesh fallso para uniformës që e mban. S’di a të kujtohet, por ajo ishte gurthemel i identitetit tënd si njeri, që i shërben shtetit etj etj. Kur njeriu ndihet fallso para vetes, ai bëhet cinik. Si njeri, nuk do ta kesh lehtë kur imazhi yt moral të gërryhet nga kjo. Njerëzit që u gërryhet morali bëhen idhnakë, gojëkëqinj, i shajnë e i përgojojnë tjerët. Ata e kanë vështirë t’i besojnë dikujt, meqë në thelb e kanë humbur besimin në vetveten. Meqë e humb besimin në moral në përgjithësi, ai njeri nis e bën edhe sende tjera amorale: ndaj bashkëshortes, ndaj shokëve…
Më së keqi, gërryerja e moralit i godet fëmijët. Këtë e kam lëmi profesionale, andaj shpresoj që më beson. Njerëzit që e humbin njerëzillëkun moral (duke u vënë në mbrojtje të një akti amoral) bëhen shembull shumë i keq për fëmijët e vet. Mjerisht, shkenca dëshmon që fëmijët shpesh vazhdojnë në hapat e prindit, duke u bërë edhe vetë të palumtur: ky fenomen në shkencë quhet “trashëgimia sociale”. Ajo është më e fortë në mjedise ku shteti e shoqëria nuk kanë autoritet t’i parojnë gabimet e etërve të pamoralshëm. Dhe ti e di, besoj, se çka i bën ai shkelmi yt autoritetit të shtetit te viktima e shkelmit, e te farefisi i tij; e fotografia e atij shkelmi te gjithkush që e ka fatin e keq ta shikojë.
Shkurt, Amir, ky shkelm ndoshta të duket punë e vogël ty. Ke sigurisht kolegë që kanë bërë edhe më shumë e s’u bë nami, ndoshta mendon. Por kjo botë është e thurrur ashtu me fije të holla përgjegjësie, që ky shkelmi yt i ka goxha disa pasoja. Ke parasysh që s’po flas për viktimën e shkelmit tënd, por për ty: atet e atij shkelmi, do të të zënë, Amir. Ty, po që po. Por kam frikë se i zënë edhe fëmijët tu, nëse ke. E pra, ato ate nuk shihen menjëherë. Ato nuk janë mace që gërivishin. Janë si brum i ligë, që merr kohë të ngjizet. Por po ta jap fjalën e nderit që do t’i paguash. Do t’i paguajmë të gjithë, si njerëz: se në këtë botë, të gjithë ne jemi të lidhur me ato fijet e holla të përgjegjësisë.
Unë uroj të kem shlidhur vetën prej tyre me këtë letër, Amir. Uroj që kjo letër të më pastrojë mua prej përgjegjësisë sime, si qytetar e si njeri. Që atet e atij shkelmit tënd kundër njeriut të shtrirë, të mos bien mbi mua, e fëmijët e mi. Ti, Amir, ia gjetsh çaren vetes.
Mos mendo që të urrej, Amir. Sall më dhimbesh.
Të fala,
Shqiptar Oseku

………………………………………..


 ……………………………………….

SHIKONI BARBARËT E HASHIMIT SI I TORTUROJNË QYTETARËT E PAFAJSHËM,

SI NË KOHËN E BARBARIT MILLOSHEVIQ!

……………………………………….

(Ilustrimet janë të pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura