(Prishtinë, 29. 10. 2012) – Shqiptar apo ”kosovar” ky ishte titulli i një diskutimi që u zhvillua para dy viteve në emisionin ”Top Show”. Personalisht debati më la një shije të hidhur në gojë dhe nuk prisja nga ana e shqiptarëve (apo të ”kosovarëve” siç kanë qejf ta thërrasin vetën shumë në Kosovë) të Kosovës atë lloj reagimi (mbase ishte vetëm reagimi i atyre pseduoanalistëve që ishin të ftuar në emision). Si mundet sot të ketë kuptim një pyetje e tillë? Çfarë do të thotë ”kosovar”? Sot në qoftëse ka një shtet të Kosovës dhe kjo ishte gjëja më madhore për shqiptarët e Kosovës pas shekujsh pushtimi, nuk do të thotë që ky veprim i thjesht administrativ të vërë në pikëpyetje të qenit një komb?
Halil Matoshi – bajraktari i kombit “kosovar”!
…………………………………………………………
Shqiptarët kurrë nuk e kanë humbur identitetin e tyre kombëtar as mbi pesëqind vjet nën perandorinë osmane, as nën bizantin dhe as nën serbin dhe komunizmin. Si mundet sot kur ne jemi të lirë të shtrohet një pyetje e tillë, kur edhe Arbëreshët që kanë mbi pesë shekuj të shkëputur nga toka mëmë kur i pyet sot thonë që janë shqiptarë. Çfarë do të thotë me qenë ”kosovar”, çfarë ndryshon sikur të thuash se jam prishtinali apo jam durrësak, tiranas ose tetovar? ”Nuk e besoj që sot të ketë në Kosovë një elitë e cila vetëm për të pasur një karrige dhe pak më shumë pushtet arrin deri aty sa vë në dyshim të qenit Shqiptarë”. A e harrojnë këta njerëz kaq lehtë gjakun e derdhur në emër të shqiptarizmës, jo vetëm në luftën e fundit për lirinë e Kosovës, por gjakun e derdhur nga breza të tërë patriotësh për të gjithë tokën arbërore. Po të harrohet gjaku atëherë me gjithë mend që paska humbur identiteti i këtyre njerëzve dhe do t’u japin të drejt serbëve dhe sllavomaqedonasve (bullgarëve) me enciklopeditë e tyre. Ne jemi pellazgë, arbër dhe shqiptarë qoftë në kufinjtë e shtetit që quhet sot Shqipëri, qoftë në kufinjtë e shtetit që quhet sot Kosovë (Dardani) apo Maqedoni (Arbëri), Mali i Zi (Malësi) e Serbi, jemi Shqiptarë edhe në kufijtë e shtetit grek (edhe pse ata e mohojnë) dhe si përfundim jemi Shqiptarë kudo që ndodhemi nga Evropa në SHBA. Jo vetëm ne por dhe bijtë e bijëve tanë do të jenë SHQIPTAR, siç janë dhe sot e kësaj dite kudo nëpër Botë.
(Autori është publicist nga Prishtina dhe anëtar i Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të” ALEANCA KUQ E ZI”)