BEJTULLAH KRASNIQI: ARSIMI, KY GJAH PËR ÇAKEJT BABËZI!

Prizren, 22 tetor 2018: (Një vështrim i shkurtër mbi shkollat tona në prag të fillimit të vitit të ri shkollor) – Gjithkund nëpër botë, nëpër vende e shtete normale, pushtetarët angazhohen që t’i hetojnë, hulumtojnë, gjurmojnë e zbulojnë dobësitë e funksionimit të institucioneve në mënyrë që pastaj t’i luftojnë ato mangësi. Edhe te ne ka njerëz të vullnetit të mirë, por ata janë të penguar nga klane të interesit dhe ligjet, qëllimisht, të çakorduara të fushave të ndryshme që do të duhej të na e lehtësojnë jetën, por që nuk është ashtu.
Pas pak ditësh do të fillojë viti i ri shkollor. Të gjithë jemi dëshmitarë të frazave bajate që si refren i ndonjë kënge tallava i servohen opinionit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor si: “janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, kanë përfunduar renovimet dhe gëlqerosjet e objekteve shkollore, nxënësit e etshëm për dituri janë përmalluar për mësuesit e tyre, mësimdhënësit mezi presin të takohen sërish me nxënësit e tyre të dashur, blla, blla blla…”. Kronikat e televizioneve tona na bombardojnë me retorikë socrealiste që nuk kanë lëvizur nga koha e Titos e Enverit. Farsat e tilla nuk i ndihmojnë vendit, fshehja e problemeve nën tapet nuk i zgjidh ato, përkundrazi, i shumëzon.

Qytetarët tanë që nuk e njohin problematikën shkollore për së afërmi, mund edhe t’u besojnë kronikave të televizioneve, shkrimeve të gazetave dhe portaleve, por ata që janë të kyqur drejtëpërdrejtë në sistemin arsimor janë në dijeni të shkaqeve që po e rrënojnë shkollën shqipe, dhe për çudi, nuk janë të gatshëm ta japin kontributin e tyre, qoftë edhe modest, për ta ndaluar rrokullisjen drejt humnerës të shkollës shqipe.
***
Qyteti i Prizrenit, që nga pas lufta, nuk ka pasur shumë fat me drejtuesit e arsimit. Ata kanë lënë pas vetes një mal me probleme pothuajse të pazgjithshme dhe kanë lënë elementet e tyre turbullues, në këtë rast derejtorët e shkollave sabotues e bojkotues.
Me ndërrimin e pushtetit lokal, kemi shpresuar, shumë kemi shpresuar, se ndryshimet do të jenë të dukshme, sepse edhe koha e kërkon këte. Kjo gjendje nuk mund të vazhdojë deri në pafundësi. Në këtë shkrim do të përpiqem të sjell pak fakte konkrete, nga ky det me argumente mbi destruktivitetin e drejtorëve të shkollave tona.
Kohë më parë, Drejtoria e Arsimit e Prizrenit ka shpallur konkurs për vendet e lira të punës. Megjithse kishte disa vende të lira për mësimin klasor, për habi, nuk pati as edhe një vend të lirë për mësimin lëndor! Komuna e Prizrenit ka mbi pesëdhjet shkolla dhe mbi 2600 mësimdhënës. Kryesia e Sindikatës (SBASHK) pranë shkollës fillore “Motrat Qiriazi” në Prizren, duke pasur edhe obligim sindikal, ka hulumtuar dhe përmes burimeve të ndryshme tejet të besueshme, ka arrit të zbulojë një numër relativisht të madh të vendeve të lira të mësimit lëndor. Një pjesë e këtyre vendeve të lira të punës do të plotësohet duke i sistemuar arsimtarët që nuk kanë pasur numër të mjaftueshëm të orëve, por, një numër i konsiderueshëm mbetet plotësisht i zbrazët dhe do të duhej të shpalleshin të lira.
Është e zakonshme dhe e nevojshme që para fillimit të vitit shkollor, nëpër shkolla të mbahet nga një mbledhje e Këshillit të Arsimtarëve në të cilën drejtori i shkollës i njofton mësimdhënësit për detyrat që i presin dhe e bënë ndarjen e orëve për arsimtarë. Edhe në shkollën “Motrat Qiriazi” në Prizren para dy ditësh u mbajt një mbledhje e tillë. Drejtori i kësaj shkolle, Arif Kabashi, rrëmujën që mbretëron në këtë shkollë e paraqiti si një rregull apsolut dhe kështu kungullin që ua shiti për shalqi, e gëlltitën të gjithë njëqin e sa mësimdhënës që ishin prezent pa asnjë reagim. Kur anëtari i këshillit drejtues të sindikatës u interesua se pse nuk është shpallur i lirë vendi i një arsimtari të gjuhës dhe letërsisë shqipe që tashmë është në pension, shpresojmë të merituar, ai u përgjigj: sepse tashmë e kam pranuar një arsimtare pa konkurs!!! (arsimtarja në fjalë ka qenë punëtore e organizatës SAVE THE CHILDREN dhe jo punëtore e shkollës në fjalë).
Pas reagimit të Kryesisë së Sindikatës me pyetjen: kush ta ka dhënë këtë të drejtë? Ai u mundua t’i ikte përgjigjes, dhe në fund e hodhi topin në teren të gabuar duke thënë: këtë ma ka lejuar Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, natyrisht duke shpresuar se kjo do të kaloj me kaq. Kryesia e Sindikatës, nuk i besoi, sepse e njohin si manipulues të shkathët, prandaj vendosi që këtë rast ta hulumtojë. Pas disa takimeve me njerëz të informuar, po edhe me vetë Drejtorin e Drejtorisë Komunale të Arsimit, zbuluam se drejtori i shkollës i kishte gënjyer të gjithë të pranishmit dhe, padrejtësisht, ia kishte hedhur fajin drejtorit të DKA-së. Ky drejtor, për tetë vjet të sundimit të tij, për çdo vit thuaja se ka punësuar njerëz pa konkurs. Cila është arsyeja që ai vepron kështu dhe me kë e ka ndarë gjahun, mbetet të sqarohet nga vet ai ose nga prokuroria jonë anemike.
Gjatë takimit që Kryesia e Sindikatës së shkollës “Motrat Qiriazi” pati me drejtorin e DKA-së, u njoftua për shumë iniciativa pozitive, por që mbetet të shihet a do të mund të realizohen. Njëra ndër këto iniciativa ishte edhe një letër qarkore e DKA-së drejtuar drejtorëve të shkollave të Komunës së Prizrenit me nr: 2118/2018 me nëntitull, Për: Drejtorët e shkollave. Në paragrafin e katërt të kësaj qarkoreje shkruan:
“Në rastet kur drejtori i shkollës nuk i ka adresuar kërkesat/nevojat për mësimdhënës, përkatësisht konkurs në DKA, për vitin shkollor 2018/2019 sipas udhëzimeve në fjalë, do të mbahet përgjegjës. DKA nuk do të nënshkruaj asnjë kontratë pune, as edhe për numër të kufizuar të orëve mësimore, pa institucionin e konkursit”.
Mosrespektimi i kësaj kërkese të DKA-së tregon se sa arrogant dhe sabotues janë shumica e drejtorëve të shkollave. Nuk dua t’i fus të gjithë drejtorët e shkollave në një thes, përjashtime sigurisht që ka, por pushtetit aktual i mbetet që t’i identifikoj shumicën destruktive dhe t’ua ndaloj hyrjen nëpër shkolla. Kjo do të arrihej, për këtë jam shumë i bindur, me një auditim të pavarur të keqmenaxhimit të financave nëpër shkolla.
Bojkoti dhe sabotimi i qeverisë lokale është aq i organizuar sa kjo duket qartazi edhe me djegjen e vazhdueshme të kontejnerëve të mbeturinave, me dëmtimin e vazhdueshëm të fidaneve të mbjella nëpër rrugët e qytetit, me dëmtimin e stolisjeve të trungjeve të lisave nëpër qytet etj. etj.
Prandaj Qeverisë Lokale të Prizrenit i duhet të jetë më këmbëngulëse në zhdavaritjen e mjegullës dhe zbulimin e qerdheve të qakejve babëzi, në mënyrë që të frymojmë të lirë. Këtë ia keni borgj qytetit, qytetarëve dhe gjeneratave që po rriten të pa shpresë. Në të kundërtën, pas përfundimit të këtij mandati, mund të përfundoni duke mrizuar nën hijet e lisave skaj Lumbardhit.
P r i z r e n, 30. 8. 2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura