SI IU DORËZUA PRINC VIDIT KURORA E FRONIT, NGA DËRGATA SHQIPTARE NË KRYE ME ESAT PASHË TOPTANIN (21 SHKURT 1914)

Pashtriku.org, 10 tetor 2018: Dërgata shqiptare me Esat pashën në krye u prit nga Princ Vidi në kështjellën e tij të familjes në Nojvid të Gjermanisë.
***
Gjermani, 21 shkurt 1914: Qyteti i vjetër i Nojvidit ishte zhytur në një atmosferë gëzimi si në Krishtlindje, për të pritur dërgatën shqiptare, që do të arrinte me tren të posaçëm. Në hyrje të rrugës kryesore ishte ngritur një lloj harku triumfi, dy shtylla të larta të lidhura sipër me zbukurime dhe flamuj. Ishte ftohtë, por kjo nuk i pengoi mijëra njerëz të dilnin nëpër rrugë, në dritare dhe në ballkone për të përshëndetur mysafirët. Në lumin Rin qëndronin të palëvizshme dhjetëra anije me vela, ku dalloheshin banderolat shumëngjyrëshe, mes të cilave edhe flamurë të Shqipërisë së re. Treni arriti me shumë vonesë, por sapo Esati dhe të tjerët zbritën në platformë, turma u gjallërua dhe shpërtheu në brohoritje. Burra, gra dhe nxënës tundnin flamurkat që mbanin në duar.
Shqiptarët ishin veshur shumica me frak. Nën redingotat dhe jelekët e zinj u shndritnin këmishat e bardha që mbylleshin te jaka me papijonë. Dikush ishte kujdesur, gjatë qëndrimit të tyre në Romë, t’u dërgonte në hotel rrobaqepës për t’u përgatitur veshje ceremoniale, të denja për një ngjarje që do të shkruhej në histori. Në gjoksin e Esatit mungonin dekoratat e Osmanijes dhe Mexhidijes, që ai do t’i kishte vënë në çdo rast tjetër solemn. Problem kishte qenë lloji i kapeles, që do të përdorte Esati dhe kjo ishte zgjidhur pas sugjerimit që ai të mbante një cilindër në vend të fesit turk, për të mos fyer anëtarët e krishterë të dërgatës.
Për të përshëndetur mysafirët kishin dalë autoritetet më të larta të qytetit. Nën vështrimet kureshtare të njerëzve, Esati dhe të tjerët zunë vend në pajtonët, që drejtoheshin nga karrocierë me uniforma blu dhe karvani u nis për në shtëpinë-kështjellë të familjes princërore të Vidëve.

Në Schloss Neuwied, siç e thërrisnin gjermanët kështjellën, tani banonte Princ Viktori, vëllai i Vidit. Kjo ishte një ndërtesë dykatëshe e shekullit të 17 në ngjyrë kanarine, me çati të pjerrëta gri të stilit francez. Në sheshin para pallatit ishte rreshtuar garda e Nojvidit, te hyrja qëndronin ushtarë në pozicion roje nderi dhe në harkun e portës ishte ngulur emblema e shtetit të ri shqiptar. Pajtonët arritën në oborrin e kështjellës pak pas mesditës. Esati zbriti i pari dhe pas tij me radhë anëtarët e tjerë të dërgatës: Lef Nosi, Eqrem bej Libohova, Eqrem bej Vlora, Xhemil bej Vlora, Shefqet bej Vërlaci, Iljas bej Vrioni, Llazar Xhumurteka, Ndoc Çoba, Pashko Kakariqi, Abdyl bej Ypi, Nikollë Kaçorri, Hasan Prishtina, Sami bej Vrioni, Mihal Turtulli, Epaminonda Koleka, Milto Shallvari, Hysen bej Vrioni, Vehbi Dibra dhe Jusuf Hamzaraj. Mysafirët i futën në një sallë me mure të bardhë dhe ata u përshëndetën me kryeshambelanin, i cili i renditi në formë gjysmërrethi. Pas pak hyri Princ Vidi me Princeshën Sofi dhe përnjëherësh ra një qetësi e thellë. Princi mbante uniformën zu Fuss të truprojes personale te Kaizerit me helmetën Pickelhaube, me kunjin karakteristik në majë. Princesha kishte veshur një fustan të bardhë e të derdhur, që i prekte tokën, ndërsa mbi flokët e zeza i shndrinte një gur i madh i çmuar.
Esati doli përpara delegacionit dhe lexoi në shqip me zë kumbues një letër që mbante në dorë. Përkthente Eqrem bej Vlora, i cili e kishte shkruar vetë tekstin.
– Lartësi! – iu drejtua Esati Vidit. – Kombit tonë i është dashur të kalojë nëpër kohë të këqia, por nuk e ka harruar kurrë të shkuarën e vet të lavdishme, shpirtin kombëtar dhe tiparet e tij shqiptare. Ai ka ditur ta ruajë frymën kombëtare dhe gjuhën e të parëve. Ndryshimet politike që ndodhën kohët e fundit në Ballkan dhe sidomos kujdesi e ndihma e Fuqive të Mëdha europiane, i lejuan Shqipërisë të krijohej si shtet i lirë dhe i pavarur. Shqiptarët janë jashtëzakonisht të lumtur e të gëzuar që Lartësia Juaj, bir i një kombi kaq të famshëm në punën e shkencave, të kulturës dhe të lavdisë, pranoi të bëhet sovrani ynë. Zoti fuqiplotë Ju pastë nën krahun e vet, Juve dhe Shtëpinë Tuaj të shquar, për të mirën e Shqipërisë. Shqiptarët, pa përjashtim, do të jenë përjetësisht qytetarë besnikë të Lartësisë Suaj. Rroftë Madhëria e Tij, Mbreti i Shqipërisë.
Në përshëndetjen e Esatit bëri përshtypje përdorimi në fund i fjalës Mbret, në vend të Princ. Pas duartrokitjeve, njëri prej burrave, Milto Shallvari, i dorëzoi Vidit një kuti të vogël, të mbështjellë me shami mëndafshi ngjyrë mavi, brenda së cilës kishte dhè, rërë dhe ujë nga Shqipëria. Dhurata ishte simboli që lidhte në mënyrë të përhershme një të huaj me tokën e shqiptarëve.
Foli edhe Princi. Njësoj si Esati, ai lexoi nga letra me ton solemn.
– Shkëlqesi! Zotërinj! – e nisi ai fjalimin në gjermanisht. – Si përfaqësues nga e gjithë Shqipëria, keni ardhur të më ofroni fronin e vendit tuaj, i cili, pas shumë luftimesh dhe vështirësish, ka arritur më në fund edhe një herë pavarësinë. Meqenëse Fuqitë më kanë caktuar si sovranin tuaj, dua t’Ju them se e pranoj fronin e Shqipërisë dhe se ne do të shkojmë atje bashkë me ju si të shkonim në atdheun tonë të ri. Nuk ka qenë e lehtë për mua. Këtë vendim munda ta marr vetëm pas një meditimi prej shumë muajsh. Përmasat dhe serioziteti i kësaj përgjegjësie më trembnin. Por tani që e kam vendosur, do t’i përkas vendit Tuaj me gjithë zemër dhe me të gjitha forcat e mia. Shpresoj të kem bashkëpunimin tuaj të zellshëm dhe besnik për ta themeluar dhe forcuar këtë shtet. E pranoj me kënaqësi dhe me mirënjohje sigurinë e besës suaj, të asaj bese që në Shqipëri ka qenë gjithnjë e shenjtë dhe e famshme në të gjithë botën. Rroftë Shqipëria!
Thirrjen e fundit Vidi e lexoi në shqip. Pastaj eci drejt Esatit dhe të dy shtrënguan duart gjatë, duke e parë njëri-tjetrin ngultazi në sy. Jashtë dhe brenda pallatit u bënë fotografi. Vidi me bashkëshorten në mes, pranë tyre Esati dhe rrethepërqark gjithë të tjerët. Vidi i ftoi shqiptarët për drekë. Në dollinë që ngriti i pari ai tha se motoja e familjes së tij ishte Fidelitate et Veritate (Besnikëri dhe Ndershmëri) dhe se ajo përkonte me cilësitë e popullit shqiptar, të njohura mirë në të gjithë botën. Esati u përgjigj se shpresonte që Shqipëria, me punën e saj dhe nën udhëheqjen e Princit, të arrinte shumë shpejt një shkallë qytetërimi si ajo e Gjermanisë. Edhe në këtë rast ai përdori fjalët Mbret dhe Mbretëreshë për të zotët e shtëpisë. Pas kësaj, të gjithë shkuan me automobil në kështjellën Monrepos, ku motrat e Princit dhanë një çaj për nder të mysafirëve.
Esati bëri deklarata për shtypin. Ai tha se Shqipëria synonte të mbante marrëdhënie miqësore me të gjitha fuqitë, edhe me Rusinë. “Simpatia jonë për Austro-Hungarinë dhe për Italinë, – tha ai, – është e qartë nga vetë interesat e mëdha të përbashkëta, që e kanë bazën në pozitën gjeografike të Shqipërisë. Janë gjithashtu të kuptueshme ndjenjat e ngrohta që ushqejmë për Gjermaninë dhe që na i ka dhuruar Princi ynë.” Sa i përket mundësisë për trazira të reja në Ballkan, Esati tha se vendet ballkanike ishin tepër të dobësuara për të filluar një luftë të re. Nga ana tjetër, – tha ai, – Shqipëria është forcuar ndjeshëm, në sajë të përpjekjeve të Fuqive të Mëdha.
___________
Pjesë e shkëputur nga libri: “Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta, pushteti” i autorit Ilir Ikonomi

Nojvid (Neuwied), 21 shkurt 1914. Delegacioni shqiptar bën foto me Princ Vidin dhe pjestarë të familjes Vid brenda kështjellës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura