JENI MYFTARI: ALFABETI I ELBASANTIT (1761)

Londër, 28 Korrik 2019: Në historinë e Letërsisë Shqipe është i njohur fakti se përgjatë shekujve shqipja është shkruar me alfabetë të ndryshëm ndër të cilët edhe me alfabet latin, grek dhe arab. Dokumenti më i vjetër i shqipes me alfabet grek, i njohur deri më sot, është Ungjilli i pashkëve ose e njohur ndryshe si Perikopeja i cili mendohet të jetë shkruar në fund të shekullit të 15-the ose fillim të shekullit të 16-të 1.
Megjithatë, lulëzimi i letërsisë shqipe me alfabetë të ndryshëm është në shekujt e 17-18. Gjatë kësaj periudhe kemi zhvillimin e letërsisë shqipe myslimane të shkruar me alfabet arab e cila njihet si “Letërsia e bejtexhinjve” ku vjersha më e vjetër me këtë shkrim, e njohur deri më sot, është një lutje humoristike për kafenë që daton më 1725 si dhe shkrime në traditën ortodokse ku shqipja është shkruar me alfabet grek, veçanërisht tekste fetare të ritit ortodoks.

Anonimi i Elbasanit

Por në mesin e shekullit të 18-të dhe në shekullin e 19-të gjejmë disa përpjekje për përdorimin e alfabeteve unike, me gjasa në përpjekje për të patur një alfabet origjinal shqip. Një prej tyre njihet si Alfabeti ose shkrimi i Elbasanit. Alfabeti i Elbasanit përdor një karakter për fonemat përveç n-së e cila ka dy karaktere dhe g-së me tre karaktere (nga të cilat, dy gërma u përdorën vetëm për fjalë të huaja greke), dhe ndryshimi midis r dhe rr dhe midis l dhe ll bëhet me anë të një pike mbi gërmën përkatëse. Një pikë mbi d krijon nd.
Edhe pse disa gërma kanë ngjashmëri me gërma greke dhe sllave shumica e gërmave të Alfabetit të Elbasanit duket se janë krijime të reja pa ndikim të gjuhëve dhe alfabeteve të tjera. Ai vërteton përpjekjet e intelektualëve shqiptarë për të zgjidhur që herët dilemën e alfabetit shqip.
Alfabeti i Elbasanit është përdorur për shkrimin e Ungjillit të Elbasanit ose të njohur ndryshe si Anonimi i Elbasanit. Ky alfabet herë thuhet se ka 40 gërma2 nga të cilat 35 janë të zakonëshme dhe 5 të rradha dhe herë thuhet se ka 54 gërma 3.

Alfabeti i Elbasanit

Anonimi i Elbasanit është një vepër prej 60 faqesh. Në përgjithësi, sistemi grafik i Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve është i qartë dhe i mirë-konceptuar nga krijuesi i tij 4.
Vepra fillimisht u gjet në manastirin e Shën Gjon Vladimirit në Elbasan dhe aktualisht ndodhet në ruajtje në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë. Vepra përmban përkthime prej katër ungjijve në gjuhën shqipe. Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve është përkthimi i parë orthodoks i Biblës 5.
Autori i këtij dorëshkrimi mendohet të jetë Grigori i Voskopojës i njohur edhe si Grigori i Durrësit 6. Grigori ka qenë mësues dhe klerik ortodoks në Voskopojë dhe përmendet si autor i disa hagjiografive të bouara në greqisht. Nga fundi i jetës ai u zgjodh kryepeshkop i Durrësit (1768) dhe vdiq më 1772, me gjasë në manastirin e Shën Gjon Vladimirit në Shijon të Elbasanit.
Dihet se Grigori bëri përkthime të Dhjatës së Vjetër dhe të Re në një alfabet të shpikur prej tij. Nga kjo mund të thuhet se Dorëshkrimi i Elbasanit është pjesë e veprës së tij, shprehet albanologu kanadez Robert Elsie 7.
Ndryshe nga sa u tha më lart, gjuhëtari i njohur shqiptar Dhimitër Shuteriqi, i cili së bashku me Mahir Domin kanë paraqitur shumë studime interesante mbi Anonimin e Elbasanit dhe alfabetin e përdorur për shkrimin e tij, beson se autori i tekstit të Anonimit të Elbasanit është Papa Totasi8, prift ortodoks nga ana e Shpatit të Elbasanit. Emri i këtij të fundit del me një shkrim tjetër në faqen e brendëshme të dorëshkrimit.
Megjithatë, sipas Elsies, nuk ka kurrfarë dëshmie konkrete për qenien e një prifti apo shkrimtari të tillë 9.
Ndërkohë, fakte të reja kanë dalë për përdorimin e Alfabetit të Elbasanit. Sipas studiuesit ukrainas Aleksandër Novik, arkeologët kanë gjetur artefaktet me mbishkrime në alfabetin e Elbasanit (me 54 gërma) të shekullit të 17-të në fshatin Margaritovo të Ukrainës 10. Këtë deklartë Novik e ka bërë ekskluzive në kumtesën e tij mbajtur në Seminarin e 34-të Ndërkombëtar të Prishtinës për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqipe më 2015.

Gjetja e artefakteve të alfabetit të Elbasanit të shekullit të 17-të në ish Perandorinë Ruse është jo pak befasuese, sepse zbuluesi i parë i këtij alfabeti J.G. von Hahn ka thënë se “Alfabeti i Elbasanit nuk është përdorur vetëm në Elbasan dhe Berat, por edhe te tregëtarët në mërgim”. Ndërsa fakti që ky alfabet është përdorur edhe nga mijëra shqiptarë që kanë jetuar në territoret e Peradorisë Ruse, ka qenë i panjohur, citon shqiptarja.com.
_______________
Literatura e shfrytëzuar:
1 Elsie, Robert. Histori e Letërsisë Shqipe, Dukagjini, Pejë, 2001.
2 http://www.elsie.de/pdf/articles/A1994Doreshkrimi_Fig.pdf
3 https://shqiptarja.com/lajm/zbulohet-ne-ukraine-alfabeti-br-400-vjecar-i-elbasanit?r=app
4 http://www.elsie.de/pdf/articles/A1994Doreshkrimi_Fig.pdf
5 http://www.elsie.de/pdf/articles/A1994Doreshkrimi_Fig.pdf
6 Lloshi, Xhevat. Rreth alfabetit të shqipes: me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, LOGOS-A, Shkup, 2008.
7Elsie, Robert. Histori e Letërsisë Shqipe, Dukagjini, Pejë, 2001
8http://mountain-turizem.blogspot.com/p/alfabeti-i-elbasanit.html
9 Elsie, Robert. Histori e Letërsisë Shqipe, Dukagjini, Pejë, 2001
10 https://shqiptarja.com/lajm/zbulohet-ne-ukraine-alfabeti-br-400-vjecar-i-elbasanit?r=app

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

VLORA JONË!

VLORA JONË! Një reflektim i shkurtër nën hijen e Seminarit të XVI-të Mbarëkombëtar për Mësuesit e Gjuhës Shqipe…