(Pashtriku.org, 29. 10. 2012) – Në vitin 2008 Shtëpia botuese “Bota Shqiptare” në Tiranë, ka botuar librin e autorit amerikan Peter Lucas „Misioni Amerikan në Shqipëri – Operacionet sekrete të OSS’it dhe bashkëpunimi me partizanët komunistë gjatë Luftës së Dytë Botërore“.
Ky libër fillimisht është botuar në gjuhën angleze: „The OSS In World War II ALBANIA COVERT OPERATIONS and COLLABORATION with COMMUNIST PARTISAN ≈ PETER LUCAS. Gazetari amerikan, Peter Lucas, ka sjellë në këtë libër historinë e Shërbimeve Sekrete Amerikane (OSS) në Shqipëri gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe marrëdhëniet e tij me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Partizane shqiptare të udhëhequr nga Enver Hoxha, përmes dëshmitarëve dhe dokumenteve autentike amerikane. Gjithçka do të niste nga një foto që Lucas pa në librin “Fitorja e hidhur” e Reginald Hibert. Në krah të Enver Hoxhës, gjatë një shëtitjeje në Tiranën e porsaçliruar, ai sheh agjentin Tom Stefan dhe menjëherë do t‘i lindë pyetja se “çdo një amerikan në krah të Hoxhës?“
Është fjala për këtë foto:
Enver Hoxha me udhëheqësit tjerë të UNÇSH’së 1945, ku në mesin e tyre shihet edhe agjenti OSS Tom Stefan (me rreth të kuq në krahun e majtë të tij).
………………………………………..
Kjo pyetje do ta bënte Lucas të niste hulumtimet për të zbuluar më pas misionin OSS në vendin tonë. Ai ra fillimisht në gjurmët e njërit prej agjentëve të OSS’së në Shqipëri, Nik Kukiç, i cili kishte shërbyer nën drejtimin e Tom Stefanit dhe tani, i moshuar, jetonte në shtetin Delauer. Pas intervistave me të, Lucas mundi të gjejë dhe të intervistojë edhe 3 anëtarë të tjerë të atij misioni në Shqipërinë e kohës së luftës, të fundit dëshmitarë të kësaj historie kurioze, të cilët, edhe ata të moshuar, jetonin tashmë në Florida, në Merilend dhe në Masaçusets. Në të njëjtën kohë, Lucas filloi të shfrytëzojë ekskluzivisht dokumentacionin shumë të pasur lidhur me misionin e OSS’së në Shqipëri, i cili ruhet dhe është tashmë i hapur për publikun në Arkivat Kombëtare të Shteteve të Bashkuara në Kolegj Park të Merilandit. Peter Lucas është gazetari i parë amerikan që ka vizituar Shqipërinë pas vdekjes së Enverit. Ndoshta kjo ka ndodhur jo vetëm për arsye profesionale, duke qenë se ai kishte origjinën shqiptaro-amerikane. Lucas ka vizituar dhe herë të tjera Shqipërinë. Ai shkruante në gazetat e mëdha amerikane si “Herald Tribune”, “Boston Glob”. Aktualisht, ai edhe pse ka dalë në pension duket se nuk ka ndaluar së shkruari. Ai ka shfletuar mijëra fletë në Arkivin e Shtetit, për të zbuluar se çfarë ka ndodhur mes SHBA’së dhe Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Madje, ai i ka përfunduar së shkruari këto kujtime, duke i mbledhur në një libër të veçantë.
Fatos Tarifa, ish ambasador i Shqipërisë në Shtetet e bashkuara të Amerikës për autorin e këtij libri thotë: “Edhe autorët e tjerë e kanë portretizuar Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, dy figurat qendrore në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, por askush nuk ka arritur t’i portretizojë ata me realizmin dhe plotësinë e Peter Lukasit, në këtë libër. Përshkrimet e tij kombinohen me saktësinë e mijëra dokumenteve origjinale që janë ruajtur në Arkivat Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, si dhe me rrëfimet personale të shumë individëve që kanë njohur Hoxhën dhe Shehun gjatë luftës, njerëz që Lukasi i ka intervistuar për librin e tij.” Lidhur me librin „Misioni amerikan në Shqipëri“ Gazeta Panorama shkruan: “Operacionet sekrete të OSS’it dhe bashkëpunimi me partizanët komunistë gjatë Luftës së Dytë Botërore vjen i shqipëruar dhe hedhur në treg nga shtëpia botuese “Bota Shqiptare”, e njohur tashmë për botimin e veprave të këtij autori. “Misioni amerikan në Shqipëri” është një libër i jashtëzakonshëm dhe i pari në llojin e tij. Një histori marramendëse që ka ndodhur në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhe është objektive. Jo vetëm se është tej mase e dokumentuar, por edhe e verifikuar në vend dhe me bashkëbisedime të gjata me dëshmitarë okularë të ngjarjeve. Autori nuk është akademik, por një gazetar veteran. Ndaj dhe na sjell një histori të pashkruar më parë; një histori të panjohur; një histori që nuk është rrëfyer ndonjëherë as për shqiptarët, as për amerikanët dhe as për kurrkënd tjetër. Ndërkohë që disa autorë anglezë (Entoni Kuejl, Rexhinald Hibert, Xhulian Emeri dhe Dejvid Smajli) kanë botuar libra mbi praninë angleze në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, asnjë amerikan nuk e kishte bërë një gjë të tillë. Lukasi është i pari. Dhe rrëfimi i tij është brilant.
………………………………………..
„Misioni Amerikan në Shqipëri – Operacionet sekrete të OSS’it dhe bashkëpunimi me partizanët komunistë gjatë Luftës së Dytë Botërore“.
……………………………………………..
„The OSS In World War II ALBANIA COVERT OPERATIONS and COLLABORATION with COMMUNIST PARTISAN ≈ PETER LUCAS.
…………………………………………….
Në një shënim të Radios Kosova e Lirë për librin e Peter Lucas’it thuhet: “Libri Misioni Amerikan në Shqipëri, zbulon shumë të vërteta të hidhura për fatin e kombit shqiptar në përgjithësi, e në veçanti për përpjekjet e Shqipërisë për të mbijetuar në kushte dhe rrethana, jo vetëm të një injorimi të tmerrshëm nga vendet aleate, por edhe i kurdisjes së planeve nga Beogradi dhe Athina për ta ndarë dhe për ta copëtuar atë. Enver Hoxha kishte zbuluar të gjitha prapaskenat e zeza, që po i kurdiseshin Shqipërisë dhe kishte arritur ra ruante të paprekur sovranitetin e asaj pjese të Shqipërisë, jashtë së cilës kishte mbetur më shumë se gjysma e trojeve të saj nën robërinë e Jugosllavisë dhe të Greqisë. Peter Lukas me këtë libër ka dhënë shembullin fenomenal të gazetarit veteran, të paanshëm, insistues, njohës të shkëlqyer të rrethanave e mbi të gjitha tejet i zellshëm për të gjurmuar të vërtetën, pavarësisht se ajo e vërtetë ishte e hidhur, madje shpeshherë edhe lemëritëse. Urrejtja dhe kursi antiamerikan dhe antianlgez i Enver Hoxhës dalin si shkak pasojë. Për lënien në mëshirën e botës të Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi, Amerika dhe Anglia ishin kujtuar prej fillimit të viteve 90 të shekullit të kaluar. Amerikanët dhe Anglezët ndihmuan Shqipërinë dhe shumë më tepër ndihmuan Kosovën për t’u çliruar nga kthetrat e barbarisë sllave. Duket se diplomacia amerikane dhe angleze më në fund e kishte kuptuar se duhej riparuar diçka nga e kaluara e tmerrshme e pozitës së Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi. Ky libër është një kontribut i pazëvendësueshëm për të mësuar sesi duhet analizuar ngjarjet dhe historinë e së kaluarës, duke pasur moto të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, e mbi të gjitha të vërtetën. Peter Lukas në këtë drejtim ka prekur majat. Populli shqiptar i ka borxh këtij gazetari, humanisti dhe miku të madh.” (Përgatiti Moderatori i pashtriku.org, 15. 10. 2011)
NICK KUKICH – AGJENTI I PARË I OSS’s – CIA’s NË SHQIPËRI
Jetëshkrimi i Agjentit Nick Kukich
Emri: Nick
Mbiemri: Kukich
Eksperienca: Ish’oficer artilerie
Një punëtor miniere nga Ohajo. Ishte anëtar i OSS’së (Office of Strategic Services – Zyra e Shërbimeve Strategjike), paraardhësja e CIA’s. Kukiç u ishte bashkuar trupave të marinës në janar 1940. Fillimisht ai ka qenë në “Parris Island” (bazë stërvitore e trupave të marinës në Karolinën e Veriut) – Më pas në Porto Riko. Ka qenë përgjegjës për ruajtjen e sigurisë në bazën ushtarake në Kuantiko (Virxhinia) 31 dhjetor 1943 ka mbërritur në Shqipëri si agjent i OSS.
DISA FOTO HISTORIKE!
Odriçan 1944:Nga e majta në të djathtë: Koçi Xoxe, Naku Spiru, Enver Hoxha, Omer Nishani (në rreth) Nick Kukisch – agjent i OSS’it, John O’Keefe, Nexhmije Hoxha…
………………………………………………..
Helmes 1944:Enver Hoxha, Agjenti Tom Stefan, Omer Nishani dhe Çitaku.
…………………………………………………….
Helmes 1944: Enver Hoxha, Agjenti Tom Stefan dhe Omer Nishani.
……………………………………………………………..
AGJENTI I PARË I OSS’së (PARAARDHËSJA E CIA’s)
Nick Kukich ka qenë në Shqipëri qysh në dhjetor të vitit 1943. Fakti i rrallë është pohuar nga vetë ai në moshën 87 vjeçare. Në një intervistë të dhënë për gazetarin e njohur shqiptaro-amerikan, Peter Lucas, Nick Kukich rrëfen se si përcolli për shumë kohë informacione sekrete nga Shqipëria për në SHBA. Peter Lucas, pasi ka shfletuar muaj me radhë Arkivin e Shtetit amerikan, ka zbuluar shumë fakte të tjera të pazbardhura deri më sot, që flasin për marrëdhëniet mes SHBA’së dhe Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Lucas së shpejti do të botojë dhe librin në të cilin përveç ngjarjeve do të ketë dhe foto ekskluzive. Gazeta “Tirana Observer” ka arritur të marrë një pjesë të shkrimit që Peter Lucas e ka botuar në revistën amerikane “Leartherneck”.
NJË MARINS KA ZBARKUAR NË SHQIPËRI, 1943
Një anëtar i Zyrës së Shërbimeve Strategjike dhe i vetmi marins i SHBA’së në Shqipëri, Ljutenent Nick Kukich, krijoi një rrjet inteligjence për të monitoruar divizionet gjermane. Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, ishte në prag të çlirimit të saj. Ishte fillimi i nëntorit 1944 dhe trupat e fundit pushtuese gjermane po e linin qytetit nën zjarrin e armëve. Partizanët shqiptarë po trokisnin në dyert e Tiranës, gati për të hyrë në të. Me ta ishte edhe Nick Kukich (Nick Kukich) i trupave të marinës së Shteteve të Bashkuara, një ish’oficer artilerie, i cili sapo ishte graduar në fushën e luftës. Ai ishte jo vetëm i vetmi marins amerikan në Tiranë, por edhe në Shqipëri. Kukich, një punëtor miniere nga Ohajo, ishte anëtar i OSS’së (Office of Strategic Services? Zyra e Shërbimeve Strategjike), paraardhësja e CIA’s. Kukich i dërgonte mesazhe çdo orë qendrës së tij në Bari të Italisë, duke informuar mbi situatën e luftimeve (kopje të të cilave tani ruhen në Arkivat Kombëtare të SHBA’së). Më 12 nëntor, një javë para se qyteti të çlirohej, ai dërgoi këtë mesazh: “Gjermanët në Tiranë kanë qenë duke pirë pa mbarim dhe kanë luftuar të dehur. Ata qëlluan tri herë mbi spitalin civil”.
Sidoqoftë, jo të gjithë gjermanët ishin të dehur, pasi ata u shkaktuan dëme serioze partizanëve para se të vriteshin, të dorëzoheshin apo t‘ua mbathnin këmbëve. “Lufta zhvillohej shtëpi më shtëpi”, më tha Nick Kukich, 87 vjeçar, në një intervistë të kohëve të fundit, kur e intervistova atë në shtëpinë e tij në Delauer. “Unë shkoja shtëpi më shtëpi. Shkova në pesë apo gjashtë shtëpi dhe pashë gjashtë partizanë të vrarë. Ata ngrinin perden, hapnin dritaren dhe qëllonin. Dhe ndërsa bënin këto veprime, ata ishin të vdekur, të vrarë nga snajperët gjermanë. Ata ishin të pastërvitur. Unë ia thashë këtë Shehut. Dhe ai e korrigjoi këtë taktikë”. “Kishte gjithashtu një numër të madh gjermanësh të vrarë apo të plagosur që i shihje të shtrirë rrugëve. Partizanët u vidhnin atyre këpucët, edhe në qoftë se ata ishin akoma gjallë. Ishte kohë luftë. Shumë partizanë nuk kishin këpucë”, më tha Kukich.
Ngaqë puna në minierat e qymyrit të Ohajos i kishte ardhur në majë të hundës, Kukich u ishte bashkuar Trupave të Marinës në janar 1940. Pas “Parris Island” (bazë stërvitore e Trupave të Marinës në Karolinën e Veriut) ai u dërgua në Porto Riko dhe më vonë u bë përgjegjës për ruajtjen e sigurisë në bazën ushtarake në Kuantiko (Virxhinia). Në atë kohë, OSS’ja e sapo formuar po kërkonte njerëz për shërbimet e saj dhe komandanti i tij, duke e ditur se Kukich fliste serbisht ngaqë ishte fëmijë emigranti, mundi t‘i rregullojë atij një intervistë me OSS’në. Kukich u rekrutua, u stërvit si radist dhe u dërgua në qendrën e OSS’së në Bari për t‘u infiltruar në Shqipëri.
Më 31 dhjetor 1943, Kukich u nis me një anije të vogël peshkimi nga Bari në drejtim të bregdetit shqiptar. Nuk ishte si zbarkimi në plazhin e Normandisë, por zor se mund të gjeje shoqëri më të mirë se kaq për një “invazion”. Të paktën kështu mendoi atë ditë Kukich vetë. Duke udhëtuar drejt bregdetit shqiptar atë natë të errët dhe të ftohtë, bashkë me Kukich ishte edhe dikush tjetër, emri i të cilit ishte bërë ndërkohë i famshëm. Ai ishte majori Antoni Kuejëll (Anthony Quayle), një aktor anglez i kinematografisë, i cili ishte i stërvitur mirë si agjent i OSE’së (Special Operations Executive). Edhe pse Kuejëll ishte i ndërgjegjshëm për rangun e tij më të lartë se ai i bashkudhëtarit të tij amerikan, ai nuk e bëri veten. Kjo do të ndodhte më vonë.
Një tjetër person, i cili në atë kohë e bënte rregullisht rrugën nga Bari i Italisë në Shqipëri, ishte kapiteni Stërling Haidën (Sterling Hayden), një yll i kinematografisë amerikane. Haidën ishte anëtar i OSS’së, i cili përdorte si “nom de gurre” Xhon Hamilton (John Hamilton). Haiden ishte marins. Detyra e tij ishte të drejtonte anijen dhe të zbarkonte personelin e OSS’së në shpellat e fshehta të bregdetit shqiptar, të njohura me emrin Pamja e Detit (Seaview) që gjendeshin në bregun shkëmbor të okupuar nga gjermanët. Ai do u sillte atyre furnizime dhe merrte me vete në Itali pilotë të shpëtuar të forcave aleate. Nëse anija e tij e vogël do të kishte vend, Haidën do të merrte me vete ushtarë italianë, të cilët përpiqeshin t‘u shpëtonin nga duart gjermanëve, tani që Italia kishte kapitulluar. Pasi kthehej në Bari ai nisej përsëri në një pjesë tjetër të bregdetit dalmat. Ky operacion kërkonte një mjeshtëri të vërtetë detari, të cilën Haidën e kishte, pasi para luftës ai kishte punuar si peshkatar dhe marinar në Boston dhe Gluçester.
Detyra e Kukichit nuk ishte vetëm të gjente dhe të ndihmonte pjesëtarë të forcave aleate, të cilët të nisur nga Foxhia e Italisë, pasi kishin kryer misionin e tyre duke bombarduar fushat naftëmbajtëse të Rumanisë, ishin detyruar të uleshin në Ballkan, por gjithashtu të krijonte një rrjet informacioni sekret në Shqipëri, në mënyrë që të monitoronte aktivitetin e disa divizioneve gjermane. Aleatët kishin frikë se nëse këto divizione nuk do të sulmoheshin nga grupet e rezistencës shqiptare, ato mund të dërgoheshin të luftonin në Itali. Ndërsa amerikanët do të ofronin shërbimin e inteligjencës, anglezët kishin marrë përsipër t‘i furnizonin shqiptarët me armë. Edhe pse përgjithësisht amerikanët dhe anglezët shkonin mirë me njëri – tjetrin, marrëdhëniet midis tyre nuk ishin gjithnjë ideale.
Një problem kryesor ishte se ndërsa një pjesë e shqiptarëve luftonin kundër gjermanëve, ata luftonin njëkohësisht edhe kundër njëri – tjetrit. Midis partizanëve komunistë dhe nacionalistëve, të njohur me emrin Balli Kombëtar, shpërtheu një luftë civile. Balli, siç quheshin ata, mori krahun e gjermanëve dhe shpejt u bë e qartë se partizanët ishin të vetmit që meritonin mbështetjen e aleatëve, përderisa ata vrisnin gjermanë. Bregdeti ku gjendej shpella e Pamjes së Detit, në jug të Vlorës, ishte në duart e Ballit, çka do të thotë se pjesa më e madhe e njerëzve që mundi të rekrutojë Kukich ishin antipartizanë dhe antikomunistë. Sidoqoftë, duke u shpëtuar patrullave gjermane dhe duke paguar informatorë, Kukich arriti të krijonte një rrjet agjentësh, përmes të dhënave, ku ai dërgonte informacion të vlefshëm në qendrën e OSS’së në Bari.
Por kur Kukich u pengua nga Kuejëll të merrte pjesë në një takim të rëndësishëm me një eksponent të Ballit, për shkak se ai nuk ishte oficer, u ankua. “Kuejëll më paragjykoi mua ngaqë unë nuk jam oficer. Unë i thashë atij: “Ti s‘mund të më trajtosh mua në këtë mënyrë vetëm për shkak të faktit se unë jam një rekrut, do apo s‘do ti, unë jam një përfaqësues i qeverisë amerikane. Unë s‘do të merrem më me ty, nëse ti nuk më pranon mua si një përfaqësues të Shteteve të Bashkuara”, tha Kukich.
Përpara se marrëdhëniet midis tyre të keqësoheshin edhe më tej, Kukich u dekorua me medaljen e Yllit të Bronztë dhe u promovua në gradë si oficer i dytë. “Pas kësaj anglezët më pranuan mua”, tha ai. “Tani unë isha si një perëndi për anglezët. Kuejëll dhe unë i shtrënguam dorën njëri-tjetrit dhe që nga kjo kohë u bëmë miq”. Pas luftës, Kuejëll do të luante rolin kryesor në filmin “Topat e Navarrones” (The Guns of Navarone), një film mbi Luftën e Dytë Botërore, i cili edhe pse u xhirua në Greqi, flet mbi eksperiencën e tij në Shqipëri.
Enver Hoxha, në mesin e misionit anglez, edhe të agjentit Nick Kukich.
………………………………………….
Libra për luftën në Shqipëri
REDINALD HIBBERT “FITORJA E HIDHUR”
“Unë u hodha në Shqipëri për t‘u bashkuar me misionin “Stables” (Stallat) natën e 19-20 dhjetorit 1943, pikërisht atë natë kur ofensiva gjermane në Malësinë e Çermenikës e shkëputi nga lidhjet misionin e kuartierit dhe nisi spiralja poshtë për eliminimin e atij misioni. Ky fluturim në një Halifax të Skuadriljes 148, RAF, me emrin e koduar “Stables 2”, ishte prova e tretë. Ne kishim shpenzuar tetë orë në ajër gjatë dy netëve të mëparshme për secilën, por na kishte penguar mjegulla mbi zonën e hedhjes. Në ato ditë, zakonisht nevojiteshin rreth katër orë për një bombardues më katër motorë që të fluturonte përmes Mesdheut nga aerodromi i tokës në Libi deri në Shqipërinë Veriore. Nata 19-20 dhjetor ishte një natë e mirë për Regjimentin 334, RAF. Ata bënë 18 fluturime misioni mbi Ballkanin dhe 11 dolën me sukses, ky ishte një sukses i jashtëzakonisht i lartë për mesin e dimrit”.
FITZROY MACELEAN „LUFTA E BALLKANIT“
“Misioni im ishte mision ushtarak; më kishin udhëzuar që politikën ta vija në plan të dytë. Ajo që kishte rëndësi ishte, se kush luftonte kundër gjermanëve dhe kjo qe e vetëkuptueshme. Partizanët, cilado të ishte politika e tyre, po luftonin, madje me shumë sukses, ndërsa çetnikët, sado të admirueshme të ishin motivet e tyre, në pjesën më të madhe ose nuk luftonin, ose bashkëpunonin me gjermanët kundër bashkatdhetarëve të vet. Për më tepër nga pikëpamja ushtarake, partizanët qenë më të shumtë në numër, më të organizuar më të disiplinuar dhe të udhëhequr më mirë se çetnikët. Më kishin pyetur si mund t‘i ndihmonim më mirë. Kjo qe mjaft e qartë. Partizanët tani po përballonin një duzinë apo më tepër divizione armike”.
JULIAN EMERY „BIJTË E SHQIPES“
“Mëngjesin e hëngrëm me vezë të ziera fortdhe u drejtuam nga lugina, duke qenë të shoqëruar prej një duzine guerilësh. Ecnim ngadalë, sepse na mungonte stërvitja dhe pas një marshimi pothuajse prej katër orësh nëpërmjet rrafshnaltës, arritëm mbi një kodër ku shihej Shëngjergji. Aty qëndruam dhe me dylbitë tona, filluam të vëzhgojmë shtëpitë e bardha, të shpërndara në secilën anë të kodrës, pothuaj gjysmë milje larg njëra nga tjetra. Midis tyre dallohej xhamia me minaren e saj të prishur. Shëngjergji ishte nj fshat myslimanësh. Nuk mundëm të gjenim asgjë të dyshimtë dhe kështu e vazhduam rrugën tonë të qetë, drejt shtëpisë që ishte prona e përkthyesit të Sejmurit, një mësues shkolle i shquar në Shaqir. Aty qëndruam për të kaluar kohën e drekës dhe pasi zgjuam harren me një shishe sheribradi, një peshqesh nga më të shkëlqyerit që misioni britanik na kishte dërguar në formë përshëndetje, iu vërsulëm gjellëve të pasura, ndonëse prej brumi, që mikpritësi ynë na kishte shtruar përpara”.
KOL. DEIVID SMAILI “ME DETYRË NË SHQIPËRI”
“Arritëm në fshatin shqiptar të Spoiçit, në kohë për një drekë me një supë me fasule dhe mish dashi, ushqim i ngrohtë dhe më i mirë në krahasim me sa kishim ngrënë në Greqi; kishim dhe kos e vezë me bollëk. Shtëpia ku qëndruam ishte shumë më e mirë. Këtu takuam një burrë që kishte qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishte punuar e bërë para dhe ishte kthyer në fshat të jetonte i qetë me të gjitha të mirat e fshatit. Ai mezi e kuptonte anglishten që flasin në Angli dhe kur na përgjigjej fliste me një theks krejt amerikan. Më vonë takuam shumë njerëz si ky, që me krenari na tregonin pasaportat e tyre amerikane. E keqja ishte se në Perëndim ishin bërë të pangopur dhe të pandershëm. Që në natën e parë u mblodhën të gjithë për të dëgjuar lajmet e BBC’së në gjuhën greke”.
ENVER HOXHA “RREZIKU ANGLO’AMERIKAN PËR SHQIPËRINË”
“Grupi i ushtarëve britanikë, i bllokuar nga partizanët në një zonë të Gjirokastrës, pasi e pa se vendi kishte zot, u detyrua t‘i drejtonte më 1 maj 1943 autoritetit më të lartë të Luftës Nacionalçlirimtare në Shqipëri, Këshillit të Përgjithshëm, një letër të firmosur nga Bill Maklini, në të cilën, pasi thoshte se qe dërguar nga Shtabi i Kajros me cilësinë e oficerit të lartë ndërlidhës për të vendosur lidhje me lëvizjen e rezistencë në Shqipëri, shkruante: “Kam dëshirë të madhe të takohem me Këshillin tuaj sa më shpejt të jetë e mundur dhe të marr informata për t‘ia transmetuar Kajros që prej andej t‘ju dërgohen furnizime. Lëvizja juaj do të furnizohet me materiale nga Kajroja. Do të bisedojë çështje me rëndësi. Dëshira ime është të hyj në qendër të Shqipërisë”. Siç duket SOE’ja, me qendër në Kajro e kishte gjetur maskën për të hyrë në Shqipëri”.
Kukich rrëfen bisedat gjatë Luftës së Dytë Botërore
AGJENTI I CIA’s: SI I NJOHA ENVERIN DHE MEHMETIN
Agjenti i CIA’s, Nick Kukich, gjatë kohës që ndodhej në Shqipëri, pjesën më të madhe të kohës e ka kaluar pranë Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Të paktën kështu pohohet në intervistën që i ka dhënë ai kohë më parë gazetarit të njohur me origjinë shqiptaro-amerikane, Peter Lucas. Ky i fundit, së shpejti do të botojë një libër, në të cilin do të paraqiten mjaft fakte të pazbardhura deri më sot mbi marrëdhëniet SHBA – Shqipëri në Luftën e Dytë e Botërore. Gazeta “Tirana Observer” ka arritur të marrë një pjesë të këtij libri, që është botuar në revistën amerikane “Leatherneck”. Rëndësia e këtij artikulli konsiston në faktin se për të parën herë ai parashtron dhe dokumenton prezencën ushtarake amerikane në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për shembull, fotografia në grup me Enver Hoxhën në Odriçan, më 1944’ën është e para foto e Enver Hoxhës me ushtarë amerikanë që botohet. Ata janë Nick Kukich dhe John O‘Keefe (në foto i pesti dhe i gjashti nga e majta). Këta amerikanë, të cilët ishin anëtarë të OSS’së, paraardhësja e CIA’s, bashkëpunuan me Enver Hoxhën dhe partizanët shqiptarë, pasi u bë e qartë se Balli Kombëtar po bashkëpunonte me pushtuesit gjermanë. Amerikanët, ashtu si edhe anglezët, i furnizonin partizanët shqiptarë me armë, municion, veshmbathje dhe ushqim. Amerikanët qëndruan me Enver Hoxhën në Odriçan, Helmës dhe Berat. Ata qëndruan me Mehmet Shehun dhe Myslim Pezën, kur këta dy komandantë ushtarakë filluan sulmin mbi Tiranën. Amerikanët ishin përkrah Enver Hoxhës, kur dy javë më vonë, më 28 nëntor, ai marshoi triumfues në Tiranë dhe ishin në tribunë me të kur ai mbajti fjalimin e fitores përpara hotel “Dajtit”. Hoxha i fshiu amerikanët nga historia e luftës antifashiste, kur ai shkroi mbi këto ngjarje, për shkak se kjo u përshtatej interesave të tij në atë kohë. Por faktet janë kokëfortë dhe ata u qëndrojnë kohës. Ky artikull është pjesë e një libri mbi përpjekjen amerikane në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilin autori sapo e ka mbaruar së shkruari. Pasi të botohet, ai do të ishte ndoshta me interes të përkthehej edhe në shqip.
NJË MARINS KA ZBARKUAR NË SHQIPËRI – 1943
Ai ishte tani me komandantin partizan, Mehmet Shehun, një luftëtar i guximshëm dhe komunist i vendosur, i cili kishte luftuar me republikanët në Spanjë, si komandant i një brigade kundër gjeneralit fashist, Franko. Republikanët, siç dihet, e humbën luftën. Shehu u zu rob dhe u mbajt në burg për tre vjet përpara se të kthehej në Shqipëri. Këtë herë ai nuk do të humbiste.
Pas tre muajsh aktiviteti intensiv, gjermanët dhe ballistët, të cilët tani bashkëpunonin hapur me ta, nisën një ofensivë kundër forcave partizane, gjatë së cilës aleatët u detyruan ta linin bazën e tyre në bregdetin shqiptar dhe të ktheheshin në Itali, por jo para se Kukich të sigurohej se Kuejëll, i cili tani vuante nga malarja, të mund të shpëtohej.
Sidoqoftë, pa kaluar shumë kohë, Kukich u dërgua përsëri në Shqipëri, këtë herë me mision që të qëndronte pranë qendrës së komandantit komunist të ushtrisë partizane, Enver Hoxha, i cili pas luftës u bë kryeministër. “Shumë herë unë ndihesha i vetmuar, isha i vetmi marins dhe s‘kisha askënd mbi vete. Por, gjithashtu s‘kisha askënd nën vete”.
Kukich më tha se atij dhe Hoxhës nuk u ngjiti menjëherë. “Fillimisht ai më kritikonte mua dhe ma bëri shumë të vështirë qëndrimin, për shkak të lidhjeve të mia me ballistët, të cilët ishin armiqtë e tij”, tha Kukich. “I shpjegova atij se lidhjet e mia me ta kishin si qëllim mbledhjen e informacionit, lidhur me lëvizjet e gjermanëve dhe se unë nuk kisha luftuar kurrë me ta kundër partizanëve. Ky ishte misioni ynë, të mblidhnim inteligjencë dhe ne e bëmë këtë. Pas këtij sqarimi ne shkuam mirë. Në fakt, krijova një marrëdhënie shumë të mirë me të. Ai më thërriste mua Niko. Ai mund të mos i ketë dashur shumë amerikanët, por ama ai i urrente anglezët dhe shpesh e nxiste njërën palë kundër tjetrës. Ai ishte shumë krenar. Një herë Hoxha më tha mua se ai donte që bota ta dinte se Shqipërinë e çliruan partizanët shqiptarë dhe jo aleatët”.
Kukich nuk mundi ta parashikonte atëherë se Hoxha do të bëhej një diktator paranojak, i cili për më shumë se 40 vjet e shndërroi Shqipërinë në një shtet policor autoritarist, me spastrime dhe ekzekutime periodike. “Ai ishte një burrë tërheqës, i pashëm, çka mjaftonte që të bëhej një yll kinematografie. Ai ishte gjithnjë i veshur shumë mirë në uniformë. Pranonte të bisedonte me ty dhe buzëqeshte. Por ai edhe mund të kthehej kundër teje fare papritur, bëhej tjetër njeri. Ai mund të ishte brutal”.
Kukich më tregoi se një herë, duke kaluar përmes një fshati ballist pro-gjerman, të cilin sapo e kishin çliruar partizanët, një nënë, burri i së cilës ishte bashkuar të luftonte me Ballin, iu afrua atij duke i kërkuar ndihmë për hir të fëmijëve të saj që dridheshin. “Ajo kishte një foshnjë 6-muajshe dhe një djalë 2 vjeç. Unë kisha dy batanije me vete, kështu që ia dhashë asaj. Hoxha u inatos me mua pse ndihmova “armikun”. Ai më kërcënoi se do më largonte nga Shqipëria me anijen më të parë. Unë isha i zemëruar me të dhe i thashë: ‘Ata janë thjesht fëmijë. Nuk kanë të bëjnë fare me bëmat e babait të tyre. Janë thjesht fëmijë të pafajshëm. Perëndia qoftë gjykatësi tënd‘. Ai më vështroi në sy dhe më tha: ‘Unë s‘kam perëndi‘”. Kukich heshti për një moment i humbur në kujtime, pastaj më tha: “Më vonë Hoxha e kishte harruar këtë histori”.
Në shtator 1944, Kukich dhe grupi i tij vogël morën detyrë të udhëtonin në Veri për t‘u bashkuar me Divizionin e Parë të ushtrisë partizane, të komanduar nga gjeneral Shehu për të ndjekur nga afër sulmin për çlirimin e Tiranës. Ndërsa Hoxha merrej më shumë me planet politike për marrjen e pushtetit në Shqipërinë e pas luftës, Shehu ishte udhëheqësi i veprimeve luftarake. “Shehu ishte shumë i ashpër dhe partizanët i bindeshin atij”, tha Kukich. “Ata i trembeshin atij. Kishin më shumë frikë Shehun se Hoxhën. Të gjithë e kishin frikë atë. Ai ishte një luftëtar i vërtetë, pa dyshim. Ai kishte luftuar në Spanjë dhe dinte si luftohej. Kurrë nuk deshi të ishte në vend të Hoxhës. Donte të ishte një gjeneral dhe vetëm kaq”.
Me partizanët në periferi të Tiranës, Kukich, së bashku me një kapiten të OSS-së angleze, panë disa ushtarë gjermanë që kërkonin të dorëzoheshin, veçse ata donin t‘u dorëzoheshin amerikanëve apo anglezëve. Ata kishin frikë nga ajo që mund t‘u ndodhte po t‘u dorëzoheshin partizanëve. Natyrisht, gjermanët kishin vrarë shumë qytetarë gjatë reprezaljeve të tyre. Ata kishin djegur fshatra të tërë, kishin vrarë bagëtinë që nuk kishin mundur ta përdornin për veten e tyre. “Një ushtar gjerman doli nga ku qe fshehur me një flamur të bardhë dhe me një shënim në të”, tha Kukich. “Unë dërgova një nga partizanët ta merrnin atë. Ai tha se donte që t‘u dorëzohej amerikanëve apo anglezëve. Ç‘duhet të bënim ne në këtë rast? Ne s‘mund të merrnim robër lufte. Ishin 125 të tillë. I telefonuam Shehut dhe ai na tha të mos përziheshim në këtë punë. Robërit gjermanë do t‘i merrnin partizanët. Ai tha: ‘Ju duhet të largoheni, të dy bashkë‘. Dhe ne bëmë siç tha ai”. Robërit i vunë në rresht e i çuan në aerodromin e braktisur, ku nuk kishte asnjë avion.
Kukich dhe kapiteni morën një rrugë me baltë pranë spitalit. Një predhë mortaje gjermane ra pranë tyre, por nuk shpërtheu. “Ishim me fat, përndryshe unë nuk do isha sot këtu. Të nesërmen Tirana ra në duart e partizanëve”, tha Kukich. Qyteti ishte një kaos i vërtetë. Kukich dhe një grup i vogël pjesëtarësh të OSS-së u futën në ndërtesën e misionit amerikan në Tiranë, e cila ishte dërrmuar nga plumbat dhe që andej vazhduan të informojnë qendrën për gati një vit. Dhe ndërsa Enver Hoxha, tashmë diktator i vendit të tij, u zu me amerikanët dhe zyrtarët shqiptarë për çështjen e shpërndarjes së ndihmës humanitare amerikane, që kapte një vlerë prej afro 1,3 milionë dollarëve, shumë shqiptarë vuanin nga uria. Megjithatë, disa ndihma mbërritën në Portin e Durrësit, 30 milje larg Tiranës, të cilat kishin për destinacion misionin amerikan. Përpara largimit nga Durrësi, gjermanët shkatërruan dhe vranë çdo gjë që s‘mund ta merrnin me vete. Ata gjithashtu minuan portin dhe rrugët që të çonin në të.
Kukich kishte marrë detyrë të priste një anije kargo amerikane, që sillte fuçi me vaj dhe një kamion 2 tonë e gjysmë, ndër të parat anije që mbërriti nga Bari, sapo ajo të ankorohej në molin gjysmë të rrënuar të Durrësit. Një marinar i buzëqeshi dhe e përshëndetin. Ai kishte dalë t‘i priste sapo vuri këmbën në tokë: “Flota zbarkoi”, tha detari. “Flota zbarkoi në Shqipëri. Ne më në fund ua kaluam marinasve. Marinsat nuk mund të pretendojnë se zbarkuan në Shqipëri para nesh. Ja ku jemi!”
(Në ushtrinë amerikane gjithnjë ka ekzistuar një konkurrencë e fortë midis trupave të marinës (Marins Corps), të cilët luftojnë në terren dhe flotës ushtarake (Navy), që kryejnë veprime luftarake në det). “Mos ji kaq i sigurt”, i tha atij kapiteni. “E sheh atë burrin atje?” Ai tregoi me gisht një oficer të gjatë, i cili qëndronte pranë një depoje të zbrazët, i veshur me një uniformë që dukej se ishte e ushtrisë amerikane. “Ai është një marins amerikan”. Marinari mbeti pa gojë. Ai shkoi drejt oficerit dhe kur iu afrua e pyeti: “Marins je ti?”
“Jeh”, u përgjigj oficeri, “Unë jam marins. Unë jam oficeri Nick Kukich, me trupat e marinës së Shteteve të Bashkuara”. Kukich i tregoi atij simbolin e trupave të marinës në uniformën e tij.
“Kur ke mbërritur ti këtu?”
“Më 1943-shin”, u përgjigj Kukich.
“Një marins në Shqipëri! Ç‘ti bësh, jam pa fat”, tha marinari.
Gjashtëdhjetë vjet më vonë, Nick Kukich do të buzëqeshte duke kujtuar këtë ngjarje. “Sikur ta kishe parë shprehjen që mori fytyra e atij marinari. Një marins në Shqipëri. Ai s‘mund ta besonte që unë isha aty”.
KUR MBËRRITI KUKICH PËR HERË TË PARË NË SHQIPËRI
Agjenti i parë i OSS’së (paraardhësja e CIA’s) ka qenë në Shqipëri qysh në dhjetor të vitit 1943. Fakti i rrallë është pohuar nga vetë agjenti, në një intervistë të dhënë kohë më parë gazetarit të njohur shqiptaro-amerikan, Peter Lucas. Si rrallë herë, një agjent rrëfen se si i dërgonte çdo orë informacionet sekrete në Bari, për të nisur më pas në bazën amerikane. Peter Lucas ka shfletuar muaj me radhë Arkivin e Shtetit Amerikan duke zbuluar shumë fakte të tjera të pazbardhura deri më sot, që flasin për marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Lucas së shpejti do të botojë dhe librin në të cilin, përveç ngjarjeve do të ketë dhe foto ekskluzive. Gazeta “Tirana Observer” botoi në numrin e djeshëm pjesën e parë të shkrimit, që Peter Lucas e ka botuar pak ditë më parë në revistën amerikane “Leartherneck”. Në të agjenti rrëfente se si i kishte përjetuar ditët e para në Shqipëri, kur lufta me Gjermanët duhet të mbaronte patjetër me fitoren e shqiptarëve.
Kujtimet e misionarëve për Enverin dhe Mehmetin
REGINALD HIBBERT “FITORJA E HIDHUR”
“Është vështirë të gjykohet se çfarë marrëdhënie ka pasur ndërmjet këtij marshimi dhe ndërhyrjes së Brigadës I, të cilën e kishte kërkuar Enver Hoxha në fillim të janarit, kur ai dhe Këshilli Qendror e Shtabi i Përgjithshëm ishin në shtrëngesë të dëshpëruar në Çermenikë dhe në nevojë urgjente për ndihmë. Në kujtimet e veta Hoxha e zvogëlon fare ndihmën e janarit, e mohon se ajo e shpëtoi dhe e akuzon Mehmet Shehun se e ka fryrë atë deri sa e ka bërë legjendë. Nga ana tjetër, ai e lejon që marshimi në fund të shkurtit e në fillim të marsit të përshkruhet si heroik në historinë e partisë. Duket e mundshme që kishte qenë një operacion urgjence në janar, ai i cili bëri të lindte ide në mars. Atëherë, si përfundim do të kemi që në maj e në motin e keq të marsit, kur operacionet ushtarake në jug ishin në fakt të pezulluara dhe partizanët ende nuk kishin marrë veten nga goditjet ndëshkuese, që u kishin dhënë gjermanët me ndihmën e baistëve në sy të Enver Hoxhës dhe shokëve të tij”.
JULIAN AMERY “BIJTË E SHQIPES”
“Që Enver Hoxha të guxonte të vinte në dyshim kësisoj vullnetin e mirë të oficerëve britanikë, ose të kërcënonte me arrestimin e dhe nxjerrjen e tyre në gjyq, ishte diçka që tregonte haptazi armiqësinë që ai ndiente për autoritetet britanike. Ndërkaq, ai kishte zgjedhur me nxitim kohën e dhënies së ultimatumit, pikërisht për delegatët e tij në Bari kishin filluar bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje me Komandën Britanike. Kushtet që kishim arritur të siguronim ishin çuditërisht të favorshme, por oficerët tanë të shtabit, të ofenduar prenë bisedimet, duke deklaruar se nuk do të ratifikonim marrëveshjen, gjersa Enver Hoxha të tërhiqte mendimet e shfaqura si dhe ultimatumin e tij. Për disa ditë, marrëdhëniet midis qeverisë komuniste dhe Kuartierit tonë të Përgjithshëm ishin të ndera. Ndërkaq, oficerët tanë eprorë qëndruan konseguentë. Si rrjedhojë, Enver Hoxha u zmbraps, duke siguruar me gjysmë zëri për një trajtim të ndershëm të të gjithë oficerëve britanikë në Shqipëri. Në këtë mënyrë, incidenti për fatin tonë të mirë u mbyll qetësisht, prej Kuartierit tonë të Përgjithshëm”.
KOL DEIVID SMAILI “ME DETYRË NË SHQIPËRI”
“Makini u kthye ca ditë më vonë dhe patëm të parën nga vizitat e shumta të Shtabit të Luftës Nacionalçlirimtare, të udhëhequr nga Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha. Mehmet Shehu ishte një burrë me shtat mestar, zeshkan, i imët, rreth të tridhjetave që buzëqeshte vetëm për fatkeqësi të të tjerëve. E fliste anglishten më mirë se udhëheqësit e tjerë partizanë. Kishte kryer studimet e mesme në Shkollën Amerikane të Tiranës dhe pastaj kishte shkuar në Kolegjin Ushtarak të Napolit, nga ku u përzu për aktivitete komuniste. Hyri në Shkollën e Plotësimit të Tiranës dhe prej andej vajti në Spanjë si vullnetar në Brigadën Ndërkombëtare “Garibadi”, ku u bë z/komandant i Batalionit të 6-të. Kur brigada u tërhoq në Francë më 1939-ën, ai u internua për tre vjet. Pas lirimit u kthye në Shqipëri dhe u bë anëtar partie në zonën e Vlorës. Në kohën kur u takuam me të, ishe komisar i forcave partizane të atjeshme”.
Kujtime për misionarët
ENVER HOXHA “RREZIKU ANGLO-AMERIKAN PËR SHQIPËRINË”
“Gjenerali Devis erdhi në takim në pasditen e 31 dhjetorit, në orën e caktuar. Ishte i shoqëruar nga shefi i shtabit të tij, kolonel Nikolis. I shtrëngova dorën dhe e pyeta: “How are you? How do you feel in Albania?” Këto ja thashë në gjuhën angleze, se kur isha në lice kisha mësuar me babë Lonin dhe ca anglisht, si gjuhë të huaj. Gjeneralit i qeshi fytyra dhe më tha: “I didn‘t know you spoke English, you speak it…” Informatat që keni janë të vërteta, unë nuk e flas anglishten, e ndërpreva, po këto ishin ca fjalë të mbajtura mend që nga koha e shkollës së mesme. Frëngjishten e flas, në qoftë se ju e dini mund të bisedojmë në gjuhën e Volterit. Ai me të qeshur më tha: “Volterin e kam lexuar, por gjuhën nuk ia di”. Devisi ishte një mesoburrë, ca rrumbullak, dhe fytyrën e kishte rrumbullake, me një hundë si të fryrë e të kuqe (siç dukej e kishte qejf uiskin). Sytë nuk i kishte të vrenjtur e të djallëzuar si të Maklinit, mjaft herë i kishte të qeshur dhe dinte t‘i fshihte mendimet e ndjenjat e tij”.
I like what you guys are up too. This type of clever work and exposure!
Keep up the terrific works guys I’ve incorporated you guys to my personal blogroll.