YLLI POLOVINA: OPERACIONI PËR “SHPËTIMIN” E IBRAHIM RUGOVËS NGA “KTHETRAT” E SLLOBODAN MILLOSHEVIÇIT! (7)

Tiranë, 11 mars 2019: Ylli Polovina, Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.

Shkrimi i shtatë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për gazetèn “Illyria” dhe portalin “Pashtriku.org”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës
***
Në shkrimin e mëparshëm, duke e konsideruar doktrinën politike të Ibrahim Rugovës tepër të ndërlikuar dhe jo përherë të shprehur qartë në detaje, në dukje jo rrallë edhe konfuze dhe madje hermetike, paraqitëm idenë se vizita e tij dhe takimi me Papën Xhovani Pali II (Karol Vojtilën) qe rasti më i mirë për ta parë në gjendjen më të afruar të mundshme.
Pra folëm për një “eklips” të Rugovës të ndodhur në mesditën e 10 majit 1999.
Do të qenë përballë njëri-tjetrit dy pacifistë të mëdhenj dhe të famshëm, ku secili do të përpiqej të ravijëzonte siluetën e vet, patjetër të përbashkëtën, por edhe dallimin.
Teknikisht ky takim qe paralajmëruar që të premten, në 7 maj, dy ditë pas mbërritjes së Ibrahim Rugovës në Romë, kur udhëheqësi kosovar ishte takuar posaçërisht në Selinë e Shenjtë me monsinjor Zhan Luis Toran (monsignor Jean Louis Tauran), ministrin e Punëve të Jashtme të Vatikanit.
Ky qe arqipeshkv francez.
Biseda e bërë në studion e këtij të fundit kishte qenë jo vetëm e përzemërt, por edhe e gjatë, me në qendër temën e gjendjes në Ballkan, saktësisht në ish-Jugosllavi.
Për lëndën bisedore Ambasada jonë, për aq sa mundi të mbledhë të dhëna mediatike, njoftoi pa u vonuar Tiranën.
Ndërkaq sipas çfarë shpërndau agjencia e lajmeve Adnkronos, Rugova i kish rrëfyer Zhan Luis Toranit çastet më dramatike që pati kaluar në Prishtinë dhe pastaj në Beograd. Njëkohësisht kishte shkëmbyer mendime me të për zgjidhjet e mundshme paqësore të krizës, por përherë me objektiv të parë shmangien e luftës, çfarë donte të thoshte ndërprerjen e bombardimeve të NATO-s.
Ndërmjet të dyve qe folur edhe për një takim të dëshiruar e të pritshëm të Ibrahim Rugovës me Papën, i cili ato ditë ndodhej për një vizitë pastorale në Rumani dhe rikthehej në Romë pak para drekës të së hënës, 10 maj.

Toran për këtë takim të tij me presidentin kosovar duhet ta ketë vënë në dijeni menjëherë Xhovani Palin II, sepse në 9 maj që nga Rumania ai i bëri thirrje opinionit publik ndërkombëtar për mbrojtje të jetës së refugjatëve të shpërngulur nga trojet e tyre.
Ndërkohë një ditë më parë, më 8 maj, prej Vatikanit kishte dalë zyrtarisht lajmi se Papa do ta takonte Ibrahim Rugovën pas kthimit në Romë, të hënën ose të martën, jo më vonë.
Tërë këto rrethana përcaktojnë arsyetimin e hamendësuar se pas bisedës Toran-Rugova dhe asaj informative Toran-Papa, pra në 7 maj apo orët e para të mëngjesit të 8 majit 1999, është vendosur që Karol Vojtila të takonte presidentin e Kosovës.
E theksojmë këtë hollësi për të vënë në dukje se Ibrahim Rugova kishte ato ditë shumë epërsi vëmendjeje dhe kushtëzoi shpejtimin e protokollit të kreut të Selisë së Shenjtë, rast tepër i rrallë jo vetëm në shtrëngesën e njohur proceduriale të saj. Vojtila ishte këtë kohë me sëmundjen e rënduar të parkinsonit, shumë plak dhe pas një udhëtimi jo të shkurtër me avion. Me të mbërritur në Romë ai duhej të shlodhej të paktën disa orë.
Por ndodhi çudia. Takimi i premtuar për të nesërmen, u realizua menjëherë në ditën e mbërritjes së Papës në Romë, pra të martën, 10 maj 1999.
Ndërsa e ndiqnim këtë dinamikë vrapuese dhe të ngatërruar të ngjarjeve, nuk qe e lehtë të largoje prej tyre një copë mjegull që binte pezull dhe rrinte gjithnjë sipër. Në mbrëmjen e një dite më parë nga takimi Rugova-Toran, në 6 maj, televizioni publik italian RAI pati njoftuar nga korespodenti i tij në Beograd se Zhelko Razhnjatoviç Arkan, krimineli i papërmbajtur serb, i cili kishte lëshuar bandat e veta me milicë vullnetarë ultranacionalistë në përndjekje, dëbim dhe vrasje të kosovarëve, e konsideronte Ibrahim Rugovën një personalitet të respektueshëm si për serbët ashtu edhe për shqiptarët.
Po ashtu, tinës, nëpër rrethe italianësh të brujtur me simpati për Partinë Komuniste dhe Lidhjen e Veriut, dy parti në doktrinë të papërputhshme ndonjëherë me njëra-tjetrën, por me admirim të njëjtë për Sllobodan Millosheviçin, u përhapën vrullshëm fjalë se Rugovën e kishin ndihmuar për t’u larguar nga Jugosllavia e mbetur, me ndërhyrje të drejtpërdrejta në pallatin e pushtetit në Beograd, shefi i komunistëve bolshevikë Armando Kosuta si edhe ai separatistëve të Lidhjes së Veriut, Umberto Bosi.
Deri në ato çaste të Luftës së Kosovës që të dy shkonin posaçërisht në Serbi dhe takonin përherë Millosheviçin. Ata nuk pushonin qoftë edhe një ditë pa përsëritur këmbëngulshëm se NATO duhej ta ndërpriste sulmin e saj ajror.
Ndoshta qe kjo rrethanë, përvetësimi i autorësisë të mbartjes së Ibrahim Rugovës nga Prishtina në Romë, motivi që e shtrëngoi superdiplomatin e Papës, drejtuesin e bashkësisë Sant Exhidios, monsinjor Vinçenso Palian, që në mëngjesin e 7 majit, pikërisht në ditën e takimit të pritshëm të Ibrahim Rugovës me ministrin e Jashtëm të Vatikanit, t’i jepte gazetës së djathtë “Il Giornale”, me tirazh 330 mijë kopje ditore, një intervistë, në të cilën të deklaronte publikisht se në Romë Ibrahim Rugova qe në sajë të tij.
Po ashtu Palia theksonte: Çdo veprim imi në këtë sipërmarrje ishte kryer në dijeni dhe koordinim me qeverinë italiane.
Kjo ndërhyrje në kohën e duhur kthjellonte diçka, por jo të tërën e enigmës.
Pyetja cili e kishte nismuar largimin (shpëtimin, por pse jo edhe diversionin) e Rugovës nga ish-Jugosllavia mbetej pa një përgjigje të plotë. Por sqarimi i saj kishte mjaft rëndësi, sepse mund të shpjegonte sadopak çfarë misioni kishte në të vërtetë presidenti kosovar. I vënë nga të tjerët apo edhe prej vetes. Në fund të fundit, edhe pse këto ndikime subjektive Ibrahim Rugova mund t’i kufizonte çfarë roli institucional do të luante në të vërtetë.
Sepse kishte peshë të madhe ndërkombëtare Ibrahim Rugova në ato ditë, ishte “elefant” politik e mediatik. Agjencitë e lajmeve përpunonin rreth veprimeve të tij jo më pak se pesë njoftime ditore. Po këtë ritëm intensiv, plus edhe me artikuj dhe analiza, mbanin edhe gazetat apo televizionet.
Në perëndim Rugova kishte famë të madhe si njeri i paqes, si një Ghandi, në asnjë mënyrë si përfaqësues i luftës. Në Shqipëri dhe përgjithësisht tek shqiptarët ndodhte e anasjella: pikërisht për këtë gjë nuk e çmonin fort. E dëshironin përleshës, me kallashnikov në dorë.
Kjo mospërputhje imazhesh dhe ndikimesh mund çdo herë të shkaktonte përplasje dhe për pasojë jo forcim, por dobësim të çështjes së çlirimit përfundimtar të Kosovës. Kjo kauzë ishte në orën e saj të zgjidhjes dhe çdo mos unitet, vonesë në rënien dakord, vetëm e asgjësonte përfundimisht e përgjithmonë.
Ndërkohë çdo deklaratë e lëkundur e Ibrahim Rugovës, konfuze, as andej dhe as këtej, mund të shkaktonte, edhe pse pa qëllim, një tërmet të madh mes opinionit publik dhe kancelerive perëndimore, pse jo edhe destabilizim të ndjeshëm për çështjen e luftës së domosdoshme me armë kundër një diktatori dhe antishqiptari të pashpirt si Sllobodan Millosheviçi.
Të mos harrojmë njëkohësisht se ato çaste të ditëve të para të pranisë së tij në Romë kishte boll rrethana, të cilat do t’i paraqesim në vazhdim të këtij cikli shkrimesh, por që dëshmonin se operacioni i largimit të tij nga Prishtina qe vënë në jetë prej vetë Millosheviçit. Pra, po të mos donte ai presidenti i Kosovës do të përjetonte vetminë e izolimit në rezidencën e tij në lagjen Velanie, çfarë po ndodhte edhe me prijësin tjetër të rezistencës, Adem Demaçin.
Prandaj për t’i kthjelluar edhe më mirë rrethanat, le të rikthehemi tek problemi kyç: cili e kish ndihmuar në të vërtetë Ibrahim Rugovën të ikte nga rrezikimi i jetës dhe të bënte refugjatin në Perëndim?
Kur në vitin 2012 ndihmësi i parë i Rugovës, Adnan Merovci, do të botonte librin e tij “Në hap me Rugovën”, në të do t’i paraqiste opinionit publik edhe një kapitull me një faqe e një çerek.
E titullonte “Komuniteti Sant’ EXHIDIO”.
Mes të tjerash në të ai thotë se adresa e sheshit Sant’Egidio 3/A në Romë qe bërë e dashur për Rugovën dhe njerëzit e LDK-së që shumë vite para se të niste lufta. Kjo bashkësi, nënvizon Merovci, kishte dhënë kontribut në Shqipëri që në 1988, por sidomos duke filluar nga moti 1991. Atje ndodhen edhe frazat e qarta: “Duke qenë komuniteti Sant’EGIDIO drejtpërdrejt i lidhur me Vatikanin, Ati i Shenjtë ngarkoi imzot Vinçenco PAGLIAN që me mirëbesim të fillojë bisedimet me Qeverinë Shqiptare për liritë fetare që kishin filluar të përhapeshin. I ardhur asokohe si prift me gardërobë fetare ishte i pari që kishte thyer akullin e lirisë fetare që po fillonte në Shqipëri. Sant’EGIDIO si OJQ ishte e para që shkeli tokën në Shqipëri, për të forcuar një zanafillë që pastaj do të shtrihej edhe në vendin tjetër shqiptar”.
“Në Kosovë takuan liderin e pakontestueshëm, Ibrahim RUGOVA”, shkruan më tej Adnan Merovci. “Pothuaj nuk ka pasur vizitë as takim në Romë, vijon ai, që të mos jetë i përfshirë komuniteti tani shumë i famshëm ndër botën shqiptare Sant’EGIDIO”.
Më pas mes tre kontributeve për Kosovën dhënë nga kjo bashkësi Merovci vendos edhe “takimet zyrtare me qeveritarë italianë dhe Selinë e Shenjtë në Vatikan”.
Në këtë kapitull prej një faqeje e një çerek gjendet edhe paragrafi: “Personalisht nuk mund ta harroj zërin e Don Vinçenco PAGLIAS gjatë arrestit shtëpiak (të Ibrahim Rugovës-shënimi ynë), i cili kishte ardhur në Beograd dhe me ambasadorin italian Rikardo SESA përpiqeshin të na lironin”.
Për këtë rrethanë të ndodhur në 9 prill 1999 e kemi informuar shkurt lexuesin në një shkrim pararendës, çfarë tani na detyron ta zgjerojmë dijeninë për të.
Gjatë vitit 1998 Ibrahim Rugova në cilësinë e presidentit të zgjedhur të popullit të Kosovës, kishte bërë të paktën dy takime me ambasadorin italian në Beograd, Rikardo Sesa (Riccardo Sessa): më 19 shkurt dhe në 8 maj.
Takimet u kryen në Prishtinë dhe në të dy rastet e bisedave Rugova pati paraqitur platformën e vet: objektivi ynë i luftës për liri është vetëm nëpërmjet mjeteve paqësore, zgjidhja më e mirë një Kosovë e pavarur me një pakicë serbe që i ruan të gjitha të drejtat.
Në të dy takimet Rikardo Sesa qe shprehur se “qeveria italiane mbështet politikën jo të dhunshme të Ibrahim Rugovës”.
Në 9 dhe 10 prill 1999, pra ndërsa monsinjor Vinçenso Palia ndodhej në Beograd dhe e pati telefonuar Rugovën në Prishtinë, në Romë ndodhi fillimisht një hutim.
Senatori i përjetshëm Xhulio Andreoti, kishte deklaruar se me aq sa dinte ai, “Rugova e ka takuar monsinjor Palian në Beograd”.
Pas kësaj tymnaje u ndez një debat jo fort i përmbajtur midis Këshillit të Ministrave dhe Selisë së Shenjtë. Humbja e qetësisë së të dy palëve u krijua po aq nga hamendësimet e Andreoti sa edhe prej fjalëve të përhapura në media se misioni i Sant’Egidios në Beograd “kishte pasur mbështetjen logjistike të Pallatit Kixhi (rezidenca në Romë e Qeverisë-shënimi ynë)”.
Për njëzetë e katër orë Vatikani dhe kabineti i Masimo D’Alemës, patën bërë, duke e përsëritur herë pas here, përgënjeshtrimin se asnjëri prej tyre nuk kishte dorë në dërgimin e misionit të Sant’Egidios në kryeqytetin serbo-jugosllav.
Të nesërmen e kësaj ngritjeje supesh, më 10 prill, më në fund nënkryeministri Marko Miniti pohoi zyrtarisht: “I kemi uruar sukses misionit, duke e pajisur me mbështetjen e nevojshme logjistike”. Miniti kishte shtuar se objektivi i atij misioni të monsinjor Vinçenco Palias ishte “të sillte udhëheqësin e moderuar shqiptar Ibrahim Rugova në Itali, sepse ato çaste ndodhej në shtëpinë e tij në Prishtinë, nën kontrollin e autoriteteve serbe”.
Sipas Vinçenso Palias, që në mbrëmjen e 10 prillit u kthye në Romë dhe me këtë rast u prononcua, “deri ato çaste Beogradi kërkesës për largimin e Rugovës i është përgjigjur me një “jo”, por gjithsesi kjo nuk i duket përfundimtare”. Monsinjor Palia la të kuptohej se në misionin e tij nuk ishte ngarkuar me mandat nga qeveria, por gjithsesi atë e kishin mbajtur të informuar. Madje zëdhënësi e Sant’Egidios pati nxjerrë në pah: “Kryeministri Masimo D’Alema na ka nxitur disa herë për të përdorur kanalet qeveritare që të mbajmë të gjallëruar të gjithë mundësitë e dialogut me regjimin jugosllav”.
Po atë ditë të 10 prillit 1999 prej këtij debati që vijoi për dyzetë e tetë orë, u mor vesh se nënkryeministri Marko Miniti, pas një bisede telefonike në Romë me Monsinjor Palian, i kishte afruar atij dhe dy bashkëpunëtorëve të tij që e shoqëronin, lehtësira teknike për udhëtim drejt Beogradit. I vunë në dispozicion një avion privat, i cili u nis nga aeroporti Çiampino i Romës dhe u ul në Zagreb. Këtu një makinë e ambasadës italiane në Kroaci e dërgoi delegacionin deri në kufirin me Jugosllavinë e mbetur, Ndërkaq atje i priste një automobil i ambasadës italiane në Beograd, e cila i mbarti deri në kryeqytet, saktësisht në “Hotel Continental”.
Për shkak të bombardimeve të NATO-s këtu ishte strehuar edhe ambasadori Rikardo Sesa.
Nga ky hotel Monsinjor Palia e kishte telefonuar Ibrahim Rugovën, dhe siç pohoi vetë, “e ftuam të vinte në Itali dhe për këtë gjë i kërkuam Beogradit ta linin të nisej. Përshtypja jonë qe se ai pëlqente realisht marrëveshjet diplomatike në vend të luftës dhe po ta deklaronte këtë në Perëndim fjalët e tij do të kishin një peshë tjetër”.
Sekretari personal i Ibrahim Rugovës, Adnan Merovci, në kapitullin “Shkuarja në Shkup gjatë bombardimeve të NATO-s” (mesi i prillit 1999), faqet 303-308 të librit “Në hap me Rugovën”, shkruan: “Katër orë biseduam me ambasadorin Hill në rezidencën e tij, në prani të bashkëshortes së tij, e cila na shërbente me kafe, ëmbëlsira e gjësende të tjera. Folëm për “Shkup e Shkodër”, siç thotë populli. Biseduam edhe për mundësinë e evakuimit të RUGOVËS nga forcat e NATO-s, por HILL më tha se NATO-ja ka vlerësuar se një aksion i tillë mund të kishte pasoja për RUGOVËN dhe familjen e tij, kështu që u pa si e pamundur”.
Në këtë kapitull Merovci pohon se kishin pasur takim “me MILUTINOVIQIN dhe SHAINOVIQIN në Prishtinë, unë këmbëngulësisht kërkova që të na lirojnë ta lëshojmë Kosovën, ishin të padurueshme rrethanat në të cilat na mbanin peng. Ata nuk dhanë garanci se do të na lirojnë, por mbetën ta diskutojnë këtë çështje dhe të na njoftojnë. Në këtë kohë presioni për të na liruar vinte edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Don Vinçenco PAGLIA, një klerik i Vatikanit dhe përfaqësues i komunitetit Sant’EGIDIO nga Roma, na mori në telefon dhe më tha se është duke u përpjekur të na lirojnë, po ashtu edhe ambasadori italian në beograd Rikardo SESA, bënte përpjekje për të na ndihmuar”.
Ndërkohë kishte boll rrethana, të cilat do t’i paraqesim në vazhdim të këtij cikli shkrimesh, që dëshmonin se operacioni i lëshimit të Ibrahim Rugovës qe vënë në jetë prej vetë Sllobodan Millosheviçit. Ishte pjesë e një plani djallëzor për ta demoralizuar sulmin ajror të Aleancës Atllantike dhe përçarë atë.
E mbi të gjitha të zhdukte nga faqja e dheut çdo tjetër udhëheqës shqiptar të Kosovës, i cili nuk qe pacifist e zemërbutë, por mbështeste bombardimin.
Millosheviçi nxiti dhe lehtësoi ikjen e Ibrahim Rugovës, por kapi dhe vrau menjëherë, pa iu dridhur dora për moshën që kishte, numrin dy të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fehmi Aganin.
Kështu njëri fluturonte në ajër e tjetri futej nën dhe.
(VIJON)
_____________________
YLLI POLOVINA: TAKIMI RUGOVA – MILO NË ROMË (MAJ 1999) DHE FILOZOFIA E BISEDAVE TË RUGOVËS ME MILLOSHEVIQIN DHE MLLUTINOVIQIN (PRILL 1999) (1)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8445
***
YLLI POLOVINA: MAJ 1999, ROMË-PARIS, VIJOSLLAV SHESHELJ DHE VUK DRASHKOVIÇ ME ISMAIL KADARENË PËRBALLË (2)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8458
***
YLLI POLOVINA: SHKËLQIMI I EDI RAMËS NË STUDION ‘PORTA A PORTA’ TË BRUNO VESPËS, 18 MAJ 1999 (3)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8486
***
YLLI POLOVINA: 19 MAJ 1999, ANGAZHIME RRETH LUFTËS NË KOSOVË! (4)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8499
***
YLLI POLOVINA: TAKIM SHUMË I NGUTSHËM ME KËSHILLTARIN POLITIK TË AMBASADËS GJERMANE (5)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8514
***
YLLI POLOVINA: SHQETËSIMI I PASKAL MILOS NGA NJË SHTREMBËRIM LAJMI RRETH NJË DEKLARATË TË TIJ PARA GAZETARËVE ITALIANË NË KUKËS (6)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8543

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura