EKSPERIMENTI BURGËTAR…

EKSPERIMENTI BURGËTAR…

(Dhe një gjasë e pamirë)

Nga Rexhep Kasumaj, Berlin 09 Fror 2022

1.

Saherë orësh të mendimta del fjala për burgjet, m’beh vetishëm një kujtesë.

Veçse jo për burgjet ordinare, po për terrin e izolimit ku dergjen idealet. Martirët e tyre. Është vuajtja dhe lavdia e të burgosurve shqiptarë në kazamatet serbiane…

Do të mbetesha i habitur, madje i mrekulluar kulture kur, ndër vite më pas, lexoja një kronikë mbi burgjet apolitike skandinave. Dhe mbi komocionin e tyre të paparë: elegancë, lulnajë oborri, bibliotekë, banjo çlodhëse e fushë lojrash zbavitëse…

Thjeshtë, një fragment jete civile, tashmë pa bezdinë e njerëzve dhe rrëmetin e udhëkryqeve…

Natyrisht, nordikët janë të vështirë për referencë, për mësim e ndjekje frymëzimi. Duken përherë një botë paralele përtej stinëve dhe kohës!

2.

Kulmi i beftësisë, ndërkaq, ishte një novitet i rrallë. Kantoni i Zürichut ftonte njëj agu të bukur vullnetarë. Aspak vullnetarë pune ndërtimtare. Ashtu si kohësh të vdekura qyshkur.

Autoritetet e një burgu kantonal zviceran thërrisnin njerëz vullnetmirë të qëndronin tre-katër ditë në ambientet e tij. Duhej t’a provonin banueshmërinë, më parë se të vendoseshin aty burgëtarët e vërtetë.

Dhe, mbase, jo vetëm kaq. Ata do të shihnin afërsisht grilat dhe rrezedielltat që hynë vjedhshëm në dhomat a qelitë e tyre.

Kushedi. Mbase trishtimi i vetmisë, fantazia e dhimbjes, dridhma e pritjes së pafund do t’i bënin të reflektojnë fismërisht për magjinë e lirisë.

Ndaj dhe, me t’u kthyer, do ushtrojnë mirësinë, durimin e lojalitetin qytetar, duke hyjnizuar, ashtu, kuptimin e jetës!

Bukurinë e saj tek jepet vetëm njëherë kësobote.

3.

Po a do të vlente kjo sprovë për shqiptarë?

Jo vetëm në shëmbëllim të malësorit diku rrëzë bjeshkëve të nëmura që, pasi ishte dënuar për prerje pylli, kërkonte t’i sillnin gruan e fëmijët në burgun e ngrohtë.

Mirëpo seç ka një anë dyshimtare kjo ide avantgarde. Prehja andej, burgjesh të kadifta nordike akoma të largëta, por dhe Dyzi i bekuar kosovar me ansamblin e vet ballkanës, do të ngjiznin ndoshta ndikesën e kundërt.

Ah, dhe këtu jetohet…Hamë bukë, bëjmë shoqëri e flakim dertet e jetesës, do thoshin probantët më vete në heshtjen e pamëshirë.

A nuk do shfaqej krejt së voni një i ngjashëm ngazëllim? Një vetëpajtim me baltën, si një motërzim burgu, në ciklin e fundmë zgjedhor diku në Kosovë? Nuk duam udhë të reja. Duam baltën e vjetër gjyshnore, klithte zogoria me mall e plot smirë ndaj kundërshtarit. Armikut të lagjes, të fshatit e anës…

Pikërisht ky arsyetim që ngrys shpirtin në altarin e kotësisë, mund t’i shpjejë drejt portave të hekurta. Portave që, si tek zvicëranët e epërm, janë parë e përjetuar njëherë dhe, ja, s’paskëshin ngjarë aspak me ferrin e ndërmenduar..!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura