DR.HAKIF BAJRAMI: VLERËSIMI I DEMONSTRATAVE TË PRANVERËS 1981 NË KOSOVË – NGA UDHËHEQËSIT SHTETËROR TË JUGOSLLAVISË!

Prishtinë, 13. 04. 2014 – Më 11 mars 1981 shpërthyen demonstratat e studentëve në Prishtinë. Tërë natën udhëheqësit jugosllavë komunikonin me telefon ndërmjet veti. Primatin rreth vlerësimit të këtyre demonstratave e merr kryesia shtetërore dhe politike me përzierje të kreut ushtarak në Kosovë. Demonstratat më 11 mars 1981, pas dy orëve që kishte mbaruar vlerësimi i udhëheqësve jugosllavë, i analizon edhe kryesia politike e Serbisë. Në mesditë të 12 marsit udhëheqësit politikë dhe shtetërorë nëpër republika dhe krahina njoftohen se është fjala për demonstratë armiqësore. Këtë qëndrim kreu politik dhe shtetëror i Jugosllavisë e mban deri më 25 mars.
Sipas dokumenteve jugosllave vlerësimin për demonstratat e 26 marsit e bën kreu ushtarak i vendit – më 27 mars 1981. Pikërisht në këtë vlerësim kreu ushtarak pa e njoftuar fare udhëheqjen e Kosovës e autorizon Spasoje Gjakoviqin që me 23 ish-udbashë të transferohen në Kosovë dhe ta ndjekin për së afërmi situatën, sepse të gjithë këta ishin njohës të rrethanave shoqërore dhe politike në Kosovë, por që ishin diskredituar në Plenuimin e Brioneve më 1966. Të gjithë këta do të vendosen në një zyrë në Sekretariatin Krahinor të Kosovës, duke i njoftuar të autorizuarit se janë përkohësisht të dërguar në Kosovë nga udhëheqja politike dhe ushtarake federative. Të gjitha këto prapaskena që i dirigjonte udhëheqja e Serbisë, udhëheqja politike e Kosovës nuk do t’i debatojë në ndonjë mbledhje zyrtare. Për një kohë shumë të shkurtër këta ish-udbashë kriminelë me agjenturat e vjetra që i kishin lënë në Kosovë do të riaktivizohen prej së larti poshtë. Në çdo komunë këta do të formojnë shtabet e veta adekuate.

Pera Stambolliqi, Llazar Kolishevski dhe Vidoje Zharkoviqi

 ***
Vlerësimin e demonstratave më 1 dhe 2 prill e bën kryesia shtetërore dhe politike në prezencën e kreut ushtarak të Jugosllavisë në Beograd, më 2 prill në mbrëmje. Demonstratat vlerësohen si armiqësore dhe kontrarevolucionare. Në mbledhje primatin për vlerësimin e këtillë e marrin: Pera Stambolliqi, Llazar Kolishevski dhe Vidoje Zharkoviqi. Në mbledhje u prezantua edhe një skenar se si duhet të veprohet kundër demonstruesve. Në skenar parashihej të intervenohej me ushtri dhe polici në të gjitha nivelet në Kosovë. Së dyti parashihej intervenimi eventual ushtarak edhe në Shqipëri. Këtë skenar në anën tjetër gjithnjë pa e pyet fare udhëheqjen e Kosovës e dirigjonte udhëheqja politike e Serbisë.
***
Në demonstratën e 2 dhe 3 prillit të vitit 1981 në rrugën Prishtinë-Besianë demonstruesit e grabisin armatimin dhe krijojnë njësi të armatosur, duke i djegur në të njëjtën kohë edhe kamionët ushtarakë që bartnin armatim. Udhëheqja shtetërore dhe ushtarake e Jugosllavisë mbeti e befasuar sepse i druante kryengritjes së përgjithshme popullore. Në këto rrethana më 3 prill në Kosovë vihet pushteti ushtarak nga kryesia e Jugosllavisë. Ky pushtet është në fuqi deri më 18 prill. Lidhur me këtë, grabitja e armatimit, djegia e kamionëve, formimi i çetës së armatosur në regjionin e Besisë dhe armatimi i rezervistëve nga Mustafë Hoxha shënojnë një etapë të re të demonstratave. Përzënia e oficerëve jugosllavë nga Besiana, politikisht në udhëheqjen e vendit shpjegohet se ishin lënë nën hije kërkesat e drejta të demonstruesve në Prishtinë dhe gjetiu do të pohojë në një mbledhje të mbyllur oficeri serb Daleviq.

Prishtinë, 3 prill 1981: Mbledhja e Komitetit Krahinor të KSAK’së

Menza e Studentëve, prej ku nisi protesta e parë – më 11 mars 1981.

Konvikti nr.3 i Studentëve të UP’së!

Demonstrimi…

————————————–

Shikoni dokumentarin:

***
Pas këtyre rrethanave që u rikrijuan më 4 prill 1981 udhëheqja politike dhe shtetërore e Jugosllavisë do ta pranojë vlerësimin e kreut ushtarak se është fjala për kontrarevolucion në Kosovë. Udhëheqja ushtarake tani propozon skenar të ri për të vepruar në tri rrafshe:
– Në rrafshin e parë të luftës parashihej të sulmohej me të gjitha mjetet rinia patriotike shqiptare, ajo në shkollim të mesëm dhe të lartë, si dhe të gjithë arsimtarët, duke filluar prej së larti poshtë nga rektori e deri te mësuesi i shkollës fillore;
– Në rrafshin e dytë, gjithnjë sipas strategjisë rivlerësuese, duhej të sulmoheshin udhëheqësit politikë dhe shtetërorë të Kosovës, në rend të parë ata shqiptarë. Në rivlerësim thuhej decidivisht. Duke menduar të sillen në pushtet kuadro që janë lojalë të integralizmit jugosllav. Të gjithë këto kuadro ishin cilësuar se kanë njohuri dhe dinë ta realizojnë porosinë që jepte Libri i kaltër i udhëheqjes serbe nga viti 1976. Me Librin e kaltër synohej ridefinimi i federatës dhe heqja e autonomisë së Kosovës.
– Në rrafshin e tretë të skenarit ushtarak jugosllav, që e kishte përkrahë udhëheqja e Jugosllavisë dhe e Serbisë, parashihej të sulmohej Shqipëria me të gjitha mjetet. Për këtë qëllim kreu ushtarak i Jugosllavisë i kishte planifikuar të futen në veprim 2 divizione, duke ndërmarrë sulme tokësore; kishte paraparë sulm ajror me një formulë 8+4+4 që do të thotë tetë aeroplanë duhej të sulmonin nga Sllatina, 4 nga Titogradi dhe 4 nga aeroporti i Ohrit. Në të njëjtën kohë ishte paraparë edhe bllokadë dhe sulm detar në bregdetin e Shqipërisë. Në këtë skenar kryesia shtetërore dhe politike e Jugosllavisë parashihte që luftën ta bartë në truallin e Shqipërisë bregdetare e jo në Kosovë.
Demonstrata që u kthye në kryengritje
Tërë këtë strategji agresive më 4 prill 1981 do ta vërë në pozicion inferior veprimi i demonstruesve në rrugën Prishtinë – Besianë që ishte zhvilluar më 2-3 prill, duke e djegur tërë arsenalin ushtarak kamionët që bartnin armë) dhe duke i grabitur armët dhe duke formuar njësi të armatosur. Kësaj njësie të armatosur në aspektin psikologjik-ushtarak dhe politik, do t’i ndihmojë Mustafë Hoxha në anën tjetër me armatimin e rezervistëve dhe largimin e oficerëve jugosllavë nga Kosova (komuna e Besianës).
– Grupin e parë të çetës në Besi e përbënin: Ruzhdi Hajdini (Miroc), Sami Leci (Barilevë), Zijadin Hoxha (Prishtinë), Vehbi Leci (Barilevë), Osman Krasniqi (Bërnicë e Epërme), Ibush Kelmendi (Prugoc), Agim Selmani (Barilevë) Agim Leci (Barilevë), Hajrullah Dragusha (Prugoc).
– Çetën e dytë e përbënin: Zymer Krasniqi (Besi), Bajram Syla (Rimanishtë), Qerim Arifi (Rimanishtë), Nagip Bllaca (Besi), Naim Statovci (Prugoc), Sadik Dragusha (Prugoc), Shaban Dragusha (Prugoc), Ramadan Rexha (Rimanishtë), Enver Koliqi (Lupç i Poshtëm), Nexhemdin Pireva (Lupç), Sadri Berisha (Drenoc).
Në këto aksione demonstruese ishin përfshirë edhe rinia shkollore nën 18 vjeç. Dalloheshin: Afrim Bllacaku, Agim Selim Leci, Naser Rexha, Shemsi M. Leci, Fadil Shala, Ekrem Dragusha, Avni Llumnica, Veton Osmani, Xhemshir Leci, Pajazit Ndreca, Nexhat Dragusha, Osman H. Abdullahu, Sami Abdullahu, Osman S. Abdullahu, Ismail Koliqi, Zenel Krasniqi, Lutfi Leci, Xhafer Fetahu etj.
Lidhur me demonstratën në rrugën Prishtinë-Besianë mund të theksojmë se po në atë moment kur demonstruesit i grabisin armët (30 pushkë automatike, 50 automatikë, 30 pushkë gjysmë-automatike) demonstrata e merr karakterin e kryengritjes së armatosur. Okupatori në anën tjetër për ta shuar këtë kryengritje, do t’i përdorë të gjitha mjetet: nga angazhimi i ushtrisë dhe policisë tokësore e deri te përdorimi i helikopterëve specialë ushtarakë.
Kryengritësit pas një kohe do të munden, por fama e kryengritjes – luftës së drejtë shqiptare, do të përhapet në katër anët e botës. Kjo ngjarje e pranverës patriotike shqiptare (1981) meriton trajtim shkencor, sepse dokumentet dhe personalitetet bartëse mund të konsultohen.

Në Kampin e Goli Otokut – Korrik 1984: Nga e djathta në këmbë: Muhamet Krasniqi, Ilaz Selmani, Fatmir Zekolli, Shemsi Leci, Naser Selimi, Fatmir Ahmetaj, Ibrahim Kryeziu dhe Skënder Hyseni. Nga e djathta ulur: Nazmi Shaqiri, Remzi Lushi, Afrim Bllacaku, Muharrem Qafleshi, Ismail Kryeziu, Nexhmedin Kelmendi, Et’hem Çeku, dhe Xhavit Mustafa. Të shtrirë: Bedri Tupella dhe Sheradin Berisha.
***
Ndaj këtyre rrethanave, sipas dokumenteve që gjenden në Kryesinë shtetërore të Kosovës, instancat politike dhe shtetërore perëndimore, si dhe ato lindore do të reagojnë me një butësi diplomatike, duke injoruar terrorin që kishte ushtruar policia dhe ushtria mbi demonstrues.
Për ta sjellë këtë atmosferë politike në Jugosllavi në një kahe tjetër, udhëheqësit politikë të Jugosllavisë, duke mos lejuar publikisht realizimin në praktikë të Librit të kaltër, më 17 nëntor 1981 do të aprovojnë platformën politike me të cilën do të veprohet në vijimësi kundër të gjithë shqiptarëve në Jugosllavi. Në bazë të dokumenteve jo vetëm Kosova po kudo që jetonin shqiptarët nën robërinë jugosllave ishte vënë një diktaturë ushtarake dhe policore. Totalitarizmi politik e kishte arritur kulmin.
Ideologu dhe organizatori i demonstratave – kryengritjes së armatosur
Udhëheqja politike jugosllavë në të cilën referuan Llazar Kolishevski dhe Vidoje Zharkoviqi, ideolog i demonstratave, ishe cilësuar se ishte Adem Demaçi. Ai konsiderohej jo vetëm në federatë, por edhe në Kosovë në të gjitha dokumentet politike dhe shtetërore se ishte ideologu i luftës së shqiptarëve për liri dhe pavarësi, për Shqipëri Etnike. Të gjitha organizatat ilegale dhe veprimi i masës popullore ishte thënë aty se janë nën ndikimin e tij. Organizatorët e demonstratave të pranverës së vitit 1981, sipas udhëheqësve jugosllavë ishin:
– Sigurimi shtetëror i Shqipërisë;
– PPSH;
– Grupi marksist-leninist i Kosovës;
– Partia Komuniste Marksiste Leniniste në Jugosllavi;
– Fronti i kuq;
– Lëvizja Nacionale për çlirimin e Kosovës dhe pjesëve tjera shqiptare;
– grupet shqiptare të organizuara në Zvicër, Gjermani dhe Belgjikë.

Të gjitha këto organizata thuhet në vlerësimin jugosllav se i drejtonte PPSH dhe Sigurimi Shtetëror i Shqipërisë. Parullat programatike të demonstruesve nga Kosova Republikë e deri te bashkimi me Shqipërinë, kryengritësit në Besi tentojnë t’i realizojnë me fuqinë e armës, duke bërë luftë të drejtë.
Pse dështoi kryengritja
Kur e shtrojmë këtë pyetje, duhet të përgjigjemi shkurt, dështoi kryengritja sepse ishte i fortë shteti. Dokumentet dëshmojnë se shteti nuk ishe i fortë si mendohej dhe propagandohej në opinion. Këtë pohim e vërtetoi koha dhe ngjarjet më vonë. Fakti se Serbia përpiloi memorandum, ndërsa Jugosllavia përpiloi program për Kosovën, shqiptarët u përgjigjën me demonstrate edhe më të fuqishme, por edhe me fuqinë e armës në etapat e mëtejme historike. Pyetja e dytë që parashtrohet këtu pse dështoi kryengritja më 1981:
– ishte i pavendosur një pjesë e popullit,
– nuk kishte përkrahje të armatimit nga Shqipëria,
– egërsia e prokurorëve dhe gjykatësve,
– dyfytyrësia e dëshmitarëve shqiptarë,
– sjellja e ish udbashëve nga Serbia në Kosovë (shoferi i kamionit nga Peja) dëshmon se Shtabi i Spasoje Gjakoviqit kishte marrë vendim që të armatosen serbët e Kosovës.

Fakti i tretë se disa demonstrues kryengritës të vitit 1981 po me ato armë që i kishin grabitur do të inkuadrohen në UÇK, tregon se demonstruesit ishin të vendosur, seriozisht për ta rrëzuar sistemin kolonial në Kosovë. Të paktën këto demonstrata e kishin shporr frikën e robit dhe kishin krijuar rrafshin psikologjik, se shqiptarët janë të zotët që të çlirohen edhe me fuqinë e armës, të bëjnë luftë të drejtë.
Të përfundojmë:
Në bazë të dokumenteve që kanë mbetur (dokumente me shenja sekrete) demonstratat e kishin lëkundur nga themelet Jugosllavinë, e kishin hap konfliktin politik në mes të serbëve kroatëve dhe sllovenëve, i kishin vënë në dymendësi maqedonasit, malazezët dhe boshnjakët, ndërsa për shqiptarë demonstratat kishin krijuar shansin e shekullit për një luftë të mëtejme politike dhe ushtarake të drejtë, luftë ajo e drejtë që do zë fill me çetat e para të UÇK’së duke u shndërruar në ushtri që bën luftë të drejtë deri në fund të qershorit të vitit 1999.
_____________
(Materiali i konsultuar, 137 dosje d. sek. 1981 në Ak. e Kosovës; botimin e dokumenteve në “Kosova Sot” në 249 vazhdime; dokumentet informative federate – Kosovë, dokumentet informative Serbi – Kosovë, dokumentet e kryesisë së Kosovës 1981, dokumentet e kryesisë LKK – 1981 informatat); Shiko edhe aktgjykimet në gjuhën shqipe të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë K. 147/81 më 13.08.1981.

Prishtinë, prill 1981: Fjala e Fadil Hoxhës para aktivit politik të Prishtinës – mbi demonstratat e mars – prillit 1981!

——————————————

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura