DR.ROVENA VATA: JAM PËRPJEKUR TË SHPËRFAQ BAZAMENTIN E VLERAVE IDENTIFIKUESE KULTURORE – SHPIRTËRORE

Tiranë, 2 prill 2019: “Identiteti është pasaporta jote e prezantimit të vlerave, për të treguar se nga e cili komb je apo vjen. Identitet do të thotë bukë, ujë, nëna, babë, motër, vëlla, fëmijë, familje, qiell, diell, atdhe, fe, kulturë, traditë. Pra, identiteti është ndërlidhja e disa faktorëve së bashku, si të atyre ekonomikë, socialë, politikë dhe kulturorë. Varet prej nesh se cilës i japim më shumë përparësi” – kështu ka thënë studiuesja jonë e shquar, Rovena Vata, në një intervistë që ka zhvilluar Artesa Osmanaj.
Artesa Osmanaj: Znj. Rovena, libri juaj i fundit, “Identitet kulturor përmes vlerash”, përfshin trajtesa, studime, artikuj dhe recensione, që shpërfaq bazamentin e vlerave identifikuese kulturore-shpirtërore. A pajtoheni me këtë konstatim?
Rovena Vata:
Sigurisht Artesa. Ky ka qenë edhe qëllimi i këtij studimi dhe pagëzimi me titullin: “Identitet kulturor përmes vlerash”, besoj ka përcjellë mesazhin e duhur.
Ky libër ndahet në 8 pjesë. Pjesa e parë fillon me dy studime, të cilat trajtojnë figurën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Viti 2018 ishte viti mbarëkombëtar, 555 vjetori i vdekjes së Skënderbeut. Ky vit jubilar shërbeu, për të iu rikujtuar brezave vlerën identifikuese, që përbën identitetin tonë kombëtar, kudo ku ndodhemi nëpër botë.

– Dr.Rovena Vata –

Për figurën e Skënderbeut janë bërë shumë studime, monografi, kumtesa dhe përsëri ka vend për të shkruar për këtë, figurë përfaqësuese identitare të popullit shqiptar. Duke filluar me autorin Gjikë Kuqali, i cili në tregimin e tij “Ëndrra e Skënderbeut”, e sjell figurën e Skënderbeut, përmes fakteve historike dhe trillit letrar, më afër se kurrë shqiptarëve dhe Shqipërisë. Skënderbeu na shfaqet në këtë tregim të Kuqalit, për mënyrën e tij të të menduarit dhe mënyrën sesi i vuri në zbatim idetë e tij, për një Shqipëri, e cila ishte e pushtuar dhe që ai nuk harronte asnjëherë se ajo ishte nëna e tij dhe se ajo e lindi.
Kurse në trajtesën e dytë për poemën “Skënderbeu” të autorit Beqir Musliu, ku trajton figurën e Gjergj Kastriotit-Skënderbut, si vlerë identitare kulturore dhe shqiptare, që duhet të njihet brez pas brezi. Përmes Gjergjit, autori sjell doket, traditat, folklorin, historinë, gjuhën, ninullën, këngën, legjendën, heroin, lahutën, çiftelinë, plisin, zanat, dragoin etj.
Në ruajtjen e identitetit kulturor edhe revista “Shêjza”, me ideatorët dhe drejtuesit e tyre, siç ishin Ernest Koliqi dhe kryeredaktori i saj Martin Camaj. Dyshja Koliqi-Camaj, këto dy personalitete të letrave shqipe, ndihmuan në ruajtjen e vlerave identitare kulturore, të cilët promovuan ide të reja, koncepte të reja, studime të reja dhe autorë të rinj.
Kultura materiale është e lidhur fort me atë shpirtërore, siç është ajo e shkrimtarit të ekzilit, Martin Camaj, i cili e dha ndihmesën e tij, në letrarizimin e miteve dhe dokeve të zonës së Dukagjinit në romanin “Rrathë”, përmes fjalës dhe sjelljes së zakoneve të letrarizuara.
Ai i cili ka folur shpeshherë për identitetin është edhe shkrimtari ynë Ismail Kadare. Në këtë libër nuk kam trajtuar diçka nga vepra e tij, por mënyra sesi ai është parë nga lexuesi, në rastin konkret nga Helena Kadare në veprën e saj “Kohë e pamjaftueshme”, ku në këtë vepër ajo jep detaje, sesi janë ngjizur secila vepër e Kadaresë. Ajo në këtë vepër sjell në vëmendje momentet, që secila vepër e tij, ka filluar të shkruhet nga autori, kush kanë qenë motivet, shtysat. Secila prej veprave të Kadaresë dimë që janë pjesë e mozaikun të madh identitar të vlerave kombëtare shqiptare.
Mitrush Kuteli në këtë studim, sjell ruajtjen e vlerave identitare, në formën më fanatike dhe tradicionale. Kuteli shprehej se ishte i magjepsur nga folklori shqiptar. Jam rritur me rrëfimet e gjyshes dhe të pleqëve-shprehej ai. Një tjetër element që i dallon rrëfenjat e tij, është besëtytnia. Pra ne si popull edhe sot e kësaj dite, besojmë në besëtytni. Fakti që shprehemi se mos na marrin më sysh, të kanë marr mësysh apo mos të të marrshin mësysh, janë pjesë e traditës sonë shpirtërore. Mbajtja e hajmalive për tu mborjtur nga të këqijat apo hedhja e kripës në zjarr për ta shuar të keqen, janë pjesë e trashëgimisë tonë shpirtërore ndër breza.
Në këtë libër studimor nuk mund të mungonte as Anton Zako Çajupi, i cili trajtoi në mënyrë ironike disa nga mentalitetet e vjetra, që janë pjesë e trashëgimisë kulturore shpirtërore, të traditës shqiptare, sidomos femomenin e martesave. Kujtojmë këtu martesat, që në bark apo martesat që në djep.
Më pas ajo çfarë për mua përbën vlerë dhe duhej të përfshihej patjetër në këtë libër me studime, ishte edhe dorëshkrimi 100 vjeçar “Arithmetika Praktike” e Leonidha Çikës, ku trajtohet me shumë profesionalizëm mënyra sesi duhet të jetë një mësimdhënës. Aty ai flet për filozofinë e mësimdhëniës, për pedagogjinë e shpjegimit, për psikologjinë e të nxënit apo edhe për etikën profesionale të mësimdhënësit. Fare mirë ky dorëshkrim, mund të përdoret edhe sot, si një manual, për të gjithë ata që japin mësim në auditore.
Lef Nosi është një tjetër personalitet, që nuk mund të mos përfshihet në këtë libër, me titullin “Identitet kultuor përmes vlerash”. Nosi, ky firmëtar i pavarësisë së Shqipërisë, njihet si një ndër mbledhësit më të vyer të folklorit mbarëshqiptarë. Ai ka të ruajtur nëpër arkiva një pasuri kombëtare të trashëgimisë kulturore shpirtërore, që shpalos identitetin tonë kulturor përmes vlerash. Në rastin konkret në jemi ndalur vetëm në ato dokumente, të cilat gjenden të ruajtura, në arkivin e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, në Tiranë. Të merresh vetëm me vlerat, që Lef Nosi ka sot të ruajtur nëpër arkiva, nuk na del koha të merremi me studime të tjera, pasi aty ai ka të arkivuar gjuhën, këngën, lindjen, dasmën, vdekjen, mënyrën e perceptimit dhe të vepruarit të shqiptarëve, kudo ku ai ka mbledhur traditë.
Libri “Identitet kulturor përmes vlerash” nuk mund të ndalej vetëm në identitetin kulturor brenda për brenda Shqipërisë, pa qenë aty të prekura edhe ato tradita, të cilat na bashkojnë të gjithë shqiptarëve anë e kënd botës. Pra kemi trajtuar vlera kulturore identitare edhe të zonës së Hotit, ku identiteti kulturor shpirtëror, në këtë zonë frymon dhe flet shqip, zonën e Rugovës përmes vlerave identitare të epikës legjendare të Rugovës, ku ka për autor folkloristin profesor Zymer Nezirin. E shumë folura oda e Junikut, në këtë libër vjen e trajtuar përmes punimit “Pleqnia në Kanunin e Lekë Dukagjinit”. Zona e Opojës, me përfaqësuesin e saj, Bedri Halimin, ku kam theksuar faktin, që veprimtaria e tij letrare dhe studimore, nuk duhet të lihet mënjanë nga studiuesit, por pa harruar Luginën e Preshevës, ku ëndrrat e këtyre banorëve duhet të bëhen realitet dhe vlerat identitare janë të ruajtura më shumë se kudo tjetër, përmes recensionit për letërsinë për fëmijë me autor Bilall Maliqit dhe për ta përmbyllur me recensen e fundit të autorit Gjon Marku për veprën e tij “Gazullorët”-Traditë shqiptare në Rilindjen Evropiane.
Artesa Osmanaj: Znj. Rovena: Identiteti a nënkupton shpirtin e popullit nëpër kohëra dhe breza?
Rovena Vata:
Identitet është çdo ndjesi që ta do zemra dhe ta thërret shpirti. Identitet do të thotë të këndosh në gjuhën e nënës, të qash në gjuhën e nënës, të bërtasësh në gjuhën e nënës. Gjuha e zemrës është gjuha e identitetit. Identiteti është pasaporta jote e prezantimit të vlerave, për të treguar se nga e cili komb je apo vjen. Identitet do të thotë bukë, ujë, nëna, babë, motër, vëlla, fëmijë, familje, qiell, diell, atdhe, fe, kulturë, traditë. Pra, identiteti është ndërlidhja e disa faktorëve së bashku, si të atyre ekonomikë, socialë, politikë dhe kulturorë. Varet prej nesh se cilës i japim më shumë përparësi.
Artesa Osmanaj: Kush e ruan më fuqishëm identitetin kulturor, libri, folklori, kultet, doket, epika apo të gjitha ngapak?
Rovena Vata:
Folklori, kultet, doket apo epika nuk do kishin kuptim pa bartësit e tyre. Pra identitetin kulturor, e ruan më shumë nga çdo gjë vetë njeriu. Secili prej nesh është nga pak bartës i traditave tona, ku jemi rritur dhe jetojmë. Njeriu është brenda këtyre vlerave, është zbatues dhe transmetues i tyre nga njëri tek tjetri. Njeriu është përgjegjës, nëse i përçon ashtu si janë, i zbeh ato, duke i moderuar apo i sjell ashtu origjinale, që në zanafillë të tyre. Libri është mbrojtësi më i mirë i identitetit kulturor, pasi i sjell ato veç e veç ose gërshetuara të gjitha së bashku.
Artesa Osmanaj: A identifikohet një popull me një identitet kulturor përmes vlerash?
Rovena Vata:
Po, pasi ndër shenjat identifikuese të një kombi është gjuha. Pra shenjë identifikuese e popullit shqiptar në shekuj padyshim, që është gjuha shqipe. Populli shqiptar për të mos u shuar, ka ruajtur elementin e saj kryesor gjuhën. Mos të harrojmë punën dhe ndihmesën e pamatë, që kanë dhënë rilindasit tanë në këtë drejtim. Për tu identifikuar si popull përmes vlerash, Naimi Frashëri bënte thirrje, që gjuha shqipe duhet të shkruhet, për të nderuar kombin.
Nëse nuk do të identifikohemi si popull përmes vlerash atëherë pse Naimi shkruante:
“Të shkruajm’gjuhën tënë,
Kombin’ ta ndritojmë,
Gjithë ç’është e ç’ka qënë,
Ngadalëzë ta mësojmë”.

Po kështu edhe Fishta theksonte, që gjuha shqipe është një pasuri, është një trashëgimi, që të parët ua kanë lënë fëmijëve, brezave pasardhës dhe mallkon, ata që e përbuzin këtë gjuhë, pasi sipas tij, gjuha shqipe është gjuhë hyjnore. Shqiptarët e lënë gjuhën shqipe pas dore dhe fëmijës nuk ua mëson gjuhën shqipe, por u mëson gjuhën e huaj.
“Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
Qi këtë gjuhë të Perëndis’
Trashigim, që na la i pari,
Trashigim s’ia len ai fmis;
Edhe atij iu thaftë, po, goja,
Që përbuzë këtë gjuhë hynjore;
Qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
Flet e t’veten e lén mbas dore”.

Pra si rrjedhim i kësaj mund të themi se çdo kulturë krijohet dhe zhvillohet përmes gjuhës së vet. E parë nga pikëpamja sociologjike gjuha është sistem simbolesh me kuptime të njësuara nëpërmejt të cilave anëtarët e së njëjtës kulturë komunikojnë me njëri-tjetrin. Të gjitha kulturat kanë një gjuhë të folur, por disa prej tyre nuk kanë pasur sistem të shkruari. Gjuha është sistemi më i rëndësishëm i simboleve nëpëmjet të cilit trasmetohet kultura nga një brez në tjetrin, për këtë arsye gjuha është konsideruar si trashëgimi kulturore në formë të koduar. Çdo fjalë ose njësi frazeologjike, që përdorin njerëzit i ka rrënjët në veprimtarinë e brezave paraardhës ose bashkëkohës. Gjuha është treguesi më i mirë i fatit historik të një populli.
Artesa Osmanaj: A po ruhet identiteti kulturor në shekullin 21 apo po ngjyroset me ikje nga vlerat tradicionale, që janë përcjellë me shekuj deri sot?
Rovena Vata:
Mu kujtua Filip Shiroka me poezinë e tij “Si po prishet gjuha shqype?”, ku kërkonte të ruhet gjuha shqipe dhe të hapen shkolla sa më shumë, për zhvillimin e kulturës dhe të arsimit në vendin tonë. Shiroka e fillon poezinë e tij më këtë urim:
“Gjyshat tonë, eh, paçin dritë!.
Çojmë n’dhe t’huej djalin m’u msue,
Kombin tonë m’e përparue,
Dhen tonë m’e nderuemun;
Rri n’shkollë djali pesë-gjashtë vjet,
Kur vjen n’Shkodër, shqyp nuk flet,
Shqypen ka harruemun!!!”
.
Po zbehet gjuha e pastër shqipe, po zbehen traditat autoktone shqiptare. Edhe kur rimerren në ndonjë rast, ato janë të miksuara me elemente të mirëfillta të modernitetit.
Artesa Osmanaj: Sa je e lumtur me gjithë çfarë ke trajtuar në këtë libër identitar, ngase është libër specifik në këtë fushë?
Rovena Vata:
Jam e lumtur të them të drejtën, që ky libër ka parë dritën e botimit. “Jo çdo gjë që ka vlerë, mund të numërohet dhe jo çdo gjë që mund të numërohet, ka vlerë”- ka thënë Ajnshtajni, kurse unë mund të them se sa vlen ky botim, do e thotë kritika letrare.
Intervistoi: Artesa Osmanaj

_________
KUSH ËSHTË RFOVENA VATA
ROVENA VATA – DOKTORE SHKENCASH MË E REJA NË FUSHËN E STUDIMEVE TË LETËRSISË DHE ANTROPOLOGJISË SHQIPE!
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=2753
***
DR.ROVENA VATA
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=3230
***
ROVENA VATA, VAJZA ME ORIGJINË NGA HASI, GAZETARE, PEDAGOGE, STUDIUESE, ALBANOLOGE…
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5502
***

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura