(Durrës, 20 mars 2012) – T’u thaftë dora, more Pjetrushi ynë! Si s’mendove pak për Shqipërinë, për atë realen Shqipëri, për të vërtetën Shqipëri?! Si s’mendove pak se janë shqiptarë, doemos më të mirë se ti, edhe ata që jetojnë në ata qytete, përmendur në atë flamur që ti e grise?! T’u thaftë dora dhe haram e paç rrogën që merr prej adhuruesvet të atij flamuri!
Unë nuk di as kush është, as nga është ky farë Pjetrushi. Më duket se i thanë Prelë Pjetrushi (Preng – plotësim i SH.B). Di vetëm që, në stadiumin e Ballshit, ai farë Prelë Pjetrushi paska grisur një flamur shqiptar! E thanë mediat, e pamë në ekran se si u gris ai falmur, këtë herë jo prej të vetëquajturvet majmunë të Republikës së Maqedonisë, as prej një sërbi të dehur në një stadium të Italisë, por prej një shqiptari (nëse është për t’i besuar emrit) në një stadium të Republikës së Shqipërisë. I ka fyer tifozët, të cilët janë njëkohësisht edhe atdhedashës (gjë që s’ua ndalon dot askush), ka fyer flamurin e vet, ka fyer Shqipërinë anembanë, ka fyer edhe Mallakastrën, vendin e Bylisit të famshëm të kohëvet të lashta dhe vendin e këngëvet të mrekullueshme polifonike, tashmë gjithnjerëzore, sepse të pranuara si të tilla prej UNESKO-s.
E thashë që nuk e di kush është ky farë Pjetrushi, por ka rrëzik që as ai vetë të mos e dijë kush është, as çfarë është, as pse është, sepse rrogën që merr, nuk e merr për ta grisur flamurin tonë, por për t’i mbrojtur ngjyrat e atij flamuri. Sporti është tërësisht i veshur me ngjyrën e flamurit. Më i larti synim i secilit sportist është që një ditë edhe ai të mbulojë supet e vet me atë flamur dhe t’i këndohet himni kombëtar për rezultatin që ka arritur.
I deleguari i FSHF-së, Preng Pjetrushi, duke hequr flamurin kuqezi, i cili kishte të shkruar emrat e qyteteve që ndodhen jashtë kufijve tanë si: Prizreni, Tivari, Struga, Tetova etj., dhe të njejtin e gris para publikut!
_____________________________
Thuhet që në atë flamur shqiptar paskan qenë shkruar emrat e disa qyteteve të Shqipërisë, të cilët përkohësisht ndodhen jashtë kufijvet të Republikës së Shqipërisë. Ne po bëjmë tani një të këtillë pyetje: Nëse në atë flamur shqiptar do të ishin shkruar emrat: Selanik, Volos, Patra, Kragujevac, Kralevo, Smederevo, Cetinje, Dubrovnik dhe Split (shprehje e ndojë dëshire aventureske për t’i pasur shqiptarët ata qytete), a do ta kish grisur atë flamur ky Pjetrushi ynë? Mendja ma thotë se nuk do ta kish grisur, ndonëse pikërisht ai flamur, me të tillë emra, do të duhej shmangur, sepse pushtimi i tokave të huaja nuk është aspiratë e jona. Por Pjetrushi ynë, them unë, nuk do ta griste. Madje, mund t’i kish ardhur mirë që, në stadiumin ku është caktuar pikërisht ai për kujdestar, shikohen emra qytetesh të fqijëvet tanë të nderuar. Njerëz të tillë, mendërisht të paarrirë, nuk dinë ta dallojnë patriotizmin, pra nacionalizmin, nga shovinizmi.
Duke qenë se edhe unë jam me prejardhje katolike dhe me qenë se edhe emri i këtij flamurgrisësi ngjan me prejardhje katolike, më takon t’i them 2 fjalë edhe në këtë kahje. Katolikët, arbër të kahershëm dhe shqiptarë të mëvonshëm, në të gjithë shekujt janë dalluar për atdhedashuri të përkushtuar.
Çka do të thoshin, po të ishin gjallë: Imz. Pal Engjëlli, Gazujt e Mirditës, Atë Gjergj Pelini, Marin Barleti, Imz.Gjon Murra, Dom Gjon Buzuku, Imz.Pjetër Budi, Imz.Pjetër Bogdani, Fran Bardhi, Gjon Nikollë Kazazi, Atë Shtjefën Gjeçovi, Atë Ndre Mjeda, Atë Gjergj Fishta, Atë Donat Kurti, Atë Bernardin Palaj, Dom Nikollë Kaçorri, Luigj Gurakuqi, kur të të shihnin duke grisur flamurin e tyre? Apo ti s’e di as kush janë këta njerëz që i përmendëm?!
Me gjestin që ka bërë ky burrë i cekët (Mund ta cilësojmë kështu pa droje se po gabojmë në shprehje.), i ka vënë njollë krejt komunitetit katolik shqiptar. Nëse të parët e tij i ka pasë farë patriotësh, ai u ka vënë njollë edhe të parëvet të vet.
Prandaj s’na mbetet tjetër të themi në fund të këtij shkrimi, veçse të perifrazojmë Andon Zako Çajupin: T’u thaftë dora, more Pjetrushi ynë! Si s’mendove pak për Shqipërinë, për atë realen Shqipëri, për të vërtetën Shqipëri?! Si s’mendove pak se janë shqiptarë, doemos më të mirë se ti, edhe ata që jetojnë në ata qytete, përmendur në atë flamur që ti e grise?! T’u thaftë dora dhe haram e paç rrogën që merr prej adhuruesvet të atij flamuri!