TAHIR GECAJ: NGA DITARI – VITI SHKOLLORE 1968 – 1972

Pashtriku.org, 07. 04. 2013 – (Gjimnazi “Vëllazërit Frashëri” në Deçan) – Në Gjimnazin „Vëllazërit Frashëri“ në Deçan, punova si mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe, i gjuhës latine për klasët e para, gjatë viteve shkollore 1968 -1972, prandaj, tashmë, pas shumë vitesh, s`do të ishte ndonjë befasi, po t`më ishte tretur nga kujtesa diç nga ajo periudhë trevjeçare, por, ja qe, edhe sot e kësaj dite, mund ta them se puna me ato gjenerata nxënësish, si dhe angazhimi në kuadër të atij ekipi të kompletuar arsimtarësh, jo vetëm që më ngeli në kujtesë, por, madje kam përshtypjen se ajo përvojë e pat e nxitur shpresë në nënvetëdijën time, padje për një kohë të gjatën se, një ditë prej ditësh, sërish do t`i kthehesha profesionit të mësimdhënësit, por gjithnjë duke supozuar se nxënësit e mi të ardhshëm, do të ishin pikërisht ata apo si ata, që kishin qenë njëherë e një kohë, mes atyre viteve të pa përsëritshme, por, ja që, tashmë nga ajo kohë ka ngelë vetëm kujtimi i pashlyeshëm për të gjithë nxënësit dhe kolegët e mi, me një përjashtim1, kujtim ai, të cilin, ma freskuan herë pas herë, disa prej tyre, që pata fatin t`i takoj thuaja rastësisht apo në rrethana të papritura, gjatë periudhave të më vonshme të jetës sime përplot me kthesa.
Dy ngjarjet e gushtit të vitit 1968-të
Kujtesa për ato vite më riktheu në ngjarjet që ndodhën në muajin gusht të vitit 1968-të, në kohën kur gjendesha në përfundim të shërbimit në Aeroportin ushtarak të Shkupit dhe kur kisha filluar të mendoja, si për vendin ashtu edhe për institucionin, ku do të inkuadrohesha në punë, ndodhën dy ngjarje të rëndësishme, njëra prej të cilave kishte të bëjë me debatin për ndyshimet në Kushtetuten Federative dhe në atë Republikane të vitit 1963, kurse tjetra që radhitej në spektrin e marrëdhënieve të jashtme të RSFJ-së, e, që kishte të bëjë me okupimin e Çekosllovakisë nga armatat e pesë shteteve të Bllokut sovjetik, më 21 gusht të vitit 1968.

Tahir Gecaj (1967 – 68)

Në fakt, si ngjarje e rëndësishme historike e asaj kohe për ne, shqiptarëve, në kuadër të atij ish-shteti, ishte dhe ngeli debati2 i zhvilluar në organizatat apo aktivet partiake të LKJ-së rreth ndryshimeve dhe plotësimeve në Kushtetuten Federative dhe në atë Republikane të vitit 1963, debat ai, i filluar së pari, në Gjakovë, më 18 – 20 gusht 1968, për të vazhduar në Pejë, në Deçan, e më pas edhe në Prishtinë, në Gjilan, në Gllogoc, në Lipjan dhe në Prizren etj., gjatë të cilit shfaqet kërkesa që statusi i Kosovës të avansohet nga Krahina autonome në Njësi federale – Republikë të barabartë me republikat tjera të atij shteti me të gjitha të drejtat që i gëzonin republikat tjera në kuadër të Shtetit federativ. Krahas, kësaj, pos shumë ndryshimesh të tjera, ishte kërkuar që emri “Kosovë – Metohi”, të ndryshohej dhe të quhej në gjuhën shqipe – Kosovë, kurse në gjuhën serbo-kroate – Kosovo, ashtu sikundër që ishte kërkuar që në Kushtetuten Federative në gjuhën serbo-kroate populli shqiptar i Kosovës të mos emërtohej në mënyre fyese “shiptari”, por “albanci”.
Siç është e ditur, ndaj qëndrimeve të shfaqura në aktivet politike të LKJ, në në shumicën e qyteteve të Kosovës, kishin reaguar institucionet e nivelit republikan dhe federativ, si rezultat e të cilave, më 31gusht të vitit 1968, Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Krahinor, në Prishtinë, me ç`rast gjykohen qëndrimet e shfaqura në Aktivin politik të Gjakovës dhe në atë të Pejës etj. Prandaj, konsideroj së është e nevojshme të përmendet fakti historik se kur themeluesit e këtij institucioni arsimor i dhanë emrin Gjimnazi “Vëllazërit Frashëri”, rrethanat politike ishin mjaft të komplikuara, nërkaq, siç dihet, themelues të tij ishin pikërisht kuadrat partiake, pra udhëheqësit partiakë të komunës së Deçanit, të cilët pa dyshim ishin konsultuar edhe me udhëheqjen krahinore të asaj kohe. Mendoj se këtë fakt lypset theksuar pa ngurrim, nga se kohëve të fundit, jo rrallë po ndodhin shmangie të qëllimshme nga faktet historike.
Në vazhdën e atyre ngjarjeve, kur pesë shtetet e Bllokut sovjetik e okupuan Çekosllovakinë, më 21 gusht të vitit 1968, aty, në Aeroportin ushtarak të Shkupit, ku gjendesha në përfundim të shërbimit ushtarak, qe shpallur gjendja e jashtëzakonshme, ndërkaq gjatë asaj kohe e deri në fund të shtatorit të atij viti, pra, në rethanat, kur shteti jugosllav përgatitej për t`u mbrojtur nga sulmi eventual i Bllokut socialist, as që mendoja se në fillim të tetorit do të kthehesha në jetën civile. Por, megjithatë, ndodhi që një javë pas datës kur duhej të lirohesha, u hoq gjendja e jashtëzakonshme dhe, ne ushtarët që e kishim kryer shërbimin, u kthyem në familjet tona.
U bëra pjesë e ekipit të mësimdhënësve të Gjimnazit “ V. Frashëri”
Në mbrëmjen e kthimit në familjen time, në Llukë të Poshtme të Deçanit, në odën e tim ati, erdhën shumë mysafirë, ndër të cilët edhe shoku im i fëmijërisë, Ahmet Berisha, me të cilin kishim shkuar të njëjtën ditë së bashkut në Garnizonin e aviacionit ushtarak të Somborit, në Vojvodinë, për ta kryer shërbimin ushtarak. Dhe, thënë realisht, ajo shkuarje së bashkut në të njëjtin vend, e kishte parahistorinë e vet, falë Bacës Qazë, siç e qunim ne, Qazim Hulajn, nëpunës në sektorin komunal të mbrojtjes popullore, por, mbi të gjitha, njeri i ndershëm dhe i pa kompromituar. Në fakt sapo kishim diplomuar, Ahmeti në Degën e Biologjisë, kurse unë në atë Albanologjisë, na kishin ardhur ftesat për të shkuar në shërbimin ushtarak, ndërkaq Baca Qazë, ishte ai që na pat dërguar në të njëjtin vend, pra në Garnizonin e Somborit, ku gjatë tre muajve të parë kishim qëndruar së bashkut, deri sa i kishim kryer kurset tremujore të aftësimit për të shërbyer në aeroportet e aviacionit ushtarak jugosllav. Pas asaj kohe më patën transferuar në në aeroportin ushtarak të Shkupit.

Gjatë asaj mbrëmjeje aty, në odë, Ahmeti më informoi se atë e kishin liruar nga ushtria tre – katër ditë para meje, ndërkaq, sa po kishte arritur, kishte kontaktuar me drejtorin e Gjimnazit “Vëllazërit Frashëri”, – Sahit (Rexhep) Çekajn, dhe kishte filluar të punonte në gjimnaz. Krahas kësaj, më informoj se nëse pajtohesha, edhe unë mund të filloja nga puna qysh ditën e nesërme. Pas atyre informatave të marra nga Ahmeti, siç ndodh zakonisht në oda, propozimi i tij u përkrah njëzërit nga të gjithë të pranishmit, pavarësisht nga fakti se çfarë mendoja unë personalisht. Dhe, ndodhi që pas bisedës që e bëmë të nesërmen me Sahit Çekajn, u pajtova, dhe e nisa punën në atë institucion shkollor. Ndërkaq, shikuar nga perspektiva e rrethanave të atëhershme, në një gjimnaz fshati, të themeluar një vit më parë, ishin tubuar hiq më pak se 12 profesorë të diplomuar. Të gjithë vendës pos dy-tre pejanëve. Ndërkaq, maturantët e parë, tri klasë me nga 35 e më shumë nxënës, shumica djem, por edhe disa vajza, thuaja secili më i mirë se tjetri, ishin dhe ngelën mburrja e arsimtarëve, që punuan me ato gjenerata.
Mbase është e nevojshsme të theksohet se puna dhe angazhimi i mësimdhënësve të kualifikuar për lëndët, që i ligjëronin, disiplina dhe sjellja e mirë e nxënësve, si dhe atmosfera e ngrohtë shoqërore që mbretëronte mes kuadrove që punonin, pa përzierje nga faktorët e jashtëm, ishte një specifikë e rrallë, që atij institucioni shkollor – atij gjimnazi në kuptimin e plotë të fjalës, ia shtonte vlerën ditë pas dite. Dhe, traditën e filluar nga themeluesit e asaj vatre të diturisë e kishin vazhduar edhe kuadrat e reja të formuara më vonë në Universitetin e Prishtinës, kështu që nga ai institucion arsimor apo nga ajo qëndër e krijimit të vetëdijës kombëtare, pas Demonstratave të vitit 1981, për shkak të veprimtarisë kombëtare nga UDB-a serbo-shqiptare burgosen rreth dhjetë profesorë dhe ish-profesorë të atij gjimnazi, të cilët, mbajnë dënime afatgjata, kurse në numër të tjerësh ranë gjatë luftës së UÇK-së.
Gjimnazi „Vëllazërit Frashëri“ ishte dhe shpresoj se do të jetë gjithnjë institucion shkollor, i cili, do ta ruajë në vazhdimësi famën e emrit që e mban, ashtu siç e ruajti, e kultivoi dhe e kishte për nderë gjatë atyre viteve të rënda të themelimit të tij dhe të nismës së arsimimit të nxënësve shqiptarë të Deçanit me rrethinë.
________________
1. Është fjala për nxënësin tim të dikurshëm Zyber Zyberin, i cili, në cilësi të punëtorit të UDB-së jugosllave, më pat burgosur në vitin 1982, burgosje pas të cilës më dënuan për veprimtari armiqësore, me 10 vite burgim, sipanit 136 aline 1, të LP të Jugosllavisë

Autori i ketij shkrimi, në mesin e gjimnazistëve të Deçanit, në muajin maj, të vitit 1971

=================================
 SPASTRIMI ETNIK I KOSOVËS QËLLIM THEMELOR I UDHËHEQJEVE SERBE
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=720

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura