PREZANTIM I SUKSESSHËM PARA AUSTRIAKËVE I ROMANIT „1803“ TË AUTORIT BESIM XHELILI

Vjenë, 18 shtator 2018: Autori shqiptar nga Tetova, i cili që nga viti 1998 jeton dhe punon në Vjenë të Austrisë, prezantoi të shtunën më 15 shtator 2018, në Muzeun e Bashkisë Mödling, romanin e tij me titull “1803”. Ky roman, si pjesë e parë e një trilogjie me po të njëjtin emër, u botua në shqip në vitin 2016, kurse në janar të këtij viti edhe në gjuhët gjermane dhe suedeze.
Me ftesë të Shoqërisë Letrare Mödling, dhe nën udhëheqjen e kryetares znj. Nicole Fendesack, në Muzeun e Bashkisë Mödling “Thonetschlössl”, u mbajt një orë letrare me shkrimtarin dhe poetin shqiptar nga Tetova Besim Xhelili, i cili prezantoi para një publiku të konsiderueshëm, artdashës dhe adhurues të librit, romanin e tij me titull “1803”.
Këtë aktivitet me vlera letrare e hapi vetë kryetarja znj. Fendesack, e cila pasi dha disa informacione mbi historikun e Shoqërisë Letrare Mödling, tregoi për aktivitetet dhe programin e planifikuar për këtë tremujor të fundit të këtij viti. Më pas ajo tha se ndjehet e gëzuar që sot si mysafir kanë një autor siç është z. Xhelili, i cili premton shumë me krijimtarinë e tij të bujshme dhe shumë laramane, duke pasur parasysh që ai ka shtatë vëllime me poezi dhe një roman në gjuhën shqipe, porse ai tash ka bërë hapin e madh, duke na ofruar këtë roman në gjuhën gjermane dhe atë suedeze. Ajo dha disa njohuri biografike mbi shkrimtarin Xhelili dhe recitoi për të pranishmit një poezi nga ai, duke e shpallur kështu të hapur këtë pasdite kulturore.
Shkrimtari Besim Xhelili falënderoi Shoqërinë Letrare Mödling, kryesinë dhe vet kryetaren për ftesën dhe mundësinë që ai të prezantojë romanin e tij para lexuesve dhe dashamirësve të librit të Bashkisë Mödling. “Ndjehem shumë i gëzuar dhe i nderuar të jem sot këtu në mesin tuaj, si mysafir i Shoqërisë tuaj, e cila ka tashmë një historik dhe një veprimtari prej më shumë se 80 vjet. Falënderoj të gjithë të pranishmit, miqtë e shumtë për përkrahjen dhe natyrisht lexuesit që përcjellin krijimtarinë time”, tha në fjalën e tij autori Xhelili. Më pastaj ai rrëfeu pak për përmbajtjen e romanit në fjalë, pa u futur në detaje, si dhe lexoi disa fragmente nga po ky libër. Në fund pati një bisedë të ngrohtë me të pranishmit, të cilët morën nga një libër dhe i bënë pyetje autorit. Ishte kërkesë e madhe të njihen me atë se çka do të thotë titulli “1803”, por autori tha se kjo do të zbulohet në pjesën e tretë të romanit.
Përndryshe Besim Xhelili ka prezantuar tashmë romanin e tij në disa vende të tjera në Europë si Gjermani, Zvicër, Greqi, Suedi dhe në vendet autoktone shqiptare. Recensionin e ka bërë kritiku i mirënjohur Prend Buzhala, kurse përkthimin në gjermanisht Kurt Gostentschnigg dhe atë në suedisht Ullmar Qvick. Autori ka shpresë që deri verën e ardhshme të arrijë të mbarojë dy pjesët e tjera të romanit, kurse ka në proces edhe disa vëllime me poezi. Ai është anëtar i PEN Qendrës Austriake, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë dhe ka marrë pjesë me disa krijime në disa antologji në shqip dhe në gjermanisht. / Besim Xhelili, 16 shtator 2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

GJUHA JONË

GJUHA JONË Nga Ndriçim Kulla, Tiranë 26 shtator 2021 “Historia që ka një farë rëndësie në jetën e…