YLLI POLOVINA: SHKËLQIMI I EDI RAMËS NË STUDION ‘PORTA A PORTA’ TË BRUNO VESPËS, 18 MAJ 1999 (3)

Tiranë, 24 shkurt 2019: Ylli Polovina, Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002. Shkrimi i tretë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria” dhe “Pashtrikun” kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës.
***
Në 18 maj 1999 në orët e mbrëmjes kur kanali i parë i RAI-t, Radio Televizionit Italian, trasmetonte emisionin “Porta a Porta” (“Portë më Portë), të drejtuar nga Bruno Vespa, u shfaq si i ftuar Edi Rama. Atë kohë ai qe ministër i Kulturës, i Rinisë dhe i Sporteve i kabinetit socialist të Pandeli Majkos.
Prania e tij në Romë nuk qe për ne në Ambasadë gjë e papritur, sepse e dinim që kishte mbërritur, madje i shoqëruar jo nga ndonjë person publik apo zyrtar. Gjithçka ngjante sikur Edi Rama po kryente në kryeqytetin italian një vizitë private.
Në përfaqësi ai nuk erdhi. Ndoshta kontaktin e domosdoshëm zyrtar e kishte kryer me ambasadorin Leontiev Çuçi, mbase edhe me vetëm telefon. Gjithsesi përshtypja e përgjithshme mes diplomatëve ishte se Rama, duke qenë nga natyra tip i shprehur artisti, për pasojë edhe antikomformist, vepronte i pavarur, “me kokë të vet”, pa përfillur shumë disa rregulla të brendshme të shtetit.
Ndoshta i dukeshin fort skematike.
Kur në orën 23.00 nisa regjistrimin video të drejtpërdrejtë të debatit në “Porta a Porta”, menjëherë, sapo pashë pjesëmarrësit e tjerë nga pala italiane, parandjeva se kishte boll karburant për “sherr”, situatë që Edi Ramës i shkonte për mbarë. Ministri i Kulturës vinte nga Tirana, ku sherri nëpër ekranet televizive qe stili i vetëm i pëlqyer.

Kështu, si për zakon profesional, shkova nëpër mend një variant ecurie të debatit dhe pas kësaj parashikimin e një rezultati të mundshëm, tensioni i madh përplasës do të krijohej mes ministrit shqiptar dhe Armando Kosutës. Ky qe shef i partisë së komunistëve ultrakonservatorë italianë, gardës së vjetër të tyre, më fanatikëve dhe më të skajshmëve, pasuesve të palëkundur të modelit sovjetik. Kosuta jo vetëm qe ideologjikisht i papranueshëm për Edi Ramën, por edhe pati kryer hapët veprime në mbështetje të serbëve, duke shkuar për t’i mbështetur deri edhe në Beograd.
Që nga Tirana, nëpërmjet lajmeve të drejtpërdrejta të stacioneve televizive italiane, Edi Rama do t’i kish ndjekur patjetër këtë sjellje të Armando Kosutës.
Por Bruno Vespa e shmangu këtë përplasje që në fillim të debatit dhe i dha një dinamikë tjetër atij, duke ia lehtësuar ndërhyrjen e parë Mario Klemente Mastelës. Ky qe kryetar i një partitëze të re të llojit kristiandemokrat (UDEUR-Bashkimi i Demokratëve për Evropën). Ato kohë Mastela, si nënkryeministër, bënte pjesë në kabinetin qeveritar të të majtit paskomunist Massimo D’Alema.
Para se të niste ndërhyrja e armatosur e NATO-s në Kosovë dhe veçanërisht gjatë kohës së zhvillimit të saj, përfshi edhe atë maj 1999, Mario Klemente Mastela dëshmonte se në parim qe filo amerikan.
Katër ditë pasi Aleanca Atlantike kishte shpërthyer sulmin e saj nga ajri kundër Jugosllavisë së Sllobodan Millosheviçit, pra në 28 mars 1999, që nga mëngjesi i asaj dite në parlamentin italian ishe ndezur një polemikë e madhe për pjesëmarrjen e vendit të tyre në luftën e armatosur kundër një shteti sovran, siç ishte Serbia.
Ishte ditë sprove qëndrese për kabinetin D’Alema.
Pikërisht këtë ditë, sidomos në orët e para të pasdites, Armando Kosuta jo vetëm doli ashpërsisht kundër kryeministrit, por qe jo i një mendjeje as me nënkryetarin e qeverisë, Mario Klemente Mastelën. I shpalli luftë edhe atij.
Masimo D’Alema në debatin e nxehur, i cili qe aq përvëlues sa mund t’ia rrezikonte kabinetin dhe ta rrëzonte, këmbënguli se veprimet e qeverisë qenë kryer brenda limiteve të përcaktuara nga Kushtetuta dhe përherë duke mbajtur në dijeni Parlamentin, por gjithnjë me përparësi të veprimtarisë së saj mbrojtjen e të drejtave njerëzore në Kosovë.
Kryeministri paskomunist i mëshoi idesë se Italia deri ato çaste i kishte dhënë përparësi aksionit diplomatik, rrugëzgjidhjeve nëpërmjet paqes, por të gjitha patën dështuar për përgjegjësi të Millosheviçit.
“Kështu, theksoi Masimo D’Alema, u bë e domosdoshme ndërhyrja ushtarake, edhe pse kjo nuk pajtohet me traditën dhe kulturën e popullit tonë”. Ai vuri në dukje se ndërhyrjen ushtarake po e kryenin për të arritur një zgjidhje paqësore të konfliktit. Popullsia shqiptare, veçanërisht ata mijëra refugjatë, duhen mbrojtur, por kjo, spikati D’Alema, mund të kryhet vetëm në respekt të plotë të integritetit territorial të Serbisë.
Në një çast kryeministri italian tha: “Në asnjë moment Evropa nuk ka treguar butësi apo mbështetje ndaj aktivitetit terrorist dhe guerril, siç po e bën UÇK”. “Por kjo, vijoi ai, nuk justifikon asnjë aksion shtypjeje dhe dhune ndaj masës së madhe të popullit, qyteteve dhe fshatrave të tëra, ndaj gjithë një bashkësie.”
Kur Masimo D’Alema i përfundoi përgjigjet shpjeguese dhe pasi me të shkëmbyen mospajtime apo dakordësi disa deputetë, i erdhi radha të fliste Armando Kosuta. Ky e quajti të paligjshme ndërhyrjen ushtarake të NATO-s dhe theksoi se ajo qe kryer në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara. “Ky agresion, tha ai, kryhet edhe në mospërputhje me vetë kodin themelues të NATO’s, e cila duhet të ndërhyjë me armë vetëm në rast se njeri prej vendeve të saj anëtare sulmohet prej një të treti”.
“Duke vepruar kështu, vijoi Kosuta logjikën e vet, në fakt nuk zgjidhet gjendja tragjike e Kosovës, por rëndohet ajo dhe tërë situata në Ballkan, rrezikon që atje përmasat e konfliktit me armë të zgjerohen, duke përfshirë deri edhe të mëdhenjtë, sidomos Rusinë”.
“Nacionalizmi serb në këtë mënyrë si edhe Millosheviçi, u shpreh ai, do të dalin më të fortë”.
Polemikën e vet me shumë replika Armando Kosuta e mbylli duke deklaruar se “Bazat tona, portet dhe aeroportet, janë vënë në shërbim të një operacioni ushtarak që nuk e duam. Italia u përfshi në luftë pa e ditur dhe pa e dëshiruar”.
Në debatin parlamentar të 24 marsit 1999 Mario Klemente Mastela hyri menjëherë pas Kosutës. “Qeveria, tha mes të tjerash ai, ka punuar me inteligjencë që të mos shkonte puna deri në përdorimin e armëve, por në fund të fundit duhet të bëjmë dallimin e duhur mes viktimave dhe masakrave të Millosheviçit”.
Kur Klemente Mastela mbaroi e rimori fjalën Armando Kosuta. Ai kërkoi, në emër të grupit parlamentar komunist, që ndërhyrja e NATO-s të konsiderohej e paligjshme dhe i këmbënguli qeverisë të ndërhynte që ajo të ndalej. Pas kësaj Mastela menjëherë, në emër të grupit parlamentar të partisë së tij, bëri gjestin e kundërt: i shprehu solidaritetin qeverisë.
Me këta personazhe politikë u vu përballë Edi Rama në mbrëmjen e vonë të 18 majit 1999.
Ndërkohë në studion e “Porta a Porta” do të ndodhej edhe një ish-ministër i Mbrojtjes, i djathti Antonio Martino.
Ky në emision mbajti qëndrimin e përhershëm, sipas të cilit, Millosheviçi ishte diktator dhe bombardimet regjimi i tij i kishte hak.
Mario Klemente Mastela tha se “ata e njohin Millosheviçin si fajtor të gjendjes në Kosovë, por verifikimi i një armëpushimi është i nevojshëm”.
Armando Kosuta në debat përsëriti pikëpamjen se “bombardimet duhen ndërprerë dhe nisur menjëherë armëpushimi”.
Edi Rama nuk la asnjë rast t’i ikte, ca më pak Kosutën. Përplasja me të qe e fortë. Ndërkohë kur nuk mund të fliste dot, sepse lejen duhet t’ia jepte Bruno Vespa, Rama bënte gjeste ekspresive të fytyrës e sidomos dy duarve të gjata.
Kështu ai kurseu vetëm analistin ushtarak Stefano Silvestri, i cili në mes të debatit ilustroi në hartë situatën e përgjithshme ushtarake të bombardimeve të NATO-s si edhe të kundërveprimeve të armatës së Millosheviçit.
Kur iu dha fjala ministri shqiptar i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që në fillim falënderoi për ftesën studion e RAIUNO, si edhe e uroi posaçërisht Bruno Vespën për një program të përbashkët që kishte bërë për Kosovën me Mauricio Kostancon e Kanalit 5 të Mediaset.
Kjo shkaktoi duartrokitje të menjëhershme në auditorin e studios.
Përndezja e debatit me rezultat të dukshëm epërsie që në fillim të Edi Ramës, do të favorizonte në vijim revanshin e tij. Kështu ai ndërhyri disa herë dhe shpalosi bindshëm, me forcë argumentuese dhe me një shkathësi gjuhësore mjaft mbresëlënëse pikëpamjet e qeverisë shqiptare.
Ai këmbënguli se “Millosheviçi duhet të kapitullojë patjetër, në do të jetë më apo jo president i Jugosllavisë le ta vendosë populli i vet”. Po ashtu Edi Rama tha se “një armëpushim tani do të ishte provokim i një kaosi në Shqipëri dhe mijra refugjatë kosovarë të dëshpëruar do të kalojnë detin e do të hidhen në Itali dhe Evropë”.
Në të njëjtën kohë ministri Rama mëshoi idenë se “gjenocidi serb është shekullor, nuk është krijuar tani, se në themel të tij, po të lexohej edhe ditari i Mirjana Markoviçit (gruas së Millosheviçit-shënimi ynë), kuptohej se regjimi i Beogradit ka për ideologji jo vetëm eliminimin e një populli të tërë, siç janë shqiptarët, por edhe është antisemit, antisakson, kundër perëndimit etj”.
Epërsia në debat e Edi Ramës, revanshi i tij, zgjati për afro 20 minuta. E bëri të heshtë Armando Kosutën dhe po kështu zbehur Mario Klemente Mastelën.
Bruno Vespa, i cili ia kishte arritur tua ndalte fjalën edhe figurave më të rëndësishme të jetës politike italiane, nuk ia doli atë mbrëmje të vonë të 18 majit 1999 ta bënte këtë gjë me Edi Ramën.
Të nesërmen, në 19 maj, kur kishim filluar ditën e re të punës në Ambasadë, nisën të binin telefonat e shqiptarëve, por edhe të miqve italianë. Qenë shumë të entuziazmuar për suksesin e ministrit shqiptar të Kulturës.
Ata na përgëzonin.
Sigurisht nëpërmjet Ambasadës uronin shtetin shqiptar, pa e ditur se ne diplomatët e tij në Romë nuk kishim asnjë meritë në atë vepër të përkryer mediatike të Edi Ramës.
Detlev Bakshtain
Ndërkohë nëntëmbëdhjetë maji përmbante brenda tij një lajm jo të gëzueshëm për mua. Në takimin e radhës me Këshilltarin Politik të Ambasadës Gjermane Detlev Bakshtain, me të cilin shkëmbenim sistematikisht të dhëna për zhvillimet në Kosovë, por edhe në Tiranë e Berlin, ky më prezantoi për herë të parë me kolegun e tij që ishte Këshilltar për Shtypin.
Për ta shpjeguar më mirë këtë gjest të tij, të cilin mund ta kish bërë shumë më herët, të paktën që kur kryem takimin e parë, Detlev tha papritur se i kishte ardhur urdhëri për t’u rikthyer në Ministri. “Me pak fjalë, shtoi, mandatin e punës në Romë ma kanë ndërprerë para kohe dhe padrejtësisht, në mes të sulmit të NATO-s”.
“Të majtët janë nepërka”, e buçiti zërin i indinjuar.
E kishte fjalën për njerëzit dhe partinë socialdemokrate të Gerhard Shrëderit, i cili ato kohë, që nga 1998, ishte jo vetëm kancelar i Gjermanisë, por diçka më shumë se një muaji më parë, që nga 14 prilli, edhe kryetar i kësaj partie.
“Të majtët janë nepërka”, përsëriti i revoltuar Detlev Bakshtain.
Pastaj shtoi se në qershor do të ikte përfundimisht nga Roma dhe bashkë të dy do të ndaheshim.
Por si ndodhi që, në rrethanat e Luftës së Kosovës, Bakshtain dhe unë u bëmë bashkëpunëtorë të ngushtë të njëri-tjetrit?

(VIJON)
__________________
YLLI POLOVINA: TAKIMI RUGOVA – MILO NË ROMË (MAJ 1999) DHE FILOZOFIA E BISEDAVE TË RUGOVËS ME MILLOSHEVIQIN DHE MILLUTINOVIQIN (PRILL 1999)! (1)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8445
***
YLLI POLOVINA: MAJ 1999, ROMË-PARIS, VIJOSLLAV SHESHELJ DHE VUK DRASHKOVIÇ ME ISMAIL KADARENË PËRBALLË (2)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8458

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura