REAGIM I KMDLNj’së: TË VIZITOHEN TË ARRESTUARIT KOSOVARË NË MAQEDONI! REAGIME: AVOKATI I POPULLIT DHE ‘QKRMT’

Prishtinë, 15. 05. 2015 – Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut shpreh shqetësimin për sjelljen e autoriteteve maqedonase për trajtimin e të arrestuarve në Kumanovë si dhe gjatë mbajtjes në në paraburgim në objektin e paraburgimit në Shutkë. KMDLNj, përmes kontaktit me aktivistë për të drejtat e njeriut në Maqedoni ka shprehur gatishmëri t’i vizitojë të paraburgosurit së bashku me ta por është informuar se kjo është e pamundur dhe se deri më tani nuk u është lejuar as aktivistëve për të drejtat e njeriut të Maqedonisë t’i vizitojnë të paraburgosurit kosovarë.

KMDLNj ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me Ministrinë për Punë të Brendshme të Kosovës për vizitë Qendrave të Ndalimit ndërsa me Ministrinë e Drejtësisë për vizitë Qendrave të Paraburgimit dhe Qendrave Korrektuese. Mandati i vizitave për personat e arrestuar vlen vetëm brenda territorit të Kosovës ndërsa për vizita personave të arrestuar në shtetet tjera KMDLNj nuk ka mandat e as leje. Në rastin konkret, të arrestuarit në Qendrën e Paraburgimit në Sutkë mund dhe duhet të vizitohen nga zyrtarët e Ambasadës së Kosovës në Maqedoni të cilët, përveç vizitave që duhet t’ua bëjnë ata duhet t’u sigurojnë edhe mbrojtje ligjore si dhe ta monitorojnë procesin e gjykimit. Të arrestuarit kosovarë mund dhe duhet të vizitohen edhe nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq që ka mandate të plotë dhe nuk mund të pengohet për këto vizita. Ata mund të vizitohen edhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit të Maqedonisë.

KMDLNj shpreh gatishmëri t’i vizitojë të arrestuarit kosovarë në Maqedoni nëse Ministria e Drejtësisë e Kosovës arrinë marrëveshje me Ministrinë e Drejtësisë së Maqedonisë për lejimin e vizitave të tilla si dhe pret përkrahje në këtë drejtim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe Ambasada e Kosovës në Maqedoni. Në Kosovë është formuar Mekanizmi për Parandalimin e Torturës (QKRMT, KMDLNj dhe Avokati i Popullit) dhe e cila ka kapacitet profesional për monitorimin e qendrave për persona të privuar nga liria por që nuk mund të bëjë vizita monitoruese në shtetet tjera pa përkrahjen e institucioneve vendore dhe pa pëlqimin e shteteve ku mbahen të arrestuar qytetarët e Kosovës.

Prishtinë, 15.05.2015
Shërbimi për informim i KMDLNj’së

*   *   *

INSTITUCIONI I AVOKATIT TË POPULLIT
REAGIM

Më datë 15 maj 2015, në mediat elektronike, është botuar një ‘Reagim i KMDLNj – së’ me titull “Të vizitohen të arrestuarit kosovarë në Maqedoni!” i lëshuar nga Shërbimi për informim i KMDLNJ.
Në tekstin e këtij reagimi publik të KMDLNJ-së ndër të tjera shkruhet: “Në Kosovë është formuar Mekanizmi për Parandalimin e Torturës (QKRMT, KMDLNj dhe Avokati i Popullit) dhe e cila ka kapacitet profesional për monitorimin e qendrave për persona të privuar nga liria por që nuk mund të bëjë vizita monitoruese në shtetet tjera pa përkrahjen e institucioneve vendore dhe pa pëlqimin e shteteve ku mbahen të arrestuar qytetarët e Kosovës.”
Institucioni i Avokatit të Popullit është i obliguar të sqarojë publikun se konstatimi në ‘Reagim[in] i KMDLNJ-së’ se “Në Kosovë është formuar Mekanizmi për Parandalimin e Torturës (QKRMT, KMDLNj dhe Avokati i Popullit) […]” nuk është i saktë.
Pa marrë parasysh qëllimin e reagimit publik të KMDLNJ-së, për të shprehur “[…] shqetësimin për sjelljen e autoriteteve maqedonase për trajtimin e të arrestuarve në Kumanovë si dhe gjatë mbajtjes në në paraburgim […]”, konstatimi për formimin e Mekanizmit për Parandalimin e Torturës në Kosovë nuk qëndron.
Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKMRT) dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), më 10 maj 2011, kanë nënshkruar një ‘Marrëveshje Bashkëpunimi’, e “Qëllim kryesor i kësaj Marrëveshje Bashkëpunimi është të themelojë një Këshill Drejtues të përbashkët, i cili do të avokonte dhe lobonte për krijimin e Mekanizmit Parandalues Kombëtar.” (Neni 1, paragrafi 2 [Qëllimi]). Kjo marrëveshje “[…] është e vlefshme deri në krijimin e Mekanizmit Parandalues Kombëtar (MPK).”
IAP edhe si institucion shtetëror për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ka obligim të sqarojë publikun përmes këtij reagimi, për shkak të obligimeve kushtetuese dhe ligjore ndaj publikut, institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe institucioneve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Prishtinë, 15 maj 2015

*   *   *


SQARIM RRETH REAGIMIT TË KMDLNj’së

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj), sot më 15 maj 2015 ka bërë një reagim publik rreth të arrestuarve në Kumanovë, duke paraqitur gatishmërinë për të vizituar këta të arrestuar të cilët gjenden në qendrën e paraburgimit në Shutkë të Maqedonisë.
Në paragrafin e fundit të këtij reagimi përmendet edhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), si në vijim:
“Në Kosovë është formuar Mekanizmi për Parandalimin e Torturës (QKRMT, KMDLNj dhe Avokati I Popullit) dhe e cila ka kapacitet profesional për monitorimin e qendrave për persona të privuar nga liria por që nuk mund të bëjë vizita monitoruese në shtetet tjera pa përkrahjen e institucioneve vendore dhe pa pëlqimin e shteteve ku mbahen të arrestuar qytetarët e Kosovës.”
Me këtë rast, QKRMT njofton opinionin publik se deklarimi i KMDLNj-së nuk pasqyron qëndrimin e QKRMT-së.
Për korrektësi ju njoftojmë se Kosova ende nuk e ka formuar Mekanizmi për Parandalimin e Torturës, – mekanizëm për krijimin e të cilin është duke u avokuar nga Këshilli Drejtues (QKRMT, IAP, KMDLNj).
QKRMT ju njofton se më 10 maj 2011 ka nënshkruar Marrëveshje Mirëkuptimi me Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP) dhe KMDLNj-në me qëllim të themelimit të një Këshilli Drejtues të përbashkët, i cili do të avokonte dhe lobonte për krijimin e Mekanizmit Parandalues Ndërkombëtar, referuar Protokolit Opsional kundër Torturës dhe Formave të tjera të Ndëshkimit Çnjerëzor dhe Degradues (OPCAT).
Ndërsa sa i përket vizitës së të arrestuarve që gjenden në qendrat e paraburgimit në Maqedoni, QKRMT është në kontakt të vazhdueshëm me organizata e të drejtave të njeriut atje, duke avokuar përmes tyre për respektimin e të drejtave të tyre.
Ju faleminderit për mirëkuptim.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT

Prishtinë, 15 maj 2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura