DILAVER GOXHAJ (SHPËTIM GOLEMI): PSE UÇK-ja E HUMBI KONTROLLIN NË SHUMË TERRITORE TË SAJ? (SHTATOR 1998)

Pashtriku, 5 Qershor 2019: Dimë se lufta në Kosovë erdhi si pasojë e politikës shtypëse të Serbisë. Shtypja e popullit kosovar nga Serbia, gjatë këtij shekulli dhe sidomos gjatë dy dekadave të fundit, shpeshherë ka marrë format e përleshjeve të përgjakura e të djegieve masive, e cila tregon shkallën e ulët të demokratizimit të këtij shteti. E themi këtë, pasi dihet se sa më i demokratizuar të jetë një shtet aq më e dobët është dhe shtypja nacionale dhe anasjelltas. Por, përsa i përket Serbisë, ajo ka ndërhyrë dhe po ndërhyn egërsisht në jetën e brendshme të kosovarëve dhe po i shtyp ata nga çdo pikëpamje. Sërbia, këta dhjetë vjetët e fundit, u ka prishur kosovarëve barbarisht institucionet shtetërore dhe kulturore të tyre, u ka rrëmbyer në mënyrë grabitqare çdo pasuri kombëtare të tyre dhe po bën të gjitha përpjekjet për ta shpopulluar një pjesë të Kosovës. 

Entuziazmi i UÇK-së
Kjo politikë e vazhdueshme dhe e padurueshme e Sërbisë bëri që më në fund të gjitha shtresat e popullit shqiptar kosovar ta largojnë vëmendjen e tyre nga çështjet sociale, duke menduar vetëm për ato kombëtare. Kjo solli krijimin e UÇK-së, “dalëzotësen e Kosovës, për ta mbrojtur atë përpara kasapit serb”. Kjo ushtri e re filloi të formohet gradualisht dhe luftoi me entuziazëm disi të tepruar. Ky entuziazëm buronte dhe buron nga shpresat për liri dhe pavarësi të Kosovës, por edhe si rrjedhojë e disa sukseseve që pati fillimisht UÇK-ja në shumë luftime me forcat e policisë serbe.
Entuziazmi i UÇK-së ishte pjesë e entuziazmit të popullit të Kosovës. Dihet se entuziazmi kombëtar ka rëndësi shumë të madhe për luftën, pasi ai jo vetëm që shpie në krijimin dhe rritjen e shpejtë të ushtrisë së vetë çlirimtare, por edhe do ta mbështesi këtë luftë me të gjitha mënyrat, sikundër po vërtetohet çdo ditë në Kosovë. Mirëpo kjo luftë nuk mund të fitohet kurrë vetëm me entuziazëm. Kjo luftë ka nevojë për disiplinë dhe organizim të përsosur, pasi kemi të bëjmë me një armik tepër të egër. Në të kundërt do të bëjmë gabime me pasoja jo të mira, sikundër na ndodhi me UÇK-në e porsaformuar, e cila pas katër muaj lindje dhe lufte, u desh të humbiste kontrollin në shumë territore të kontrolluara më parë prej saj.

Në këtë shkrim do të mundohemi të rendisim se cilat ishin disa nga arsyet kryesore që na çuan në humbjen e territoreve, si dhe të mundohemi të mësojmë nga gabimet tona, që të mos na ndodhin në të ardhmen.
– Së pari, plani strategjik i UÇK-së ishte i përpunuar për luftë kundër policisë serbe dhe jo kundër ushtrisë serbe. Kjo u pa qysh në momentin e futjes në luftim të njësiteve të veçanta të ushtrisë serbe, ku UÇK-ja nuk mundi ta përballonte sikundër i kish përballuar, deri atëhere forcat policore dhe detyrimisht ndoqi taktikën e tërheqjes.
Do të ishte mirë që kur Serbia u detyrua të fuste në luftim ushtrinë e saj, UÇK-ja të mos mjaftohej me tërheqjen pa luftim (me disa përjashtime), por të përpilonte një plan të ri strategjik, i cili t’i përshtatej luftës kundër ushtrisë serbe dhe mundësisht, ky plan të kishte veçori për secilën zonë e nënzonë operative, në përqasje me terrenin dhe drejtimet.
Në situatën që është krijuar tashti kërkohet një plan i ri strategjik. Në këtë plan të ri duhet të parashikohet me kujdes jo vetëm mënyra e organizimit dhe përhapjes së forcave, por edhe orientimi i drejtë i tyre për një qëllim të caktuar dhe ky qëllim të mos ndryshojë deri në arritjen e tij dhe pastaj të përpilohet një plan tjeter strategjik.
Thelbi i disfatës së pjesëshme e të përkohëshme të UÇK-së nuk qëndron vetëm tek gabimi i mësipërm, pavarësisht se është kryesori, por edhe në taktikat e ndjekura nga formacionet e UÇK-së. Kuptohet, taktika, detyrat i merr nga strategjia, por për zbatimin e detyrave ajo duhet të shfrytëzojë situatat konkrete si dhe mënyrat konkrete.
Për këtë qëllim formacionet e UÇK-së nuk duhej të kryenin luftime luftarake sporadike e në mënyrë kaotike, por të bënin raportin e forcave ndërluftuese dhe të përcaktonin mënyrat e të luftuarit, në përqasje me terrenin ku ato veprojnë. Për shkak të entuziazmit fillestar, i cili në vend të vinte drejt rënies erdhi gjithnjë në rritje, u bënë edhe veprime të papeshuara, që çuan në gabime taktike. Çdo ditë dëgjoheshin deklarata entuziaste, në të cilat thuhej se UÇK-ja kontrollon 10%, 29%, 30% e deri 40% të territorit të Kosovës. Duke dëgjuar këto deklarime, shpesh shfaqej dyshimi: “Kosova dhe UÇK-ja do të jenë me fat të madh në rast se Serbia nuk do të kundërpërgjigjet me përdorimin e forcave të saj të armatosura”.
Me fitoret që UÇK-ja pati kundër forcave të policisë serbe, UÇK-ja e përfytyroi Serbinë si të goditur për vdekje dhe vehten e saj si triumfatore dhe menjëherë kaloi në “çlirimin” e qyteteve, duke kujtuar se e çliruan Kosovën. Por kundëpërgjigja u dha me forcat e armatosura dhe UÇK-ja u detyrua të tërhiqet.
Edhe një herë rreth luftimit në Rahovec
Për dhënien e kundërpërgjigjes ushtria serbe gjeti momentin më të përshtatshëm, “çlirimin” e qytetit të Rahovecit, kur forcat e UÇK-së, si rrjedhojë e suksesit, humbën vigjilencën. Mirëpo ai ishte një sukses taktik që s’i përgjigjej suksesit strategjik. Historia ushtarake njeh rastet kur suksesi taktik e dëmton suksesin strategjik. Në raste të tilla sukseset taktike duhet të mënjanohen.
Marrja e Rahovecit nga UÇK- ja ishte një sukses taktik i shkëlqyer, por nuk u përgjigjej mundësive strategjike, sepse krijoi një situatë katastrofike për UÇK-në dhe gjithë luftën në Kosovë. Pra, në këtë rast taktika bëri gabim, ajo iu nënshtrua interesave të çastit, efektit politik imediat, por u shkëput nga realiteti. Pse themi u shkëput nga realiteti? E themi këtë pasi marrja e Rahovecit nga UÇK-ja ishte një provë force e parakohëshme, sepse u bë pa u pjekur kushtet. Të bësh të tilla prova:
së pari, duhet që kundërshtari të ketë dhënë shenja të demoralizimit të ushtrisë së tij. A e patëm këtë shenjë? Jo.
Së dyti, duhet që të kesh siguruar rezervat e nevojshme në forca, mjete dhe armë, me qëllim që të përballosh kundërveprimin e mundshëm të armikut. A i kish siguruar ato UÇK-ja dhe a e përballoi kundërveprimin e armikut? Jo.
Së treti, duhet të kesh bërë mirë llogaritjen e forcave dhe të kesh parashikuar edhe rastin për të kaluar në mbrojtje në rast kundërveprimi të armikut me forca të shumta. Edhe kjo, me sa duket, nuk ishte llogaritur.
Së katërti, duhet, që kur ndërmerr veprime të tilla armiku të pësojë dëme të mëdha, që të mos e marrë shpejt dhe lehtë vehten. A ndodhi kjo? Jo, sepse armiku jo vetëm që s’pati shumë forca në Rahovec, por edhe ato që pati iu shpartalluan, por nuk iu asgjësuan.
Së pesti, po ndërmore veprime luftarake për çlirimin e qyteteve duhet të jesh i përgatitur për të kaluar në mësymje të përgjithshme, gjë që për UÇK-në, në atë periudhë, as që mund të mendohej dhe jo të realizohej. Pra, me një fjalë, të bësh prova force të tilla, duhet të jesh gati për gjithçka, gjë që UÇK-ja nuk pati mbërritur në atë stad.
Duke qenë se ramë në të tillë gabim taktik, ushtria serbe mundi ta shfrytëzonte me sukses dhe bëri atë që tashmë e shohim të gjithë. Ajo ushtri e ka shumë të lehtë t’i shfrytëzojë këto gabime të kundërshtarit, pasi ka një shtatmadhëri me përvojë, të organizuar në shkallën më të lartë si dhe shumë të stërvitur.
Lufta për marrjen e Rahovecit, edhe pse u fillua pa mend, kishte shumë mundësi që të përfundonte me mbajtjen e tij, po të organizohej gjithë popullsia e Malishevës dhe e Rahovecit, si dhe e fshatrave të tyre të afërta, dhe para së gjithash të ishin armatosur. Ky organizim duhej të kishte synim jo për të bërë mbrojtje pozicionale, po për të kryer një sërë goditjesh të shpejta e të shpeshta në shpinë të të gjitha kollonave serbe, që u afruan në drejtim të këtyre dy qendrave. Kjo nuk u bë dhe, përgjegjësinë, si për kryerjen e sulmit ashtu edhe për tërheqjen pa luftime nga të dy këta qytete të Kosovës Qëndrore, e ka pazotësia e komandantëve të formacioneve të UÇK-së, që ndërmorën këto veprime. Kuptohet, që edhe disiplina e këtyre forcave duhej të ketë qenë e dobët, por jo aq sa të tërhiqeshin si të shpartalluar, duke e lënë popullsinë në mëshirën e represionit serb. Ky rast vërteton përvojën historike, se atje ku mbaron rezistenca mbrojtëse e ushtrisë, fillon rezistenca mbrojtëse e popullsisë.
Mungesa e shumëllojshmërisë së armëve, ja një arsye tjetër e tërheqjes së UÇK-së nga territoret e kontrollura prej saj. UÇK-ja dispononte vetëm armë të lehta të këmbësorisë, ndërkohë që kundërshtari i saj është një ushtri tepër serioze, pasi jo vetëm që zotëron të gjitha llojet e forcave të armatosura në sasi dhe lIojshmëri të madhe, por ajo zotëron dhe i shfrytëzon të gjitha rrugët e Kosovës, nëpërmjet të cilave ajo ka mundësi të bëjë manovrueshmërinë e këtyre forcave, pa folur për zotëri- min absolut të ajrit, dhe ekzistencën e një prapavije të organizuar në mënyrë prefekte. Prandaj dhe ushtria serbe pjesën më të madhe të të gjitha sukseseve të saj ia dedikon dhe ia di për nder armatimit dhe teknikës së saj.
Ky dispropocion në armatim midis UÇK-së dhe ushtrisë serbe është rrjedhojë e gabimit në kohë të të gjitha forcave politike në Kosovë, që e pranojnë edhe rrugën e fitores së lirisë me forcë, por edhe drejtuesve kryesorë të UÇK-së, që nuk janë kujdesur ose janë kujdesur shumë pak për armatosjen e UÇK-së dhe të popullit të Kosovës, në përqasje me ushtrinë që do të përballeshin e që po përballen.
Popullsia e Drenicës, Deçanit, Dushkajës, Junikut, Rrekës së Keqe, Lugut të Baranit, Malishevës, Rahovecit, Klinës, Suharekës e gjetkë u ngrit dhe luftoi kundër policisë dhe ushtrise serbe, por kjo e fundit mundi ta shpërngulte pjesën më të amdhe të kësaj popullsie. Kjo ndodhi jo se ky popull nuk di të luftojë, por se nuk patën armët e mjaftueshme e të nevojshme ose i patën ato me pakicë. Sado trim, i ndërgjegjshëm e i vendosur të jesh për të luftuar, por po nuk pate armë nuk lufton dotë. Pa armë nuk vritet armiku. Kosovarëve iu desh që ta provonin në kurrizin e tyre epërsinë e serbëve në armatim të një shkalle të lartë, që të bindeshin se kanë të bëjnë me një kundërshtar që nuk jepet lehtë. Kuptohet se këtu kanë dëmtuar edhe veprimi et shumë të dyshimta të dorzimit të armëve, për të cilat ende nuk kemi informacionin e duhur.
Lufta për çlirimin e Kosovës ka hyrë sot në një fazë ku të gjithë e pranojnë nevojën e armatosjes me të gjitha llojet e armëve, për të luftuar ushtrinë e blinduar serbe, prandaj UÇK-ja dhe institucionet e tjera të Kosovës duhet të shtrojnë hapur dhe qartë detyra konkrete.Ato duhet të krijojnë organe të veçanta për të bërë armatosjen e popullit, ku të përfshihen edhe plane për sulmimin e depove dhe te reparteve të armikut për marrjen atje të armatimit dhe të municioneve. Armët merren vetëm me armë. Kjo punë dihet që është e vështirë, prandaj kërkon të organizohet me përgjëgjësi, me përpjekje të përbashkëta dhe problemet e bindjeve politike nuk duhet të lejohet të pengojnë aspak bashkimin e të gjitha forcave në këtë drejtim.
Gjithashtu, në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar në këtë situatë veprime të tilla si ndarja e drejtë për drejtë e armëve në popull, pasi është e vështirë t’i shpëtojë syrit të policisë serbe. Për këtë veprim e pësuam gjatë muajit gusht, ku në shumë fshatra të Gjakovës, Deçanit, Vushtrisë dhe Malishevës policia i diktoi dhe i grumbulloi me forcë armët e shpërndara në popull. Ato duhet t’u jepen formacioneve të UÇK-së. Në ketë angazhin është mirë të aktivizohet edhe pushteti lokal vetëqeverisës. UÇK-ja, si ushtri e re që është, vuan nga të gjitha të metat që karakterizojnë ushtritë e këtij lloji. Njëra nga më kryesoret është mungesa e stërvitjes së formacioneve të saj, pa folur për kompaktësimin e tyre. Ato ishin të pastërvitura jo vetëm se si të luftonin me llojet e ndryshme të forcave serbe, por as se si të luftonin me armë për të rrëmbyer armë dhe të armatoseshin vetë ato dhe populli.
Në luftimet e deritanishme është parë se luftëtarët e UÇK-së kanë luftuar si heronj,por po nuk dite se si të luftosh dhe si ta drejtosh luftën,atëhere e humb gjakun kot. UÇK-ja ka nevojë për stërvitje ushtarake. Ajo nuk duhet të jetë vetëm teorike, por edhe praktike. Nëpërmjet stërvitjes luftëtarët do të mësojnë të përdorin sa më shumë armë, si dhe taktikën e përdorimit të tyre. Nëpërmjet asaj ata do të mësojnë se si t’u binden urdhërave dhe të durojnë zjarrin e armikut, pasi kanë të bëjnë me një armik jo vetëm të mirëstërvitur, por edhe me një përvojë për luftë kundërguerile, pasi pak kohë ka që ka ndërprerë luftën në Kroaci dhe Bosnjë. Për të përballuar këto detyra është e nevojshme që në UÇK të bëhet zëvendësimi i komandantëve të paditur me komandantë nga rradhët e atyre që kanë fituar përvojë dhe kanë sakrifikuar trimërisht. Këta mund të bëhen shumë të mirë po të rrinë afër e të shohin vazhdimisht shembullin e komandantëve më të vjetër. Krahas kësaj është mirë të grumbullohet përvoja e luftimeve të deritanishme të UÇK-së dhe të përhapet ajo.
Duhet të formohen e të përgatiten me durim e këmbëngulje reparte të reja luftarake, duke i stërvitur ato në një varg aksionesh, sipas taktikës së luftës guerile. Në këtë mënyrë e bëjmë të paefektshme edhe situatën e disfavorshme për UÇK-në, që është krijuar nëpërmjet fushatës diversive dhe shpifëse serbe për paaftësinë e UÇK-së, por edhe atë të ndonjë zëri midis nesh në Kosovë që,nga naiviteti a ligësia e tyre, krijojnë premisë për izolim e shkëputje të UÇK-së nga populli. Shpresojmë se shtabet drejtuese të UÇK-së nuk duhet të guxojnë ta neglizhojnë këtej e tutje stërvitjen e të bëjnë hapa të pamatura në këtë drejtim, thjeshtë për interesa të ngushta, kundër një ushtrie të fortë.
UÇK-ja ka gjasa të ketë qenë jo e organizuar mirë dhe e shpërndarë. Themi se ka qenë e paorganizuar mirë, pasi kur luftohej në Deçan, heshtej në Gjakovë; kur luftohej në Malishevë, heshtej në Rahovec; kur luftohej në Klinë, heshtej në Pejë; kur luftohej në Drenicë, heshtej në Mitrovicë; kur luftohej në Junik, heshtej në Prishtinë etj. Pra, Kosova nuk u ngrit në luftë të organizuar dhe e organizuar. Nuk u kombinuan luftimet e një rajoni me ato të rajonit fqinjë, gjë që u duk më qartë në rastin kur ushtria serbe luftonte për të marrë me çdo kusht Junikun, forcat e UÇK-së në Lug të Baranit, në Dushkajë të Gjakovës dhe në Rekë të Keqe nuk e goditën armikun nga shpina. Kur në Kosovën Qëndrore e atë Perëndimore derdhej gjak, në zonat e tjera të saj bëhej sehir. Ja përse Serbia mundi t’i mbulonte me gjak e t’i shkrumbonte me lehtësi këto dy zona.
Pra, mungesa e një lufte të përgjithshme e të organizuar, mungesa e organizimit të aksioneve në të gjithë Kosovën – ja një nga shkaqet e tërheqjes së UÇK- së. E thënë shkurt, UÇK-ja ishte e pastërvitur dhe e papërgatitur për të përballuar ofensivën e përbashkët të ushtrisë e të policisë sërbe.
Uria dhe shkatërrimet në Kosovën Qëndrore dhe atë Perëndimore si dhe në zonat ku popullata e tyre ka shkuar për strehim, kriza në qytetet dhe shkaqe të tjera si këto, po bëjnë nga dita në ditë të pashmangshme shpërthimin e një reagimi të ri e më të fuqishëm të UÇK-së, prandaj më shumë se çdo roë tjetër, nevojitet organizimi i shëndoshë i saj, me anë të cilit të formohet ushtria e rregullt, sepse numri i njerëzve të revoltuar është rritur mjaft.
Një formacion i caktuar luftarak,sado i përgatitur e i armatosur që të jetë, nuk mund të veprojë më vehte dhe krejtësisht autonom, si deri tashti, pasi në veprimet e tij, ai është i varur nga formacioni që vepron në afërsi të tij. Në të kundërtën ata do të pësojnë disfatë po qe se do t’u mungojë kontakti midis tyre, sado luftëtarë të mirë të jenë.Nuk mjafton vetëm urrejtja kundër ushtrsië serbe. Nuk mjafton vetëm bindja se Kosova çlirohet vetëm me luftë, por duhet të kemi edhe bashkërendim veprimesh midis formacioneve të ndryshme të UÇk-së, si dhe mjeshtëri në të luftuar. Këtë organizim mund ta bëjnë mirë komndantët me përvojë të të gjitha rangjeve, të dalë nga shkollat e ndryshme ushtarake dhe ajo e luftës, e që ndodhen në mes të popullit të Kosovës e në radhët e UÇK-së, pasi është shumë e vështirë t’i sh ndërrosh masat njerëzore vullnetare në formacione luftarake të rregullta.
Po të kthehemi pak prapa në histori do të shohim se Ushtria Çlirimtare Shqiptare, gjatë Luftës së Dytë Botërore, u shndërua në një ushtri të rregullt partizane, në sajë të kuadrove të ish-ushtrisë së vjetër shqiptare e që rrëmbyen armët qysh në fillim të luftës.
Një shkak tjetër i humbjes së territoreve të kontrolluara ishte edhe ndjekja me tepëricë e taktikës së luftimit mbrojtjes dhe jo atij sulmues. Ky gabim i kufizimit qysh në fillim nga UÇK-ja në luftime mbrojtëse, pa i stërvitur njësitet dhe formacionet e saj me luftime sulmuese të vogla e të shpeshta, bëri që ato të mos futeshin në luftime vendimtare, në mënyrë që, kur organizimi të ishte më i fortë, ato luftime të ktheheshin në mësymje energjike të pareshtura.Kjo ndodhi se drejtimin e UÇK-së, me sa duket, e kanë marrë në dorë njerez idealistë e të vendosur, por diletantë në dijet ushtarake, të cilët çlirimin e fshatrave dhe zonave të veçanta e quanin ofensivë. Arti i të luftuarit është i papranueshëm me të tilla fantazi dhe dënon menjëherë atë që bie në prehërin e saj. Këtë gabim e diktoi dhe e gjuajti Serbia, e cila ka një shtatmadhori të kualifikuar.
Dihet se taktika e mbrojtjes është e domosdoshme për ruajtjen e forcave, derisa ta gjakosësh armikun në atë shkallë që mund të kalosh në mësymje. Por kjo nuk do të thotë që mbrojtja të mos jetë aktive.
Nuk duhet humbur asnjë rast kur ekzistojnë kushtet e favorshme për t’i imponuar armikut betejë atje dhe atëherë kur atij nuk i intereson. Vetëm në këtë mënyrë mbrojtja bëhet aktive, të cilën nuk e pamë në asnjë rast gjatë pesë muajve aktivitet të UÇK-së.Me sa dimë,UÇk- ja pati një rast ideal për të zhvilluar betejë,sikundër ishte ai i luftimeve në Llapushnik, por nuk dimë se kush qe raporti i forcave. Tepërmi nga ana e UÇK-së me taktikën mbrojtëse bëri të mundur që serbët të merrnin nisiativën.
Sikur UÇK-ja të kishte ndjekur qysh në fillim taktikën e sulmit, sikur që në fillim të kishte sulmuar depot e armikut në shumë pika të Kosovës, atëherë lufta e popullit kosovar do të kishte marrë më tepër drejtimin e dëshiruar. Me sa duket, në radhët e UÇK-së ekziston mendimi se taktika e sulmit nuk është e përshtatshme për ne, nga që kemi komandantë pa përvojën e nevojshme dhe se formacionet e saj janë të armatosura keq. Duhet të ketë ekzistuar ky mendim si dhe është patur frikë nga rënia në rrethim, prandaj edhe filloi një tërheqje e vrullshme, pa kryer veprime sulmuese. Mirëpo,kjo e hidhëron popullin, pasi ky u detyrua të mbajë në kurriz gjithë peshën e ofensivës serbe, prandaj sulmin duhet ta bëjmë natyrën tonë të vërtetë.
Në luftë fiton guximi dhe mund të jetë i guximshëm deri në fund vetëm ai që ndjek taktikën e sulmit. Ai që vihet në rrugën e sulmit, duhet të ketë tre gjëra, – thotë një strateg ushtarak: armë, reparte të stërvitura dhe dije ushtarake. Pa këto të treja nuk mund të ketë sulm.
Me dije ushtarake duhet të kuptojmë drejtimin me mjeshtëri të luftës, e cila do të thotë që pasi të kesh përvehtësuar të gjitha format e luftës, t’i përdorësh ato në mënyrë të arsyeshme, t’i koordinosh ato me zotësi ose të zbatosh në kohën e duhur njërën nga format, sipas situatës. Që të hidhet poshtë miti i pathyeshmërisë së ushtrisë serbe duhet sulmuar trimërisht dhe me heroizëm repartet, kolonat dhe prapavijat e saj.
UÇK-së i mungoi centralizimi i veprimeve, jo vetëm midis zonave, por edhe brenda zonës së veprimeve ushtarake. Mungesa e koordinimit të veprimeve luftarake është shkaktuar vetëm nga mungesa e drejtimit të centralizuar, veprime këto që përbëjnë pjesë të shkëputura të qëllimit strategjik të periudhës së parë të luftës. Pa një koordinim veprimesh luftarake nuk mund të kemi fitore të qëndrueshme. Ky bashkëveprim nuk është i lehtë, ai kërkon shtabe të afta dhe me përvojë. Por, bazë pë të arritur atje është udhëheqja politike, të cilën asnjë formacion i UÇK-së nuk e pranon në deklaratat e bëra, edhe pse midis tyre ka preferenca për forca të caktuara politike.
Mungesa e centralizimit të veprimeve luftarake të UÇK-së është rrjedhojë e mungesës së organit qëndror që do të bëjë udhëheqjen politike e që do të drejtojë Kosovën dhe UÇK-në me autoritet të tillë sa të bashkonte në një të tërë e të vetme fshatin dhe qytetin kosovar, i cili të jetë organ i drejtimit të luftës e të pushtetit.
Me një fjalë, Aparati shtetëror Vetëqeverisës i Kosovës, duhet të përshtatet për qëllimet e luftës, ku të gjitha energjitë e anëtarëve të tij t’i drejtojë në këtë drejtim. Ky është kushti i parë i fitores së luftës në Kosovë. Mungesa e tij ka sjellë mungesën e një Shtabi real të
Përgjithshëm të të gjitha forcave të UÇK-së, i emëruar nga organi qëndror që do të bëjë udhëheqjen politike të popullit në luftë dhe jo i vetëemëruar. UÇK-ja nuk mund të veprojë normalisht pa një shtab të tillë.
Si rrjedhojë e mungesës së këtij shtabi profesionist shumë nga luftimet e zhvilluara prej UÇK-së nuk kishin brendinë e qëllimit strategjik, pasi nuk i shërbenin atij. Ato bëheshin më shumë për t’i hedhur lule vehtes, nga çdo formacion apo komandant, pasi ka munguar bashkëveprimi dhe drejtimi. Kjo solli tërheqjen e UÇK-së. Ky shtab është i domosdoshëm pasi vendos regjim të fortë centralizimi në veprimet e formacioneve luftarake të UÇK-së,pasi situatat ndryshojnë shpejt dhe mungesa e tij sjell humbje forcash, humbje kohe dhe ç’organizim. Ai shtab duhet të njihet e të pranohet nga komandat e të gjitha niveleve. Përbërja e këtij shtabi mund të jetë jo më shumë se tre persona kryesorë, nga të cilët njëri të drejtojë organet e drejtimit politik të luftës, tjetri – organet e furnizimit të UÇK-së, dhe i treti të komandojë.
Ky shtab të mos mjaftohet vetëm me marrjen e raportimeve nga poshtë, por pranë çdo zone dhe njësie taktike të ketë përfaqësuesit e vet, që ta informojnë rregullisht dhe të kontrollojnë zbatimin e përpiktë të direktivave (fillimisht) e të urdhërave të shtabit. Vetëm kështu mund të sigurohet lidhja midis shtabit dhe zonave ku veprojnë formacionet e UÇK-së, deri sa të kalohet në formimin e formacioneve më të mëdha, ku përafqësuesit e tij do të jenë pranë tyre. Në këtë mënyrë jo vetëm që sigurohet lidhja midis shtabit dhe formacioneve vartëse, por eleminohet autonomia fiktive e tyre dhe vendoset centralizmi i vërtetë, pasi lufta nuk është ekonomi tregu, ku si ligj kryesor ka konkurencën, por është veprimtaria njerëzore e cila e realizon fitoren vetëm nëpërmjet veprimeve të centralizuara. Ky centralizim sjell zbatimin e mirë të direktivës apo urdhërit të dhënë dhe krijon te luftëtarët jo vetëm kënaqësinë e të luftuarit, pasi do të kenë më shumë aksione të bashkërenduara, por do të edukojë tek ata edhe bindjen ndaj urdhërit.Kjo ka rëndësi të madhe për luftën, pasi ka të bëjë me kryerjen e përpiktë të aksionit luftarak dhe në kohën e duhur, nga që e kupton dhe e ndjen se kur dhe si duhet kryer aksioni. Këto ishin disa nga shkaqet kryesore pseUÇK-ja humbi kontrollin në shumë territore që deri tash kontro- lloheshin prej saj.
“Rilindja”, 6 shtator 1998
Ribotuar nga “Revista Ushtarake”, Nr. l , Shtator 1998.

______________________________

Nga faqet e librit “Rruga që më çoi në radhët e UÇK-së”!
DILAVER GOXHAJ (SHPËTIM GOLEMI): SERBIA E KA TË QARTË SE UÒªK’ja ËSHTË E GJITHË KOSOVA (22 GUSHT 1998)

https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8771

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

PROJEKTPLATFORMA …

Projektplatforma ime për ringritjen dhe për fitoren e pushtetit nga opozita  demokratike Nga Skënder Sadri KAPITI Të dy partitë politike kryesore…