Tiranë, 27 shkurt 2019: Ylli Polovina, Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.
Shkrimi i katërt i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria” “Pashtrikun”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës.
***
Ishte e papritur për mua, por edhe e paditur, e papërfytyruar, që, siç do të më thoshte më pas në një bisedë jashtëzyrtare këshilltari politik i Ambasadës së Gjermanisë në Romë, Detlev Bakshtain, ata kishin zgjedhur personin tim për t’u takuar dhe shkëmbyer informacion rreth luftës në Kosovë.
Në të vërtetë ato kohë nismëtar i afrimit të fortë të përfaqësisë tonë diplomatike me atë gjermane erdhi prej ambasadorit Leontiev Çuçi, patjetër edhe me ngulmim të kolegut të tij Fritjof von Nordenskjöld.
Gjithçka, për shkak të asaj ngjarjeje të jashtëzakonshme që po ndodhte në viset e Evropës, në Ballkan, dhe pati ngritur në këmbë botën. Ajo kishte intensifikuar si kurrë ndonjëherë ritmin e gjërave, mes tyre edhe raportet e bashkëpunimit të Shqipërisë me vendet anëtare të NATO-s. Po ashtu edhe të këtyre të fundit ndërmjet njeri-tjetrit.
Kur në fund të marsit, menjëherë pas shpërthimit të sulmit të armatosur ajror të Aleancës Atllantike kundër Jugosllavisë së mbetur, më thirri në zyrë ambasadori dhe më njoftoi se herë pas here do të shkoja në përfaqësinë diplomatike gjermane dhe të jepja e merrja informacion, unë kisha pasur kontakte, me kërkesë të tyre, për po për të njëjtin qëllim, të një funksionari të ambasadës së SHBA në Romë, si edhe një diplomati të rëndësishëm të Koresë së Jugut. Po ashtu një grek, ndër të parët që pata njohur sapo fillova punë në Romë. M’u afrua menjëherë ai, ishte koleg i shtypit.
Për këto raporte bashkëpunuese me përherë temë Luftën e Kosovës, do të shkruaj kur në këtë cikël do t’u vijë momenti i domosdoshëm i rrëfimit konkret të asaj që lejohet për publik.
Duhet thënë se nga ambasada jonë në Via Asmara 5 ajo gjermane nuk qe larg. Shkoja në këmbë nëpër Via Nomentana, kapërceja Porta Pia, ecja pak minuta nëpër rrugën “11 Shtatori” dhe pastaj merrja majtas për të dalë në Via San Martino della Battaglia.
Me pak fjalë një gjysmë ore pasi kisha dalë nga porta me kangjella dhe pa asnjë roje ushtarake e ambasadës tonë, do të ndodhesha tek porta e madhe e drunjtë, por e lartë dhe e fortë, e asaj gjermane, ku dy ushtarakë italianë si edhe një jeep i tyre rrinin në gatishmëri njëzetë e katër orë për njëzetë e katër.
Në ato muaj jo përfaqësia jonë, por ajo e Berlinit (si edhe Britanikja apo e SHBA) qenë objektiv i lakmuar i veprimeve diversioniste të njerëzve të Sllobodan Millosheviçit, të cilët në gadishullin Apenin nuk dremitnin aspak.
– Ylli Polovina –
Në ambasadën tonë diplomatët gjermanë mund të zgjidhnin edhe kolegë të tjerë, të cilët do t’ua përmbushnin fare mirë nevojat informative, pse jo edhe ato analitike, por vëmendjen e rezervuar ndaj meje u përpoqa ta shpjegoj me një rrethanë.
Në një ditë të fundverës 1997, i ardhur për pak orë në Tiranë, siç bëja përherë, për të kontaktuar shtypin, ku botoja dendur, si edhe librarët për mbarëvajtjen e librave të mi, ndërsa hyra në një të tillë, e cila gjendej atëkohë pothuaj përballë redaksisë së “Zërit të Popullit”, pashë në banak një burrë. Aty vazhdimisht shërbënte një grua e sjellshme dhe korrekte në shlyerjen e detyrimeve për librat e shitur dhe ndoshta fytyra e re që po shihja, qe i shoqi.
Sapo u prezantova dhe dëgjoi emrin tim ai u hodh përpjetë. Fjalët që shqiptoi pa ndonjë etiketë, sepse në fund të fundit nuk njiheshim, qenë të forta: “Ah, ti, që të duan shumë spiunët gjermanë!”
Kur pa habinë time, saktësoi: “Nuk kanë të sosur disa të huaj që kërkojnë librat tuaj, mbi të gjitha disa gjermanë”.
Unë atëherë, në vitet 1996-1997, pata publikuar edhe botimet politike “Ditët e mbrapme të një Parlamenti”, me temë zgjedhjet e motit 1996, “Nano dhe Berisha” si edhe “Shteti Kundër”. Ky i fundit tregon historinë në fundshkurt 1996 të rrëmbimit dhe të burgosjes time politike nga struktura të larta të shtetit.
Të huajt, “spiunët”, pra informacion mbledhësit, ato kohë në Tiranë qenë të shumtë, siç edhe kjo denduri vijonte edhe gjatë periudhës së Luftës së Kosovës.
Atë ditë të fundverës 1997 librarit të panjohur i ktheva përgjigjen “Nuk di asgjë, jetoj në Berat”, por gjithsesi fjalët që dëgjova i ngulita mirë në kokë. Nuk e dija që ecja mbi prush.
***
Kur, siç e nisa ta rrëfej në shkrimin e herës së shkuar, në 19 maj 1999 në takimin me Detlev Bakshtain e gjeta këtë të nervozuar dhe ai dy herë rresht shqiptoi fjalët “Të majtët janë nepërka”, lajmi i transferimit të tij dhe i rikthimit në Ministri në Berlin qe i pakuptimtë. Vërtet Bakshtain në Itali kishte mbushur pothuaj katër vite qëndrim, çfarë zakonisht në shërbimin diplomatik përbëjnë afate limite, por si mund të hiqej ai në mes të luftës që po shvillohej, ndërsa pati punuar për të deri ato çaste?
Në parim hë për hë asnjë tjetër nuk mund ta zevëndësonte. Nuk ndërrohet kali në mes të lumit, thotë një fjalë e urtë e shqiptarëve.
Ky ishte një nga tre mësimet që mora prej raporteve të mia të punës me kolegët gjermanë. Më së pari, kuptova se historikisht marrëdhëniet mes gjermanikëve dhe serbëve ishin shumë mospajtuese, përherë në gjendje grindosëse. Më kot deri ato çaste pata kujtuar se gjermanët sherrin më të madh e kanë pasur me francezët. Ja pse më pas do të lexoja shumë për këtë çështje. Kështu mbi të gjitha gjeja shpjegime të veprimeve pajtuese të dukshme të bashkëkombësve tanë të Kosovës, “ballistëve” të saj, me nazigjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
I dyti mësim kishte të bënte me rreptësinë gjermane, pra me hamendjen time se ata qenë shembull në ndarjen e prerë që diplomati në shërbimin e tij bën ndaj partive politike. Kjo nuk doli kaq e kulluar.
Bashkë me këtë mbeta i çuditur si interesa të tjera, përtej profesionit, vinin në lëvizje një institucion të rafinuar si Ministria e Jashtme Gjermane, për ta ndërprerë sforcueshëm një mandat diplomatik në Romë, në pozicionin gjeografik më të afërt kundrues dhe informacionmbledhës për çfarë po ngjante në gadishullin ballkanik.
Ndërkohë rikujtoj lexuesin se në takimin e 19 majit me Detlev Bakshtanin ai tha se e kishte urdhërin nga lart të kthehej në Berlin në fund të qershorit. Këtë kohë e gjeti të mjaftueshme që të më ftonte të ritakoheshim për të ngrënë një drekë dhe bërë një foto sëbashku.
(Edhe këto çaste, tek e shkruaj këtë episod, më vjen keq si e mënjanova këtë takim të sinqertë lamtumire dhe humba foton, vetëm e vetëm për të shmangur drekën, të cilën do ta paguante Detlev, por në ambasadën tonë nuk parashikohej asnjë qindarkë që unë të mund t’i dhuroja një shishe verë. Ajo duhej të qe e mirë, kurse paga ime mujore qe 700 dollarë dhe kisha në ngarkim tërë familjen, pesë frymë).
Pasi thirri kolegun e tij Këshilltar të Shtypit dhe me të cilin më pati prezantuar më parë, madje ky i fundit edhe më kish dhuruar një libër shumë enciklopedik për historinë e popullit dhe shtetit gjerman, Detlev Bakshtain la të kuptojë se kur ai të mos ishte më në Romë, takimet e mia të punës për ndjekjen informative të gjendjes së luftës në Kosovë, mund të vijonin me njeriun e medias.
Ai 19 maj 1999 ishte edhe më kompleks se kaq. Qe shumë i trazuar. Atë ditë qeveria italiane e Masimo D’Alemës kapërceu për të tretën herë rrezikun e rënies për shkak se po mbështeste NATO-n në sulmin e saj ajror. Kësaj here paskomunistët në kabinetin qeveritar të koalicionit me parti të tjera jo shumë të përputhura me ta, patën shpëtuar duke bërë “trukun” e rradhës: një mocion (në thelb një kundërmocion).
Sipas tij, për zgjidhjen e krizës së Kosovës duhej të merrnin pjesë në hartimin e rezolutës së zgjidhjes së krizës Rusia dhe Kina. Më pas ky tekst patjetër duhej t’i paraqitej presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç, i cili formalisht duhej po ashtu ta pranonte.
Faza e tretë e dinamikës së këtij dokumenti të 19 majit 1999 qe miratimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Rezoluta parashikonte si çështje të parë pezullimin e bombardimeve të NATO-s.
Ky mocion u miratua po atë ditë nga parlamenti italian e sidomos prej partive të koalicionit me kryeministër D’Alemën, duke u përsëritur në këtë mënyrë shpëtimi i qeverisë si në dy herët e tjera.
I pari rast i ngjashëm qe kryer në 26 mars, dy ditë pas fillimit të bombardimeve. Në atë mocion të miratuar thuhej se Parlamenti “angazhon qeverinë për të përshtatur bashkë me aleatët e NATO-s për një inisiativë që të fillojnë menjëherë bisedimet dhe të pezullohen bombardimet”.
I dyti rast i njëllojtë ngjau në 13 prill, kur Pacifistët mes deputetëve të Gjelbër, Popullorë dhe të Partisë së Demokratëve të së Majtës patën kërkuar pezullimin e bombardimeve me rastin e festës së Pashkëve Ortodokse.
Ndërkaq në Bari pati përfunduar, gjithnjë me temë Kosovën, takimi Gerhard Shrëder-Masimo D’Alema. Nuk pati dokument të përbashkët, por të dy palët kishin rënë dakort se “duhet të jetë OKB ajo, e cila duhet të bisedojë” dhe për rolin e nevojshëm negociues të Rusisë. Sipas komentatorëve të shtypit, kjo donte të thoshte se rezoluta projekt e miratuar prej parlamentit italian lihej mënjanë, nuk konsiderohej e vlefshme. “U hodh në erë”, shprehej më e shumta e analistëve. Gjermanët qenë për qëndrim shumë të prerë ndaj Sllobodan Millosheviçit.
Po atë ditë një vëzhgues italian i politikës i përcolli opinion italian një të dhënë që e pati marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas këtij të fundit, në Uashington gjykonin se “plani italian është vetëm një hipotezë”.
Në panoramën mediatike shumë të ndërlikuar dhe me ulje-ngritje të 19 majit 1999 nuk mungonte edhe kjo rrethanë: betimi i presidentit të ri italian të porsazgjedhur, Karlo Axelio Çampi, e pati larguar për mbi një dyzinë orësh vëmendjen e medias italiane nga tema e Kosovës.
Porse sapo ritmi i lajmit të parë ra, ajo ngriti krye.
Kështu iu hap rruga emisionit “Prima”, të drejtuar nga gazetari Davide Sasoli, i cili në kanalin e parë të RAI-it qe i përditshëm, nga e hëna deri të premten, për rrjedhojë mjaft i rëndësishëm.
Kështu “Prima” pas një dite pushimi të sforcuar rifilloi në orën 17.45. Këtu ndodhi edhe surpriza: në mes të programit Sasoli njoftoi praninë e këngëtares italiane me origjinë shqiptare Ana Oksa (Anna Oxa).
Nuk ishte hera e parë që ajo bashkohej me çështjen e çlirimit të Kosovës dhe në shkrime të ardhshme do të kemi rast ta spikatim me informacion të detajuar këtë kontribut të saj, por këtë herë po ndalemi në një nismë që shpalli atë ditë në studio të “Prima”.
Ana Oksa njoftoi se në fund të muajit qershor do të zhvillonte bashkë me shumë kolegë në një stadium të Romës një koncert të madh 24-orësh në mbështetje të ndërhyrjes luftarake të NATO-s dhe të shpëtimit të popullit të Kosovës.
Ajo dukshëm, me gjeste mjaft shprehëse, përcolli indinjatën e vet për dhunën që ushtrohej nga Beogradi zyrtar kundër shqiptarëve në tokat e ish-Jugosllavisë.
Valë emisionesh speciale deri në pas mesnatë. Shfaqen Alfred Moisiu dhe Neritan Ceka
Sulm, me të vërtetë sulm mediatik i jashtëzakonshëm. I rastësishëm apo i organizuar? Nuk mund t’i jepje një shpjegim, por ishte me të vërtetë i hatashëm.
Pas Davide Sasolit me “Prima” të RAIUNO, në Canale 5 të rrjetit të Silvio Berluskonit, Mediaset, në orën 21.00, në emisionin “Çiftet” të Maria De Filipit, në fund të programit u bë lidhja e të ftuarve në studio me të afërmit e tyre në Shqipëri, traditë që drejtuesja e programit e kishte nisur prej tre javësh. Kështu folën mes njëri tjetrit nëna me fëmijë, motra me vëllezër, nipër me gjyshër, që të gjithë këta të fundit vullnetarë italianë në kampin e Shijakut. Në mënyrë masive theksohej nga vullnetarët se “kosovarët janë njerëz të mrekullueshëm, të mahnitshëm”. Po kështu ata deklaruan se ja kalonin shumë mirë në Shqipëri, nuk kishte asnjë rrezik për ta dhe se punonin mjaft dhe pa orar, por me kënaqësi.
Në orën 23.15 TMC (TeleMonteKarlo), në emisionin “30 Minuta”, transmentoi edhe një telereportazh nga Shqipëria, i cili në thelb përbëhej nga dy intervista me Alfred Moisiun dhe Neritan CekëN. Me tekst të shkruar i pari u paraqit nga TMC si “nënministër i Mbrojtjes i Shqipërisë” dhe i dyti si “Shërbimet Sekrete”.
Që të dy përfaqësuesit shqiptarë shpjeguan problemin e luftës që zhvillohet në Kosovë, bënë interpretime historike të fanomenit e deri shpjeguan se çfarë përfaqësonte UÇK. Midis të tjerash Alfred Moisiu tha në thelb se “edhe dy Gjermanitë u bashkuan, megjithëse Gjermania ka shkaktuar dy luftra botërore e tani nuk përbën rrezik. Atëhere përse të mos bashkohen 3 milion shqiptarë me 2 milionë të tjerë, asnjë rrezik nuk mund të sjellin 5 milionë shqiptarë”.
Në orën 24.10, në programin “Mauricio Kostanco Shou”, ishte i ftuar edhe drejtori i Radios së Lirë të Malit të Zi, një radio private, e pavarur dhe kundërshtare e Sllobodan Millosheviçit. Mauricio Kostanco sqaroi se ky drejtor përndiqej dhe me ndihmën edhe të qeverisë italiane kishte arritur të kalonte kufirin dhe të gjendej në Itali.
Opozitari i Millosheviçit, midis të tjerash, deklaroi se Mali i Zi realisht ndodhej i pushtuar nga ushtria jugosllave. “Madje ajo është përqëndruar, shtoi ai, masivisht edhe në Cetinjë, qyteti qendër i rezistencës kundër presidentit jugosllav”.
***
E jashtëzakonshmja e 19 majit 1999 ndërkohë do të kishte bashkëngjitur edhe një dështim të lajmit të ardhur nga Shqipëria se në Tiranë pati bërë një vizitë kryeministri britanik Toni Bler dhe se, i pritur me entuziazëm nga kryeministri Pandeli Majko dhe nga një miting, ai ndërkohë qe takuar edhe me drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lajm sporadik aty-këtu, tërë pasditen, në edicionet informative të orës njëzetë e më pas kjo vizitë pothuaj u sfumua në pamje dhe u citua rrallë edhe me fjalë.
E nesërmja, 20 maji, do të ngarkonte para meje, me porosi të ambasadorit, dy detyra jo fot të lehta.
Vinin nga Tirana, nga ministri i Jashtëm Paskal Milo.
(VIJON)
_______________
YLLI POLOVINA: TAKIMI RUGOVA – MILO NË ROMË (MAJ 1999) DHE FILOZOFIA E BISEDAVE TË RUGOVËS ME MILLOSHEVIQIN DHE MLLUTINOVIQIN (PRILL 1999) (1)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8445
***
YLLI POLOVINA: MAJ 1999, ROMË-PARIS, VIJOSLLAV SHESHELJ DHE VUK DRASHKOVIÇ ME ISMAIL KADARENË PËRBALLË (2)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8458
***
YLLI POLOVINA: SHKËLQIMI I EDI RAMËS NË STUDION ‘PORTA A PORTA’ TË BRUNO VESPËS, 18 MAJ 1999 (3)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8486