ARBANA XHARRA: DYFTYRËSIA E JAKUP KRASNIQIT

(Prishtinë, 20. 03. 2012) – Nuk është hera e parë që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, mas “vaktit” reagon ndaj zhvillimeve politike që në start shihet që janë të gabueshme dhe në dëm të Kosovës. Reagimet e tij të vonshme më shumë ngjajnë në demagogji dhe dyfytyrësi kur dihet fare mirë pozita e tij në Partinë Demokrate të Kosovës (PDK) dhe autoriteti në postin që mban si kryetar i Kuvendit të Kosovës. Krasniqi tek pas marrëveshjes që arriti Shefi i tij për përfaqësim rajonal të Kosovës me fusnotë reagoi duke thënë se, në asnjë variant nuk është dashur të pranohet fusnota.
     Ai tha se po të kishte biseduar klasa politike mes vete për këtë çështje, do ta kishim një zgjidhje më të mirë. Deklaratë kjo e cila në këtë rast thuhet nga një zyrtar i lartë i partisë në pushtet e në të njëjtën kohë tingëllon si e dalë nga opozita ka dy arsye.
     E para: Krasniqi, vazhdon të mos e ketë autoritetin brenda PDK-së ashtu siç mendojnë nga jashtë, dhe duke e parë që nuk ka peshë dhe nuk i ecën fjala, ai e bën me dije indirekt pozicionin e dobët të tij përmes reagimeve të tilla.
     E dyta: Krasniqi sikurse edhe gjithë ata që kundërshtojnë veprimet e kryeministrit Thaçi, është duke e parë nga afër se çfarë po zihet dhe duke i ditur pasojat që e presin Kosovën nga partia pjesë e secilës është ai vetë, tenton ta lajë veten duke kritikuar partinë e tij. 

     Vetëm kur nisën të ndihen pasojat e një dialogu të dështuar dhe marrëveshjeve që u arritën me izen e kryeministrit, Jakup Krasniqi mori mundin që të deklarojë se tash pas një viti ekipi dialogues i Kosovës nuk paska pasur kapacitetet e mjaftueshme për ta udhëhequr këtë dialog.
     Ku ka qenë një vit më parë Jakup Krasniqi, e të reagojë se në këtë dialog Kosova po hyn e papërgatitur si duhet dhe pa i planifikuar çështjet që Kosova duhet t’i bisedojë.
     Vonë i ra ndërmend kreut të Kuvendit të Kosovës, se në këtë dialog paskan dërguar një ekip që ka treguar se nuk i ka njohur teknikat e dialogimit. Ai bile tash del edhe me sugjerime se duhet ta ndryshojë qasjen ose të ndryshohet i tëri. E për t’i vënë kapakun demagogjisë së tij, Jakup Krasnqi i bart përgjegjësinë partive opozitare duke iu bërë thirrje liderëve politikë të kenë një komunikim ndryshe për veriun.
     Është e pasinqertë nga ai që tashmë krejt punën e negociatave ta bartë te disa
djem e vajza, që ishin pjesë e tij dhe te Edita Tahiri. E pasinqertë për shkak se këta asnjë marrëveshje nuk e kanë bërë pa urdhërimin dhe aprovimin e kryeministrit Thaçi. Të kujtojmë vetëm për çështjen e fusnotës. Atë e aprovoi në ditë vikendi – të dielën kryeministri, ndërsa Tahiri me kolegë disa ditë më vonë vetëm zbatuan urdhrin e tij.
     Krasniqi duket se i frikësohet shumë Thaçit, andaj s’e zë në gojë atë fare, por iu hedhet në qafë disa të tjerëve që janë më të ligë se Kryeministri dhe me gjasë edhe më të ligë se ai. Të merremi vesh Edita me kolegë e ka fajin e saj dhe ai nuk është i vogël.
     Faji i tyre është se nuk ditën dhe nuk dinë të thonë Jo për hir të pozitave e të pushtetit. Ose edhe më keq se nuk janë në gjendje të dallojnë të mirën nga e keqja. Ama Krasniqi kur t’i referohet grupit negociator me gisht duhet të bëjë nga shefi i tij, parasëgjithash, kah ai me të cilin pinë çaj çdo mëngjes kur të dytë janë këtu, nëse do të konsiderohet parimor e jo frikacak.
>>>>>>>>>
Ilustrim i pashtriku.org:
JAKUP KRASNIQI: DELEGACIONI NUK I KA KAPACITETET, FUSNOTA E PAPRANUESHME
http://www.top-channel.tv/video.php?id=9190

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura