Tiranë, 22 mars 2019: Përfundimisht Grupi i Kontaktit në mbledhjen e tij të fundit, më 08.07.1998, në Bon, midis të tjerave, vendosi që “ekipeve negocuese t’u rekomandoi elementët themelorë për zgjidhjen e problemeve të Statusit të Kosovës”, (pika 8) dhe “pajtohet të punojë drejtë definimit të elementeve të tjera rreth Statusit të Kosovës, të cilat mund t’u ofrohen autoriteteve të Beogradit dhe udhëheqjes së shqiptarëve të Kosovës për një dialog me praninë ndërkombëtare”, (pika 9).
Për të mbritur deri në këtë vendim u desh jo vetëm përpjekja diplomatike ndërkombëtare por duhej të derdhej edhe gjak shqiptarësh, i cili i çoi në krijimin e UÇK-së. Si rrjedhojë e kësaj rruge disa mujore, ku politika dhe pushka ecën paralel, u rrit rezistenca e Kosovës, u shtuan dhe u rrit edhe sasia e opsioneve për zgjedhjen e “krizës kosovare”. Dhe, kur në këto opsione u përfshinë edhe zgjidhje ekstreme, Grupi i Kontaktit doli me deklaratën e mësipërme.
Tash janë hedhur 8 (tetë) opsione të ndryshme, të propozuara nga palë të ndryshme e që japin zgjidhje të ndryshme.
Palët janë 3 (tre):
a) pala ndërkombëtare ose grupi i Kontaktit,
b) pala kosovare dhe
c) pala sërbe.
Dy palët e fundit kanë përkrahësit e vetë, në përbërje dhe jashtë Grupit të Kontaktit, por me një ndryshim thelbësor: përkrahësit e palës sërbe gjykojnë me tifozllëk, pa marrë parasysh parimet ndërkombëtare. Pra, diskutojnë pa Ilogjikë demokratike. Ndërsa përkrahësit e palës kosovare, në çdo rast, flasin mbi bazën e parimeve e marrëveshjeve ndërkombëtare të pranuara nga të gjitha ose shumica e shteteve pjesëmarrëse në forumet ndërkombëtare vendim-marrëse, pra flasin me Ilogjikë demokratike. Për këtë arsye propozimet e tyre janë më bindëse, prandaj dhe po rritet në botë numri i përkrahësve për Kosovën.
Ja dhe opsionet:
1- T’i rikthehet Kosovës autonomia e vitit 1974, sipas Kushtetutës së ish RSFJ, – propozuar nga përkrahësit e palës sërbe.
2 – T’i jepet Kosovës autonomi e zgjeruar, – propozuar së pari nga BE, më 13/03/1998, por tashmë e kanë bërë të vetën edhe Rusia dhe disa vende të tjera.
3 – Kosova të ngrihet në nivelin e Republikës së Tretë të RFJ aktuale, – fillimisht e shprehur nga diplomacia amerikane nëpërmjet shtypit amerikan dhe e përkrahur nga disa shtete të Evropës, por që e kundërshton me forcë Rusia.
4 – Kosova të vendoset nën protektoriatin ndërkombëtar, – e dalë nga diplomacia gjermane, nëpërmjet medies gjermane. Ka gjasa që të jetë edhe mendim zyrtar, bazuar në deklaratën e z.Kinkel, gjatë vizitës në Tropojë, i cili u shpreh me shumë kujdes: “Bashkësia ndërkombëtare nuk dëshiron ndryshim kufijsh. Ne do t’ju ndihmojmë”.
5 – Kosovës t’i njihet Pavarësia. Referendum i popullit kosovar dhe i mbështetur e përkrahur nga UÇK-ja, shumica e partive politike në Kosovë dhe në Shqipëri, qeveritë e tyre respektive dhe nga të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoni e në Mal të Zi.
6 – Të bëhet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Opsion i i UÇK-së,si dhe i disa partive politike radikale në Kosovë e Shqipëri.
7 – Të krijohet Shqipëria e Madhe ose Ballkanija, fillimisht si ide e Adem Demaçit por që përkrahet nga partia që ai drejton dhe grupacione të veçanta të UÇK- së. Menjëherë, Ministri i Jashtëm gjerman në Shkup, pas takimit me Gligorovin, deklaroi: “Shqipëtarët të mos shohin ëndëra për Shqipëri të Madhe” .
8 – Është hedhur edhe një opsion i ndërmjemë dhe si nën zë: Fillimisht Kosova të jetë protektorat ndërkombëtar dhe më vonë Kosovë e Pavarur e neutrale, me të gjitha garancitë për serbët e Kosovës. Ekziston edhe një obsion tjetër: Ndëhyrje ushtarake ndëkombetare ose e thënë ndryshe, Dejton Nr.2, por që është jashtë kompetencave të Grupit të Kontaktit, prandaj edhe nuk e renditëm me opsionet e tjera.
***
Sikudër shihet, kemi një mori opsionesh. Ekzistenca e madhe e tyre ka të mira e të këqia, në favor të të dy palëve ndëluftuese. E mira kryesore e sasisë së madhe qendron në atë se duke patur disa opsione ka mudnësi të manovrosh, por ka edhe një të keqe, mund të hallakatesh dhe të mos dish ku të qëndrosh. Në këtë rast do të fitojë ajo palë që do të jetë më kompakte, më e vendosur dhe me përkrahje më të madhe ndërkombëtare. Parë në planin ushtarak mund të themi se sa më shumë pozicione rezervë të kesh (opsione) aq më mirë është, pasi jo vetem që e “godet” kundërshtarin në befasi, sa herë që ai hidhet në sulm, por edhe kur vendos të kalosh në sulm ke më shumë gjasa të japësh “goditje” preçize atje dhe atëherë kur nuk e pret kudndërshtari, pasi e ke menduar qysh gjatë marrjes së vendimit dhe nuk ia ke lënë rastësisë.
Që palët ndërluftuese, Kosovë e Serbi, të ulen në tavolinën e bisedimeve, paraprakisht kërkohet armëpushim. Armëpushimin e kërkojnë aktualisht pala ndërkombëtare dhe ajo serbe. E kudërshton me të drejtë pala kosovare, duke u shprehur nëpërmjet UÇK-së, se nuk kemi të bëjmë me një luftë frontale midis dy ushtrive të rregullta, por kemi të bëjmë me një luftë midis një ushtrie të rregullt e një populli që po lufton për liri, ku lufta zhvillohet në front jo të rregullt. Si rrjedhojë, shprehet përfaqësuesi i UÇK-së, të dy ushtritë i kanë të shpërndara forcat në të gjithë territorin e Kosovës, e gjithë Kosova është shndëruar në front lufte dhe si e tillë nuk mund t’i kesh nën kontroll të tëra formacionet, pasi nuk i kemi të grupuara. Pala serbe i ka të grupuara, pavarësisht se i ka në shumë vende. “Kjo shpërndarje mund të sjellë incidente të padëshiruara dhe mund të shfrytëzohet si shkak nga pala tjetër për ndërprerjen e bisedimeve”, shprehen përfaqësuesit e UCK-së. Për këtë qëllim, pala kosovare ose më saktë UÇK-ja propozon dhe kërkon që të bëhet tërheqia e tërë ushtrisë, policisë dhe forcave speciale serbe nga Kosova dhe atëherë të ulemi në bisedime.
Mirëpo, porsa liderët kosovarë e ata të UÇK-së shprehen për këtë, pala ndërkombëtare e ajo serbe reagojnë duke thënë se në këtë rast UÇK-ja do të zotërojë 100 përqind territorin e Kosovës dhe si rrjedhojë do të ndodhemi para faktit të Kosovës së Pavarur. Kjo, ata i trëmb.
Për të qënë sa më seriozë në marrëveshje dhe që të mos irritohet asnjëra palë prej propozimit kosovar, është mirë të kërkohet që krahas largimit të forcave serbe nga Kosova, të bëhet zëvendësimi i tyre me forca ndrëkombëtare, të cilat të qëndrojnë deri në afatin që do të vendosin forumet ndërkombëtare vendim-marrëse.
Vetëm në këtë mënyrë do të kemi bisedime në kushte të barabarta e të drejta. Çdo lloj kushti tjetër për bisedime do të jetë në favorin e njërës a tjetrës palë. Gjithashtu, vendosja e forcave ndërkombëtare mundëson edhe zgjidhje të shpejtë të çështjes së Kosovës, pasi diskutimi mund të fillojë nga opsionet që kanë propabilitet më të madh realizimi e që do të përfitojnë të dy palët në konflikt. Me një fjalë, parakushti i parë për t’u ulur në bisedime duhet të jetë tërheqja e forcave sërbe dhe vendosja e forcave ndërkombëtare në kufijtë etnikë midis Serbisë e Kosovës.
Parakushtet e tjera janë ato çka janë theksuar nga të gjitha organizmat humanitare nderkombëtare: lirimi i të burgosurve politikë kosovarë dhe i robërve nga të dyja palët; kthimi i të shpërngulurve në vëndbaniet e tyre, përjashtur ata në Gjermani, pasi kështu do të angazhohet më shumë shteti gjerman; bërja e njohur qysh më parë e ndërmjetësve në bisedime dhe garantim i këtyre bisedimeve. Këtu vlen ta theksojmë se përderisa kërkesa për armëpushim u shtrua pas daljes dhe aktivizimit të UÇK-së, atëhere duhet të kuptojmë se ajo duhet rritur e forcuar çdo ditë, pavarësisht nga ecuria e bisedimeve ndërkombëtare, pasi ajo është e do të jetë leva e Arkimedit për ne.
Kuptohet se dëshira e Grupit të Kontaktit nuk është që të fillojë diskutimi një për një i të gjithë obsioneve që kanë dalë, por mundet të jepen një a më shumë opsione, ku ata kanë mendimin se mund të zgjidhet problemi. Sipas gjasave, opsioni i parë mund të jetë ai i autonomisë së zgjeruar, gjë që për palën shqiptare është e duhet të jetë kategorisht i papranueshëm, sepse kemi të bëjmë me kthim prapa. Ky opsion nuk është gjë tjetër veçse opsioni i parë por i thënë më bukur, sepse asnjë politikan nuk e ka shpjeguar se ku do qëndrojnë ndyshimet midis asaj dhe autonomisë së vitit 1974, si dhe ku fillon e ku mbaron kjo lloj autonomie. Eksperiment me ne shqiptarët?’
Pala ruse do të mundohet të qendrojë te ky opsion, se ashtu ia do interesi vëllait të vogël, por i mungojnë argumentat. Opsioni i dytë është i papranueshëm, duke u nisur nga këndi se kush e përkrah: Jelcini, Gligorovi, Bullgaria, pra vëllezërit sllavë. Menjëherë bindesh se kemi të bëjmë me një grackë.
Përvoja, gjithashtu, ka treguar se autonomitë me atë lehtësi që jepen dhe hiqen, por me sa shohim bota diplomatike, ose nuk i ka njohur ende sërbët ose bën sikur nuk i ka njohur. Mirëpo i njohim ne, prandaj dhe duhet të këmbëngulim.
Përsa i përket opsionit të tretë, ngritjes së Kosovës në nivelin e republikës së tretë, në kuadrin e RFJ aktuale, edhe pse është e pa njohur nga SHBA dhe shumë organizma ndërkombëtare, për ne është i papranueshëm. Rusia bën sikur e kundërshton, por në fakt është maksimalja e tolerancës së saj, pasi është gjysma e së keqes për Serbinë. Po u pranua ky opsion, Kosova do të ngelet nën thundrën serbe. Sipas këtij opsioni kosovarët do të jenë të lirë të ushtrojnë profesionet e tyre privatisht, të hapin shkolla e klube dhe do të kenë edhe policët e tyre dhe kaq. Në qoftë se ne do të pranojmë këtë zgjidhje do të kemi ndalime të mëdha, do të jemi përsëri robër të serbit, sepse do të jemi: të varfër, nga që do të vazhdoi të na vidhet pasuria e begatë mbitokësore e nëntokësore, për të cilën na ka dasht e na do Serbia; ushtria e RFJ-së do të na e bëjë sikundë tani, sa herë që kosovarët të kërkojnë një të drejtë; kuadrot kryesore, në të gjitha pushtetet, do të jenë serbë, pasi Kuvendi i RFJ-së nuk do anojë nga ne se shumicën do ta bëjnë sërbët. Kush do të na çliroi nga këto të treja? Askush.
Për kundërshtimin e këtij osioni duhet të kemi parasysh se serbët, përveç Rusisë, mund t’i mbështesë edhe Franca, pasi i shpërbëhet përfundimisht krijesa e saj e 70 viteve më parë, sepse do që ta ketë mirë me Rusinë, nga që historikisht ia ka patur frikën gjermanëve. Të vetmin argument për qëndrimin e Kosovës nën hyqmin e RFJ, profeci e përdor nga diplomacia botërore, është se nuk mund të shkatërrohet një shtet pse dëshiron shkëputje “një grup etnik”, sikundër ata shprehen. “Nesër – thonë ata – do të dëshirojnë të shkëputen edhe shqiptarët në Maqedoni e në Mal të Zi”, si dhe “kemi të bëjmë me shtete e kufij që njihen historikisht”, etj.
Por, edhe ne kemi kundërargumentat tanë, ku na vjen në ndihmë historia me fakte konkrete. Dhe dihet se faktet janë shumë kokëfortë. Këto fakte janë përmëndur edhe nga të tjerë, por unë po i rendis:
– Shpërbëria e ish-Jugosllavisë, a është prishje kufijsh të vendosur në
traktatin e Versajës?
– Ndarja e ish Bashkimit Sovjetik – a është prishje e Konferencës së Paqes në Paris 1919?
– Bashkimi i dy Gjermanive – a është prishje e marrëveshjes së Jaltës?
– Po kufijt e shqiptarëve, që janë të traktatit më të hershëm të këtij shekulli, pse s’duhet të ndryshojnë?
– Sa lloj peshoresh ka për të përcaktuar standartin e mosndryshimit të kufijve?
Po mirë, lind pyetja tjetër.
– Propozimi që Kosova të bëhet republikë e tretë në cilën marrëveshje bazohet?
– Ku qëndron pengesa dhe çfarë traktati thyejmë në rast se themi Pavarësi e Kosovës dhe jo Republikë e tretë e RFJ?
Këto janë pyetje retorike!
Nuk ka asnjë pengesë objektive, pasi të gjithë traktatet janë shkelur, dhe na u prishka bota po të prishet dhe traktati më i hershëm dhe i vetëm që ka mbetur pa u shkelur. Vetëm për shqiptarët na u shifkan traktatet?! Pra, kemi të bëjmë thjesht me mungesë dëshire, se na i ngelka qejfi një fuqie tjetër. Atëherë ku qëndron e drejta e ventvendosjes së popujve, të cilën populli i Kosovës e ka deklaruar dy herë brenda 4 vjetësh, me votën e tij të lirë?
Pse për ngritjen e Kosovës në nivelin e republikës së tretë të RFJ pranohen të njihen kufij të rinj, ndërsa po këta kufij nuk pranohet të njihen po qe se Kosovës i njihet pavarësia? A ka paradoks më të madh?
Përsa i përket Kosovës, nuk kemi të bëjmë me grup etnik, sikundër kërkojnë ta minimizojnë dilplomatë të ndryshëm. Kosova është një shtet 4 herë më i madh në popullsi se Mali i Zi dhe 1.5 herë më i madh se Maqedonia. Numerikisht shqiptarët, midis popujve në ish Jugosllavi, zinin vendin e tretë.
Për pavarësinë e Kosovës, Parlamenti Evropian ka qenë dakort qysh në vitin 1991, kur njohu të drejtën e vetvendosjes të 8 (tetë) njësive konstituive të ish-Jugosllavisë, por si rrjedhojë e presionit të përkrahësve të Serbisë në Bashkimin Evropian, u gjetën arsye të mos arsyes dhe pas disa muajsh u anullua ai vendim! Me këtë fakt mund të themi se Kosovës i është miratuar e drejta e vetvendosjes edhe nga Evropa, gjë që tregon se nuk ka asnjë arsye objektive për ta penguar atë.
Gjithashtu, bazuar në deklaratën e fundit të përfaqësuesve amerikanë, të cilët Rugovën e quajnë “Përfaqësues legjitim”, do të thotë se ai njihet si president i zgjedhur i Kosovës. Si rrjedhojë edhe shpallja e vetvendosjes së popullit kosovar duhet të njihet, pasi në të njëjtat votime janë shprehur të dy këto vullnete të popullit. Po kështu mund të shprehemi edhe pë njohjen de fakto të UÇK-së nga ana e tyre, etj .
Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se njohja e pavarësisë së Kosovës do të hasi në kundërshtime të ashpra, pasi shumë shtete të Evropës trashëgojnë interesa të vjetra tradicionale me shtete të ballkanit, që nuk janë me këtë opsion. Këtu besoj se të dy palët do të kalojnë në mbrojtje.
Vlen të përmendim se SHBA kanë deklaruar se nuk parashtrojnë asnjë opsion, pasi ka përputhje midis kërkesave të shqiptarëve me konceptet strategjike të SHBA, mbi të drejtat e vetvendosjes të popujve, qofshin ata të mëdhenj e të vegjël dhe se të gjitha opsionet e ngritura janë biseduar me Milosheviçin (Rilindja 12/07/ 1998). Kjo na bind se nuk duhet të lëvizim nga kërkesa e jonë për pavarësi dhe të mos rrimë vetëm në mbrojtje, por të hidhemi në sulm, pasi mbrojtja më e mirë është sulmi.
Në këtë pikë duhet të mësojmë nga kundërshtari, i cili ka një shekull që po angazhon institucione të tëra shkencore për të bindur botën se Kosova është Serbi, sipas parimit: “Shpif, shpif se diçka do të mbetet”. Prandaj, o sot o kurrë, të gjithë historianët, politikanët, gjeografët e diplomatët e gjithë kombit shqiptar, duhet të punojnë si kurrë ndonjëherë! Për këtë qëllim duhet të angazhohen të dy qeveritë tona dhe gjithë drejtuesit e partive politike, andej e përkëtej kufirit. Është mirë të lënë gër-mëret për kolltuqe e për primo dhe të ndihmojnë në sjelljen e sa më shumë fakteve e argumentave bindës, me qëllim, që të fitojmë këtë luftë, duke i qëndruar besnik parimit të njohjes së shteteve sipas etnisë, historisë, territorit, gjuhës dhe kulturës. Këtu duhet bërë kujdes në përzgjedhjen e negocuesve në bisedime e në përbërjen gjithëpërfaqësuese.
Kjo luftë kërkon bashkimin e mendjeve, pasi historikisht na kanë bashkuar me detyrim udhëheqes të zotë e idealistë për kombin, por despotë, që fatkeqësisht kanë qenë shumë larg në kohë me njëri-tejtrin, prandaj dhe nuk e kemi edukatë bashkimin.
Bashkim i qëndrueshëm është bashkimi i mendjeve.
Ne shqiptarët, situata e sotme duhet të na e fiksojë njëherë e përgjithmonë se puna që nuk vdes kurrë në jetë të jetëve, është ajo që buron nga bashkimi i mendjeve! Të merremi vesh e të bashkohemi në një mendje për çështjen e Kosovës – kjo ështe detyra Numër Një e të gjithë shqiptarëve, pasi historia ka treguar se, ” Shqiptari për çudi edhe bashkimin e quan një farë freri të padurueshëm, në të cilin e fut kokën në orën e zezë të rrezikut, dhe të cilin e merr nëpër këmbë posa kthjellohet koha pakëz.” – thotë Fan Noli.
Mundet që edhe të mos e realizojmë 100 pëqind qëllimin, prandaj politika dhe diplomacia e jonë duhet të dinë të manovrojnë me opsionet e tjera, që të pranohen edhe nga UÇK-ja edhe nga pala kundërshtare. Por ne duhet të jemi të përgatitur edhe për variantin më të vështirë e të gjatë, ta fitojmë pavarësinë me çdo kusht, prandaj dhe e kemi UÇK-në, e cila nesër mund të marri një emër tjetër, në qoftë se lufta do të marri dimensione të tjera. Vetëm të jemi të gjithë të bashkuar, se do të fitojmë.
“Rilindja”, 19 korrik 1998
VIJON…
__________
DILAVER GOXHAJ (SHPËTIM GOLEMI): AKSIONET (E ARMATOSUR) DUHET TË ZHVILLOHEN NË TË GJITHË KOSOVËN (26 QERSHOR 1998)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8589